Nga Boldnews.al
Qeveria duket se ja ka arritur qëllimit për të bllokuar të gjitha hetimet që prokuroria ka nisur për skandalet e zyrtarëve të lartë, përfshi dhe ministra të qeverisë “Rama”. Të ndodhur përballë presionit të vetingut, largimit masiv, apo “njollës së turpit”, prokurorët janë vënë në thundrën e qeverisë duke mos hetuar asnjë skandal, edhe pse pasojat për buxetin e shtetit janë tepër të rënda.
Janë një sërë dosjesh të bujshme, të cilët ose janë mbyllur, ose mbahen zvarrë në sirtarët e pluhurosur të prokurorisë, e cila nuk ka marrë guximin të hetojë qoftë edhe një zyrtar të rëndomtë të administratës apo pushtetit. Shembujt për këtë janë të shumtë dhe Boldnës.al do të përpiqet të sjellë për lexuesit një sërë dosjesh që janë bllokuar vetëm si pasojë e presionit të të ashtuquajturës reformë në drejtësi.
Lëvizja e parë e Kryeministrit Edi Rama disa muaj përpara miratimit të reformës ishte komunikimi i tij me të paktën 20 prokurorë, të cilët mësohet se i ka kontaktuar personalisht. Ata janë ftuar të merrnin pjesë në një takim të përzemërt me kryeministrin e vendit i cili ju ka premtuar se pas miratimit të reformës ata do të kishin “punë të mëdha” për të bërë. Prokurorët janë konsideruar si të përzgjedhurit për të luftuar korrupsionin, por kjo gjë është bërë vetëm me pëlqimin e kryeministrit Rama. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Paketa e ndryshimeve kushtetuese u miratua me unanimitet të plotë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe pas saj nisi miratimi i disa ligjeve, përfshi edhe atë që njihet si ligji i “Vettingut”. Përballë një situate të tillë, prokurorët të ndjerë nën presionin e largimit arbitrat nga detyra kanë mbyllur apo kanë frenuar një sërë hetimesh të rëndësishme.
Skandali i marrëveshjes së CEZ
Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri u kallëzua penalisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për një dëm rreth 460 milion dollarë të shkaktuar buxhetit të shtetit nga zgjidhja me marrëveshjen e konfliktit të qeverisë me kompaninë CEZ.
Por Prokuroria e Përgjithshme i pushoi hetimet në muajin qershor, pavarësisht se KLSH argumentoi se marrëvshja që shmangu arbitrazhin i kishte shkaktuar shtetit shqiptar një dëm galopant. Jursitët e KLSH i konsideronin hetimet të dëmtuara dhe të paplota përsa kohë, sipas tyre, nuk ishte administruar edhe dokumentacion shtesë.
Ndërsa prokurori Arben Kraja, i cili ka hetuar dosjen, këmbëngulte se gjatë veprimeve hetimore u provua se shtetit shqiptar nuk i është sjellë asnjë pasojë ekonomike. E gjendur pa asnjë mbështetje nga organi i akuzës, KLSH kërkoi nga Gjykata e Lartë për të rihapur hetimet për dosjen “CEZ” por edhe kjo kërkesë u rrëzua.
Koncesionet në Shëndetësi
Në dhjetor, njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda regjistroi procedimin penal për koncesionet e dyshimta të shëndetësisë.
Hetimi për koncesionet në shëndetësi u nis me iniciativë të Prokurorisë, pas publikimit të një serie artikujsh nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN dhe agjencia Investigim.al. Koncesioni për hemodializën, me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë dhe koncesioni i check up-it falas ishin në qendër të verifikimeve të grupit hetimor.
Në tetor 2015, BIRN investigoi kompaninë fituese të koncesionit të hemodializës, Evita Sh.p.k, e cila përfitoi pjesën kryesore të kontratës së majme 10-vjeçare prej 86 milionë dollarësh. Zanafilla e kësaj kompanie ishte një bar-kafe modeste në qytetin e Beratit, por Ministria e Shëndetësisë zbuloi se pas kësaj qëndronte Spitali Amerikan. Ky i fundit është përfshirë nga një seri skandalesh për procesin e hemodializës ku më i rëndi ishte në muajin korrik ku 4 persona humbën jetën pas një zjarri të rënë në ambjentet e këtij spitali privat.
Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, me vlerë 100 milionë USD është një tjetër dosje e majme që qëndron në zyrat e Prokurorisë. Sipas një investigimi të BIRN, kompania modeste e emigrantit shqiptar në Peruxhia të Italisë, Ilir Rrapaj fitoi 40 për qind të kësaj kontrate, si pjesë e konsorciumit italian të udhëhequr nga “Servizi Italia”.
Koncesioni i kontrollit mjekësor falas me vlerë 120 milionë euro, i fituar nga kompania “Marketing& Distribution” me eksperiencë në tregtimin e duhanit dhe alkoolit është gjithashtu pjesë e hetimeve të arkivuara në prokurori.
Pajisja e përgjimit
Në muajin maj, Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimet për një pajisjeje të paligjshme dhe të paautorizuar për të kryer përgjime. Skandali u zbulua nga gazeta MAPO, ndërsa brenda pak javësh Prokuroria e Tiranës kërkoi “pezullim nga detyra” për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, për konsumimin e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në vijim të hetimit për dyshimet mbi ekzistencën e një pajisje përgjimi, e administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit.
Haki Çako akuzohej nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike, “IMSI Catcher”, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane. Kjo pajisje kishte hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga Prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla.
Por Gjykata e Apelit rrëzoi kërkesën e Prokurorisë duke rikthyer në detyrë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako ndërsa hetimet për këtë pajisje janë pezull dhe pa rezultat.
Ndërkohë organi i akuzës nuk nisi kurrë hetimet ndaj Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për pajisjen e përgjimit, edhe pse ishte në cilësinë e titullarit përgjegjës.
Pjesë e dosjeve të pluhurosura është edhe ajo e një zv.Ministri që ka qenë nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda por tani është pezull dhe nuk dihet si do përfundojë. Prokuroria për të qenë në rregull me qeverinë është përqëndruar në hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa asnjë zyrtar tjetër nuk përfshihet në hetime.