Po sepse as ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë asnjëherë më, në historinë moderne, që kandidati për postin më të fuqishëm të botës të njohë kaq mirë çështjet shqiptare, të ketë vizituar kaq shpesh trojet shqiptare, dhe të njohë personalisht kaq shumë shqiptarë.
Sikur të ishim njerëz me këmbë në tokë, modestë, dhe të mos vuanim nga amnezia historike do të ishim tani duke fërkuar sytë e duke pickuar mishin për t’u zgjuar nga ëndrra apo për të kuptuar se si na erdhi ky fat për një popull që historia e ka sfiduar e tallur jo pak herë.
Mirëpo, e vërteta është që shumëkujt pre nesh, përfshi edhe ata që e adhurojnë kandidaten demokrate, kjo më sipër na duket e natyrshme.
Na duket normale që njeriu më i fuqishëm i botës ta dijë personalisht se ku bie Shqipëria, Kosova, se ku jetojnë shqiptarët etj.
Kështu ndodh, kur je zhytur mirë thellë në delirin e paparë ku na duket se bota rrotullohet rreth nesh, jo vetëm që nuk të bën përshtypje kjo gjë e jashtëzakonshme, po ia mbush mendjen vetes se kjo zgjedhje presidenciale në SHBA është një dilemë legjitime. A të votojmë për kandidatin e parë dhe të fundit që njeh dhe mbështet aspiratat tona kombëtare, demokratike dhe të lirisë, apo të mbështesim një kandidat që as e njohim, as na njeh dhe as ka durimin e të dijë për ekzistencën e popujve të vegjël, të situatave dhe historive komplekse.
Kjo nuk është thjesht punë nacionalizmi. Ndërhyrja amerikane në Ballkan i dha fund një dekade luftërash, përmbysi peshoren e fuqisë që kishte dënuar me humbje historike shqiptarët përballë serbëve, solli çlirimin e Kosovës dhe zvarritjen e detyruar të rajonit drejt një demokracie liberale.
Kjo ka përmirësuar jetët e të gjithëve, ka ndërprerë vrasjet dhe përdhunimet masive, luftërat, ka ngritur standardet e jetesës, ka shtuar sigurinë e përditshme, lirinë e të folurit, emancipimin e grupeve dhe individëve tradicionalisht të shkelur me këmbë.
Të duash një Amerikë të angazhuar në rajon nuk është thjesht nacionalizëm shqiptar është një shpesë për një jetë më të mirë dhe më të sigurtë për të gjithë. Ka ende shumë probleme Ballkani edhe sepse shumica e ndryshimeve kanë ardhur kundër dëshirave të shumicës së njerëzve që jetojnë aty. Për shembull, nëse ballkanasit do të votonin Kosova nuk do të bëhej kurrë e pavarur, po do të mbetej pjesë e Serbisë.
Po ky angazhim dhe investim amerikan për të përmirësuar jetën në Ballkan nuk është pafund. Në fakt, me Hillary Clinton kjo periudhë arrin fazën e saj më të lartë dhe të fundit. Pas kësaj rifillon normalizimi i marrëdhënieve të një vendi të madh me një komb të vogël. Nuk do të ketë më një lidhje kaq speciale.
Jo sepse Donald Trump është kundër shqiptarëve. Po sepse kohët po ndryshojnë dhe kandidati republikan është një nga sinjalet paralajmërues të ndryshimit. Trump është prodhimi i një Amerike të cilës i ka ardhur bota në majë të hundës. I një Amerike për të cilën shqiptarët e serbët janë njësoj, dy popuj aty larg që nëse nuk binden le t’ia hanë kokën njëri-tjetrit. Sa shqiptarë kam dëgjuar e lexuar në vitet e fundit, që shfryjnë me urrejtje kundër Amerikës. Punë e madhe se i shpëtoi shqiptarët, shiko se çfarë bëri në Irak. Punë e madhe se shpëtoi shqiptarët, shiko mesiguri po komploton kundër Erdoganit. Punë e madhe që shpëtoi shqiptarët, shiko se çfarë po bën imperializimi, neoliberalizmi, globalizmi, etj etj.
Më keq akoma, ashtu si serbët në 1999, ka filluar loja për të gjetur arsye banale për të shpjeguar ndihmën dhe interesin. Donin Trepçen. Donin bazën në Bondsteel. Na penguan se po të mos ishin këta do të shkonim deri në Beograd. Po mbrojnë Thaçin, po mbrojnë Berishën, po mbrojnë Ramën.
Pse duhet Amerika të shpenzojë energjitë e saj atëhere, të investojë për të ringritur në këmbë shoqëri e kombe që herët a vonë do të kthehen kundër saj. Trump është besimi i amerikanëve se është çmenduri t’u bësh nder popujve të tjerë. I një Amerike që ka mjaft halle në tokn e saj kështu që nuk ka nge të zgjidhë ato në anët e tjera të globit. I një Amerikë që refuzon të mësojë se kush janë shqiptarët dhe serbët.
Kjo Amerikë mund të jetë një fazë kalimtare, po mund të jetë edhe epoka e re e historisë, që katër vite të Presidentes Clinton mund të mos e ndalojnë dot.
Ndoshta republikanët do të kenë katër vjet për të vendosur edhe njëherë nëse mund ta bindin shumicën masive të bazës së tyre se SHBA duhet të luftojë për lirinë dhe demokracinë në botë. Ndoshta demokratët do të mund të bindin rininë e tyre radikale se SHBA duhet të mbetet në kontroll të rendit botëror për të mos lejuar erozionin global të demokracisë liberale.
Po gjërat për shqiptarët nuk do të jenë më kurrë njësoj.
Një nga dukuritë më interesante të kësaj fushate te shqiptarët e Amerikës kanë qenë njerëzit që kanë investuar mijëra dollarë gjatë 25 viteve të fundit për Hillary Clinton dhe politikanë si ajo e që tani duan të fitojë Donald Trump. Ose kanë folur kundër saj me delirin e atij që nuk e kupton fatin e madh që ka pasur, që nuk vlerëson sakrificën e vet, dhe që nuk di të mbledhë frytet e investimit të tij jetësor.
Disa nga këta njerëz, Clinton mund t’i njohë me emër, ndërsa Trump nuk do ta dijë kurrë se kush janë, po çfarë joshje e pandalshme për të përbuzur aleatin dhe për t’i shërbyer atij që nuk e di se kush je.
Mos u habisni. E kemi në DNA që udhëheqësit e gabuar dhe abuzues të na bëjnë për vete. Si ata kafshët e cirkut që janë rrahur në moshë të vogël dhe i nënshtrohen me gëzim lëvizjes së shkopit, kur dëgjojmë një udhëheqës me retorikë abuzive si ata që nga trojet prej të cilëve kemi ikur, përndizet mazokizmi ynë historik.
Si Sekretare e Shtetit, në krye të diplomacisë më të fuqishme të botës, ndihma e saj për njohjen e Kosovës dhe përparimin e Shqipërisë ka qenë e madhe. Po shqiptarët nuk përfituan shumë në atë kohë, ndonëse zunë miqësi me shumë nga diplomatët që drejtonin Departamentin e Shtetit dhe do të drejtojnë diplomacinë amerikane nëse ajo zgjidhet presidente.Kanë ndryshuar shumë gjëra në këto 30 vite për shqiptarët këtu. Askush nuk i mban mend sytë e shuar të politikanëve, diplomatëve e ekspertëve që dëgjojnë me mendjen te akrepat e orës, për vuajtjet e shqiptarëve në Kosovë e Jugosllavi. Ngatërrimin e Shqipërisë me Armeninë, vërtitjen e kotë me flamuj përpara ambasadave e institucioneve në Washington. Entuziasmi për ndonjë amerikan kurioz, që ka zero ndikim në politikën e jashtme, po që në orën e pushimit të drekës, ndalon për të mësuar kush janë protestuesit ekzotikë të radhës në trotuarin tjetër të selisë së OKB-së.
Mund të gjesh dy-tre kongresistë që të thonë ndonjë fjalë për ty në Kongres e në media. Edhe Serbia i ka pasur. Që deklaratat e tyre të bëhen politikë e jashtme e vendit është gati e pamundur.
ongresistët shpesh kalojnë dekada duke mbajtur votues e donatorë me shpresa se në mos kjo administratë tjetra do të tregojë interes.
Të kesh një diplomat dhe ekspert që ka simpati për kauzën tënde nuk është e lehtë. Çfarë fati nëse diplomati merr ndonjë post që ka rëndësi. Po nëse bëhet ndihmës Sekretar i Jashtëm, apo zëvendës-Sekretar i Jashtëm? Apo NënSekretar i Jashtëm? Ka disa poste të tilla. Duken konfuze sepse ashtu janë krijuar. Lobistët shkëlehen nga një zyrë te tjetra me shpresën për të kuptuar se ku mund të ndikojnë.
SHBA është një superfuqi me vëmendje të kufizuar. Këmbanat nga e gjithë bota bien për vetësh e këtij vendi të madh. Zilja e vogël e shqiptarëve ka qenë me fat. Po edhe shqiptarët kanë bërë të gjitha sakrificat që mund të bëjnë si komunitet për ta tundur fort dhe me alarm atë.
Tani, kur në karrigen më të fuqishme të vendit më të fuqishëm, mund të ulet dikush që na njeh, çfarë çmendurie që sa e sa shqiptarë e shohin me urrejtje dhe me shpresë që të humbasë.
Se duan ta rregullojnë Amerikën ata që ende nuk kanë rregulluar shtëpinë e tyre? Se vendosin partinë dhe ideologjinë përpara atdheut për të cilin mburren se mendojnë ditë e natë?
E them shpesh këtë se Tibeti është disa herë më i madh se Ballkani, gati sa e gjithë Europa Lindore. Se kurdët janë 25 milionë vetë dhe nuk kanë ende një shtet, ndërsa ne mund të bëhemi shumicë në tre shtete. O deliri i fukarait të përjetshëm kur papritur bie në pak begati.
Një nga fotografitë e para të Hillary Clinton me shqiptarët është nga vitet në 1990, duke mbajtur në duar një kopje të gazetës “Illyria”. Kishte ardhur për të bindur shqiptarët se Bill Clinton do të ishte shumë më i mirë për ne. I buzëqeshëm mirëpo, të them të drejtën dy herë kemi votuar masivisht kundër tij. Sot, ai ka një statujë në Prishtinë dhe Kosova është e pavarur nga Serbia.
Hillary u rikthye përsëri te shqiptarët në Bronx dhe në gazetën Illyria kur kandidoi si senatore. Ka edhe një fotografi të dytë duke e lexuar atë. Në ato tetë vite i njohu edhe më mirë shqiptarët këtu. U vendosën me shtëpi në veri të qytetit, ku banojnë shqiptarë.
Nuk përfituan shumë sepse interesat partiake e personale po dominojnë përsëri mbi ato kombëtare e demokratike. Po sidomos sepse ne besojmë se shumica e punëve u zgjidh, se tani e tutje do të jetë gjithmonë kështu. Ne do të tregojmë sesa shumë e duam Amerikën dhe ky vend do të bëjë gjithshka për ne, kushdo që të zgjidhet.
E kaluara u harrua. Edhe rruga që na solli deri këtu.
Në javët e festës së 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Hillary Clinton deklaroi në Tiranë përpara parlamentit shqiptar. “Kemi qenë me ju gjatë 100 viteve të kaluara dhe do të jemi me ju edhe në 100 vitet që po vijnë”.
Ky njeri tani mund të bëhet president i Amerikës!
Trump ka shanse të mëdha sepse si asnjëherë tjetër në kohën moderne ka në Amerikë, një mobilizim të një vote proteste, votë frustrimi dhe mosbesimi.
Po vota shqiptare për Donald Trump nuk është e tillë. Nuk është një votë proteste. Është votë vetëkënaqësie, skizofrenie dhe amnezie.