Shtatë pjesëtarë të një familjeje nga lagja “Kastriot” e qytetit të Fushë-Krujës kanë mbetur në mes të katër rrugëve, pasi fqinjët i kërcënojnë me jetë nëse ata kthehen në banesën e tyre. Konflikti i nisur tri vite më parë është kthyer në dramë për familjen Dajlani, e cila fillimisht ka emigruar në Greqi dhe më pas ka tentuar që të përfitojë azil ekonomik në Gjermani. Por, pas dy vitesh qëndrimi, autoritetet gjermane kanë kthyer në Shqipëri familjen e Genci Dajlanit, e cila sërish është kërcënuar nga pjesëtarët e fisit Miri.
I terrorizuar, 45-vjeçari i është drejtuar dje për ndihmë televizionit “News 24”. Ai ka pohuar se prej dy ditësh është detyruar të flejë në hotel me bashkëshorten dhe fëmijët, pasi komshinjtë i kanë çuar fjalë se do ta vrasin nëse kthehet në shtëpinë e tij. I gjendur në një situatë të tillë, dje Genci Dajlani ka bërë denoncim në Drejtorinë e Policisë së Durrësit. Pas kallëzimit, blutë e qytetit bregdetar kanë dërguar pjesëtarët e familjes Dajlani në policinë e Fushë-Krujës, e cila u kanë thënë të kthehen në banesën e tyre se nuk do të kenë probleme. Ndërkohë, 45-vjeçari deklaroi se nuk ka garanci për jetën e tij dhe të familjarëve, pa u përballur më parë me pjesëtarët e familjes Miri. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, babai i 5 fëmijëve tha se në vitin 2013, fqinjët e tij i dhunuan dhe nuk i lanë as të varrosnin nënën dhe se ka qenë policia, e cila ka kallur në dhe të ndjerën.
Zoti Dajlani, mund të na thoni cili është problem juaj?
Të enjten jemi kthyer në Rinas nga Gjermania. Pas dy vitesh qëndrimi, autoritetet e këtij vendi më kthyen këtu së bashku me gruan dhe pesë fëmijët. Problemi është se kemi mbetur rrugëve dhe kemi frikë të kthehemi në shtëpinë tonë në Fushë-Krujë. Sot (dje) kemi ardhur me valixhe në zyrën e pritjes në policinë e qarkut të Durrësit. Kjo për faktin se fqinjët, me të cilët jemi në konflikt prej disa vitesh më kanë çuar fjalë se do më vrasin, nëse do të kthehem në shtëpi.
Familja jonë Dajlani është futur në një konflikt me fisin Miri në vitin 2010 dhe konflikti ka agravuar keqas më 7 korrik të vitit 2013. Kur ka nisur konflikti mes vëllezërve të mi dhe fisit Miri, unë kam qenë emigrant në Greqi, nuk kam qenë në shtëpi. Aso kohe sherri mes palëve ka nisur për gjëra të vogla. Në korrik të tri viteve më parë unë u ktheva nga Greqia në banesë se më vdiq nëna. Pak çaste pasi ka dalë arkëmorti prej banese, unë, motrat dhe vëllezërit e mi u sulmuam nga pjesëtarët e fisit Miri. Burrat e familjes janë përleshur. Ne na qëlluan me leva në kokë. Në momentin që pamë pjesëtarë të fisit Miri që po vinin të armatosur me armë zjarri (pistoleta), ne e lamë arkivolin e nënës në rrugë dhe u arratisëm të gjithë.
Kush e varrosi nënën tuaj?
Nënën e varrosi policia e Krujës. Asnjëri prej 3 djemve dhe katër motrave nuk mundi t’i hidhte një dorë dhe nënës.
Denoncuat në polici?
Unë ika me familjen time në Greqi. Vëllai i madh, Flamuri përfundoi në spital. Atje bëri edhe denoncimin, por policia nuk bëri asgjë. Pas kësaj, vëllai mori fëmijët dhe shkoi të jetonte në një qytet tjetër, këtu në Shqipëri. Edhe vëllai tjetër e motrat u larguan. Çfarë kërkoni ju? Kërkoj që shteti të më mbrojë mua dhe familjen time.
Keni bërë denoncim në polici tani pas kthimit nga Gjermania dhe çfarë ju thanë?
Po, e bëra sot (dje) në policinë e Durrësit. Pastaj na çuan në policinë e Fushë- Krujës ku dëshmuam për problemin që kemi. Këta të policisë së Fushë-Krujës na thanë të kthehemi në shtëpi se nuk do të na ndodhë asgjë. Unë u kërkova të më jepnin garanci me shkrim. Kërkova të takohesha me burrat e fisit Miri, por erdhi vetëm njëri nga djemtë e tyre. Por, unë nuk kam garanci se ata do na lënë të gjallë, ndaj kërkoj mbrojtje nga shteti.
Gazeta Shqiptare