Nga Albano Zhapaj
Tre vjet qeverisjeje janë një test më se i mjaftueshëm për të parë zbatimin e premtimeve, ecurinë e reformave, ndryshimet ekonomike e sociale, pritshmëritë e qytetarëve, dhe vizionin qeverisës të një mazhorance. Sot më shumë se kurrë bilanci negativ i kësaj qeverie është më i prekshëm, më i dukshëm, dhe mungesa e vizionit për ngritjen e një mirëqenieje ekonomike e shoqërore, kanë bërë që shumë qytetarë të braktisin vendin e të kërkojnë tjetërkund të ardhme të sigurt për fëmijët e tyre.
Po le t`i hyjmë një analize sintetike të atyre që mund t`i quajmë pa frikë hiç-reforma, të ndërmarra nga kjo qeveri.
Së pari, kjo mazhorancë pati premtuar shëndetësi falas, duke premtuar në fushatën elektorale të qershorit 2013, se do të ndërmerrte një reformë rrënjësore në shëndetësi. Sot mbas tre vjetësh çdo qytetar shqiptar ka mundur ta ndjejë apo ta prekë personalisht ose nëpërmjet ndonjë të afërmi, funksionimin apo hiç-reformën e sistemit shëndetësor, ku: çmimet e shërbimeve janë rritur; ilaçet janë të skaduara dhe nuk e kryejnë efektin që duhet; aparaturat e ndryshme në spitale nuk funksionojnë edhe kur janë blerë të reja; radhët e pritjes për operacione të veçanta, nuk janë reduktuar; tenderat e mjekësisë i fitojnë kompani që krijohen pak ditë para tenderit; rreth 30 tendera i ka fituar kompania që para tre vjetësh, kishte ortak ministrin aktual të shëndetësisë; tendera të tjerë i fitojnë kompani me prejardhje të dyshimtë, apo vetëm me një të punësuar; tendera të tjerë të shërbimeve spitalore i fitojnë kompani që skanë asnjë lidhje me shërbimet e higjienës, apo spitalore; etj.
S`ka pensionist apo të moshuar në Shqipëri që të mos i jetë dashur të ndërrojë farmaci, me shpresën se mos gjen ilaçe më të mira, ndërkohë që ata më fatlumët ua sjellin fëmijët emigrantë nga jashtë vendit.
Së dyti, kjo mazhorancë pati premtuar reformën energjetike, ku parësore do të ishte ulja e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset, gjë të cilën kushdo që ka njohuritë më elementare të matematikës, e kuptoi se jo vetëm që nuk u realizuar, por u rrit dukshëm. S`ka familje sot në vend që të mund të mos shikojë ndryshimin në rritje që ka pësuar fatura mujore e energjisë. Me të ashtuquajturën fushatë kundra vjedhjes së energjisë, pamë se si shumë qytetarë u futën në burg, për shuma qesharake të mos pagesës së energjisë, familje pa të ardhura dhe me asnjë të punësuar, ku kemi qenë edhe dëshmitarë në vetëflijimin e disa qytetarëve në qeli, apo në lidhjen e energjisë, për shkak se terri elektrik penalizonte dhe mjeronte më tej fëmijët e tyre. Sa e sa familje, lagje qytetesh apo edhe fshatra, kanë kaluar muaj e muaj pa drita, në pamundësi për ti paguar ato. Cila do të jetë e ardhmja e kësaj shoqërie, kur fëmijët e sotëm, qytetarë të nesërm, skanë drita as për të bërë detyrat e shkollës? Natyrisht që aspekti social as që i ka interesuar ndonjëherë kësaj qeverie.
Na u tha nga kryeministri se vetëm në një vit, nga mospagesa e energjisë, humbnin aq para sa të ndërtoheshin x shkolla, y km rrugë, z çerdhe, etj, por kaluan 2 vjet, dhe skemi parë ende asnjë nga këto.
Së treti, kjo mazhorancë pati premtuar reformë në arsim, dhe ne e pamë se si degradoi maturën shtetërore, se si shkatërroi “Altertekstin” dhe e përqendroi shitjen e librave në shtëpitë botuese afër qeverisë. Pamë se si u hodhën në rrugë me qindra mësues, dhe në kundërshtim me ligjet e këtij vendi, organizoi “konkurset” e përqëndruara në Tiranë, ku dukshëm doli se u punësuan militantët, apo të rekomanduarit e deputetëve apo listave të partisë në çdo rreth. Pamë se si një arsim të lartë të inkuadruar sipas sistemit të Bolonjës, me autonomi dhe liri akademike të garantuar me ligj, e kthyen në një arsim klientelist, duke zbrazur auditorët e universiteteve publikë dhe duke mbushur auditorët e universitete private klienteliste edhe këto, ose në pronësi të ndonjë politikani a deputeti afër qeverisë.
Po shohim se si po mbeten pa shkollë fëmijët e familjeve të varfra dhe po shpërblehen me bursa studimi fëmijët e familjeve të pasura. Do të mjaftojë vetëm fillim viti akademik 2016-2017, që të tregojë se opozita e sotme ka pasur të drejtë, pasi studentët do paguajnë tarifa më të lartë dhe çmimet e shërbimeve universitare do të jenë edhe më të larta se tani. Do shikojmë se si xhepat e familjeve të varfra do të zbrazen plotësisht, dhe fëmijë të tjerë do ti braktisin studimet, pasi nuk do të mund të përballojnë dot shpenzimet.
Së katërti, kjo mazhorancë pati premtuar reformë në sistemin e pensioneve dhe të ndihmave sociale, duke qarë e qorrovitur përpara popullit në zgjedhjet e qershorit 2013, se do ndërmerrte reforma në shërbim të qytetarit, do ulte moshën e pensioneve të minatorëve, do rriste pensionet e fshatit, etj, por nga e gjithë kjo, pamë se: u përjashtuan nga skema e ndihmës sociale dhe qindra familje, rrjedhojë e së cilës provokoi emigrimin në masë të fshatrave e familjeve të tëra, por pamë se u rrit mosha e pensionit në tërësi, dhe për minatorët as që u kujtua fare askush. Hiç-reforma e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, ka sjellë dëme të menjëhershme në popullatën në nevojë, përfituese të ndihmës sociale, por dëmet më të pariparueshme do ti sjellë për një periudhë kohore afat mesme dhe afat gjatë. Varfëria ekstreme dhe shtimi i fëmijëve lypsarë në çdo kryqëzim rruge, dallon ekstremist përditë e më shumë nga luksi i pritjeve qeveritare dhe i skenave shumë ngjyrëshe në të cilat reciton kreu i qeverisë.
Së pesti, reforma mjedisore nuk solli asgjë të veçantë, pamë dhe asistojmë përditë se si pyjet priten më shumë se më parë, se si u degraduan shërbimet pyjore në rrethe, se si u hoqën nga puna specialistët e pyjeve dhe u zëvendësuan me militantë partie, se si po vidhet dhe abuzohet përditë me burimet pyjore të këtij vendi.
Së gjashti, reforma territoriale, që u trumbetua si e suksesshme dhe më pranë nevojave të qytetarit, e cila do t`i sillte më shumë shërbime dhe me më shumë cilësi qytetarëve, nuk po funksionon. Vetë kryebashkiakët e majtë po ankohen për mungesë fondesh e investimesh. Pamë se si nuk ishin në gjendje qeveritë vendore, për të përballuar përmbytjet e fundit në qytetet e jugut, duke mos qenë në gjendje të ofrojnë as shërbimin më minimal për banorët në nevojë. Hiç-reforma territoriale zbulojë dobësinë e reagimit të strukturave të reja, aq sa për dy orë shi, shikojmë se si përmbyten rrugë e shtëpi të tëra, dhe e vetmja ndihmë që jep qeveria vendore, është ndonjë paralajmërim apo status në Facebook, nga ana e ndonjë hiç-kryebashkiaku, që lajmëron qytetarët të mos udhëtojnë, të mos dalin nga shtëpitë, apo të mos u afrohen lumenjve.
Së shtati, pamë e po shohim përditë se si e ashtuquajtura reformë në polici, konsistoi në pushimin nga puna të specialistëve dhe mbushjen e radhëve të policisë me militantë partiakë dhe me njerëz pa eksperiencë. Në dy vjet e gjysmë u shtua me rreth 1500 numri i punonjësve të policisë, dhe njëkohësish u rrit ndjeshëm krimi, mbjellja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, përfshirja e një numri të madh të rinjsh në përdorimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike, vjedhjeve, grabitjeve me maska, që jo më shumë se 3 ditë larg, janë shfaqur përsëri në rrugët tona nacionale. Hiç-reforma në polici ka sjellë si risi fshehjen e krimeve nga ana e policisë për të ulur artificialisht statistikat që zhysin policinë në bashkëpunim me krimin, për efekt të veprimit apo mos veprimit të saj.
Së teti, reforma në tatime e dogana, rezultoi një bllof i madh që mbuloi e kamufloi vjedhjet e pashembullta në tatime e dogana. Agjentët e Kurorës angleze, jo vetëm që nuk i mblodhën dot të ardhurat shtesë që kishte premtuar qeveria, por humbi të ardhura edhe nga ato që mblidheshin normalisht. Gropa në tatime është aq e thellë tashmë, sa as fushata e trumbetuar si e suksesshme, ajo e arrestimeve dhe gjobave për kuponin tatimor të palëshuar, nga ndonjë berber apo kamerier, nuk e mbulon dot paaftësinë e qeverisë në menaxhimin e këtij sistemi. Hiç-reforma në tatime e dogana ka sjellë si pasojë mbylljen e qepenave, uljen ndjeshëm të numrit të të vetëpunësuarve, si dhe të ardhurat për buxhetin e shtetit.
Së nënti, në drejtësi, edhe pse u trumbetua me të madhe, edhe pse nxitet përditë nga ndërkombëtarët, deri më sot po rezulton ende hiç-reformë. Futja në parlament e njerëzve me rekorde kriminale është vepër që mban nënshkrimin e kësaj qeverie. Mos pranimi i hetimeve nga ekspertë ndërkombëtarë të aferave të CEZ është shenjë e qartë e përfshirjes së kësaj maxhorance në këto afera.
Së dhjeti, miratoi ligjin e helmit dhe të varrosjes përfundimtare të këtij kombi, ligjin e plehrave, gjë e cila do të mbushë vendin me aq ndotje, sa për një kohë afatmesme, do të ketë aq shumë ndotje, sa edhe uji aktual i Lumit të Lanës, do të na duket si “qumësht bio” në krahasim me lëngjet dhe helmet që do prodhojë nëntoka jonë. Hashashit si helm i mbjellë në çdo cep të vendit, spo i hyjmë sepse do kërkonte një shkrim më vete, sepse këtë helm ne më së shumti ua ekportojmë të tjerëve
Së fundmi, (por që s`do ishte e fundit) kjo qeveri s`ka kuptuar ende kuptimin e fjalës reformë, e cila në vetvete nënkupton dhënie të një forme të re një pjese të një sistemi të caktuar, një procesi, një fushe, apo një sektori, pra formë e re për të përmirësuar atë aktuale.
Qeveria aktuale e nënkupton reformën si fillim nga zero e çdo procesi jetësor, shoqëror apo ekonomik. Nuk funksionon kështu demokracia. Demokracia kërkon bashkëqeverisje me popullin dhe jo kundër popullit, kërkon njerëz të aftë e profesionistë dhe jo militantë dhe të paaftë. Thellimi i varfërisë, ushtrimi i presionit dhe frikës ndaj qytetarit, si dhe kufizimi i lirisë dhe i të drejtave të qytetarit, të çon drejt diktaturës dhe jo drejt ëndrrës evropiane, për të cilën lindi edhe kjo demokraci.