Një shije jo të mirë i ka lënë opinioni i Komisionit të Vene cias te pronarët shqiptarë, ndërsa këta të fundit i ka në kthyer sytë drejt Gjykatës – – Kushtetuese, institucioni që do të japë verdiktin mbi ligjin e pronave. Të vendosur për t’i shkuar deri në fund bindjes se ligji cenon pronarët dhe i kompenson ata me shuma qesharake për pronat që pretendojnë, ata kërkojnë që Kushtetuesja t’i japë përgjigje të gjitha kundërshtive që kanë paraqitur. Përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi, teksa komenton mendimin që ka shprehur Komisioni i Venecias, e që sipas tij, nuk i përgjigjet realitetit, i bën thirrje qeverisë të ndalë presionin ndaj Gjykatës Kushtetuese. Ai shton se, për të njëjtin argument, në një shtet të BE-së, gjykatësit do të kishin dhënë një opinion krejt të ndryshëm nga ai që shpalos në materialin me 11 faqe dy ditë më parë.
Z. Vorpsi, në prag të vendimit përfundimtar për ligjin e Pronave, Komisioni i Venecias ka dhënë pëlqimin apo mbështetjen për të. Cili është opinioni juaj, pas leximit të argumenteve të këtij komisioni?
Për të qenë më i drejtpërdrejtë duhet të them që e kam pritur jo mirë, sepse pritshmëritë e tyre në harkun kohor të 26 viteve kanë qenë të tjera, pra jo ato që ofron ky ligj. Këtu nuk flasim për një grusht njerëzish, por flasim për një shtresë të caktuar të shoqërisë shqiptare, e cila këtu e 75 vite përpara u shpronësua me dhunë dhe pa dëmshpërblim nga regjimi i atëhershëm. Pas viteve ’90, kjo shtresë pati pritshmëri të tjera në raport me kthimin ose kompensimin e pronës. Është e tepërt të themi kalvarin e këtij harku kohor 26-vjeçar dhe përtej realiteteve, ligji i fundit përkeqësoi në mënyrën maksimale të mundshme pritshmëritë e tyre. Këtu iu referohem pritshmërive të trashëgimtarëve të pronarëve të 26 mijë vendimeve të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në të cilët është përmendur fjala kompensim i pronarëve. Ashtu siç janë prekur trashëgimtarët e pronarëve të 11 mijë dosjeve, të cilat sot janë pa një vendimmarrje, qoftë në kthimin e pronës, qoftë në kompensimin e saj. Pra, sot pas më shumë se 70 vitesh, kur kanë kaluar 3 breza dhe po vjen brezi i katërt, duhet të keni parasysh që nuk janë më 37 mijë pronarë, por janë trashëgimtarë të brezit të tretë ose të katërt, minimalisht të 37 mijë pronarëve që kanë kërkuar sipas vendimmarrjeve, në dyert e shtetit shqiptar, kthimin ose kompensimin e pronave. Po e përmend këtë numër të madh familjesh, për të krijuar idenë e qartë që nuk kemi të bëjmë me një grup njerëzish, të cilët kanë pasur pritshmëri të tjera në harkun e 26 viteve të fundit. Bëhet fjalë për një shtresë të familjeve shqiptare, të cilat për arsye që dihen, në vitin ’45 u shpronësuan me dhunë nga shteti shqiptar. Edhe sot, pas më shumë se 70 vitesh, jemi në një gjendje të tillë, ku kemi një ligj që nuk ka kthim prone dhe nuk e kompenson pronën, ose pronën që kompenson, e jep me një çmim qesharak.
Pra, po thoni se komisioni nuk e ka marrë parasysh historinë që parashtruat për realitetin shqiptar?
Të jem i sinqertë, opinioni i Venecias ka prekur shumë pritshmëri, ashtu sikurse dhe vetë ligji. Ka prekur një shtresë që është në numër shumë më tepër se dhjetëra apo mijëra vetë. Sidoqoftë, do të doja të thosha se opinioni i Komisionit të Venecias është për Shqipërinë. Shpreh bindjen time se, as gjyqtari ose eksperti austriak apo gjerman, nuk do të kishin dhënë të njëjtin opinion për vendet e tyre. Për këtë, besoj se duhet të biem dakord të gjithë, sepse janë shoqëri që kanë pritshmëri të tjera. Ndërsa ne jemi ende një shoqëri që mendojmë sipas kultit tonë dhe patjetër që këtu nuk ka përfunduar beteja. Ajo është e hapur sepse është vetëm një opinion dhe duke qenë i tillë, gjej rastin që t’i bëj thirrje qeverisë shqiptare, të mos vazhdojë t’i bëjë presion Gjykatës Kushtetuese.
Çfarë keni parasysh, kur thoni se Gjykatës Kushtetuese po i bëhet presion?
Thirrje të tilla ku i kërkohet Gjykatës Kushtetuese të vendosë në fuqi ligjin (megjithëse ligji është në fuqi), patjetër që janë shenjë presioni ndaj këtij organi. Aq më tepër, tani që gjithë trupa e sistemit gjyqësor në shkallë vendi është vënë në lupën e kontrollit të pasurive sipas ligjit të “Vetting”-ut. Çfarë integriteti mund ketë një vendimmarrje e tillë në të tilla kushte, ca më tepër kur qeveria dhe politika shqiptare bën një presion të tillë, ku shkohet deri aty sa i thuhet Gjykatës, – Ratifikojeni. Kjo ishte një shprehje e drejtpërdrejtë për ligjin e Pronave.
Por, ndoshta dashur pa dashur, teksa flisni që qeveria të mos ushtrojë presion, bini në kurthin se trysnia vjen nga krahu juaj për Kushtetuesen?
Ne si shoqatë e kemi ankimuar këtë ligj në Kushtetuese dhe patjetër që presim nga ajo që të marrë një vendim të arsyetuar dhe kërkojmë nga ajo për çfarë i kemi kërkuar, t’i japë përgjigje të gjitha kundërshtive të paraqitura. Përtej kësaj, duhet ta kemi të qartë se beteja nuk mbyllet këtu sepse ajo do të vijojë në Strasburg, sepse si shoqata, ashtu dhe Presidenti i janë drejtuar njëkohë- sisht edhe Gjykatës Europiane. Pas një procedure normale, duhet që kjo e fundit, pasi të vendosë Gjykata Kushtetuese, të shprehet sa i takon pajtueshmërisë së ligjit. Pra, është një procedurë që do të marrë sërish kohë, por që ka krijuar një situatë aspak të pëlqyeshme në radhët e pronarëve shqiptarë, sepse në qoftë se diskutohet për proporcionalitet, atëherë mesa shohim ne nëpërmjet këtij ligji, kërkohet të realizohet nëpërmjet pronarëve dhe jo përmes pronarëve dhe shoqërisë shqiptare. Për çfarë proporcionaliteti bëhet fjalë, kur pronat e pronarëve shqiptarë janë ndarë falas nga shteti shqiptar me ligjin 7501, dhe po aq falas janë ndarë edhe në kuadrin e ligjit të Legalizimeve, dhe t’i thuash pronarëve që pronën tuaj jua kam dhënë dikujt tjetër falas, kështu që edhe pronën tendë nuk kam ndërmend ta jap? Të gjithë pronarët shqiptarë shikojnë që tokat e tyre i kanë marrë falas dhe i punojnë njerëz të tjerë, dhe qeveria shqiptare sot ngrihet dhe thotë që unë kaq mundësi kam e kaq të jap. A mund të shkojë në ndërgjegjen e çdo qytetari shqiptar një situatë e tillë? Patjetër që jo. Duhet të jemi realistë dhe ta shohim realitetin siç është.
E gjithë vëmendja dhe pritshmëria tanimë është përqendruar te dita kur Gjykata të japë fjalën e saj. Në rast se Kushtetuesja, me të gjitha përgjigjet që do japë, do të lërë në fuqi ligjin, me çfarë argumenti do të shkoni në Gjykatën e Strasburgut?
Është shumë i rëndësishëm vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese. Dua t’ju kujtoj se sot janë të depozituara rreth 400 çështje në Gjykatën e Strasburgut, nga të cilat 86 janë gati për vendimmarrje, pasi ka përfunduar hetimi gjyqësor. Sipas ligjit shqiptar në fuqi, të gjitha këto çështje duhet të kthehen në Shqipëri për t’u trajtuar nga Agjencia e Trajtimit të Pronave sipas kërkesave të ligjit të ri. Patjetër që ky është një vendim që do të marrë nesër Gjykata e Strasburgut, por dua të them edhe një element tjetër. Në 4 vendime që ka dhënë Gjykata e Strasburgut, veçanërisht në çështjen “Sharra dhe të tjerë Kundër Shqipërisë”, në nëntor të vitit të kaluar, ky organ ka trajtuar në vendimmarrjen e saj edhe rastin që është përcaktuar në ligjin që është në fuqi sa i takon faktit, që dëmin monetar që është kërkuar nga qeveria shqiptare ne këtë vendimmarrje duhet të llogaritet duke pasur parasysh njohjen në kohën e konfiskimit nga shteti. Dhe vlerësimi (sipas kërkesës së qeverisë) nuk duhet të bazohet në legjislacionin e ndryshuar, ashtu siç është tani.
Kjo ka qenë kërkesa e qeverisë, para se ky ligj me këtë klauzolë që është thelbi i ligjit për kompensimin, të përcaktohej. Dhe, pikën 79 të vendimit “Sharra dhe të tjerë kundër Shqipërisë” Gjykata ka thë- në se përsërit parimin e saj të përcaktuar se dëmi pasuror që jepet në rastet e shpronësimit të paligjshëm duhet të korrespondojë me vlerën aktuale të pronës, dhe si shembuj janë përmendur edhe çështjet “Rumanescu kundër Rumanisë”, “Scordino kundër Italisë”, etj. Në vendimmarrjen e saj, në pikën 80 ka thënë: “Gjykata shqyrtoi edhe çështje të tjera dhe ka arritur në përfundimin që në rastet e shpronësimeve të tilla, si aplikimet e tanishme në lidhje me të cilën, autoriteti ka dhënë një kompensim në vend të kthimit të pronës, shuma e kompensimit do të korrespondojë me vlerën aktuale të pronës. Pra, atë klauzolë, të cilën qeveria shqiptare e ka formalizuar dhe në ligj, pikërisht këtë klauzolë qeveria shqiptare i ka kërkuar Gjykatës së Strasburgut dhe kjo e fundit ia ka rrëzuar. Pra, jemi ende përpara një situate shumë të komplikuar./Shekulli