“Edi Rama dhe krimi janë bërë një sepse Edi Rama erdhi në pushtet me krimin, po e mban pushtetin me krimin dhe shpreson ta rimarrë me krimin”. Kështu deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takimin me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike të Devollit.
“Edi Rama, theksoi Basha- e quan opozitë më të keqe se krimin sepse çdo ditë po fakton para qytetarëve lidhjet e tij me krimin, mbrojtjen që i jep krimit dhe kthimin e Shqipërisë në hambar droge”.
Basha tha se Rama e ka shkelur kontratën me shqiptarët sepse premtoi rend dhe siguri, por në fakt erdhi në pushtet me krimin dhe prej asaj dite i shërben dhe shërbehet nga krimi.
“Solli kriminelët dhe i bëri anëtarë të parlamentit, deputetë, kryetarë të bashkive të vendit, i bëri drejtor të mëdhenj në polici, në dogana, në tatime, në OSHE duke i kthyer të gjithë këto organizata që ishin në shërbim të shqiptarëve në organizata të mirëfillta kriminale. Dhe kur ne denoncojmë ka guxim të thotë se opozita është më e keqe e krimi. Sigurisht që për Edi Ramën opozita është më e keqe se krimi, se me krimin drekon, me krimin darkon, me krimin gdhihet, me krimin ngryset, me krimin i ka të gjithë pazaret. Si mund të jetë opozita më e mirë se krimi, kur Edi Rama dhe krimi janë bërë njësh me qëllim për të mbajtur pushtetin, për të bërë më shumë para, për të vjedhur zgjedhjet dhe për të prishur vullnetin e qytetarëve shqiptarë”, deklaroi kreu i PD.
Sipas tij, ‘Rama në keto tre vjet i ka shërbyer vetëm krimit dhe një grupi njerëzish të lidhur me të, të cilët janë pasuruar me paratë e qytetarëve ndërsa varfëria dhe mjerimi për 90% të shqiptarëve është shtuar’.
“Edi Rama e ka prishur kontratën me qytetarët duke mos mbajtur asnjë premtim me të cilin erdhi në pushtet. E si çdo kush që ka sanksione për mos zbatim të kontratës është koha që edhe qytetarët të largojnë Edi Ramën për shkelje të kontratës me ta”, tha ai.
Basha akuzoi kryeministrin Rama se mbron ata që janë në kërkim policor, ndihmon të arratisen ata që janë të dënuar, ulet, drekon, darkon, bën pazare me kriminelët më të njohur të Shqipërisë dhe të Ballkanit.
“Nga ana tjetër arreston, keqtrajton, dhunon, poshtëron qytetarët e pambrojtur. Ky është shteti që ka ndërtuar Edi Rama në tre vite. Për njerëzit në nevojë ekonomike nuk ka ndihmë ekonomike, për pensionistët nuk ka rritje pensioni, për të papunët nuk ka shanse për punë, për të pambrojturit vetëm kërbaç, për kriminelët shqipëria është kthyer hambar droge. Nga njëra anë iu premtoi shqiptarëve që buxhetin do ta kishte për shqiptarët, për të ulur taksat, për të rritur rrogat, për të rritur pensionet, për shëndetësinë falas, për legalizime falas. Dhe ditën që mori pushtetin e shiti buxhetin tek klientët e tij”, u shpreh Basha.
Kreu i PD theksoi më tej se në këtë gjendje ku është vendi sot kemi ardhur sepse Edi Rama ka shkelur, dhunuar, braktisur kontratën me qytetarët.
“Qytetarët shqiptarë e dinë fare mirë se çfarë ndodh nëse dikush prej tyre, dikush prej nesh nuk arrin të plotësojë dot fjala bie termat e kontratës me ujësjellësin apo me OSHE, çfarë ndodh?! Pritet uji, priten dritat, vijnë gjobat, vjen edhe policia. Po me këta zaberhanë që ka prishur e shkelur kontratën me gjithë shqiptarët në këto tre vjet. Çfarë do të bëjë populli?”, tha Basha para banorëve të Devollit.
Ai deklaroi se “sot jemi përpara një detyre historike t’i prijmë këtij vullneti popullor dhe të rrëzojmë një orë e më parë shkelësin e kontratës, të inkriminuarin, të korruptuarin Edi Rama dhe skotën e tij në qeveri”.