Ata mund të quhen me plot gojën më të fortët e globit tonë. Bëhet fjalë për dhjetë grupet më të mëdha të mafies botërore. Ja se cilët janë ato dhe çfarë i karakterizon…
Kur përmendim fjalën “mafie”, ne i referohemi një grupi kriminal që u shfaq në Sicili në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Fillimisht ky grup ishte si një shoqatë që synonte kontrollin e një zone lokale, në mënyrë të organizuar dhe sipas rregullave të përpikta të sjelljes. Ndërsa në ditët e sotme, fjala mafie përdoret për të gjitha ato grupe kriminale të cilat kanë për qëllim të kontrollojnë, menaxhojnë dhe të ruajnë fitimet e dala nga trafikime të ndryshme të paligjshme. Trafikimet e mafies fillojnë që nga armët te droga, nga grabitjet deri te trafikimi i qenieve njerëzore. Asgjë nuk është tabu për mafien në mbarë botën dhe shoqatat e organizuara të krimit. Ato tashmë janë të njohura për mizoritë e tyre në menaxhimin e operacioneve fitimprurëse. Më poshtë janë renditur mafiet më me ndikim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë më shumë degëzime në një shkallë ndërkombëtare, shkruan Shqip.
10 – Mafia xhamajkane
Yardies, imigrantët xhamajkanë të mbërritur në Britaninë e Madhe në vitet ‘50 me shpresën e përmirësimit të kushteve të tyre të jetesës, janë një grup mafiozësh që zakonisht përbëhet nga nëngrupe bandash të dhunshme që gjenerojnë fitime nëpërmjet trafikimit të drogës ose vrasjeve me pagesë. Ata nuk kanë provuar kurrë të infiltrohen brenda organizatave policore.
9 – Mafia shqiptare
Mafia shqiptare është një grup i organizatave kriminale me bazë në Shqipëri, aktive në Europë dhe në SHBA sidomos në tregtinë e seksit dhe trafikimit të drogës. Është një ndër mafiet më të dhunshme, sidomos nëse motivohen nga hakmarrja. Jo gjithmonë këto grupe kriminale janë të organizuara midis tyre. Në fakt, shpeshherë ata kanë tendencë për të konkurruar me njëra-tjetrën, ose për të shkaktuar luftëra të vërteta të brendshme. Mbi organizatat kriminale shqiptare dihet shumë pak, duke qenë se është mjaft e vështirë për t’u futur tek to. Por sigurisht tashmë është e njohur që shumë prej trafiqeve të paligjshme që vijnë nga Europa Lindore kalojnë nga Shqipëria dhe drejtohen nga mafia shqiptare.
8 – Mafia serbe
Mafia serbe e përhapur gjithashtu në Europë dhe në SHBA është e përfshirë në aktivitete të ndryshme ilegale, të tilla si trafikim droge, vrasje me pagesë, shantazhe, kumar dhe grabitje. Brenda organizatave kriminale që përbëjnë mafien serbe ekzistojnë tri klane të fuqishme: Vozdovac, Surcin e Zemun. Brenda tyre janë organizata më të vogla. Mafia serbe ka qenë veçanërisht aktive gjatë luftërave të Jugosllavisë, gjatë të cilave ajo fitoi mbështetjen e qeverisë përmes një fushate të gjerë të korrupsionit.
7 – Mafia izraelite
Megjithëse është më pak e njohur në krahasim me bandat e tjera, mafia izraelite ka nën kontroll trafikun e drogës dhe prostitucionit në shumë vende. Është e njohur për mizorinë e saj, nuk mendon dy herë për të vrarë cilindo që tenton ta pengojë atë. E ndihmuar nga mafia ruse, ajo izraelite ka depërtuar aq thellë në strukturën politike amerikane, saqë është mjaft e vështirë për ta çrrënjosur nga aty.
6 – Mafia meksikane
Ajo ka filluar në vitet ‘50 brenda burgjeve me qëllim për të mbrojtur bashkëpunëtorët. Ajo doli nga burgu për t’u ndeshur rrugëve të SHBA-së, ku kontrollojnë në pjesë trafikun e drogës. Në SHBA ka rreth 300.000 anëtarë.
5 – Mafia japoneze, Yakuza
E njohur me këtë emër, Yakuza është një nga mafiet më të përgjakshme dhe më të vjetrat në botë. Filloi si një organizatë e cila kontrollonte lojëra e fatit në Japoni në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Anëtarët e saj karakterizohen shpesh nga tatuazhet në trupin e tyre. Një tjetër shenjë dalluese e tyre është një falangë në gishtin e vogël të dorës, e cila shpesh i ofrohet shefit të bandës si shenjë respekti apo gjest faljeje. Ajo ka rreth 110.000 anëtarë të cilët i përkasin 2.500 familjeve të cilat drejtojnë trafikun e produkteve ilegale, pornografisë, prostitucionit dhe emigracionin e paligjshëm.
4 – Mafia kineze, Triadi
Është me siguri një nga mafiet më të fuqishme të Lindjes me zyrat e saj në Kinë, Malajzi, Singapor, Hong Kong, Tajvan, e kështu me radhë. Ajo është gjithashtu shumë aktive edhe në SHBA. Në përgjithësi, ajo është e përfshirë në vjedhje, vrasje me pagesë, trafik droge, pirateri dhe grabitje. Organizata mafioze kineze ka filluar në shekullin XVIII me emrin Tian Di Hui, që do të thotë “Shoqëria e Qiellit dhe e Tokës”.
3 – Mafia kolumbiane
E quajtur ndryshe edhe si “karteli kolumbian i drogës”, ajo është e njohur në botë për monopolin e trafikut të drogës, veçanërisht të kokainës, të cilën e transportojnë në gjysmën e botës përmes metodave të ndryshme, duke përfshirë edhe nëndetëset. Operon në të gjithë botën, në sajë të infiltrimit të thellë në politikën e disa vendeve të korruptuara. Tre grupet mafioze më të famshme kolumbiane janë “Cartello di Cali”, “Cartello Medellin” dhe ai i “Norte Valle”. Këto grupe nuk janë të përfshira vetëm në trafikun e drogës, por edhe në rrëmbime dhe akte terroriste.
2 – Mafia siciliane në Amerikë
Versioni amerikan i “Cosa Nostra”-s është relativisht i kohëve të fundit: nis në gjysmën e shekullit të kaluar dhe u karakterizua menjëherë për projektimin e shumë aktiviteteve kriminale në shkallë të gjerë, por pa lënë gjurmë në përfshirjen e saj. Aktivitetet e saj shkojnë nga trafikimi i drogës dhe armëve, deri në ndërmjetësimin e biznesit kriminal në mafie të ndryshme. Anëtarët e kësaj mafieje janë të paktë në krahasim me organizatat e tjera kriminale, por ata janë të zgjedhur dhe tejet besnikë ndaj klanit, dhe duhet të ndjekim rreptësisht “sundimin e heshtjes”.
1 – Mafia ruse
Kjo mafie ka lindur gjatë Bashkimit Sovjetik, ka kontakte në të gjithë botën dhe ndikim që është i pakrahasueshëm globalisht. Numri i anëtarëve varion nga 100.000 në 500.000, në nivel botëror. Aktivitetet e saj janë kryesisht ato të trafikut të drogës, të armëve, aktivitetet terroriste, pornografia, mashtrimi dhe trafikimi i organeve. Rregulli parësor është “të mos bashkëpunojë kurrë me policinë”. Nëse njëri prej anëtarëve të mafies ruse kapet nga policia, ajo e vret atë para se ai të lirohet, duke qenë se këto raste ata i llogarisin si një rrezik potencial për organizatën.