Kur poseduesi e ka ng ritur ndërtimin në pronën e tij dhe kjo pronë rezulton e sekuestruar, ALUIZNI brenda 30 ditëve nga data e marrjes dijeni për këtë fakt kryen procedurat kualifikuese, miraton lejen e legalizimit (nëse përmbushen kriteret), si dhe njofton përmbaruesin gjyqësor përpara regjistrimit të pasurisë së legalizuar.
Kjo është kategoria e re e ndërtimeve pa leje, që do të pajisen me tapi pas ndryshimeve të fundit në ligjin për legalizimet. Sipas vendimit të qeverisë, ekzekutimi i detyrueshëm nuk pengon procedurat e legalizimit as në rastin e objekteve me shtesa në tejkalim të lejes së ndërtimit dhe/ose me ndryshime të funksionit të hapësirave, raporton GSH.
Ndërkohë, nëse ekzekutimi i detyrueshëm ka përfunduar më parë dhe karabinaja është tjetërsuar, objekti legalizohet në favor të subjektit që e ka përfituar atë, vetëm për ato njësi për të cilat nuk janë lidhur më parë akte noteriale mes investitorit dhe porositësve, apo pronarëve të truallit.
KATEGORITË E REJA
Qeveria përfshin në procesin e legalizimeve pesë kategori të reja ndërtimesh pa leje. Përftojnë nga vendimi i miratuar dhe ndërtimet që janë kryer në trojet dhe objektet ish-ushtarake, ndërtimet për të cilat legalizimi pengohej pa shkak nga procedurat përmbarimore, ndërtimet që ndodhen në territore shtetërore, të administruara nga organet vendore apo qendrore, ndërtimet që kanë kufizime nga zyrat e hipotekës për shkak të pronës ose truallit ku janë ngritur dhe përfitojnë nga ky vendim edhe objektet e ngritura para vitit 1991, në rastet kur në truallin e tyre gjenden shtesa apo ndërtime të tjera pa leje.
Ndërkohë, do të përjashtohen nga procesi i legalizimit vetëm ndërtimet që preken nga projekte madhore kombëtare. Janë objekti i legalizimit ndërtimet që kanë minimalisht të ndërtuar një kat mbi ose nën tokë, janë të ndërtuara me materiale të qëndrueshme dhe të ngritura të paktën në strukturë dhe plotësojnë kushtet për regjistrim, sipas legjislacionit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme.
ISHTE
3. Legalizimi i ndërtimit informal, të llojit “shtesë në ndërtim me leje” u nënshtrohet të njëjtave kritere të pikës 2 të këtij vendimi, me përjashtim të parashikimit për shkeljen e distancave ndaj rrugëve ekzistuese, të kategorive A e B, të përcaktuar në shkronjën “a”, të kësaj pike. Për këto vepra të infrastrukturës publike shtesat do të përjashtohen nga legalizimi vetëm nëse shkelin trupin e rrugës.
BËHET
“3. Ndërtimi informal i llojit “shtesë”, si brenda dhe jashtë zonave informale, u nënshtrohet vetëm kritereve të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, me përjashtim të: a) distancave nga rrugët ekzistuese, ku si rregull do të merret për bazë vetëm trupi i rrugës. Përjashtimisht, për akset rrugore jokombëtare, kur shtesat bien mbi trotuar, ato legalizohen në përputhje me nenin 42, pika 1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, të ndryshuar. “Kërkesë për legalizim”, në kuptim të këtij neni, konsiderohet aplikimi për legalizim.
dhe b) shkronjave “dh”, “e” dhe “ë”. Në këto raste, legalizimi lejohet vetëm me miratimin paraprak të autoriteteve përgjegjëse sipas ligjit nr.9048, datë 7.4.2003, “Për trashëgiminë kulturore”, ose sipas legjislacionit në fuqi për mjedisin. Këto autoritete duhet të shprehen mbi miratimin ose jo të legalizimit, brenda 45 ditëve nga data e kërkesës së drejtorisë së ALUIZNI-t”.
ISHTE
4. Ndërtimi informal i llojit “objekt”, i përfshirë në fushën e zbatimit të ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar dhe që është ngritur jashtë vijës kufizuese të zonës informale të miratuar, përjashtohet nga legalizimi kur: b) shkel distancat e lejuara në rrugët ekzistuese, të kategorive C, D e E, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 8378, datë 22.7.1998,”Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe të akteve në zbatim të tij.
BËHET
“b) Shkel distancat ndaj rrugëve ekzistuese, sipas përcaktimeve të mëposhtme: i. 10 metra nga kufiri rrugor për rrugët e kategorisë C, brenda qendrave të banuara. Për rrugët e kategorive D dhe E, brenda qendrave të banuara, do të merret për bazë vetëm trupi i rrugës; ii. distancat e përcaktuara në nenin 25, pika 2, të “Rregullores për zbatimin e Kodit Rrugor”, miratuar me vendimin nr.153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, për objektet jashtë qendrave të banuara”.
ISHTE
dh) është ngritur në shtretërit e lumenjve ose brenda sipërfaqeve të baseneve dhe rezervuarëve, të mbrojtura sipas ligjit nr. 111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;
BËHET
“dh) është ngritur në breg të rezervuarit, brenda distancës në të cilën nuk lejohen ndërtime, siç përcakton dokumenti i planifikimit të territorit, i miratuar në përputhje me legjislacionin në fuqi”.
SHTOHET
“ë) me kërkesë të subjektit të interesuar, provohet nga evidentimi faktik në terren se objekti cenon integritetin strukturor dhe/ose funksional të ndërtesës private, në pronësi të kërkuesit”.
ISHTE
6). Ndërtimet informale, të ngritura brenda kufirit të vijës turistike, nëse cenojnë infrastrukturën rrugore, të parashikuar në dokumentet e planifikimit të territorit, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi, nuk legalizohen.
BËHET
“6. Ndërtime informale brenda kufirit të vijës turistike, në kuptim të nenit 38/1, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar janë ato të ngritura brenda “vijës bregdetare” (jashtë qendrave urbane), të miratuar me vendimin nr.1, datë 8.10.2013, të KKT-së. Këto ndërtime u nënshtrohen kritereve të legalizimit sipas këtij vendimi dhe projekteve të infrastrukturës rrugore, të parashikuara në dokumentet e miratuara të planifikimit të territorit. Përjashtimisht, kur nga zbatimi i projektit të infrastrukturës rrugore rezulton se ndërtimi informal nuk cenon veprën, atëherë ai legalizohet”.
ISHTE
8. Drejtoritë e ALUIZNI-t, bazuar në gjendjen faktike në terren, kryejnë procedurat kualifikuese për ndërtimin informal, brenda 60 ditëve nga data e evidentimit faktik në terren (data e “Procesverbalit të evidentimit në terren”). Për kryerjen e këtyre procedurave drejtoritë mbështeten në cilësitë e territorit, të paraqitura grafikisht. Modeli i vendimit të kualifikimit, mënyra e plotësimit të tij si dhe procedura e pezullimit të legalizimit përcaktohen me udhëzim të drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t.
SHTOHEN
“8/1. Në vlerësimin e kritereve për rrugët ekzistuese, verifikimi i trupit të rrugës kryhet mbi bazën e dokumentacionit të gjendjes faktike dhe të klasifikimit të rrugës, të vënë në dispozicion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar ose nga autoriteti vendor i zhvillimit të territorit. Nëse nuk disponohet dokumentacion, konstatimi i trupit të rrugës bëhet sipas evidentimit faktik në terren, të kryer nga vetë drejtoria e ALUIZNI-t. Në kuadër të këtij vendimi, “qendra të banuara” konsiderohen zonat e urbanizuara (zonat e ndërtueshme), sipas vendimit nr.5, datë 29.12.2014 të KKT-së.
8/2. Për zbatimin e pikave 3, shkronja “b”, dhe 4, shkronja “d” të këtij vendimi, drejtoria e ALUIZNI-t vendos në dispozicion të autoriteteve përgjegjëse dokumentacionin e praktikës së legalizimit (genplan, planimetritë, prerjet tërthore dhe gjatësore dhe fotografi të ndërtimit). Vlerësimi i ndërtimit nga autoritetet përgjegjëse kryhet bazuar vetëm mbi këtë dokumentacion dhe mbi verifikimet e tyre. Kërkesa konsiderohet e miratuar në heshtje, sipas dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative, nëse autoriteti nuk shprehet brenda 45 ditëve.
8/3. Në përputhje me nenet 141 dhe 144 të Kodit Civil, si dhe me nenin 560 të Kodit të Procedurës Civile, ndërtimi informal nuk përbën objekt të ekzekutimit të detyrueshëm dhe legalizimi i tij nuk ndërpritet për shkak të këtyre procedurave.
8/4. Kur poseduesi e ka ngritur ndërtimin në pronën e tij dhe kjo pronë rezulton e sekuestruar, ALUIZNI, brenda 30 ditëve nga data e marrjes dijeni për këtë fakt, kryen procedurat kualifikuese, miraton lejen e legalizimit (nëse përmbushen kriteret), si dhe njofton përmbaruesin gjyqësor përpara regjistrimit të pasurisë së legalizuar. Përjashtimisht, nëse si pasojë e ekzekutimit të detyrueshëm poseduesi e ka humbur pronësinë përpara kualifikimit, kjo procedurë vijon vetëm me miratimin paraprak të subjektit që ka fituar pronësinë mbi truallin, ose pasi konflikti për të drejtat mbi ndërtimin informal të jetë zgjidhur me vendim gjyqësor të formës së prerë.
8/5. Në rastin e pikës 8/4 dhe kur poseduesi është subjekt i ekzekutimit të detyrueshëm të një kredie, ALUIZNI, gjatë legalizimit nuk merr parasysh asnjë veprim juridiko-civil për kalimin e të drejtave mbi ndërtimin te të tretët.
8/6. Ekzekutimi i detyrueshëm nuk pengon procedurat e legalizimit as në rastin e objekteve me shtesa në tejkalim të lejes së ndërtimit dhe/ose me ndryshime të funksionit të hapësirave. Kur objekti dhe/ose trualli rezultojnë të sekuestruar, drejtoria e ALUIZNI-t procedon sipas përcaktimeve të pikës 8/4, të këtij vendimi. Nëse ekzekutimi i detyrueshëm ka përfunduar më parë dhe karabinaja është tjetërsuar, objekti legalizohet në favor të subjektit që e ka përfituar atë, vetëm për ato njësi për të cilat nuk janë lidhur më parë akte noteriale mes investitorit dhe porositësve apo pronarëve të truallit.
8/7. Për situatat e pikave 8/4, 8/5 dhe 8/6, kur ZVRPP-ja nuk ka përcjellë informacion sipas kreut I, të vendimit nr.1095, datë 28.12.2015, të Këshillit të Ministrave, ALUIZNI nuk mban përgjegjësi nëse nuk është njoftuar më parë nga përmbaruesi gjyqësor. Nëse përmbaruesi pengon legalizimin apo pretendon pezullimin e procedurave, në kundërshtim me pikat 8/3 deri në 8/6, të këtij vendimi, ALUIZNI njofton ministrin e Drejtësisë për nisjen e procedimit disiplinor”.
ISHTE
11. Për shtesat anësore apo në lartësi, kur ndërtimi kryesor është tjetërsuar (është transferuar e drejta e pronësisë), apo nuk rezulton të jetë në pronësi të aplikuesit për legalizim, procedurat e kualifikimit kryhen në emër të pronarit të ndërtimit kryesor, nëse plotësohen të dy kushtet e mëposhtme: i) Subjekti pronar i ndërtimit kryesor dorëzon pranë drejtorisë përkatëse të ALUIZNI-t dokumentacionin që provon veprimin juridik të fitimit të pronësisë mbi të ose të kalimit të të drejtave mbi shtesën; ii) nga evidentimi i gjendjes faktike të shtesës pa leje rezulton se ajo është e lidhur në mënyrë të pandarë me ndërtimin kryesor dhe posedohet prej pronarit të këtij të fundit. Në të kundërt, kualifikimi vijon në emër të poseduesit të shtesës, aplikues për legalizim.
BËHET
“11. Për “shtesat” në ndërtime të regjistruara, marrëdhënia me ndërtimin e regjistruar shqyrtohet gjatë procedurave kualifikuese, vetëm nëse, sipas evidentimit në terren të kryer nga ALUIZNI, shtesa është e lidhur pazgjidhshmërisht nga ana funksionale me të. Në këto raste, kur ndërtimi i ligjshëm është tjetërsuar, procedurat e kualifikimit të shtesës kryhen në emër të pronarit të ri të tij. Përjashtimisht, me pëlqimin e shprehur të pronarit të ndërtimit të regjistruar, shtesa mund të legalizohet në emër të një subjekti tjetër edhe kur ekziston lidhja funksionale me ndërtimin ekzistues. Kur lidhja funksionale nuk ekziston, marrëdhënia me ndërtimin e regjistruar nuk merret parasysh gjatë kualifikimit për legalizim”.
ISHTE
13. Procedurat e legalizimit të ndërtimeve informale, të ngritura mbi territoret e objekteve ish-ushtarake, të inventarizuara ose jo, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 8743, datë 22.1.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, kryhen në përputhje me kriteret e përcaktuara në këtë vendim dhe duke njoftuar, paraprakisht, autoritetin administrues.
BËHET
“13. Nëse poseduesi ka ngritur ndërtim informal mbi truallin e një objekti të shembur, që ka qenë në pronësi të tij, ai duhet të dorëzojë pranë Drejtorisë së ALUIZNI-t deklaratën noteriale në të cilën pranon faktin e shembjes. Kjo deklaratë dorëzohet përpara miratimit të lejes së legalizimit dhe një kopje e saj përcillet pranë ZVRPP-së. Kur objekti i shembur rezulton në pronësi të të tretëve ose në pronësi shtetërore, sipas regjistrit të pasurive të paluajtshme ose çdo dokumenti ligjor pronësie, në deklaratën noteriale poseduesi duhet të deklarojë se nuk është subjekt i veprave penale të parashikuara në seksionin III, të kreut III, të pjesës së posaçme, të Kodit Penal. Për ndërtimet shtetërore të shembura, institucioni përgjegjës (administrues) detyrohet të kryejë procedurat për pasqyrimin e gjendjes ekzistuese në inventarin e pronave të paluajtshme të shtetit”.
SHTOHET
“13/1. Për legalizimin e ndërtimeve informale, të ngritura mbi territoret e objekteve ish-ushtarake, sipas përcaktimeve të ligjit nr.8743, datë 22.1.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, ALUIZNI zbaton procedurat e përcaktuara në këtë vendim, duke bashkëpunuar me Ministrinë e Mbrojtjes, në përputhje me pikën 17, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave. Për territoret ose për sipërfaqe të tjera në përgjegjësi administrimi të institucioneve shtetërore, procedurat e legalizimit kryhen duke njoftuar paraprakisht këto institucione”.
ISHTE
14. Përjashtimisht, për ndërtime informale që ndodhen në territore ose pranë veprave të mbrojtura me akte të veçanta, këshilli teknik, i formuar sipas vendimit nr. 589, datë 10.9.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të evidentimit faktik, në terren, të ndërtimeve pa leje/shtesave në ndërtime me leje, të organeve dhe dokumentacionit për propozimin dhe miratimin e zonave informale”, shqyrton dhe paraqet rekomandime për procesin e kualifikimit të tyre.
BËHET
“15. Kur situata ndërtimore apo urbane e ndërtimeve informale rezulton e paqartë, e papërcaktuar, nuk ka rregullim të posaçëm ose ky rregullim është kontradiktor, Këshilli Teknik i formuar sipas vendimit nr.589, datë 10.9.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave të evidentimit faktik në terren të ndërtimeve pa leje/ shtesave në ndërtime me leje, të organeve dhe dokumentacionit për propozimin dhe miratimin e zonave informale”, mund të shqyrtojë dhe të vendosë për mënyrën e trajtimit të unifikuar të tyre”.
SHFUQIZOHEN
PIKAT
4. c). Është ngritur në zonat me rrezik përmbytjeje ose çarjerrëshqitjeje, sipas evidentimit të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar si dhe Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit.
- Legalizimi i ndërtimit informal, të llojit “shtesë në ndërtim me leje”, u nënshtrohet të njëjtave kritere të pikës 4, të këtij vendimi, me përjashtim të parashikimit për shkeljen e distancave ndaj rrugëve ekzistuese, të kategorive A, B, C, D dhe E. Për këto vepra të infrastrukturës publike, shtesat do të përjashtohen nga legalizimi vetëm nëse shkelin trupin e rrugës.
- Në rast mosplotësimi nga subjekti, poseduesi i ndërtimit informal, të dokumentacionit që duhet të dorëzohet prej tij, brenda 6 muajsh nga njoftimi zyrtar i ALUIZNI-t, ky i fundit informon Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për të vepruar, sipas legjislacionit përkatës.
- Për ndërtimet informale, të përcaktuara në kreun III të këtij vendimi, të ngritura brenda zonave dhe nënzonave të mbrojtura, si dhe zonave të ruajtjes së veçantë, ku shkalla e mbrojtjes nuk ndalon ndërtimet me funksion banimi ose social/ekonomik, procedurat e kualifikimit kryhen pas depozitimit, nga poseduesi i ndërtimit, të aktit për vlerësimin e ndikimit në mjedis (VNM), nga një ent apo subjekti i licencuar.
- Në zbatim të shkronjës “c”, të pikës 4, të këtij vendimi, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar dhe Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit dërgojnë pranë ALUIZNI-t informacionin mbi zonat e evidentuara me rrezik përmbytjeje dhe çarje-rrëshqitjeje (listat dhe materialin hartografik me koordinata, sipas sistemit koordinativ shtetëror), brenda 2 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.