Nga Kliton Nesturi
Në 1993, ndërsa po diskutonim në seminar mbi qarqet letrare shqiptare, një bashkëstudent na përmendi “qarkun letrar të Lezhës”.
Profesori ynë i nderuar Rinush Idrizi vuri buzën në gaz dhe iu drejtua këtij bashkëstudenti, i cili sot ëshë analist: “Qarku letrar i Lezhës? Nuk ka patur ndonjëherë qark të tillë. Mos i ngatërro qarqet letrare me Lidhjet e Shkrimtarëve të socializmit!”
Dy dekada më pas, jeta letare shqiptare nuk ka asnjë ngjashmëri me atë që diskutonim me profesorin tonë. Nuk ka asnjë ngjashmëri me traditën e hershme të letërsisë shqipe. Ajo ka vite që është futur në rrjedhën krahinore e klanore për të cilën fliste bashkëstudenti ynë. Sot, në çdo anë të Shqipërisë, nga veriu në jug, ka grupime letrare, të cilat në një nënyrë a në një tjetër janë shndërruar në klane, duke zhvilluar një luftë sa të shpallur e po aq të heshtur, jo vetëm brenda për brenda tyre, por edhe njëri me tjetrin. Ky klanizim ka bërë që jeta letrare e qyteteve tona të ngulfatet duke u bërë monopol. Aq e vërtetë është kjo, sa që po të hedhim një vështrim në fondet e bibliotekave të qyteteve, do të shohim se me fondet e dhëna për blerje veprash nga ana e shtetit, këto institucione publike, të cilat kanë për detyrë të mbrojnë dhe të kultivojnë në rradhë të parë kulturën dhe interesin kombëtar, janë bërë thjesht pasqyra të reflektimit provincial.
Kështu, nëse do të shohim në bibliotekën e Elbasanit, nga fondet e përdituara janë blerë vetëm libra të autorëve të Elbasanit. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Durrës, Lushnjë, e kudo, ku bibliotekat i janë gëzuar një fondi të dhënë për pasurimin e inventarit të tyre. Nuk sheh në këto biblioteka një vepër të një autori që jeton në një qytet tjetër, fjala bie në Shkodër, Kukës, etj. Dallim, bëjnë këtu veprat e ofruara nga shtëpitë botuese por që kryesisht janë përkthime të autorëve të huaj.
Klanet e qyteteve të vogla, kanë synuar dhe synojnë të marrin të gjithë vëmendjen dhe fondet që bashkitë e tyre kanë për kulturën. Të mbyllur brenda rrethit, çdokush tjetër jashtë qytetit është i padëshiruar. Shoqata me lloj-lloj emrash dhe etiketimesh, më së shumti kanë abuzuar me nisma dhe autorë, se sa kanë bërë vërtet punën, duke joshur sidomos krijues të rinj, në hapat e tyre fillestarë, për të marrë pjesë në aktivitete “madhore”, të cilat nuk vlejnë asnjë lek veç zhgënjimit. Kjo klimë ka frenuar edhe njohjen e autorëve të ndryshëm nga lexuesi i thjeshtë në një qytet apo një tjetër. Jo të gjithë e kaë mundësinë për të dalë në tv dhe të shfrytëzojnë aq sa iu duhet mjetet e propagandës. Ky klanizim, vetvetiu ka sjellë ndarjen në provinca letrare.
Sikur të mos mjaftonte kjo, tashmë krijuesit shqiptarë e kanë humbur edhe një mundsi tjetër komunikimi. E kam thënë edhe më parë se, paketa e re fiskale ka krijuar ngërç në politikën e dustribucionit të librit shqip. Duke pasur parasysh se hallka kryesore e këtij rrjeti është librashitësi, klima e krijuar prej klaneve për mosnjohjen dhe moslejimin e depërtimit të autorëve shqiptarë në një qytet të caktua, ka sjellë edhe mosnjohjen. Kësisoj, një autor nga Shkodra apo Kukësi, nuk mund të pretendojë që libri i tij të shkojë në Elbasan, Fier, Korçë, e në një qytet tjetër. Në një vend ku nuk të njeh askush, i pari që nuk është i interesuar të tregtojë librin tënd është librari. Se mos vetëm autorë nga Kukësi e Shkodra? Po autorët nga Durrësi apo Vlora në cilin qytet tjetër do të shiten? Po ata nga Berati? Po…?!… Gjithkush të jetë i bindur se nëse libri i një autori që jeton e krijon në Tiranë nuk shkon në një qytet tjetër, libri i atij që jeton në atë qytetin tjetër e ka shumë të vështirë të hyjë e të tregëtohet në Tiranë. Këtu po flas vetëm për autorë që jetojnë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Sa për pjesën tjetër, ata në Kosovë, Mal të Zi, apo Republikën e Maqedonisë, me këtë klimë dhe politikat tashmë të krijuara, ata pak kush i njeh nga masa e gjerë dhe veprat e tyre as që mund t’u afrohen dyerve të librarive.
Libraritë tona janë të vogla dhe librarët jo edhe aq të fuqishëm dhe guximtarë. Në fund të fundit, ata çdo gjë e ngrenë me mundin e tyre dhe nuk mund të rrezikojnë për “të panjohurit”. Ky është tashmë problemi më i madh që ka jeta letrare shqiptare – provincializmin, i cili vetvetiu ka çuar dhe po vazhdon të çojë drejt mosnjohjes dhe moskomunikimit.
E vetmja gjë e cila mund ta shkatërrojë provincializmin është përcaktimi i një politike të re për shpërndarjen dhe evidentimin e librit, kryesisht të autorëve shqiptarë. Fakti se nga paketa e re fiskale shpërndarja e libri shqiptar ka qenë më e goditura, trego se ministrja e Kulturës nuk ka pasur dhe nuk ka ndonjë vizion për këtë çështje. Ajo vetëm ka ngritur dorën sa herë që i është kërkuar dhe nuk ka mbrojtur interesat e asaj pjese të komunitetit që përfaqëson.
Është koha që politikat të ndryshojnë, ndryshe nëse do të vazhdohet kështu do të varroset një epokë, klima letrare dhe mjaft autorë të deziluzionuar do të braktisin vetveten, ambiciet dhe letërsinë. Kjo është masakra më e madhe që mund ti bëhet një letërsie.