Nga dasma e bujshme e Ahmet Zogut në 1938 te ajo e trashëgimtarit të parë në 1975 e deri sot te Princi Leka II.
27 prill 1938
“Më dridheshin këmbët dhe nuk shikoja asgjë. Isha jashtë mase e frikësuar. Dhoma ishte aq e gjatë sa dukej e pafund dhe unë doja vetëm të zhdukesha. Befas, u gjenda ballë për ballë me një fytyrë të hijshme, një burrë i gjatë, pa të meta, i veshur me uniformën e bardhë të kolonelit të përgjithshëm të ushtrisë. Ishin pikërisht sytë që i vura re të parët…”, mes shumë kujtimesh e intervistash këto kanë qenë mbresat e para të Geraldina De Nagy Appony, bashkëshortes së Ahmet Zogut, përpara se të vinte kurorë. Geraldina nuk e dinte se, pavarësisht fshehtësisë, lajmi për mbërritjen e saj kishte intriguar tej mase kryeqytetin. Pothuajse i gjithë oborri, njerëzit me ndikim dhe diplomatët e dinin që kishte ardhur me aprovimin e Mbretit dhe ishte kandidatura kryesore për t’u bërë Mbretëreshë e Shqipërisë. Ishte viti 1938, viti i martesës së Mbretit Zog I me Mbretëreshën Geraldinë.
NGA BIOGRAFIA E GERALDINËS
“Pjesa më e madhe e plaçkave u soll nga Parisi prej vetë Mbretit, i cili kishte shije të hollë dhe i pëlqente shumë të zgjidhte veshjet për Geraldinën. Ai kishte porositur një rrobaqepës të vinte nga Franca për të marrë masat e Geraldinës, ndërsa dy shtëpitë e modës ”Channel” dhe ”Ëorth”, të zgjedhura nga Mbreti, bënë një kallëp me përmasat e saj. Geraldina nuk pati mundësi të këshillohej me askënd, pasi Mbret zgjodhi personalisht tri fustane mëngjesi, gjashtë fustane pasditeje, tri palë kostume, gjashtë fustane balloje dhe rroba sportive. Nga ”Maison de Blanc në Paris”, ai porositi fustane shumë të bukura për në shtëpi dhe dhjetëra komplete të brendshmesh prej mëndafshi të stolisura me dantella elegante. Secila veshje kishte këpucët, kapelet, dorashkat dhe çantat e veta të kombinuara, bashkë me çorapet e holla prej mëndafshi. Me të vërtetë që ishte një gardërobë që i shkonte për shtat një mbretëreshe”. Dasma nisi më 23 prill, me një pritje që Mbreti dhe Mbretëresha e ardhshme dhanë për trupin diplomatik dhe për gazetarët e huaj që kishin mbërritur në Tiranë. Shpenzimet e dasmës nuk u mësuan kurrë.
Gazeta “Shtypi” e datës 24 prill të 1938 raportoi në faqen e parë:
“Banka Kombëtare vuri në dispozicion të Sovranit 10.000 franga ari/me rastin e martesës së tij”. Por shuma zyrtare ishte shumë më e vogël sesa ajo që derdhën individë dhe kompani private për këtë rast. Dasma u bë eveniment botëror. Hotelet e paktë të kryeqytetit qenë rezervuar për të ftuarit e Mbretit dhe 79 fotografët e gazetarët e ardhur nga e gjithë bota, përfshi Afrikën e Jugut, Argjentinën dhe Japoninë. Dhuratat zunë vendin kryesor në shtypin e huaj. Regjenti, Horti i Hungarisë pati ofruar një pajton tërhequr nga dy kuaj lipizan, Franca, një servis prej porcelani Sevre, Musolini disa vazo që dikur i përkisnin Napoleonit, ndërsa Mbreti Viktor Emanuel një statujë antike prej bronzi. Dhurata që binte më shumë në sy ishte ajo e bërë nga Kancelari i Gjermanisë, Hitler, një “Mercedez” sportiv kabriole të kuq. Sipas “Corriere della Sera”, ekzistonte vetëm një ekzemplar tjetër i këtij modeli, ai i Hitlerit. Geraldina kujton se ajo u zgjua në orën gjashtë, pavarësisht faktit që kishte rënë të flinte shumë vonë. Veshja e dasmës ishte zgjedhur sërish nga Mbreti. Ajo veshi një fustan të qëndisur me perla dhe diamante të bërë nga “Ëorth” posaçërisht për të. Në orën 11:00 nusja hyri në sallën e nderit të pallatit. Shtypi amerikan i kushtoi reportazhe të gjata dasmës, si dhe atmosferës së saj, si ky i “The Neë York Sun” i datës 27 prill 1938, i titulluar: “Shqipëria bëhet me Mbretëreshë”.
ZOGU DHE GERALDINA TË SAPOMARTUAR
Çifti i sapomartuar udhëtoi në mbarim të ceremonive nga Tirana në Durrës me një “Mercedes” të hapur. Mijëra veta kishin dalë në anë të rrugës për të parë Mbretëreshën 21 vjeçare. Geraldina kujton se ata u ulën në verandë për një kafe, përpara se Mbreti t’i tregonte dhomën e madhe të pritjes të mobiluar sipas stilit klasik, dhomën e ngrënies sipas stilit perandorak të Napoleonit dhe dhomën e gjumit në stilin e Maria Terezës. Pallati veror sapo ishte restauruar me rastin e martesës dhe Mbreti Zog mburrej për tavanin e gdhendur, larë në ar. Në të qenë shtruar sixhade të shtrenjta, pjesë e koleksionit të rrallë të Mbretit. Sixhadet qenë bashkë me armët një prej pasioneve të tij.
“Nusja zgjodhi një këmishë nate mëndafshi të bardhë me mëngë të gjata me dantella si kambanë dhe priste e tmerruar Mbretin në shtratin me tendë”, dëshmon biografja e Geraldinës. Zogu dhe Geraldina jetuan të pandarë për 23 vjet, derisa ai ndërroi jetë në Paris në prill 1961. Geraldina vdiq në Tiranë në tetor 2002. Në fund të jetës i ishte plotësuar amaneti i vetëm, të vdiste dhe të varrosej në vendin që i kishte vënë mbi kokë kurorën. Në vitin 2014, revista “The Richest” e shpalli atë mbretëreshën e pestë më të bukur në historinë e martesave mbretërore. Nga Anne Matheson, Madrid