Nga Selami Xhepa
Kur Perdja e Hekurt u shemb dhe Lindja po përqafonte sistemin e tregut të lirë, një nga personalitet e ekonomisë botërore, asokohe zyrtar i lartë i Bankës Botërore, Larry Summers, shkruante një Memo që ja përcillte drejtuesve të lartë të Bankës (Hausman, Economic Analysis, Moral Philosophy, and Public Policy). Argumenti qendror lidhej me politikat se si Banka duhej të mbështeste vendet në tranzicion duke lehtësuar transferimin drejt tyre të teknologjive të përdorura nga vendet e zhvilluara. Sigurisht që këto teknologji kishin një shkallë të lartë ndotjeje mjedisore, por Lindja ishte disa dhjetëvjeçarë mbrapa në progresin teknologjik, dhe për më tepër kishte papunësi masive. Teknologjitë e vjetra perëndimore, edhe pse kishin shkallë të lartë ndotjeje, do të krijonin më shumë punësim, që ishte dhe shqetësimi kryesor për këto vende të traumatizuara. Nga ana tjetër, vendet e perëndimit kishin mundësi që duke eksportuar teknologjitë e vjetra dhe jomiqësore ndaj mjedisit, të adaptonin teknologji të reja me ndotje minimale. Në këtë mënyrë, kjo politikë ishte një ekuacion win-win, ku të gjitha palët realizonin objektivat e tyre. Ekonomikisht logjika qëndron (deri diku: pa marrë në konsideratë kostot e shëndetit publik, degradimit mjedisor apo rehabilitimit të zonave të ndotura etj.); nga ana etike dhe morale argumenti ka një të çarë të madhe. Vetë Summers ka kërkuar falje për këtë dokument.
Problemi i ekonomisë sonë është shumë kontradiktor: ne nuk jemi ndotës të globit dhe madje jemi kontribuues pozitiv në emetimin në atmosferë të ndotësve. Por, kudo ku ka industri apo fabrika të vjetra të trashëguara apo edhe të reja, ku ka ndërtime apo projekte infrastrukturore në ndërtim, mjedisi po degradon, mbetjet e ngurta lartësohen në pirgje dhe dergjen anës rrugëve kombëtare, në qytete apo dhe në zona turistike; kudo ku ka projekte të huaja apo vendëse investimesh në shfrytëzim burimesh natyrore, ndotja dhe rrënimi mjedisor (dhe me pak kohë vonesë, edhe degradimi social) janë dramatikisht të dukshme; kudo ku ndërtohen fabrika çimentoje, malet zhduken dhe zgavra toke të zhveshura i zënë vendin pyjeve dikur të gjelbra; mirëqenia në rritjen e konsumit të familjeve, lexohet më së miri nga kazanët e plehrave kutërbues që dergjen anës rrugëve të qyteteve dhe malet gaz-helmues që ndeshen në landfilldet që administrojnë bashkitë. Shkurt, ne e ndihmojmë pozitivisht globin, por me realitetet e këtyre njëzet e ca viteve tranzicion, po shkatërrojmë vetveten. Prej kohësh vazhdojmë të përsërisim se menaxhimi i mbetjeve dhe rehabilitimi mjedisor janë një emergjencë kombëtare. Qeveria e pranon në heshtje përderisa sa herë hapet sezoni turistik, forcat dhe mjetet e ushtrisë (që ligjërisht mobilizohen vetëm për emergjenca) dalin në aksione për pastrimin e qyteteve. Rilindja urbane që rrezaton në perimetrin e një shëtitoreje në zemër të një qyteti, kontraston me kaosin social dhe mjedisor që ndesh në lagjet përreth qendrave. Po krijohen realitetet e errëta të kryeqyteteve të vendeve të Amerikës Latine.
Industria e riciklimit e krijuar në këto vite është vërtet një pasuri kombëtare; ajo po përpunon mijëra tonelata mbetjesh që krijohen çdo ditë. Sigurisht që nuk ka asnjë lidhje midis gjendjes së mjerueshme të mjedisit tonë dhe zhvillimit të kësaj industrie; ricikluesit vetëm se e kanë ndihmuar vendin të vetëpastrohet, prandaj dhe duhet të ndihmohet që të bëhet konkurruese me rajonin, duke qenë njëherësh e dobishme për shoqërinë. Ndoshta, në rast revokimi të ligjit, nëse kjo industri do të ndodhet në vështirësi serioze ekonomike, duhen studiuar edhe mënyrat alternative të mbështetjes dhe favorizimit të tyre fiskal apo financiar, në mënyrë që ato të vazhdojnë të kryejnë këtë veprimtari të dobishme për shoqërinë, por dhe të jenë biznese me fitim për sipërmarrësit. Arritja e këtij objektivi nuk ka vetëm një rrugëzgjidhje – importin e mbetjeve të papërpunuara. Më së pari, detyrimi që kanë autoritetet lokale që të menaxhojnë mbetjet e zonave urbane dhe rurale që ato kanë në administrim vazhdon prej kohësh të jetë tmerrësisht problematik. Ndërkohë, ka një direktivë europiane që për një periudhë njëzetvjeçare duhet të kalohet drejt industrive me mbetje zero – domethënë, që të gjithë mbetjet duhet të jenë të riciklueshme dhe nuk do të ekzistojnë më land-fields. Pra, ndërtimi i inceneratorëve dhe mbështetja e industrisë së riciklimit është një domosdoshmëri për të përmbushur këto detyrime.
Por nuk është lejimi i importeve të huaja ajo nga ku duhet të fillojë ky aksion i madh kombëtar. Më së pari, qeveria duhet të miratojë një plan kombëtar për menaxhimin e integruar të mbetjeve, një detyrim që buron nga legjislacioni ynë në këtë fushë. Çfarë veprimesh do të kryejë qeveria gjatë çdo viti në njëzet vitet e ardhshme deri sa të përmbushë këtë objektiv? Ky do të ishte hapi i parë prej ku do të niste debati publik. Krijimi i ndërmjetësve që grumbullojnë mbetjet, zbatimi i projekteve pilote në bashkëpunim me bashkitë dhe me ndihmën e donatorëve, zhvillimi i partneritetit publik-privat në ndërtimin e impianteve të asgjësimit të mbetjeve etj., janë instrumentet që duhet të zhvillohen në këtë dokument, të konsultohen me aktorët e shoqërisë dhe grupet e interesit dhe të vihen në procesin e zbatimit vetëm pasi të krijohet një klimë normale besimi, klimë që krijohet nga transparenca dhe dialogu dhe jo pabesitë dhe aktet tinëzare që nuk botohen asnjëherë as në dokumentet zyrtare. Për shembull, tani mësojmë nga mediat se qenka dhënë një koncesion për ndërtim inceneratori në Fier, ndërkohë që nuk ka patur asnjë njoftim publik apo konsultim me komunitetet për këto projekte që janë ndjeshmëri të fortë ambientale.
A është ligji i mirë? Sigurisht që ligji në vetvete është një transpozim i direktivës europiane; i tillë ishte dhe ligji që qeveria e re e anuloi në vitin 2013. Por, a nuk është po aq europian edhe ligji për shfrytëzimin e pyjeve? Ligji për gjuetinë? Për rregullimin e territorit? Për lundrimin e mjeteve detare? për….. E nëse ligjet do të ishin funksionale, atëherë përse kemi moratorium që ndalon shfrytëzimin e pyjeve? Moratorium që ndalon gjuetinë? Moratorium për vozitjen e skafeve? Moratorium për ndërtimet? Moratorium për gjithçka që nuk kontrollojmë dot. Pra, nëse ligjet funksionojnë në rregull, nuk do të kishte nevojë për ndalime e moratoriume. Problemi është se besimi i publikut ka humbur se ligjet funksionojnë në rregull dhe prandaj edhe ligjet dhe qeveritë e humbasin legjitimitetin e tyre.
Shfaqjet që serviren herë pas here nga emisionet investigative “fikse fare” dhe “stop”, kanë dëshmuar se vetë industritë kanë probleme serioze me respektimin e standardeve mjedisore dhe higjienike. Inspektorët shfaqen vetëm pas denoncimeve publike e edhe në ato raste dëshmojnë se janë krejtësisht të paaftë (ose edhe të korruptuar) që të administrojnë problematikat e shfaqura. Prandaj, do të ishte e nevojshme që më së pari vetë industria të jetë e hapur ndaj inspektimeve nga publiku dhe grupet e interesave; të mundësohet një auditim nga kompani të specializuara lidhur me standardet mjedisore që ato respektojnë; një auditim i kapaciteteve të administratës që sa ajo është e aftë të menaxhojë procesin e gjurmimit të mbetjeve në lëvizje; shkurt – është e nevojshme të vendoset legjitimiteti mbi institucionet dhe vetë qeverinë për aftësinë e tyre politikëzbatuese. Dhe kjo nuk mund të bëhet me vetëdeklarim nga vetë qeveria; është tërësisht e pabesueshme!
Mbi të gjitha, kemi nevojë për një lëvizje kombëtare për pastrimin e qyteteve tona nga mbetjet dhe të vendosim ligj dhe rend në këtë disiplinë. Siç po veprohet me forcën e ligjit me ndërtimet, me energjinë dhe me shërbimet e tjera publike, ashtu të fillohet një fushatë e zbatimit me forcë të ndarjes dhe seleksionimit të mbetjeve që në shtëpi dhe deri në fabrika. Sigurisht që kjo është më së pari çështje e kulturës qytetare, por ndoshta do të duhet të presim edhe mbi dy shekuj të tjerë deri sa kjo të vij vetiu. Ndërkohë, malet me plehra do pushtojnë qytetet tona; industritë e riciklimit do të vazhdojnë të riciklojnë plehrat e huaja; disa (rentier) do të fitojnë shuma marramendëse nga këto biznese ndërsa shoqëria do të paguajë një çmim të tmerrshëm për këto marrëzira. Skenari duket apokaliptik, por gjërat janë në bërje e sipër dhe përditë vlerat e shoqërisë po gërryhen e shkërmoqen.
Ekonomiksi dhe moraliteti duhet të pajtohen. Opozita veproi drejt duke bërë një mea culpa. Edhe qeveria duhet të reflektojë më me objektivitet pasi Presidenti ta kthejë ligjin për rishqyrtim. Përndryshe, ashtu si dhe te Memo e Larry Summers, ndjesa nesër nuk do të jetë më e dobishme./mapo