Ka kaluar më shumë se një vit që kur qeveria nisi një aksion masiv kundër evazionit fiskal, me qëllim kryesor rritjen e të ardhurave për arkën e shtetit dhe sigurisht, tani ka ardhur koha të analizohet se nga anon bilanci.
Për fat të keq, rezultatet dhe ngjarjet që kanë ndodhur gjatë një viti qartësisht peshojnë nga efektet negative. Më e rënda është humbja e besimit te politikat e qeverisë. Presioni psikologjik që në kohët e sotme është po aq i rëndësishëm sa edhe vendimet sasiore, e ka goditur në atë masë biznesin vendas dhe investitorët e huaj, sa do të duhen vite që institucionet të rifitojnë betejën me besimin e humbur.
Tani pas një viti, të ardhurat për arkën e shtetit, jo vetëm që nuk i sollën 300 milionë eurot që ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani tha se do t’i merrte në tre muajt e parë të aksionit (tetor-dhjetor 2015), por përkundrazi performanca fiskale e vendit u përkeqësua edhe më shumë gjatë vitit të kaluar, kur ritmet e rritjes së të ardhurave buxhetore ranë në 3.7% nga më shumë 14% që ishin më 2014, viti i parë i qeverisjes së socialistëve pas rotacionit të 2013-s.
Për shkak se aksioni u konceptua si shantazh deri në burgosje, kryesisht ndaj bizneseve ambulante dhe atyre të vogla për moslëshimin e kuponit tatimor, në një periudhë kur ekonomia po vuante nga pasojat e krizës dhe konsumit të dobët, mijëra biznese panë falimentin. Pas formalizmit të 37 mijë bizneseve në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, 90 mijë biznese të tjera kaluan në status pasiv, ndërsa borxhi tatimor vetëm në vitin 2015 u rrit me 100 milionë euro, ritmi i lartë vjetor që kur institucioni taksambledhës (tatimet) nisën të arkivojnë borxhet që u ka biznesi. Një sondazh i Monitor publikuar javën e kaluar me 300 biznese, në një kampion të përzgjedhur nga rreth 3 mijë sipërmarrje që kishin kërkuar të çregjistroheshin në Tiranë në 8 muajt e parë të vitit gjeti se 62% e tyre fajësonin krizën, gjobat dhe taksat, që i kishin detyruar të mbyllnin aktivitetin. Shumë biznese treguan se gjobat e vëna i kishin shtyrë ata në vendimin drastik të kërkesës për çregjistrim, në pamundësi për të paguar.
Pasojat e aksionit u bënë më të rënda kur Ligji i ri i Procedurave Tatimore që u miratua dhe u shfuqizua brenda 2015-s, që në themel kishte 10-fishimin e gjobave për shkeljet e lehta, i traumatizoi bizneset, të cilat ngrinë planet e investimeve dhe pushuan kërkesën për kredi. Situata e krijuar mbajti larg investitorët e huaj që kishin plane ambicioze për investime në Shqipëri, teksa kompanitë më të mëdha në vend (Tirana Airport Partners dhe Bankers Petroleum) dolën në shitje.
Për pasojë, Shqipëria pa rënien më të madhe në Indeksin e Bankës Botërore se si të Bësh Biznes, që nga viti 1997, duke u zhvendosur 35 vende në renditjen e 2016-s. Në sfond, pasojat sociale kanë qenë edhe më të rënda. Rreth 67 mijë shqiptarë të pasigurt për të ardhmen në vendin tyre ishin të dytët pas sirianëve si azilkërkues në Gjermani dhe vendet e tjera të BE-së.
Përtej pasojave negative, aksioni i dha disa efekte. Gjatë vitit 2015 janë futur në skemën e tatimeve 37,371 biznese të reja më shumë sesa në vitin 2014. Më shumë se 60 mijë kontribuues të rinj u përfshinë në skemën e sigurimeve dhe 28,704 kasa të reja u instaluan në biznese.
Por, pasi aksioni antievazion bëri autogol në portën e qeverisë, ka nisur kthesa. Dështimi i nismës u pranua indirekt nga qeveria, e cila ka bërë gati një draft për procedurat tatimore, ku hiqet dorë nga penaliteti ndaj biznesit, duke i çuar ato në nivele edhe më të ulëta se ligji i vitit 2013. Por politikat ekstreme fiskale të pamenduara mirë dhe të pabazuara në studime paraprake ka gjasa të përkeqësojnë kontributin që ekonomia duhet të japë për arkën e përbashkët, buxhetin e shtetit.
Aksioni në drejtim të gabuar nuk prodhoi të ardhura
Teksa aksioni antievazion shkoi derë më derë te bizneset e vogla, porta e doganave u hap për kontrabandën më 2015. Të ardhurat nga akciza ranë me 4.6%, teksa zhdoganimet e cigareve prekën fundin, duke pësuar rënie vjetore me më shumë se 20%, teksa evazorët e mëdhenj u lanë në “rehatinë” e tyre. Sot e kësaj dite, arka e shtetit po vuan pasojat e aksionit jo të menduar mirë. Edhe për vitin 2016, të ardhurat në 8-mujorin e 2016 arritën në 265.7 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 7.2% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky ritëm është më i ulët se ai i vitit 2014 dhe për tepër vjen si rezultat i disa faktorëve specifikë që nuk lidhen shumë me performancën e mirë të tatimeve, por me përmirësimin e bilanceve të kompanive shtetërore të energjetikës. Ecurinë më të mirë e kanë pasur të ardhurat nga tatimfitimi që janë zgjeruar me 18.8%, në krahasim me 2015-n, kryesisht si rrjedhojë e këstit mujor që derdhte Bankers Petroleum, por që nuk do ta paguajë më, pasi auditori i dha të drejtë kompanisë në konfliktin me tatimet, si dhe performancës së mirë të shoqërive energjetike, si OSHEE, apo KESH nga grumbullimi më i mirë i faturave të energjisë dhe rënia e çmimit të energjisë në bursat ndërkombëtare këtë vit.
Por teksa qeveria e drejtoi aksionin te kuponi dhe biznesi i vogël për pajisjet fiskale, Shqipëria e ka informalitetin në drejtime të tjera. Vendi ynë mbledh kontribute sa gjysma e rajonit, me vetëm 4% të PBB-së, në një kohë që Serbia mbledh 10.3% të PBB, Maqedonia 9,8% të PBB, Mali i Zi 10.7% të PBB dhe Bullgaria 10% të PBB. Siç shihet nga ky krahasim, Shqipëria ka hapësira për të dyfishuar të ardhurat nga kontributet. Tatimi mbi të ardhurat personale ka ende hapësira. Shqipëria grumbullon 2% të PBB nga Tatimi mbi të Ardhurat, ndërkohë që Bullgaria grumbullon 4% të PBB-së, Serbia 4.4% të PBB-së, 2.3% Maqedonia dhe mbi këtë nivel grumbullojnë edhe vendet e tjera të rajonit.
Referuar një studimi të Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC-2013), kosto e përmbushjes së detyrimeve tatimore paraqet një peshë më të rëndë për firmat më të vogla, duke përbërë 4.7% të totalit të të ardhurave për kompanitë mikro, 3.9% për kompanitë e vogla, 1.4% për kompanitë mesatare dhe 0.3% për kompanitë e mëdha. Raporti i Bankës Botërore, Doing Business 2016, ka konkluduar se “Shqipëria renditet e 142-ta në Treguesin e Pagimit të Taksave dhe një firmë mesatarisht duhet të bëjë 34 pagesa taksash në vit dhe të harxhojë 357 orë për përgatitje dhe të paguajë një total të taksave në 36.5% të fitimit”.
Klima e biznesit preku fundin
Indekset që masin klimën e biznesit shënuan përkeqësim të dukshëm gjatë dy viteve të fundit. Treguesi i Indeksit të Besimit të Dhomës Amerikane (ABI) për vitin 2015 ka shënuar rënie të ndjeshme, me 4.83 pikë përqindjeje. Kjo është hera e parë që ky indeks shënon rënie, që nga 2012-a, që është viti i parë kur u mat ky indeks. Ai mat elemente të rëndësishme, të tilla si politikat e qeverisë, niveli i taksave, korrupsioni, informaliteti, zbatimi i ligjit dhe gjithashtu elemente lidhur me performancën e bizneseve dhe ekonomisë shqiptare.
Gjithashtu Indeksi i Dhomës Gjermane të Tregtisë e renditi Shqipërinë si vendin e fundit në rajon, ku gjermanët do të donin të investonin. Gjatë prezantimit nga Dhoma Gjermane, mbi vëzhgimin e kryer në ecurinë ekonomike të vitit 2016 në Shqipëri, u bë e njohur se 56% e bizneseve të anketuara e vlerësojnë situatën negative në 2016-n.
Ndërsa diplomacia ekonomike është vënë në alarm për klimën e rënduar të investimeve që është krijuar në vendin tonë, aq sa disa prej dhomave të huaja të tregtisë, më të rëndësishmet në vend, i kanë orientuar investitorët të mos futen në Shqipëri. Pasiguria juridike me kontratat aktuale, mosfunksionimi i shtetit ligjor dhe korrupsioni duket se janë arsyet themelore.
[Madhesia e informalitetit] Gjysma e bizneseve pushojnë aktivitetin, borxhi tatimor arrin 100 mld lekë
Gati gjysma e bizneseve në vend kanë rezultuar me statusin pasiv sipas një selektimi që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë në regjistrin e tatimpaguesve në pranverë të këtij viti.
Në kuadër të luftës ndaj informalitetit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar listën e tatimpaguesve me status pasiv, nga i cili rezulton se janë rreth 95 mijë biznese me këtë status në fillim të muajit korrik. Nga ky selektim i DPT rezulton që vetëm 50% e bizneseve të regjistruara (rreth 180 mijë biznese) janë aktualisht aktive. Ministria e Financave ka sqaruar se këto biznese datojnë që prej vitit 1991 dhe ka pasur qindra parregullsi në regjistrimin e bizneseve pasive ndër vite. Shumë prej tyre kanë falimentuar, por nuk kanë bërë procedurën e falimentit, të tjerë janë mbyllur dhe nuk kanë bërë procesin e mbylljes; shumë kanë kaluar në pasivitet ligjor dhe nuk janë pastruar kurrë nga regjistrat.
Lista e bizneseve pasive që nisi të jetë transparente në pranverë të këtij viti është shtuar edhe me rreth 4000 biznese të tjera në dy muaj. Në fillim të majit, lista e bizneseve që kanë deklaruar në tatime pezullimin e aktivitetit ishte rreth 91 mijë biznese, ndërsa më 21 korrik, kur shënohet edhe azhurnimi i fundit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, numri i bizneseve pasive arriti në 95,089 biznese.
KLSH ka vërejtur se, treguesit e borxhit tatimor janë përkeqësuar në krahasim me periudhën e mëparshme. Në vitin 2015, në krahasim me vitin 2014, është evidentuar shtim i numrit të subjekteve debitorë me 6408 subjekte dhe në nivelin e detyrimeve tatimore të pashlyera me 12.6 miliardë lekë më shumë. Në fund të vitit 2015, borxhi tatimor rezultoi në vlerën 100.4 miliardë lekë (rreth 720 milionë euro), nga 87. 7 miliardë lekë, që ishte në fund të vitit 2014, duke u rritur me 14.4%. Lajmin e dha Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) pas një auditimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve të ushtruar së fundmi. Teksa administrata tatimore kishte shtuar aksionin në terren ndaj bizneseve, nuk ishte përkujdesur për arkëtimin e borxhit tatimor.
Arritjet
Më 1 shtator 2015 nisi në mënyrën më komplekse aksioni kundër informalitetit, i cili kishte si synim kryesor të vendosë kontroll te të gjithë bizneset sipas rëndësisë, nëpërmjet zbatimit të ligjit. Në një analizë të posaçme, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pohon se një nga arsyet kryesore pse një fushatë e tillë u ndërmor ishte jo vetëm për të nxjerrë evidenca të sakta mbi shkallën e informalitetit, por sidomos për të siguruar rritjen e të ardhurave për vitin 2015 e në vazhdim. Tatimet pohojnë se aspektet kryesore që patën një trend mjaft pozitiv dhe mëse të dukshëm si rezultat i fushatës ndaj informalitetit, ishin jo vetëm në drejtim të rritjes së regjistrimit të numrit të bizneseve dhe të kontribuuesve, por dhe të regjistrimit dhe transmetimit të pajisjeve fiskale. Në vitin 2015 janë 37,371 biznese të reja të regjistruara më shumë sesa në vitin 2014, një rritje prej 188%. Gjatë vitit 2015, tatimet raportojnë rritje neto të numrit të kontribuuesve në skemën e sigurimeve në më shumë se 60 mijë. Tatimet raportojnë se për periudhën gusht-dhjetor të vitit 2015 pati rritje të dukshme të regjistrimit të pajisjeve fiskale në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2014, me rreth 24,507 fiskalizime të reja më shumë. Në kuadër të luftës kundër informalitetit për tatimpaguesit e mëdhenj, si dhe të implementimit të modulit mbi menaxhimin e riskut u planifikuan vetëm 28 subjekte, ndërsa u zbuluan vetëm 4 skema mashtrimi me TVSH-në.
Përpjekjet që kanë nisur që në vitin 2003
Në fund të vitit 2003, Ministria e Ekonomisë i kërkoi OECD të kryente një studim mbi ekonominë informale në vend, me qëllim identifikimin e rekomandimeve të nevojshme për reduktimin e ekonomisë informale. Deri më sot, ky është studimi më i plotë i kryer lidhur me informalitetin në ekonominë shqiptare.
Studimi u krye duke përdorur një kombinim të statistikave, makro dhe mikroekonomike dhe mori në konsideratë madhësinë dhe intensitetin e aktiviteteve informale në sektorin e shoqërive tregtare, ndikimin e regjimeve tatimore dhe sigurimeve shoqërore, si dhe lidhjen që ekziston midis ekonomisë informale dhe përhapjes së konkurrencës së pandershme.
Në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet e këtij studimi, qeveria shqiptare ngriti një Komitet për përgatitjen, hartimin dhe zbatimin e një plani veprimi për reduktimin e ekonomisë informale. Ky Komitet përgatiti në dhjetor 2004 një Plan Veprimi të detajuar për reduktimin e ekonomisë informale. Plani i Veprimit identifikonte objektivat që synoheshin, masat që do të zbatoheshin sipas afateve konkrete, institucionet përgjegjëse dhe treguesit e monitorimit.
Plani i Veprimit parashikonte zbatimin e masave në periudhën kohore 2005-2009 dhe u miratua në prill të vitit 2005.
Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2005, qeveria shqiptare miratoi një plan veprimi të reformës rregullatore, në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit, duke e argumentuar këtë me faktin se kuadri rregullator ishte jocilësor në fuqi deri në atë kohë. Pas zgjedhjeve të vitit 2005, Plani i Veprimit për Reduktimin e Ekonomisë Informale u rishikua për periudhën 2006-2009, por duke u mbështetur sërish në të njëjtat shtylla kryesore si: 1) Përmirësimi dhe rregullimi i vlerësimeve statistike dhe të PBB-së; 2) Identifikimi dhe mbledhja e saktë e kontributeve shoqërore; 3) Përmirësimi i mjedisit të biznesit dhe lehtësimi i procedurave për hapjen dhe zhvillimin e tij që qeveria e mëparshme kishte vendosur. Gjatë viteve të para të zbatimit të këtij plani, të ardhurat tatimore u rritën me ritme dyshifrore deri më 2008, kur nisi kriza ekonomike.
Madhësia e informalitetit
Këshilli i Investimeve, në një dokument pune, “Informaliteti, Sfidë e Përbashkët Qeveri–Sipërmarrje”, analizon se studime të organizatave ndërkombëtare kanë treguar se Shqipëria ka një shkallë të konsiderueshme të informalitetit në ekonomi. Anketa e BERZH dhe Grupit të Bankës Botërore me Ndërmarrjet (BEEPS V) ka evidentuar se 40,2% e firmave të anketuara raportojnë konkurrencë nga sektori informal, veçanërisht e ndjeshme në sipërmarrjet e vogla dhe të mesme. Studimi i Schneider (2010) ka vlerësuar ekonominë informale për periudhën 1999-2007 për Shqipërinë në mesatarisht 34.3% të PBB-së. Sipas qeverisë shqiptare, niveli i informalitetit në ekonomi vlerësohet të jetë mbi 50%. Informaliteti nuk është një fenomen që ndeshet vetëm në Shqipëri apo vende në tranzicion. Për 27 vendet e BE-së, niveli i ekonomisë informale është 18% e PBB-së për periudhën 2003-2012, duke konkluduar me Bullgarinë për shkallën më të lartë të informalitetit në 30.1% të PBB-së në 2012 dhe Austrinë për shkallën më të ulët në 7.6% të PBB-së. Sipas një studimi të ILO (2011) mbi punësimin, arsyet për informalitetin në Shqipëri lidhen si me legjislacionin e komplikuar dhe rregullimet administrative, barrën fiskale, mungesën e besimit tek institucionet, ashtu edhe me kulturën dhe etikën për të paguar taksat dhe pranimin gjerësisht nga publiku i punës ilegale.
Informaliteti sipas biznesit
Sipas analizës së Këshillit të Investimeve që është bazuar mbi një anketë në sipërmarrjet në vend konkludohet në një seri shkaqesh që shikohen si nxitës të informalitetit. Nga përgjigjet e anketës, bizneset shprehen se ndeshin vështirësi më të mëdha në lidhje me sistemin tatimor (numrin e taksave, barrën fiskale dhe procedurat tatimore) si dhe për sa i përket aksesit në kreditim.
Sistemi tatimor përbën një nga shtyllat kryesore që lehtëson ose vështirëson formalizimin e ekonomisë, por edhe bën ose jo më atraktive klimën e biznesit. Në këndvështrimin e sistemit tatimor nga biznesi janë identifikuar si shqetësime: barra tatimore, fragmentizimi i sistemit tatimor, administrata tatimore dhe procedurat tatimore. Ka shqetësime nga bizneset mbi procedurat e njohjes së shpenzimeve të tyre (si p.sh. njohja e firove) nga ana e administratës tatimore dhe mungesa e kapaciteteve të kësaj të fundit për të kuptuar procese të caktuara teknologjike.
Reagime të shumta nga bizneset, por edhe ekspertët fiskalë, ka në lidhje me politikën aktuale fiskale të fragmentizuar, që shikohet si shtysë për informalitet, ndërsa nënvizohet ekzistenca e një administrate tatimore joprofesionale që nuk i përgjigjet intensitetit dhe profesionalizmit që kërkon reforma kundër informalitetit. Ndonëse kohët e fundit janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, sikurse është zbatimi i Modelit të Riskut apo kryerja e trajnimeve intensive të administratës tatimore, mendojmë se ka vend për ndryshimin e qasjes së marrëdhënies administratë tatimore-biznes.
Krijimi i një klime mirëkuptimi dhe zhvillimi i dykahshëm do të ishte që kontrolli i parë nga tatimorët te biznesi të fokusohej në konsultime dhe në rast të moszbatimit të udhëzimeve të lëna nga tatimorët, kontrolli i dytë të vijonte me zbatimin e penaliteteve të ashpra, evidentohet në Analizën e Këshillit të Investimeve. Kjo do të shmangte konfuzionin, keqinterpretimet dhe abuzimet nga të dyja palët.
Sipas përgjigjeve direkte në anketë, korrupsioni në administratë nxit informalitetin dhe mospagimin e taksave. Më konkretisht, fragmentizimi i sistemit tatimor, pragu i TVSH-së në xhiron 5 milionë lekë për biznesin e vogël bën që zinxhiri i TVSH-së të thyhet dhe të mos mundësohet lidhja deri te konsumatori final, tek i cili duhet të shkarkohet kjo taksë indirekte.
Megjithëse është konsideruar si një masë mbështetëse për zhvillimin e biznesit të vogël, por edhe faktor në uljen e çmimeve për konsumatorët, për një pjesë të konsiderueshme të ekspertëve dhe bizneseve shikohet si një nxitës drejt informalitetit dhe evazionit fiskal. Vlerësohet e padrejtë ndërprerja e zinxhirit të TVSH-së që shmang kontrollin e xhiros reale të bizneseve, mundësinë e kryqëzimit të faturave me TVSH dhe verifikimin e inventarëve dhe shitje-blerjeve të mallrave të ndërmjetëm. Ndërkohë që ka një presion nga bizneset që e konsiderojnë veten të vegjël për të mos marrë faturë me TVSH nga shitësit me shumicë dhe furnitorët, për të shmangur kontrollin dhe për të ruajtur xhiron e deklaruar nën pragun e TVSH-së.
Qeveria, me paketën e re fiskale të 2016-s, ka parashikuar si incentivë për biznesin e vogël në kuadër të masave kundër informalitetit, heqjen e tatimit mbi fitimin për bizneset deri në 5 milionë lekë xhiro dhe uljen në 5% të tatimit mbi fitimin për fashën nga 5–8 milionë lekë xhiro. Sërish kalimi nga një normë fitimi të biznesit të vogël 0 në 5% dhe më tej në 15% konsiderohet si një shkak për të qëndruar poshtë nivelit të 5 milionë apo 8 milionë lekë xhiro vjetore.
Gjithashtu, çmimet e referencës në dogana dhe tarifat doganore për importet nga vendet jashtë BE-së, si p.sh., nga Kina, shpesh janë shkak për kontrabandë, evazion por edhe abuzim në fshehjen apo mbivlerësim të kostos reale të blerjes së produkteve. Ndërkohë që tarifat e ulëta doganore në rajon nxisin hyrjen e mallrave ilegalisht si mallra konsumi vetjak dhe konkurrencën e pandershme në tregje./Monitor