E diel, ora 20:10. “Públicus” duhej të ishte në ekran, por nuk është! Dhe ky është një tjetër lajm! Dhe pa dyshim, një lajm i keq!
Sa herë dëbohen gazetarë, po aq herë, ngrihet baltë e mashtrim për të mbuluar të vërtetën! Aq më shumë, vidhet e grabitet; keqformohet e çorientohet opinioni publik!
Gjatë kësaj javë keni ndjekur show-e argëtuese, reklama gjithfarësoj, keni parë aktorë, komedianë e politikanë; keni dëgjuar e besuar se jeni informuar drejt e mjaftueshëm, prej edicioneve apo bisedave (jo në kafe), nëpër studiot televizive. Ky mendim që ju është ngulur në kokë është i ligjshëm, por i gabuar! Mendoni dy herë! Dhe pastaj pyesni veten, -sa e vërtetë është kjo?! Sepse mediat e bizneseve familjare kanë një tjetër qëllim.
Sot në mbrëmje, në mungesë të “Públikus”, ka më pak gazetarë në terren, por krimi në rrugë, është më prezent! Sot në mbrëmje, një javë më pas, kemi më shumë prona publike të grabitura! Një javë më pas, kemi më shumë pyje të prera, kemi më shumë para publike të tenderuara jondershmërisht që kanë përfunduar në duart e klientëve të qeverisë; më shumë portale të financuara prejt këtyre parave për të baltosur gazetarët e kundërshtarët. Sot, është një tjetër muzg në këtë mjedis mediatik të errët!
Situata është dëshpëruese! Presioni, krimi, balta, kusaria, i shtyn gazetarët dhe punonjësit e medias në zgrip! Burokracia, zyrtarët e korruptuar, militantët, triumfojnë! Një pjesë e medias, sot ka ulur kokën. Të tjerë, janë dorëzuar! Ata e kanë humbur betejën, por jo me profesionin, por me njeriun, pikërisht sepse kanë tradhëtuar profesionin! Po natyrisht, ky nuk është i vetmi shkak. Në ekranet e korporatave, zyrtarët e lartë, të zgjedhurit lokalë, klientët partnerë me pushtetin, brohorasin! Të papunët, të pastrehët, të pambrojturit, rrijnë e vështrojnë! Propaganda është ulur këmbëkryq, jo vetëm në ekran, por edhe në rrjet. Ju s’mund të fshiheni edhe nëse doni!
Gjithçka është vënë në shitje!
Ju shihni gazetarë, bashkëpasagjerë në kolltukun e ministrit të brendshëm që udhëtojnë e shkëmbejnë sellfi nëpër plantacionet “e fshehta” të hashashit; shihni se si me një mendjelehtësi të tillë, këta gazetarë ushqejnë propagandën! Po ashtu, keni parë gazetarë, bashkëpasagjerë në kolltukun e kryetarit të bashkisë në Tiranë që udhëtojnë së bashku, si turistë, nëpër Evropë (Romë e Veronë) e se si në shkëmbin, këta drejtues të emëruar redaksish transmetojnë nëpër ekrane kronikat që kryetari i monton në zyrat e propagandës. Do të ishte një ekzagjerim i skajshëm nëse do të pretendoja një pavarësi të kulluar. Mund të ndjehen të privilegjuar dhe kjo është mikluese, por zonja dhe zotërinj, përulësia nuk ju nderon! Pak më shumë dinjitet! Çdo gjë tjetër, fundja, tretet. Propaganda që financohet, në shkëmbim të favoreve e në kurriz të kolegëve është një sjellje kriminale!
Por sado larg që të shkojë propaganda, ajo s’mund të tejkalojë mashtrimin të cilit i shërben! A është Shqipëria një demokraci? A është informacioni i lirë? A mbrohet e vërteta? Asnjë qeveri nuk mund të ketë monopolin e të vërtetës! I vetmi qëllim i saj duhet të jetë mirëqënia dhe siguria e bashkësisë. Në të kundërt, rrezikojmë të afrohemi me shoqëritë totalitare! Në Shqipëri, liria e shprehjes mungon dhe kjo nuk është pak! Bashkë me të mungon dinjiteti, besimi, mirëkuptimi.
Megjithatë, nën muzg ka ende shpresë! Një brez i ri gazetarësh ka mbërritur në media. Mund të jeni pak, por të bashkuar do të jeni më të fortë. Mos bëni sehir! Mos prisni që censura dhe kërcënimi t’ju trokasë në derë! Mbrohuni! Jepini të vërtetës një emër, një fytyrë e jo një maskë!
Politikanët?! Harrojini të gjithë! Më të mirët e tyre, a nuk duan “kërmën” tuaj? Mos shpresoni kurrë tek ata! A nuk i tradhëtuan ata interesat tuaja prej vitesh, ashtu siç tradhëtuan edhe interesat e votuesve të tyre? A nuk i shkelën pretimet? A nuk shihni se kush po i zhduk hapësirat publike; se kush po ndot ajrin, mjedisin; se kush po ju varfëron?
Krijoni grupe, sindikata, nën një qëllim dhe aksion të ri! Loboni dhe përfaqësoni njëri-tjetrin! Askush të mos punojë pa kontratë! Asnjë program të mos dalë në transmetim, pa u njohur më parë prej grupeve tuaja, kontratat e reja të punës! Ata mendojnë se ju punësojnë, se ju ushqejnë, se ju mirëpresin si miq në pronat e tyre dhe se ju nuk duhet të rebeloheni, se duhet të silleni mirë, të heshtni, të ulni kokën e të mos ngrini zërin! Mos marshoni me hap të rregullt! Dilni nga rreshti! Ju e keni kuptuar se ju trajtojnë si punëtorë krahu. E keni kuptuar se po ju fyejnë! Ndaj mos u tregoni naivë! Ngrini kokën! Mposhtni frikën!
Sa më shumë të kërkoni të vërtetën, aq më tepër do të zbuloni mashtrimin! Organizohuni! Përfaqësohuni! Të vetëm do ta keni më të vështirë. Le të jeni pak, mjaft të jeni të bashkuar!
Artan Rama (“Públicus”, bashkëautor)