Ligji për importin e mbetjeve ka ngjallur polemika të shumta jo vetëm në rrjetet sociale, por edhe mes gazetarëve, duke vënë në qendër të akuzave kryeministrin Edi Rama.
Mustafa Nano, i njohur për qëndrimet pro Ramës, sulmoi ashpër kryeministrin shqiptar duke e akuzuar atë si të korruptuar dhe se duhej zëvendësuar nga socialistët.
Kaq mjaftoi që Andrea Stefani, mbështetësi i përhershëm i Ramës, të siluronte Mustafa Nanon.
Në debat ndërhyri edhe Artur Zheji duke u rreshtuar pro Nanos dhe kundër Stefanit.
Replikat e plota
Andrea Stefani në gazetën Dita: Orteku i shpifjeve berishiste po ka edhe ndikimin e vet. Socialistët duhet të largojnë Edi Ramën – apelonte në një shkrim Mustafa Nano. Po përse duhet ta bëjnë një gjë të tillë socialistët? Sepse, vjen përgjigjja, Rama është i korruptuar, se ka ngritur një qeverisje të korruptuar, se situata i ka dalë jashtë kontrollit, se qeveritarët kanë ca marrëdhënie të çuditshme me ca njerëz që i rrethojnë, por edhe me biznesmenë, por, zakonisht, edhe me njerëz që janë përfshirë në krimin, se situata qenka më dramatike se kurrë në Shqipëri.
Ashtu?! – pyesim. Edhe më dramatike se viti ’97, se shtatori ’98, se 21 janari 2011? Përveç kësaj, nuk gjej në akuzat e mësipërme asgjë më shumë se “fjalët e kazanit” të Saliut. Nuk e di se ç’fakte posedon Mustafai për të gjitha këto që shkruan dhe akuzon, por nëse do akuzoja kryeministrin se është i korruptuar, do preferoja të kisha një fakt të vetëm të përfshirjes së tij drejtpërdrejt në një korrupsion.
Sepse, që në një qeverisje ka korrupsion, kjo nuk mund të ekskuldohet për asnjë qeveri të botës dhe aq më pak, në një vend si Shqipëria ku drejtësia nuk ka nisur të bëjë ende punën e saj dhe prevalon pandëshkueshmëria. Por kjo nuk na jep të drejtë të bëjmë lidhje të shkurtra duke akuzuar kryeministrin si të lidhur me korrupsionin.
Të kërkosh sot largimin e Edi Ramës është të bësh punën e Saliut. Më vjen keq ta them, por, në këtë rast, antiberishisti dhe antiautokrati i vendosur Mustafa Nano, ka hyrë në një sinkron thuajse të pandërgjegjshëm me Saliun. Po kërkon pikërisht atë që Saliu ka kaq vite që e lakmon. Sot më shumë se kurrë. Përse? Ethja e tij lidhet me momentin politik. Tërbimi i Saliut nuk ka të bëjë me qeverisjen. Kundër saj unë kam dëgjuar nga goja e tij dhe e larove të tij vetëm shpifje.
Të largosh sot Edi Ramën, përveçse bie ndesh edhe me bilancin e punëve dhe reformave shtetndërtuese, do të thotë t’i japësh një goditje vullnetit politik për reformën në drejtësi, që është shansi i fundit që Shqipëria të dalë nga këneta e korrupsionit dhe mafies ku e kanë zhytur prej 26 vitesh banditë delinkuentë të politikës. Do të thotë t’i bësh të keqen më të madhe Shqipërisë.
Mustafa Nano në gazetën Panorama: Unë jam i fundit që duhet të më bëhet akuza se dua të risjell në pushtet Berishën. Dhe Andrea është i pari që e di këtë. Përveç kësaj, askush nga ne, as unë, as Andrea, nuk kemi fuqi të sjellim në pushtet Berishën. Këtë fuqi e ka vetëm Rama. Për sa më takon mua, unë nuk jam i gatshëm, megjithatë, që dëshirën time që Berisha të jetë në opozitë, Rama ta përdorë si një smokescreen për të fshehur horrllëqet e veta, apo si licencë për të bërë ç’i do qejfi, pa pyetur fare për askënd e për asgjë. Para tri vitesh e kundërshtoi ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve.
Madje, ishte gati t’i vinte flakën vendit nëse ai ligj miratohej. Premtoi se do ta shfuqizonte atë ligj. Dhe nën orgazmën e fitores së pushtetit e shfuqizoi shpejt e shpejt. Tani, pas tri vitesh, na e miraton fshehurazi, larg çdo debati, në formë blitzkrieg-u, duke na kapur të gjithëve në befasi. Nuk ka asnjë studim të bërë që do të justifikonte këtë gjë. Ka vetëm një pretendim se industria e riciklimit që ekziston na paska mbetur pa punë. Në gjithë këtë histori, lëri të tjerat, por ky të bën të të duket vetja si budalla. Unë isha me Ramën atëherë.
Shikojeni se ç’ndodh! Ka tre vjet që ka humbur zgjedhjet, që i ka humbur ato në mënyrë spektakolare, ka tre vjet që bën si gore në Parlament, ka tre vjet që mban peng partinë demokratike dhe askush nuk i bën dot as kritikën më minimale. Të gjithë i qurraviten, deputetët, aparatçikët e Partisë Demokratike, kryetari i PD-së po se po, gazetarët që e kanë për zanat t’i atashohen partisë, por edhe gazetarë që mbahen me të madh si opinionistë nacionalë.
Artur Zheji në 360grade.al: Lexova kundër argumentat që shkruaje hapur dhe publikisht ndaj Mustafa Nanos. Ti Andrea dhe Mustafai, jeni padyshim antiberishistë doc. Në të drejtën tuaj dhe mjaft herë me argumenta të qëndrueshme. Ndoshta nga befasia e qëndrimit të Nanos, ndoshta nga shqetësimi yt, se kthehet Berisha, në rast se rrëzohet Rama, më duket se i ke kaluar përciptas argumentat e “Mucit”, madje i ke futur ato, në skemën që: “cojnë ujë në favor të Berishës”.
Skemë kjo paralizuese për të kritikuar në cdo kohë pushtetet. Unë po të jap disa prova indirekte të dështimit të Ramës, pas të cilave mund të fshihen elemente te thekur korruptiv. Por unë dhe Muci, në këtë rast, që nuk kemi të përbashkëta shumë gjëra, bashkohemi te qëndrimi ndaj Ramës, por nuk jemi as prokurorë dhe as hetues. Sepse edhe ti, i dashur Andrea, nuk besoj se ke prova të prekshme, përvec qëndrimeve dhe analizave, apo interpretimit të tyre, kundër Berishës. Përndryshe do ta denoncoje në Prokurori me sukses dhe do të ishe dënuesi i tij.
Nejse ja disa “prova” kundër kryeministrit aktual:
1.Humbja e Çështjes së Bankers. Me kosto 100 milion euro, të paktën; 2. Cështja ‘Cez Albania’, kosto disa qindra milionë euro të tjera. Dorëzim ndaj kompanisë ceke me një faturë të paktën 500 milion euro, ku pisllëku korruptiv, është trasversal. Majtas dhe djathtas;
2. Çështja ARMO, “gropa financiare” e miqve të kryeministrit të sotëm dhe të kryeministrit të djeshëm, bashkarisht, si një shoqëri aksionere, pamvarsisht se grinden në Kuvend: mbi 450 milione euro të tjera. Të cilat humbasin nëpër labirintet e shkresurinave dhe nuk ka asnjë vullnet transparence të mirëfilltë qeveritare. Të gjitha këto, vetëm një ministri e vetme, ajo e Energjisë, e Damian Gjiknurit.
3. Koncesionet në shëndetësi, 400 milion dollarë të tjera, të shtrira në 10 vjet. Dukshem, favore të mirëfillta financiare , ndaj miqve te tjere Shiko investigimet e ndershme të BIRN për këtë. Riktheju fakteve. Jane dhene 100 milion dollarë për check up, nje kompanie te vetme qe do te organizoje ganizojë parandalimin e sëmundjeve të shqiptarëve. Një kompanie që shiste cigare, pasta dhëmbësh, produkte industrial, karta telefonash dhe shitblerje me shumicë. 85 milionë dollare, për hemodializën, një kompanie “fake” që shiste 10 birra dhe 7 kola me kanoce në ditë, në një kafe të Beratit… (BIRN). Ndërkohë që një nënë dhe foshnja e saj, vdiq e masakruar, për neglizhencë dhe për mungesë parash, në trajtimin financiar të rojeve të natës në spitalet shtetërore shqiptare.
4.Reforma e telekomanduar në arsim. Shpartallimi i Universiteteve të shtetit dhe “përcjellja klienteliste” drejt Universiteteve private. Të cilat dhe ato, Universitetet pra, janë disa të njerkës dhe disa të nënës parti apo nënës qeveri. Por këtë sektor, si edhe të gjitha sa të përmenda përciptas, ti i njeh edhe më mirë se sa unë.
Andrea Stefani në gazetën Dita: Thuajse paralel me replikën tënde Zheji, që tentonte të më ndriçonte se problem i Shqipërisë sot është Rama dhe se Berisha nuk vjen më, pashë të publikuar edhe një deklamim të Lulzim Bashës që mbyllej me kredon “Shqipëria më mirë pa Ramën”! Eshtë pikërisht kjo që më shqetëson edhe në pozicionimin tënd koleg. Harmonia e plotë me kauzën e lidershipit të PD për të larguar me çdo kusht Edi Ramën. Dhe 26 vjet përvoja të hidhura për Shqipërinë, më kanë krijuar bindjen se nga një SHQUP i dirigjuar nga autokrati Berisha, nuk mund të dalë asnjë kauzë e mirë për Shqipërinë.
Në rastin e Berishës jam i sigurt për shkaqet e amokut anti-Rama. Është gjakimi për të bllokuar reformën në drejtësi që kërcënon të ndëshkojë një mullar krimesh dhe korrupsioni të pandëshkuar për mbi dy dekada dhe strumbullari i të cilit, është Saliu më klanin e tij. Dhe kuptohet që largimi i kryeministrit që mbështet reformën në drejtësi (kur ata në opozitë e kundërshtojnë të “shqetësuar” për “sovranitetin” dhe “Kushtetuën”) në një moment kur reforma sapo ka nisur të përparojë, do të ishte njësoj si të shkarkojë një gjeneral në momentin që ai sapo ushtrina është hedhur në sulm. Çorientimi do të qe total dhe disfata e reformës e sigurt.
Ndërkaq, Zheji, nuk mund të flas me siguri se ku i ka rrënjët xanxa e sulmit tënd kundër Ramës. Dua të besoj se është thjesht bindja si gazetar që Rama është korruptuar. Por “provat” që ofron nuk janë fare të mjafta për ta themeluar një bindje të tillë. Nuk jam prokuror dhe nuk mund të them me siguri se në ato 5 raste korrupsioni që përmend nuk ka gisht edhe kjo qeveri, ndonëse 3 prej tyre origjinojnë nga qeveria e kaluar. Por përsëri, ato nuk janë provë për korruptimin personal të Ramës. Lidhur me kanabisin, habitem që ke besuar përrallën kolumbiste se sot, që agjësohet më shumë kanabis nga policia, gjendja është më kritike se kur asgjësohej vetëm sa për të thënë se po luftohej.
E sa për Berishën, provat për korruptimin e tij personal janë pasuria e tij e maskuar me paratë dhe pronat e vëna nga fëmijët e tij jo vetëm me anë privilegjesh e favorizimesh që buronin nga posti i babait, por edhe nga përfshirja e tyre në biznese si “Gërdeci”, ku strukturat e shtetit u gërshetuan me ato të mafies së municioneve (ka degradim më të thellë të shtetit se kaq?) në një biznes të zi që derdhi gjak të pafajshëm dhe shkatërroi me qindra jetë. Mos duhet që teknikën banale të fshehjes së pasurisë pas fëmijëve, këtë teknikë të rëndomtë të pastrimit të parave dhe pasurisë korruptive, duhet ta pranojmë duke mbyllur sytë?