Nga Afrim Krasniqi
Është tipar i vendeve të vogla të diskutojnë për zhvillimet në vendet e mëdha. Kështu ndodhi në Tiranë edhe në orët pasuese të zgjedhjeve amerikane. Është tipar i shoqërive të brishta në formim të diskutojnë përciptas mbi të tjerët, sidomos politikat e mëdha dhe lidershipin politik botëror. Kështu ndodhi edhe në Tiranë në komentet mbi Klinton – Trump dhe kursin e ri amerikan. Është gjithashtu tipar i shoqërive të zhgënjyera të kërkojnë modele të gatshme të huaja për implementim në vendin e tyre. Kështu po ndodh edhe në Tiranë, me pyetjet retorike nëse modeli amerikan, ndryshimi amerikan, risia amerikane do të mund të aplikohej në Shqipëri.
Mbetet pyetje e debat retorik për një numër arsyesh thelbësore. E para shoqëria amerikane ka përvojë si demokraci funksionale e konkurruese 3-4 herë më shumë sesa jetëgjatësia jonë si shtet, dhe 10-15 herë më shumë sesa eksperimenti ynë konkurrues. Përgjatë kësaj përvoje ata kanë krijuar struktura, modele, mekanizma dhe kulturë sjelljeje të paimagjinueshme për ne. Imagjinoni, – brenda pak orësh të gjithë kritikët e rivalët e fituesit në SHBA e uruan atë, e cilësuan “Presidenti ynë” dhe i ofruan mbështetje. Kurse këta tanët, edhe në Bruksel krijuan skandal duke u grinden për 2 paragrafe deklarate, kurse në zgjedhje e sidomos pas tyre, çdo herë vjen refuzimi e kontestimi sepse shohin tek fituesi, armikun, vrasësin, hajdutin, të keqen!
E dyta, kandidatët në SHBA u vet-shpallën, garuan brenda partive të tyre dhe fituan, edhe kur shefat e partisë i kishin kundër; konkurruan tek qytetarët në çdo qytet e rrugë dhe morën mbështetje të lartë edhe pse mund ta bënin fushatën në TV e me improvizime/kaseta të gatshme siç bëjnë këta tanët. Imagjinoni në Shqipëri të shkojë dikush në një nga partitë e mëdha dhe të shprehë dëshirën për kandidim kundër vullnetit të shefave: ose përfundon në burg duke lajmëruar policinë, ose përfundon në objekt satire duke u tallur nga shefat dhe militantët ndjekës të tyre. Në SHBA individi vendosi, partitë e ndoqën pas, – në Shqipëri partitë vendosin, individët nuk kanë alternativë tjetër veç ti ndjekin pas.
E treta, në SHBA u fol për revolucion të shtresës së papërfaqësuar, të prekur nga kriza ekonomike dhe problemet e sigurisë, emigrimi, etj, pra atje individi e përdor statusin social për të bërë një bilanc dhe votën politike për të balancuar ose përmirësuar gjendjen e tij. Tek ne sa më të varfër qytetarët, aq më të bindur janë ndaj pushtetit, aq më pak lind brenda tyre nervi i reagimit dhe as më lehtë tregtohet vota e tyre në zgjedhje. Dallimi mes qytetarëve që mendojnë e veprojnë dhe turmës që nuk mendon dhe as nuk vepron, përbën dallim bazë për aftësinë e ndryshimit.
E katërta, sistemi zgjedhor amerikan është mazhoritar, 100% votë mazhoritare. Fitojnë më të mirët në garë të fortë mes tyre. Fitojnë platformat, programet, cilësitë, kandidati. Tek ne nuk ndodh dhe nuk mund të ndodh asnjëra prej tyre. Ne nuk kemi votim direkt, nuk ka program asnjë kandidat, nuk ka debat mbi cilësitë dhe as për kandidatët, – ata thjesht emërohen nga 2-3 shefat e tyre në Tiranë. Sistemi ynë zgjedhor penalizon qytetarin që do të dalë jashtë sistemit, pra të tentojë të konkurrojë I pavarur apo me nismë të re politike, nuk lejon lëvizje politike dhe as shanse për konkurrim apo lexim vote.
E pesta, SHBA nuk votoi vetëm për Presidentin, votoi për një pjesë të kongresit dhe senatit, njëherësh u bënë votime të pjesshme për guvernatorë apo drejtues të tjerë lokalë, si dhe rreth 10-12 referendume mbi lejimin e marijuanës, çështjen e armëve apo pagës minimale. Dhe të gjitha u administruan në më pak se 10 orë, kurse tek ne, edhe zgjedhjet në një bashki të vogël na duhen 2-3 herë më shumë kohë të numërojmë disa mijëra vota. Tek ne nuk ka shans për referendum, taksat emërohen nga lart, rroga minimale diktohet nga lart, ligjet penale diktohen nga lart. Në SHBA pensionistët vullnetarë dhe pajisjet elektronike dominuan numëruesit e votave, tek ne numërues janë pjesa më e fortë, muskujt e dy partive të mëdha, bodigardë, drejtorë, militantë.
E gjashta, CNN raportoi takimin Obama – Trump për tranzicionin e pushtetit, si dhe faktin se presidenti i ri do të duhet të bëjë rreth 4 mijë emërime politike në një vend me 325 milion banorë. Kurse tek ne, me rreth 2 milion banorë efektiv, kur ka rotacion politik bëhen rreth 34-37 mijë emërime politike, dhe p.sh, vjet desh shkaktoi skandal fakti se në një burg lokal nga 98 punonjës 2 prej tyre nuk kishin teserën e partisë që ka drejtorin e burgut!! Konceptet e shtetit, administratës, shërbimit publik, kushtetutës, ligjit, – në modele si SHBA, janë në ndërgjegje dhe në identitet, tek ne janë disa vetëm lojëra fjalësh pa vlerë që i përdorim kur duhet të takojmë të huajt.
E shtata, ndryshimin e status-quo-s nuk mund ta bëjë ai që është pjesë e saj. Amerikanët donin diçka të re, jo domosdoshmërisht më të mirë, por të re ama, jashtë sistemit traditicional. Dhe e arritën. Po tek ne? Pyesni të majtët dhe të thonë se njeriu më novator në vend është lideri i tyre, pyesni të djathtët dhe të thonë se njeriu më trendy në vend është ish lideri i tyre, pyesni në rrugë dhe të thonë se të gjithë janë njësoj dhe në fund, për fatet tona vendosin ca emra politikanësh të periferisë, me gjysma diploma universiteti, pa CV personal dhe asnjë arritje tjetër jetësore përveç shërbimeve pa kushte ndaj shefit të vet. Dhe kur fatet e një vendi varen nga ky standard minimal meritash, dihet përfundimi: të fundit në listë, të fundit në zhvillim, të fundit në integrim, dhe natyrshëm, të parët në listën e vendeve në krizë apo nivel të lartë korrupsioni.
Së fundi, janë aksidente historike rastet kur shtetet demokratike përfshihen në fushatat e shtetit tjetër. Në Shqipëri nuk kemi pasur kurrë një shtetar drejtues të një shteti tjetër që të ketë përcaktuar se kë duhet të zgjedhin shqiptarët. Ne po, këtu e në Kosovë, u investuam në CNN dhe media ndërkombëtare kundër një kandidati, i cili në fund rezultoi edhe fitues. Standard province edhe kur i pari i fshatit thotë se jam modern, ngaqë nuk mban mbi tavolinën e punës Kushtetutën e RSH apo Kodin e Sjelljes në Politike, por mban penele, me të cilat ngjyros agjendat duke shtyrë orët e ditës.
Përse nuk jemi si shoqëritë demokratike? Përse nuk mësojmë prej tyre? Përse i kuptojmë çfarë bëjnë por nuk bëjmë asgjë për të përmirësuar veten? Përse nuk reflektojmë nga gabimet? Përse nuk sakrifikojmë pak pushtet e ego personalë në funksion të shtetit që aspirojmë? Janë pyetje 100 vjeçare, – të gjitha pa përgjigje, madje naive dhe demode në një vend e shoqëri ku dija shihet si mëkat dhe i forti shihet si vlerë!