Nga Andi Bushati
Edi Rama është munduar të riciklojë sot gënjeshtrën e tri viteve më parë. I shokuar nga gdhendja e emrit të tij mbi kazanët e plehrave, i trembur nga reagimi mbarë popullor në Facebook, i ankthosur se e gjithë kjo mund të marë përmasat e frikshme të protestave kundër armëve kimike, kryeministri ka vazhduar strategjinë e tij të uljes së gjakrave. Për këtë qëllim kishte mbledhur në selinë e qeverisë ajkën e industrisë së ricikluesve.
Nuk kishte shfaqe më komike për këdo që e pa atë “bashkëbisedim”. Nuk kishte turp më të madh për të simbolizuar bythëlëpirjen e biznesit ndaj pushtetit. Nuk kishte pështirosje më të madhe sesa të shikoje të gjithë ata burra dhe pak gra, që pretendohet se kanë investuar afro çerek miliard euro në këtë vend, të luanin rolin e kllounit përpara kryeministrit.
Po të dëgjoje bisedën e zhvilluar mes tyre dhe Ramës të krijohej përshtypja se ai ua ka penalizuar kot për tre vite me radhë, biznesin.
Në tentativën për të qetësuar publikun e axhituar “nga sharlatanët me qëllime politike”, Rama e paraqiti gjithçka vaj. Sipas tij, ligji i ri i miratuar nga 63 deputetë, nuk do lejojë më groposje dhe djegie të plehrave. Ai do të sjellë vetëm mbetje të gjelbërta. Ato janë një mall i kuotuar në bursë dhe kontrollohen edhe nga vendi i origjinës.
Po sipas tij, ligji i ri është i njëjtë me atë të vendeve të rajonit si Kosova, Mali i zi, Kroacia madje shumë më protektiv sesa Maqedonia.
Po sipas tij, kjo hapje dyersh për plehrat, nuk ka pikë rrezikshmërie, është njësoj si të kërkosh llogari se pse lejohet importi i grurit për të prodhuar miell në Shqipëri.
Po sipas tij, BE, po debaton sot që këto lloj mbetjesh t’i trajtojë thjeshtë si lëndë e parë.
Po sipas tij, importi i plehrave në vend, e bën Shqipërinë më të pastër dhe kjo lloj industrie është armiku kryesor i Mafias në qytete emblematike si Napoli.
Pra, po të dëgjoje të gjithë ligjërimin e kryeministrit përballë biznesmenëve riciklues, pyetja e parë që të shkonte në mend do të qe: Po ky kot e paska shkatërruar biznesin e tyre për tri vite me radhë? Kot paska firmosur ligjin e parë të Rilindjes, porsa mori detyrën? Vetëm për politikë? Vetëm për show? Për vanitet?
Nëse këto nuk qenkërshin plehra që prodhojnë vdekje, por grurë nga del miell edhe bukë, a ia vlente që në shtator të 2013 ai të firmoste kundër një industrie që ka investuar 270 milionë euro, që ka mbi 3 mijë njerëz të siguruar e deri 30 mijë të punësuar, që do i sjellë ekonomisë së vendit rreth 150 milionë euro pas rifillimit të punës së plotë?
Po të qe kaq e thjeshtë, nga ata biznesmenë që qenë në sallë, Edi Rama duhet të paditej në gjyq. Ai duhet të qe për burg. Ata duhej t’i kërkonin llogari se pse i kish çuar deri në kufirin e falimentit? Se pse nuk i kishte plotësuar më parë ato pak masa, laboratorë dhe analiza instrumentale doganash, që sot po i paraqet si garancinë absolute? Pse i ishin dashur plot tre vite që t’i digjte ekonomisë kombëtare plot 450 milionë euro ?
Në fakt, të gjithë e dinë se nuk është kështu. Të gjithë e dinë se Edi Rama ishte më i besueshëm në vitet 2011- 2013 kur fliste për interesa të mafies dhe politikanë të kapur prej saj. Se ai qe më normal kur deklaronte se kushdo që do e tentojë rikthimin e importit të plehrave në Shqipëri, – madje edhe nesër thoshte atëherë, i bindur se këto garancitë e sotme janë pallavra- pra se kush do ta bënte këtë, do ishte një politikan i kapur nga interesa financiare mafioze.
Po, të gjithë janë të ndërgjegjshmëm për këtë të vërtetë.
Prandaj në sallën e biznesmenëve të riciklimit të plehrave asnjë nga të pranishmit, nuk e bëri dot pyetjen e thjeshtë : Por kur qe kaq e parrezikshme, pse e ndalove për tre vjet?
Natyrisht, në atë sallë, kishte edhe biznesmenë të ndershëm. Të gjithë nuk ishin pjesë e lobit të keqbërësve që kanë paguar politikanë për interesa financiare mafioze. Një pjesë e tyre mund të kenë vërtet një biznes të ndershëm në prag të katastrofës. Një pjesë mund të jenë vërtet të mbytur në kredi dhe borxhe dhe presin punë për të dalë ndershmërisht në fund të tunelit.
Por, fakti që të gjithë sëbashku nuk e bënë dot këtë pyetje të thjeshtë, që nuk i kërkuan Ramës llogari se paskërka penguar kot një import pa asnjë risk, i vuri ata vërtet në rolin e ricikluesit të plehrave. Ata sot u përdorën si alibi. Ata u munduan të riciklojnë një njeri që ndryshe foli në 2013 dhe krejt ndryshe po flet sot. /Lapsi.al