Ben Blushi ndahet nga Partia Socialiste me gjasë për të shkuar drejt krijimit të një force të re anti-sistem, që në retorikë është e ekstremit të majtë, por që po ngrihet mbi pretendimin për të përfaqësuar të papërfaqësuarit…
Nga Vladimir Karaj
Ekstremizmi është në maja. Populizmi po ashtu. Djathtas dhe majtas. Ai po bën namin në Europë me parti populiste që dalin nga hiçi dhe rrezikojnë “establishmentin”, fjalë që përdoret tani rëndom si simbolikë për të keqen. Zgjedhjet presidenciale në SHBA po ashtu po vuajnë nga të njëjtat sindroma. Ksenofobi dhe populizëm. Shqipëria, së fundmi po bëhet gati të ketë forcën e vet anti-sistem. Ben Blushi iku nga PS dje duke e shpallur veten të dalë nga kazani i politikës shqiptare, prej të cilës: “nuk do dalë kurrë më, asnjë gjë e pastër”. Edhe pse kontradiktore, Blushi që del i pastër prej kazanit të ndotur, letra e tij e lamtumirës është një synim për t’u diferencuar prej “kastës” ose saktësisht prej Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës e gjithçka rreth tyre. “I thashë këto për të treguar se në kazanin e mbetjeve parlamentare në të vërtetë fshihet kalbja e demokracisë sonë të ndotur… Prandaj pyes: A ka vend të botës ku këto parti mund të votohen ende?…Ky pra është kazani i mbetjeve te tri partive të vjetra parlamentare. Ato nuk kanë asnjë ndryshim, asnjë ditë, me përjashtim të ditës së zgjedhjeve, kur përpiqen të ndajnë mbetjet në mënyrë klasike: plastika më vete, druri më vete dhe letra më vete, dhe natyrisht të gjitha për vete…”, shkruante Blushi.
Ka muaj që Blushi e përgatit terrenin për një dalje të tillë. Skena iu bë gati prej ndryshimit ende të pakuptueshëm e sigurisht të papërtypshëm për shumicën, të qëndrimit të qeverisë për ligjin për mbetjet. Ish-kryeministri Sali Berisha, një prej atyre që lëvizja e re të paktën sipas një shkrimi të “Koha Jonë” pak ditë më parë e quan të pariciklueshëm, e pati lexuar këtë që më shkurt të 2015 kur shkruante me ironi se Blushi donte të bëhej “Cipras i Shqipërisë” dhe i konsideronte qëndrimet e tij “ethe ciprafilie, por dhe cipramanie”. Ishte për shumë e lexueshme se lufta e fundit me Ramën nuk qe një rivalitet partie, por farkëtimi i një force të re. E pyetur nga Mapopër partinë e re deputetja Mimoza Hafizi që ka qenë në krah të Blushit në këtë përpjekje tha se “gjithçka do të mësohej kur të vinte koha”. Ajo as nuk e mohoi krijimin e forcës politike dhe as nuk pohoi atë, por la të kuptohej se diçka do të ndodhte. “Beni i ka thënë shumë mirë të gjitha”, tha Hafizi përMapo. Elisa Spiropali, të cilën Blushi e ironizonte në letrën e tij është e vetmja që iu përgjigj atij publikisht dhe akuzuar për firmosjen e një marrëveshje të dyshimtë për djegie të plehrave në vitin 2004. “…zotrote kap flamurin e ekologjistit për të dalë nga partia, ku more çfarë munde dhe kurrë nuk u mor vesh çfarë dhe! Riciklim të mbarë Blush, sot ke qenë më në fund i vërtetë në paaftësinë tënde për të qenë sadopak solidar në një parti ku përfaqësove vetëm egoizmin tënd plastik”, shkruan Spiropali.
Edi Rama ndërkohë është përgjigjur vetëm duke goditur simbolin e retorikës së Blushit. “Ja pse dhe si kjo qeveri bën reforma për të varfrit si asnjë tjetër përpara saj”, shkruante Rama, në një postim në Facebook ku shpjegon se 40 mijë familje me ndihmë ekonomike do të marrin tani dyfishin. Edhe pse Rama nuk e përmend, komentet e publikuara si përgjigje në postim me emrin e tij sulmojnë cinizmin, kjo është një nga pikat për të cilat Blushi e ka sulmuar më shumë.
Në fakt Retorika, që Blushi ka prodhuar gjatë dy viteve përplasje me qeverinë e “Rilindjes” siç është pagëzuar prej të vetëve dhe kundërshtarëve që e përdorin me ironi, është ajo e një populisti të majtë. Në programin e shpalosur te libri “Letër një socialisti”, Blushi flet për rritje pagash, ndihmë ekonomike dhe ndryshim në sistemin e taksimit. Ai e quan “paketa e dinjitetit” (edhe pse pak a shumë është përdorur nga të gjitha qeveritë në vend) dhe premton përmes saj pikërisht dyfishim të ndihmës ekonomike “në jo më pak se 10 mijë lekë”. Të ardhurat për këtë Blushi i nxjerr në mirëmenaxhim por edhe në ndryshimin e skemës së taksimit progresiv që do të synojë të taksojë deri në 40 për qind ata që fitojnë më shumë se 20 milion euro.
Por edhe më herët Blushi është rreshtuar në krah të të “varfërve”. Fjalimet e tij në kuvend që prej momentit që filloi përplasjen me Ramën dhe Rilindjen kanë pasur këta të fundit në qendër. Ai pati adoptuar të njëjtën gjuhë si opozita për të sulmuar për shembull atë që Rama e pati pagëzuar si reforma në energjetikë. “Masat i kanë hequr të vetmen liri që garanton rendi i mjerimit: lirinë për të abuzuar pak, çka ata besojnë se duhet të jetë legjitime, në një sistem ku të pasurit abuzojnë shumë”, shkruante Blushi një vit më parë duke kritikuar lëvizjet e qeverisë si masa ndëshkuese. Nga ana tjetër Blushi pati shfaqur haptazi miratimin e tij për Aleksis Tsipras dhe frymën e tij antisistem. Fakti që Tsipras u kthye me këmbë në tokë prej realitetit ekonomik dhe madje po zbaton masa më të ashpra se sa paraardhësit e tij është lënë në harresë për hir të “antisistemit”. Ish-deputeti i PS-së madje shkoi deri aty sa të përpiqej të vendosej edhe në llogoren anti-europianiste që kanë shfaqur ekstremet antisistem prej Syrizas në Greqi, te Pesë Yjet në Itali, Podemos në Spanjë (majtas) apo UKIP në Britani, Fronti Nacional i Le Pen në Francë e AFD që po i jep dhimbje koke Angela Merkelit në Gjermani (djathtas). Të dy krahët e ekstremeve edhe pse kanë gjetur fajtorë të ndryshëm për problemet ekonomike të Europës (të majtët kapitalizmin dhe të djathtët emigracionin dhe refugjatët), janë bashkë në qëndrimet e tyre kundër Bashkimit Europian. Ashtu si shumë prej këtyre forcave ekstreme Blushi fajëson Gjermaninë dhe Angela Merkel për situatën, madje duke vizatuar me fjalë një karikaturë të Berlinit e ngjashme me atë që mbanin protestuesit e Syrizas apo përdorën tabloidët grekë në kohën e krizës. “Gjermania e dhjetë viteve të fundit e shkatërroi më ndërgjegje dhe megalomani këtë traditë duke i shkëmbyer të drejtat më para. Kjo është hera e dytë që e bën brenda një shekulli: herën e parë me armë, herën e dytë me para. Sa herë Gjermania forcohet, Evropa dobësohet dhe dy luftëra botërore si dhe Brexit i djeshëm mjaftojnë për të na bindur se kështu ka qenë dhe kështu do të jetë”, shkruante Ben Blushi pas Brexit te portali Lapsi.al. Krahasimi i Gjermanisë së Merkelit me atë të Hitlerit (edhe pse nuk përmenden emra) u bë jo në kohën e duhur. Blushi që pati folur më herët për hapje dyersh për refugjatët, harron në komentin e tij se Angela Merkel (për të dytin vit radhazi pretendente kryesore për Nobel) dhe Gjermania ishin të vetmet në Europë që ndoqën politikën e dyerve të hapura dhe se në fakt kjo ishte një nga arsyet e Brexit apo tërheqjes së Britanisë së Madhe në guaskën e saj. Por Merkel cenohet në elektorat prej ekstremit, pikërisht për shkak të këtij qëndrimi krejt larg atij që aludon Blushi.
Të pakënaqurit besohet se do të jenë pika ku synon të mbështet partie e re. Gazeta “Koha Jonë” shkroi për një parti të qendrës, e cila ndryshe prej retorikës së Blushit, do të synojë të joshë edhe majtas edhe djathtas. “Lëvizja e re politike do të përfshijë gjitha shtresat dhe pa ndonjë përcaktim strikt politik, nëse është i djathtë apo i majtë. Duan të ndryshojnë frymën e drejtimit të një pushteti, që të jetë përkrah njerëzve e jo grupeve të interesit ekonomik, grupe të cilat financojnë politikën dhe vjedhin më pas nga politika. Këtë duan ta shkatërrojnë si traditë të keqe Ben Blushi dhe partia e tij politike”, shkruante Koha Jonë.
Ky lloj pajtimi sidoqoftë nuk ka për të qenë i lehtë. “Një lëvizje e gjithë të pakënaqurve do të ishte mirë të bashkohet, por këtu pastaj ka diferenca. Është mirë të bashkohen për shtetin ligjor”, tha dje Fatos Lubonja për Ora News. Lubonja ka qenë prej kohësh një avokat i një lëvizjeje të tretë përtej dy palëve kryesore politike që i ka pagëzuar si “banda” edhe pse në dy qëndrimet e fundit ai pranon mundësitë që PD (pas një reformimi serioz) të mund t’i bashkohet me këtë lëvizje kundër “Putinizmit të Ramës”. “Rreziku i këtij putinizmi apo fashistizimi të vendit mund të luftohet vetëm duke mobilizuar mosbesuesit, indiferentët, të lodhurit dhe të varfrit që s’duan të jetojnë me krim apo ta shesin votën për 2000 lekë. Parulla që duhet ngritur është: të përfaqësohen të papërfaqësuarit”, shkruante Lubonja disa ditë më parë për “Panorama”. Armand Shkullaku dhe Andi Bushati po ashtu kanë shkruar në të njëjtin ton, duke sulmuar Ramën dhe oligarkinë rreth tij, edhe pse ndryshe nga Lubonja as ata as Blushi nuk përmendin emra.
“Kemi mbërritur në një fazë të politikës, ndoshta të fundit, ku ideologjitë, programet, frymëzimi, kandidatët, projektet, nuk kanë më asnjë pikë rëndësie. Hapur, të gjithë e dinë dhe e pranojnë se ato janë fjalë boshe, se ndërrimi i qeverive apo i shukrive, nuk sjell ndryshim alternativash por thjesht karrigesh. Se të pasurit bëhen më të pasur dhe të varfrit më të varfër, pavarësisht se për kë votojnë apo se ku militojnë”, shkroi Shkullaku në një analizë për zgjedhjet në Dibër. Andi Bushati ndërkohë ka qenë më i ashpër dhe më “revolucionar” kur i shkroi në emër të “urrejtësve” pas rikthimit të ligjit të mbetjeve (plehrave) në axhendë. Nuk është e qartë nëse ka një bashkim mendimesh rastësor apo është pjekja e një ideje të diskutuar. Ironikisht njerëzit e “reklamuar” në favor të kësaj lëvizje të re janë deri tani ish-ë të gazetës “Koha Jonë” të viteve ‘95-97, bashkë me të cilët kryeministri aktual Rama nisi rrugëtimin në politikë atëherë për të rrëzuar Sali Berishën.
Por ndërsa ky mbetet një kuriozitet beteja e Ramës me të pakënaqurit duket se sapo ka filluar dhe ata me gjasë janë më shumë se sa ish-kolegë e bashkëpunëtorë, ose të paktën po nisen prej premisash të tilla. Qasja e tyre drejt ekstremit dhe njëkohësisht antisistemit është në modë në Europë dhe në botë, por fati i saj nuk është aq i qartë. Kreshnik Spahiu, nga një stad më i ulët, u nis mbi premisa të ngjashme dhe madje i shtoi edhe nacionalizmin çështjes së vet, por dështoi rëndshëm në zgjedhjet e shkuara dhe thuajse u shkri dhe u kthye në qesharak.
Përtej kësaj dalja në skenë e forcës së re që në retorikë i ngjan ekstremit të majtë alla Syriza, por që synon të përfaqësojë të pakënaqur në të dy krahët mund të ndryshojë skemën politike në Shqipëri edhe pse ashtu siç shkruan Blushi, vetë po del prej të njëjtit kazan./Mapo