Nga Blendi Fevziu
Një histori tronditëse si ajo e masakrimit të biznesmenit libanezo – Amerikan, Mitri, në një nga rrugët më të populluara të Shqipërisë, shërben si shembulli më i mirë për të ilustruar kaosin që është krijuar nga politika në Shqipëri dhe aftësinë e kësaj të fundit për t’u shmangur nga thelbi dhe për t’u përqëndruar me gjithë “fuqinë” dhe makinerinë e saj tek detajet.
Masakrimi i Mitrit u lidh me një konflikt pronësie në bregdetin shqiptar, një prej atyre qindra konflikteve që po i marrin frymën çdo lloj investimi dhe që po shndrohen në një lloj kanceri të zhvillimit në Shqipëri. Por në vend që rasti në fjalë të analizohej me thellësi dhe të nxirrte gjithë kalbësinë e sistemit, ai u kanalizua tek një seri mallkimesh dhe fajësie të supozuar mbi një gjyqëtare. Zonja në fjalë u kryqëzua nga gjithë nivelet e politikës, u damkos si prishëse e imazhit të Shqipërisë, simbol i korrupsionit në këtë vend, ju gjet një link me opozitën dhe ende deri më sot, çështja në fjalë nuk ka as fajtorë dhe as një analizë të thellë. Aq më tepër që një gjyqtar nuk flet dot në publik dhe as mbrohet e as justifikohet edhe nëse do ta bëjë këtë. Thjeshtë nuk i lejohet. Meqenëse të gjitha palët më kontaktuan përpara intervistës me Kryeministrin, vura re se ajo është shembulli tipik i anashkalimit të thelbit ose fshehjes së tij. Po i rendis pak nga pak për të kuptuar një shembull tipik konflikti në Shqipëri që rrëzoi një investim të madh dhe ngarkoi me përgjegjësi njerëz të cilëve nuk ju takonte.
Një investitor i madh dhe shumë i rëndësishëm nga Katari mbërriti në Shqipëri në vitin 2008. Ai bleu një terren të madh për investime në turizëm dhe kohë pas kohë e shtoi terrenin e tij. Blerja kapi afro 15 milion euro dhe është transaksioni më i madh i pasurive të palujtshme në Shqipëri. Investitori nuk e realizoi dot investimin e tij. Ai pretendon që vonesat i kanë ardhur nga shteti edhe pse, sipas tij, si Berisha, si Rama kanë qenë mjaft dashamirës dhe përkrahës. Ndër të tjera investitori kërkonte të drejtën për të marrë me qira një sipërfaqe pylli, midis tokës së tij dhe detit për të ruajtur aksesin për pushuesit.
Në 2015 një pretendues i një prone në atë zonë, pasi kishte dështuar ta gjente të drejtën e tij në Agjensinë e kthimit të pronave, pasi nuk kishte marrë as përgjigje pozitive dhe as negative, siç e përcakton ligji, i ishte drejtuar gjykatës për ta bërë pronar. Ai kishte paraqitur dokumenta që ishte pronar që në vitet ’30 dhe në Korrik 2015, Gjykata kishte marrë masën e pezullimit të çdo transaksioni mbi pronën. Pra ajo ishte bllokuar në Gjykatë derisa kjo e fundit të shprehej për çështjen në themel. Në 25 Mars 2016, Gjykata u shpreh duke e njohur atë pronar të tokës dhe duke i kërkuar ZRPP Durrës ta regjistrojë si pronë në favor të tij. As Avokati i Shtetit dhe as Bashkia Durrës nuk bënë ankimim ndaj këtij vendimi dhe ai mbeti në fuqi.
Në datën 13 Korrik 2016, 4 muaj më pas, Qeveria ka vendosur që një sipërfaqe e madhe pylli, ku përfshihej edhe një pjesë e kësaj prone t’i kalonte shoqërisë Omnix. Asnjë nga institucionet shtetërore të ngarkuara nuk ngriti alarmin që një pjesë e kësaj toke ishte ndërkohë në pronësi të një tjetri. Askush nuk i tha Këshillit të Ministrave që kjo nuk mund të ndodhte. Omnix ishte në të drejtën e saj të posedonte një pronë që ja kishte dhënë Qeveria, por Qeveria nuk kishte tagër të jepte një pronë që me vendim gjyqi i takonte dikujt tjetër. Pikërisht këtu, shpërtheu një konflikt, nga i cili, të gjithë duan të dalin vetëm duke fajësuar gjyqtaren. E dimë të gjithë që gjyqësori ka plot probleme në këtë vend e mbase ka edhe në rastin në fjalë. Por Vendimi i gjyqtares është lehtësisht i kontrollueshëm. Ka mekanizma që e bëjnë këtë. Nëse gjyqtarja ka vepruar gabim ajo mund të ndëshkohet sipas rregullave. Por linçimi publik, pa prekur institucionet e tjera, dëshmon se si në shumicën e rasteve ne po tentojmë sërish t’i ikim problemit.
Ata që kanë masakruar Mitrin ende nuk janë gjetur. Dhe për këtë nuk ka faj gjyqtarja!
AKP që nuk është shprehur as pro e as kundër për pretenduesin e pronës po ashtu ka shkelur ligjin. Siç ndodh rëndim në Shqipëri që pronarët i trajtojnë si lecka.
Avokatura e Shtetit dhe Bashkija nuk e kanë apeluar vendimin.
ZRPP që nuk ka regjistruar një vendim gjykate po ashtu ka shkelur ligjin!
Ministria e Ekonomisë që nuk ka parë shënimin në ZRPP dhe vendimin e Gjykatës depozituar aty po ashtu ka shkelur ligjin. Ajo i ka çuar qeverisë për përdorim një pronë që nuk është e saja dhe kjo është sërish flagrante.
Katër nga institucionet e mësipërme varen nga Ministria e Drejtësisë, por Ministri nuk tha asnjë fjalë për to, u mjaftua vetëm me gjyqtaren.
Nga gjithë ky kaos, kanë mbetur përballë njëri tjetrit, pronari që ka fituar tokën e vjetër me gjyq dhe biznesmeni që e ka marrë atë në mirëbesim nga shteti. Të dy përballë njëri tjetrit, pre e një konflikti që ndodh rëndom në Shqipëri dhe që krijohet nga mosfunksionimi i shtetit ose keqfunksionimi i tij. Kjo histori duhej të shërbente për të kuptuar se çfarë nuk funksionon dhe jo që një tufë burrash me pushtet të hakërrehen mbi një grua, që ligji e ndalon t’ju kthejë përgjigje. Dhe si gjithnjë, edhe histori do mbarojë kështu, duke vijuar të lërë djerrë toka në bregdet dhe investitorë që ikin duke u betuar të mos kthehen më në këtë vend…/Opinion.al