Sondazhi i sapo publikuar në Tiranë i mbështetur nga Fondacioni Konrad Adenauer nxjerr në pah perceptimin e qytetarëve mbi qeverisjen qendrore e lokale, gjendjen social-ekonomike dhe besueshmërinë tek forcat politike.
Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë, një organizatë joqeveritare në Tiranë e mbështetur nga fondacioni gjerman Konrad Adenauer ka nisur realizimin e një sondazhi, të cilin e konsideron si “Barometri social-politik i Shqipërisë”, me qëllim që të sjellë të dhëna dhe fakte nga perceptimi i përgjithshëm publik mbi qeverisjen dhe vlerësimin e alternativave më të mira në raport me pritshmëritë e qytetarit. Në mënyrë periodike sondimi do të përsëritet si një skaner për dinamikat e zhvillimit në vend, për të nxjerr në pah të dhëna si një bazë shumë e rëndësishme dhe pikë referimi në analizat që do të bëhen duke marrë në konsideratë edhe të dhëna, statistika dhe informacione nga faktorë dhe institucione të tjera kërkimore dhe shkencore.
Arben Çejku, drejtor i Qendrës, thotë për Deutsche Welle-n se, sondazhi që sapo është publikuar ka pasur në fokus qeverisjen e mirë në nivel qëndror dhe nivel lokal; besueshmërinë e qytetarëve tek institucionet e tyre publike; gjendjen social-ekonomike të qytetarëve; sjelljen e tyre politike dhe besueshmërinë tek forcat politike; pritshmëritë që qytetarët kanë për të ardhmen e tyre.
“Sondazhi me 13 pyetje në terren zgjati 6 ditë, nga data 11 deri 16 korrik 2016. Gjatë këtyre ditëve është synuar marrja e një kampioni sa më të qartë dhe sa më të plotë nga qytetarët, pavarësisht kohës së nxehtë të verës. Nga sondazhierët janë shfrytëzuar orët më të përshtatshme të ditës, me qëllim që të realizohet një numër sa më gjithëpërfshirës personash të grupmoshave, gjinive dhe profesioneve të ndryshme”.
Ndër problemet më të mëdha vijon të mbetet papunësia
Duke vlerësuar rezultatet e përgjigjeve të 1951 të pyeturve në zona të ndryshme të vendit kupton për besueshmërinë shumë të ulët të qytetarëve tek institucionet publike si dhe tek partitë politike, që reflekton përmasat e një zhgënjimi të madh. Gjithashtu vërehet se shumica dërmuese e të pyeturve nuk janë të kënaqur me qeverisjen dhe ata shohin pak shpresë në përmirësimin e gjendjes. Një nga problemet më të mëdha sociale vazhdon të mbetet papunësia e lartë, pavarësisht se sondazhi u krye në qytete përgjithësisht të zhvilluara, në krahasim me qytete të tjera më periferike, ku papunësia mendohet të jetë më e lartë.
Konkretisht në të dhënat e mbledhura del se qytetarët prej 1951 të intervistuarave, vërehet se besueshmëria e qytetarëve është: tek Presidenca 9 %; Parlamenti 4 %; Qeveria 12 %; Gjyqësori 2 % dhe Opozita 10 %, ndërkohë që 63 % e të anketuarve nuk besojnë tek asnjëri nga institucionet.
Mbi 70 % e të pyeturve, përgjigjen se politika nuk kujdeset aspak për problemet e tyre të përditshme. Kur u pyetën për shembull se “a mendoni se politika është realisht e përkushtuar për zgjidhjen e problemeve tuaja të përditshme?”, 18 % kanë thënë “Pak”, kurse 76 % e tyre “Aspak”. Kjo përgjigje është e njëjtë për pothuajse të gjitha grupmoshat nga 18 vjeç e lart. Përqindjen më të lartë të zhgënjimit e kanë qytetet Durrës (83 %) dhe Elbasan (80%), që konsiderohen edhe si zona industriale shumë pranë Tiranës, ku zhgënjimi nga politika është 77%.
Pyetje të drejtëpërdrejta për qytetarët
Oneda Kabashi, studente, pjestare e grupeve në terren që realizuan sondazhin me qytetarët tregon për Deutsche Welle-n se është ndjekur një metodologji që pyetjet të ishin sa më të drejtëpërdrejta, duke qenë më afër me problematikën që njerëzit përballen në përditshmëri. Kurse Gjorg Kodra, drejtues i grupeve të punës në terren, thotë se para se të realizohej ky sondim u bë një test në fund të vitit të kaluar me fokus vetëm Tiranën. “Kjo na shërbeu që të kolaudonim metodologjinë për të qenë sa më afër realitetit social e politik. Ka pasur dhe vështirësi gjatë marrjes së përgjigjeve, sepse një pjesë e qytetarëve ishin hezitues për t’ë bashkëpunuar, kjo për vetë specifikat e vendit tonë ku sondazhet dhe anketat nuk janë dhe aq familjare për publikun. Hezitimet më të mëdha i hasëm në pikërisht në ato zona që janë dhe më problematiket në standardet social dhe ekonomike. Por gjithësesi anëtarët e grupeve në terren ishin të trajnuar dhe me durim dhe këmbëngulje kanë vijuar etapat e kryerjes së sondazhit”.
Reforma në drejtësi u pranua më shumë nga presioni ndërkombëtar
Dy pyetje të këtij sondazhi ishin të drejtëpërdrejta për çështjen shumë të debatuar në Shqipëri, reformën në drejtësi. Njëra, nëse nga ata që u pyetën kuptohej diskutimi rreth kësaj reforme dhe pyetja tjetër lidhej me besimin tek ky proces.
Lektori i Shkencave Politike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Prof. asoc. dr Afrim Krasniqi, duke komentuar përgjigjet e qytetarëve mendon sondazhi nxjerr ne pah faktin se reforma u imponua nga lart, nga elitat politike dhe faktori ndërkombëtar. Sipas tij, qytetarët poshtë nuk arritën ta njohin atë në detaje apo në elementët që duhet të sjellin ndryshimin.
“Vetëm 24% janë shprehur se e kanë kuptuar reformën, shifër e ulët, dhe bëhet akoma më e ulët kur merret parasysh e dhëna se sondazhi është bërë kryesisht në zonat më të njohura urbane dhe qytetare, pra tek pjesa më e informuar e shoqërisë. Ky përfundim i ndihmon drejtuesit e reformës, faktorin ndërkombëtar dhe partnerët shqiptarë, ta zhvendosin procesin nga zyrat luksoze të Tiranës tek qytetarët poshtë, për të krijuar pritshmëri dhe besim publik real tek ata”, thotë për Deutsche Welle-n prof. asoc. dr Afrim Krasniqi.
Ndërkohë për pyetjen lidhur me besimin tek rezultatet e kësaj reforme sipas tij, kjo tregon diferencë midis perceptimit publik për mbështetjen e reformës-mbi 90% – në sondazhet e tjera ndërkombëtare, dhe besimit praktik se një gjë e tillë do realizohet në rastin shqiptar – 50%.
“Gjysma e të pyeturve kanë pak besim, sepse shohin se reforma, e nisur nga BE dhe SHBA, ndeshi në rezistencë nga partitë në Shqipëri, nga vetë gjyqësori dhe nga institucionet e tjera, pra, nga vetë ata aktorë që do jenë ne të ardhmen vendimmarrës e përgjegjës për jetësimin e reformës. Kjo mendoj se është arsyeja që qytetarët kanë pak besim absolut, 19%. Nëse partitë dhe elita politike do ishte mbështëtese reale e reformës, dhe nese vetë gjyqësori do ishte pjesë pozitive e procesit të ndryshimit, besimi publik do ishte më i madh. Katër muaj pas miratimit të paketës kushtetuese për reformën ende parlamenti nuk ka miratuar ligjet kryesore dhe ende nuk ka hapa konkrete për jetësimin e saj. Nese opozita perdori mjetet kushtetuese edhe për ta vonuar procesin, mazhoranca de facto ka bërë të njëjtën gjë”.
Lektori i Shkencave Politike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës merr si shembull faktin se reforma kërkon edhe ndryshime në ligjin e partive dhe jetësimin e autoritetit kombëtar të dosjeve të së kaluares, dy kompetenca që i ka mazhoranca dhe të cilat ende nuk janë përmbushur.
“Madje e para as nuk është në rendin e ditës dhe në prioritetet e saj. Kjo do të thotë se reforma u pranua nga palët më shumë në saj të presionit ndërkombëtar sesa ndërgjegjësimit të tyre për nevojën jetike të reformës dhe se të gjitha palët politike janë të interesuara ta shtyjnë procesin pas zgjedhjeve parlamentare 2017 – diçka që qytetarët e kuptojnë dhe ndaj e refuzojnë.”