Ngjarja më e rrallë në Tiranë e javës që kaluam, ishte kurorëzimi i Princ Leka II dhe artistes Elia Zaharia, në një ceremoni sipas protokollit të Oborrit Mbretëror, që u organizua më 8 tetor, në Pallatin e Brigadave.
Parada e rrallë e dasmës mbretërore në Tiranë kishte të ftuar specialë të darkës private të kurorëzimit të një princi e princeshe shqiptare, familje mbretërore nga e gjithë bota. Mikesha speciale e nuses Elia Zaharia, Sadije Berisha, ishte PR dhe organizatorja kryesore për dasmën, protokollin dhe gjithçka tjetër që kërkonte kjo ceremoni jo si gjithë të tjerat.
Në një intervistë për ‘Panorama’ ajo rrëfen paskuintat e kurorëzimit që rrëmbeu vëmendjen e mediave botërore për praninë e gjakut blu nga e gjithë bota. Veç të tjerash, ajo rrrëfen momentin emocionues të takimit me çiftin ish-kryeministror, Sali dhe Liri Berisha, arsyen pse nuk pati një ftesë për Shkëlzenin, dhe lidhjen e saj të dashurisë me ish-Mister Suedia 2000, një ndërtues i njohur, si dhe formën e saj perfekte.
Të gjithë u befasuan kur të pamë në krye të stafit organizator të ceremonisë martesore të Princ Leka II me Elia Zaharian. Si ishte të organizoje një dasmë mbretërore?
Më bëhet qejfi që dasma u pëlqye. Ishte një angazhim intensiv prej shtatë muajsh, por që ia vlejti. Personalisht jam e nderuar që m’u besua menaxhimi dhe PR-i për një ceremoni të tillë historike.
Shumë pak njerëz ishin në dijeni të miqësisë tënde me Elia Zaharian. Kur dhe si jeni njohur?
Unë dhe Elia jemi mikesha që nga viti 2010. Jemi takuar për herë ta parë në një darkë me Princ Lekën. Pra e njoha prej Lekës.
Çfarë ju lidh kaq shumë me Elian, si mikesha?
Thjeshtësia që na karakterizon, dëshirat e ndryshme dhe reputacioni që kemi. Para së gjithash interesi ynë i përbashkët për të bërë mirë, pasioni dhe dëshira për të ndihmuar të varfërit dhe njerëzit më në nevojë. Na bashkoi më shumë fondacioni “Mbretëresha Geraldinë”, dhe puna si organizatore e lëvizjes “Në paqe me natyrën”, një projekt për një Tiranë të pastër, në vitin 2012.
Nga lulet e shumta e deri te servisi prej floriri, e bënë vërtet përrallore këtë dasmë. Sa kushtoi e gjithë ceremonia sipas protokollit mbretëror?
Në fakt, nuk jam unë personi që mund të flas për buxhetin e dasmës, pasi nuk isha unë në krye të financave për këtë ceremoni. Por ishte me rëndësi sjellja e sponsorizimeve nga kompani suedeze dhe shqiptare, të tilla si “Steens Herrmode”, “New South wales”, klinika “Viktoria”. Të gjitha menutë dhe kartat u printuan nga “Stjärntryck”. Po ashtu isha në kontakt me kompanitë nr.1 shqiptare, të cilat ofruan partneritetin e tyre për ceremoninë, mes të cilave “Birra Korça”, “Kantina Bardha”, “GardenLine”, “Pastelitos Ana-Lucia”, “Era”, “Mrizi i Zanave” etj. Dasma mbretërore ishte mënyra më fantastike për promovimin e produkteve dhe talenteve shqiptare. Ndaj unë u përpoqa të bëja më të mirën për këtë.
Një Princ dhe një Princeshë si Elia dhe Leka çfarë simbolizojnë për Shqipërinë dhe shqiptarët në botën jashtë. Cili ishte mesazhi që përcollën me ceremoninë e tyre të dasmës?
Ne deshëm të bëjmë atë që politika nuk ka qenë në gjendje ta bëjë për vendin tonë. Kjo ishte shpresa ime dhe besoj se ky çift i ri mund dhe duhet të jetë imazhi ynë i mirë jashtë vendit. Ajo që duhet t’i tregojmë botës duhet të tejkalojë politikën, dhe kjo dasmë e arriti, për të promovuar vendin tonë me produktet e tij dhe talentet e reja. Për këtë ndihmoi shumë media vendëse dhe ajo ndërkombëtare, duke i bërë jehonë diçkaje të bukur në jetën e këtij çifti të ri, pavarësisht se kush është në pushtet.
Prania e mbretërve dhe princërve nga e gjithë bota ishte vërtet një paradë shumë e veçantë dhe e papërsëritshme për Shqipërinë. Pati hezitime prej tyre për të vizituar Shqipërinë?
Unë jetoj në Suedi, dhe jam lodhur nga dëgjimi i shpeshtë i akuzave të njëjta dhe supozimeve për frikën në Shqipëri. Pyetjet që dëgjoj shpesh janë: A është e vërtetë se të gjithë shqiptarët janë kriminelë? Korrupsioni, droga, trafikimi, sa janë prezente? A është e sigurt Shqipëria për t’u vizituar? Para së gjithash kjo martesë ishte PR më i mirë dhe më pozitiv që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. Prania e kaq shumë familjeve mbretërore në këtë ceremoni do të thotë se Shqipëria nuk është vetëm e sigurt për t’u vizituar, por edhe mjaft interesante për t’u parë.
Mendon se bota do ta shohë me sy tjetër Shqipërinë pas kësaj dasme?
Mendoj që ky është sinjal pozitiv për turizmin dhe investitorët e huaj. Media në të gjithë botën ka shkruar për Shqipërinë me një tjetër konotacion, aspekt tjetër dhe këndvështrim të ri. Kjo ishte e gjitha një anë pozitive dhe në ndryshim nga çdo gjë që ne lexojmë zakonisht për Shqipërinë. Njerëzit kanë nevojë për këtë, vendi ynë ka nevojë për këtë… Shpresojmë që duke i kthyer botës sytë drejt Shqipërisë, ne mund të drejtojmë fokusin drejt këtij vendi, për të marrë ndihmën dhe mbështetjen që na nevojitet, e për të bërë kështu ndryshime për më mirë. Kjo sigurisht ishte dëshira dhe shpresa ime.
Po fustanet e nuses dhe kostumet e dhëndrit sa kushtuan?
Edhe ato ishin të sponsorizuara. Shumë prej sponsorëve ishin të lumtur dhe krenarë, duke qenë pjesë e kësaj ngjarjeje historike, që shërbeu, siç e thashë më sipër, edhe në promovimin e talenteve, duke ofruar më të mirën e tyre.
Çfarë dhuratash morën çifti nga familjet mbretërore, dhe ti personalisht çfarë dhurate bëre?
Nuk jam në dijeni të dhuratave që morën, pasi unë e lashë Tiranën ditën tjetër, sepse fluturova drejt Suedisë të dielën. Sa për dhuratën time, ajo është personale për ta ndarë me publikun.
Ti vetë u komentove për pamjen e bukur dhe formën e mirë fizike. Si qëndron kaq bukur e në formë?
Fitova një kilogram gjatë qëndrimit në dasmë (qesh)… Por si gjithmonë mund të them ushqim të shëndetshëm, ndërsa ushtrohem rregullisht dhe kjo është mënyra më e mirë.
Në dasmën mbretërore ishin të ftuar Sali dhe Liri Berisha, ish-vjehrri dhe vjehrra juaj. Patët mundësi të takoheshit dhe si u ndjeve?
Ky moment i dasmës ishte pak emocionues, pasi ata do të thonë shumë për mua në një kohë që janë ligjërisht gjyshërit e dy fëmijëve të mi, Medinës dhe Laidonit. Dhe më kryesorja ishte që unë nuk i kisha parë ata për një kohë shumë të gjatë.
Ra në sy mungesa e ishit tuaj, Shkëlzenit, në këtë dasmë. Nuk kishte ftesë për të?
Jo.
Pse?
Kjo ishte dasma e Elias dhe Princ Lekës. Nuk ka arsye të tjera, përveç faktit që ata nuk janë shoqëruar kurrë me njëri-tjetrin. Kjo ishte një ceremoni ku ata ftuan miqtë e ngushtë, dhe nuk kishin asnjë detyrim të ftonin gjithë familjen.
Edhe i dashuri juaj i zemrës suedez mungoi në dasmë. Pse nuk ishte i pranishëm?
Nuk ishte i pranishëm në dasmë, pasi ai ndodhej në Afrikën e Jugut, për të konkurruar në një kampionat botëror.
LIDHJA ME ISH-MISTER SUEDIA
Si vazhdon lidhja?
Lidhja vazhdon mirë shumë.
Çfarë ju lidh kaq shumë me njëri-tjetrin?
Në fillim na lidhi puna jonë për ndërtimin dhe dizajnin. Ndërsa tani ajo që na lidh është dashuria, pra kjo mes nesh është dashuri.
Bashkëjetoni?
Jo, ne nuk jetojmë bashkë.
Keni ndonjë plan që mund t’ju lidhë edhe më shumë? Për shembull, të sillni në jetë një fëmijë?
(Qesh) Jo, më shumë fëmijë faleminderit! Së bashku ne kemi 3 djem, 3 vajza, 1 qen, 2 mace dhe një kalë. Mendoj se kjo është e mjaftueshme.
KLOTILDA HARKA/Panorama