Humbja e betejës së parë me median online
Nëse dikush dëshiron të dijë se në çfarë gjendje është sot Edi Rama si kryeministër në raport me publikun, do t’i mjaftonte të shikonte kronikat e viteve 2011, 2012, 2013 të Sali Berishës. Ndryshimi i vetëm është se media e asaj kohe në një përgjithësi gati totale anonte nga opozita. Kaq e polarizuar është anshmëria e medias shqiptare tradicionale në raport me PS-në, saqë edhe një televizioni të vetëm që mbështeste qeverinë “Berisha”, pra Tv Klan, i mbeti njolla e prodhuar nga përgojimi i të shumtëve politikë. Pra njolla në biografinë e “medias që nuk duam”.
Dhe duke e parë nga kjo pikëpamje nuk është ekzagjerim as spekullim të thuhet se njeriu që kupton sot më mirë se të tjerët Edi Ramën, është Sali Berisha. Po ajo situatë, po ato probleme ekonomike, po ai shabllonizëm në propagandë, po ajo nevojë e tmerrshme për të ndryshuar vëmendjen. Droga, korrupsioni, krimi, vrasjet, aksidentet, dështimet, të gjitha ditë pas dite në tryezën e një njeriu të vetëm.
Berisha dukej se e dëshironte këtë gjë. Dukej se kishte një uri të pangopur për të marrë vesh gjithçka, për të zgjidhur punë me celular. Rama është krejt tjetër. Kryeministri aktual po qeveris nën peshën e një regjimi tjetër psikik dhe nervor që duket se u thotë shqiptarëve dhe sidomos mediave: nuk ua kam ngenë. Ose ca më keq: pse xhanëm nuk shikoni anën e mirë të atyre që po bëj?
Te kjo rraskapitje merr kuptim – përveç marketingut politik – këmbëngulja te video promocionet, fotografitë, mbajtja në vëmendje e projekteve si Rilindja Urbane. Të gjitha punë që kanë prioritetin e dëshirave të kryeministrit, por jo të lajmit që zë vend në media. Ky është një problem që dikur zgjidhej kollaj, por sot me zgjerimin e mediave online, situata është ndërlikuar. Dhe kjo eliminon thjeshtësinë e dikurshme të manipulimit, diversionit.
Nuk është e vështirë të kuptohet se nga qeveria ka një lodhje, një dorëzim, një ezaurim përballë presionit të sintonizuar të mediave online që riprodhohet reciprokisht nga media sociale. Aktet e fundit dhe epitetet si ai i kazanit që po rëndon mbi profilin e kryeministrit në raport me qetësinë që ai duhet të ketë, flasin qartë në këtë drejtim. Ato po na dëshmojnë një paradoks: ai që predikonte shpesh në opozitë pjesëmarrjen në politikë, sot po i druhet angazhimit potencial politik të njeriut të thjeshtë. Pasi sulmi që shitet si vetëmbrojtje ndaj mediave shërben pikërisht këtë frikë që mbulohet nga arroganca.
Kjo është një arrogancë që ndryshon cilësisht nga ajo e pushtetit të Berishës.
Në përpjekjen e vazhdueshme për të gënjyer apo relativizuar, Berisha i ndante mediat në bazë të kriterit ideologjik, jo rrallë sipas biografisë politike të pronarit. Por ky është një qëndrim klasik i pushtetit me kritikën apo akuzën të cilën përpiqet të zhvlerësojë apo t’i fshihet duke treguar qëllimet jo të sinqerta të palës “paditëse”.
Kryeministri aktual e ka problemin shumë më të thellë, teksa na zbulon se leximi i mediave i është kthyer në gati një tik nervor, apo sëmundje. Ai po i ndan mediat mbi një kriter arbitrar cilësie duke tentuar të nihilizojë çdo gjë që emetohet prej tyre.
Me një rol krejt absurd arbitri, Edi Rama ka hapur një betejë të cilën duhet ta shmangte. Zyrat e Shtypit, deklaratat, konferencat, gjithë pra ai mekanizëm institucional në fund fare shërben edhe për të filtruar dhe fituar kohë. Jo. Ai po bën të kundërtën, duke funksionuar si një aplikacion që nuk lë asnjë “notification” pa sinjalizuar. Një varësi gati maniakale që ngjan se i ka prishur humorin, ndoshta në ndonjë rast edhe i ka futur frikën, apo e ka bërë të vrasë mendjen se “çfarë ka dashur të thotë autori”. Nuk do të kishte asnjë rëndësi nëse ky mitralim i përditshëm informacioni po shpërfytyron normën e komunikimit që një kryeministër dhe një qeveri duhet të ketë.
Intervista e fundit e Ramës është një nga shembujt e shumtë të çekuilibrimit për të cilin po flasim. Asnjë përgjigje reale, asnjë shifër e besueshme, refuzime, alibia e keqkuptimit dhe keqdashjes për çdo gjë, mohime, etiketime, gjithë një arsenal si protezë ndaj atij realiteti që gjenerohet nga qeverisja, e cila kërkon ta virtualizojë atë për të siguruar argumentin se “po mashtrohet”. Kryeministri kërkon fakte nga të gjithë, por kur i kërkojnë të tilla, siç ishte p.sh rasti për shkrimet e botuara në “The Hill” dhe “Huffington Post”, ai është autoreferencial.
“Unë e di se çfarë flas”, u përgjigj Rama me një siguri që nuk gënjen më askënd.
Ky degradim në marrëdhëniet me median, i këtij kryeministri që e nisi rrugëtimin politik, si Dashnor i saj (Berisha thotë që është dashnor i fjalës së lirë), është instruktiv sidomos për ata që e kanë njohur kryeministrin për shkak të punës. Por edhe për vetë historinë e fjalës së lirë dhe të medias ai ka rëndësi.
Edi Rama është padyshim një nga politikanët që po godet më shumë se kushdo median, në të gjitha format. Shumëkush nga gazetarët mban mend se akti i parë i tij si kryetar partie, pas Fatos Nanos, ishte heqja e të drejtës për të bërë pyetje në konferenca shtypi. Më tej nisi orientimi në distancë i gazetarëve për “kapjen e lajmit”. Ndërhyrjet rast pas rasti i lanë vend guximit për të prodhuar kaseta të gatshme sidomos në fushata zgjedhjesh për të mbëritur pas vitit 2013, kur media tradicionale, praktikisht është në anën e tij. Një rrugë që hapej me bekimin e pronarëve e që sot është zënë nga mediat e një lloji të ri. Ky ballafaqim ilustron se asgjë parimore nuk ka patur në raportin me fjalën dhe median dhe se përtej kushtëzimeve që sjell një sistem që ka 25 vjet jetë, qëndron vetëm armiqësia.
Marrëdhënia me këtë medie të re nuk mundet të jetë më në baza biznesi si më parë, as të përdoret aq kollaj. Pasi askush nuk mund të kontrollojë kërpudhat mediatike që mbijnë përditë. Ajo detyron që raporti të shoshitet në planin psikologjik, duke pranuar dhe asimiluar presionin, i cili jo përherë është pozitiv, pra nisur thjesht nga interesi publik. Nëse këtë kryeministri nuk e përballon dot sepse zullumet po mbijnë më shpejt sesa kërpudhat e medias online, atëherë, për hir të shëndetit mendor të qeverisjes i japim një këshillë: Ndiq shembullin e Nard Ndokës. Helmin ktheje në humor. Kuptohet deri në njëfarë pike. Përndryshe nuk është e tepërt të thuhet se betejën e parë me “onlajnin”, sa kohë që ndonëse e përbuz, vijon t’i japë llogari dhe të frustrohet, e ka humbur. Dhe keq madje. Ky është një sinjal i mirë./Respublica