Nga Elsa Ballauri
Çdo gjë që thonë dhe duan politikanët – bëhet. Kjo është Shqipëria e sotme. Politikanët vendosin për jetën e secilit, për ushqimin e secilit, për ajrin e secilit. Politikani, sado injorant, i paaftë, i pandjeshëm, i pavend të jetë, shndërrohet në Zot. Sigurisht që kjo nuk është demokracia, por ne gabimisht kujtojmë se jemi në binarët e saj. Politika është ulur këmbëkryq dhe drejton jetët tona. Pothuajse njëlloj si dikur, në kohen e diktaturës, njerëzit e kanë drejtuar vështrimin, zemrën, sytë nga qeveria, që ka në dorë jetën e tyre. Politikanët i quajnë qytetarët inekzistentë – ata bëhen disi të dukshëm vetëm në fushatë zgjedhore.
E megjithatë, ironikisht, inekzistentët vazhdojnë të drejtojnë krahët drejt politikanëve, si e vetmja mënyrë për të ekzistuar. Zoti i politikanëve është Interesi, Paraja, Fuqia – me çdo kusht të fituara. Njerëzit rrinë çdo ditë, çdo muaj, çdo vit me shpresën se politikanët do të ndryshojnë Zotin e tyre, që edhe ata më pas të ndryshojnë Zotin e tyre. Por asgjë nuk ndodh. Përkundrazi, vazhdon të përkeqësohet. Njerëzit nuk kanë fuqi të luftojnë, kanë frikë se humbin punën, jetën, të ardhmen. Të ndryshosh Zot, dënohesh në Shqipëri…
Rasti më i rëndë i këtyre kohëve është i lidhur me të famshmin Ligjin e Mbetjeve, që në terminologjinë e ditës ka hyrë si Ligji i Plehrave. Është një ligj me histori të paharruar, sa cinike, aq edhe qesharake për ata që e kanë propozuar: Partia Socialiste në vitin 2013, përpara zgjedhjeve parlamentare, e zmbrapsi këtë ligj të hartuar nga PD-ja me një motiv shumë human, largpamës, me fraza frymëzuese.
Ata u bashkuan si rrallë ndonjëherë në prag të zgjedhjeve pranë të gjithë individëve, grupeve dhe aksioneve që po luftonin për mosmiratimin e ligjit mbi mbetjet që do të vinin të përpunoheshin në Shqipëri nga vende të tjera të Europës… Ishin shumë të besueshëm dhe, kur e nisën seancën e parë në Parlament duke e anuluar këtë ligj, u bënë mrekullisht të besueshëm. U mjaftuan me kaq, i futën votat në xhep dhe nisën të harronin. Deri këtu ende nuk kishte asgjë për t’u çuditur.
Është e thënë, politikanët shqiptarë gjithmonë harrojnë, megjithëse përpara çdo zgjedhjeje mburren se janë më pak harrimtarë se paraardhësit. Pse nuk pastrohen plehrat tona? …Por askush nuk mendoi se do të harronin deri në këtë pikë, sa po të njëjtin ligj do ta paraqisnin si projektligj këto ditë të fundit të verës. Të pamësuar për të besuar, por të mirëtrajnuar për t’u gënjyer, shqiptarët nuk e mendonin kurrë se një ligj i rrëzuar për hir të së drejtës së tyre për shëndet të mirë dhe jetë të sigurt, do të rikthehej në Parlament me paturpësinë e shumëfishtë të politikanëve të maxhorancës.
Ata u gjendën përpara të papriturës: Ligji për importin e plehrave kthehet në Parlament, por tashmë pa asnjë argument mbrojtës shtesë. Ashtu si më parë, politikanët argumentojnë se biznesi i përpunimit ka nevojë për lëndë të parë për ta ricikluar, se këta biznesmenë kanë harxhuar shumë para. Askush nuk i përgjigjet dot drejtpërdrejt pyetjes se ç’po bëhet me plehrat tona, me mbetjet shqiptare që janë përhapur anembanë vendit, që janë bërë si pjesë e pandashme e peizazhit, kanë hyrë në mentalitetin e shqiptarëve si pashmangshmëri me të cilën mund të jetohet normalisht.
Politikanët vazhdojnë të qajnë për paratë e humbura të bizneseve dhe nuk e vënë aspak në diskutim se sa qajnë njerëzit për të sëmurët e tyre, për pasigurinë e tyre, për të ardhmen e vënë në dyshim. Pra, nga njëra anë kemi një politikë të shqetësuar për mbarëvajtjen e biznesit të mbetjeve dhe, nga ana tjetër, kemi mbetje shqiptare, të dëmshme, të rrezikshme, të pamenaxhuara, për të cilat nuk interesohet njeri, as bizneset e përkushtuara për riciklim, dhe as politikanët nëpërmjet strategjive dhe politikave të mençura, për t’i evituar ato. Ironike, apo jo?
Është më shumë se kaq, sepse këmbëngulja e politikanëve është e frikshme, madje edhe naive, sepse harron plotësisht që këta njerëz, këta zgjedhës të ardhshëm, nuk janë të gjithë harrimtarë, nuk janë të gjithë syleshë, të lodhur apo të frikësuar. Ata do të kundërvihen me votën e tyre, kur të vijë koha. Dhe, çuditërisht, si edhe shumë herë të tjera, politikanët shqiptarë nuk pyesin se bëjnë vetëvrasje. Nuk ka asnjë politikë të dukshme dhe të shqetësuar për problemin e plehrave dhe ndotjes në Shqipëri. Vetëm nëse do të ishte një e tillë, çdo propozim për një industri riciklimi që i kapërcen edhe kufijtë, do të ishte më se normale.
Me gjithë amnezinë dhe mpirjen e shoqërisë, sidomos në këtë rast, ka zëra, ka të rinj, ka shoqëri civile që lufton dhe do të vazhdojë të luftojë. AKIP ka vite që lufton dhe është vigjilent. Shumë të rinj i janë bashkuar kauzës së ambientit të pastër, një kauzë, e cila pas çdo lufte që bëhet, i bën njerëzit më të vetëdijshëm për rëndësinë e të drejtës së tyre për të jetuar. Që ky ligj të mos kalojë në Parlament, duhet të jemi të gjithë bashkë, që të shkatërrojmë Zotin e politikanëve, atë të Interesit dhe Parasë.
Jam ndër njerëzit pesimistë të këtij vendi, por dua të bëj atë që duhet ta bëjmë të gjithë, atë që po bëjnë luftëtarët e AKIP, atë që po bëjnë shumë të rinj, nëpër protesta dhe rrjete sociale, atë që po artikulojnë shumë qytetarë. Duhet t’i ndalojmë politikanët “hokatarë” për të kaluar një ligj, i cili u dha pushtetin, dhe ironikisht po i çon në karriget e turpit. Për këtë duhet të jemi të gjithë bashkë. Nëse edhe kjo kauzë nuk fitohet, kjo nuk është shenjë e mirë për Shqipërinë tonë të mjerë.
“Panorama”