“Kris, Kris, o Kris… ndihmë!” – filloi të thërriste. U afrova pak më shumë, por e kuptova se nuk isha për ato punë. Këmbët filluan të më dridheshin, pasi nuk dija asnjë mënyrë se si ta ndihmoja të miturin…Ishim rreth 200 metra larg spitaleve, por asnjë autoambulancë nuk dukej.” Ky është rrëfimi i gazetares Ermelinda Hoxhaj të Gazetës Shqiptare, e cila ka qenë dëshmitare e skenës horror pranë gjimnazit “Andon Zako Çajupi”, ku u plagos me thikë një 15-vjeçar. Ajo thotë se megjithëse pak metra larg, ambulanca ka ardhur 20 minuta me vonesë.
***
Ishte ora 12:20 kur po kaloja pranë shkollës “Çajupi” për shkak të një takimi pune që kisha aty pranë. Kishte shumë trafik, gjë që më bëri të shihja një ngjarje që jo rrallë do e kujtoj. Në atë moment vura re një djalë i cili me zor qëndronte në këmbë, pantallonat në pjesën përpara i kishte si të lagura. Për arsye të ngjyrës së errët që kishin xhinset, nuk dallohej nëse ishte gjak. Ndërkohë që dy djem të tjerë iu afruan ta ndihmonin. U bë gati të kapërcente rrugën, por nuk mundi. Djali, edhe pse i bëshëm në trup, u shemb përtokë, pak centimetra makinës sime. U shokova, aty vura re se po i rridhte gjak.
Hapa krahun e makinës, parkova në një vend rezervuar për taksi, dhe i rashë 129-ës. Ora duhej të shënonte 12:25 minuta. Pas zërit të sekretarisë telefonike e cila të informon se po i telefonon Policisë së Shtetit, u dëgjua një zë burri. Me zë të dridhur i them se një nxënës në gjimnazin pranë spitaleve është plagosur. “Në çfarë gjimnazi?” më pyeste zëri me të cilin po komunikoja, ndërkohë që mendja ime u bllokua: emri i gjimnazit nuk po më vinte gjallë në botë.
“O zotëri, është shkolla pak më poshtë Urgjencës së fëmijës. Unë jam në makinë tani, por ai djali u rrëzua përtokë para makinës sime, ishte i gjakosur”. Punonjësi i policisë nga ana tjetër insistonte se kush ishte emri i shkollës. “Prit se po zbres, po ju mbaj në linjë që ta lexoj dhe jua them emrin e saktë”, – i thashë. Pas pak hapash që bëra, i them zërit me të cilin po flisja në anën tjetër të telefonit se është gjimnazi “Çajupi”, por këtë herë me zë më të lartë. Kjo se më kapi paniku ose nuk e di se çfarë, pasi pashë që gjaku i djalit, i cili nuk ishte më shumë se 15-16 vjeç, ishte përhapur në rrugë. Me telefonin ende në dorë, i them “lajmëro urgjencën, ambulancën, se djali qenka shumë keq”.
Njerëzit rreth tij nisën të shtoheshin. Një prej shokëve nuk i ndahej, por e mbante për dore.
“Kris, Kris, o Kris… ndihmë!” – filloi të thërriste. U afrova pak më shumë, por e kuptova se nuk isha për ato punë. Këmbët filluan të më dridheshin, pasi nuk dija asnjë mënyrë se si ta ndihmoja të miturin. Shumë njerëz iu afruan, trafiku u rëndua. Djali i plagosur nxori një klithmë, pastaj volli dhe ra në gjendje shoku. Unë nuk e pashë më të lëvizte. Koka m’u bë mjegull… O Zot, – mendova me vete. – Pak metra larg spitaleve dhe një nxënës shkolle të dergjet në rrugë! Ndofta kishin kaluar vetëm 4-5 minuta, marr sërish 129-ën dhe bërtas, por më tradhtuan lotët, nuk i mbajta dot.
Me zë të mbytur i bërtas dhe i them: “Përse nuk keni ardhur akoma? Përse s’ka ardhur asnjë ambulancë kur jemi vetëm pak metra larg QSUT-së? Po vdes ore, po vdes një fëmijë në rrugë!” (Diferencën e minutave e vura re tani që po shoh telefonin, pasi në ato çaste çdo minutë më dukej pa fund.) Ndërkohë që njerëz të tjerë bënë telefonata si unë, lajmëruan dhe ambulancën. Ishim rreth 200 metra larg spitaleve, por asnjë autoambulancë nuk dukej. Komisariati Nr.4 në Kinostudio është vetëm 3 minuta larg, por as uniformat blu nuk po vinin. Një grua, ndofta mësuese e “Çajupit”, nisi të ulërinte, merrte në telefon dhe bërtiste. Të gjithë njerëzit i zuri paniku, ndërsa djali nuk po jepte asnjë shenjë jete. Në orën 12:35 u them ta çojmë në QSUT me makinën time.
Por të gjithë ndiheshin të frikësuar. Unë vetëm nuk bëja dot asgjë. Njerëzit kishin më shumë kureshtje, ndalonin makinat, pyesnin se çfarë i kishte ndodhur, apo thjesht bënin foto apo video (si disa që qarkulluan më vonë në internet, ku shumë njerëz, përfshirë dhe unë, po bërtisnim). Isha gati-gati t’i bija sërish 129-ës, ndofta i rashë, por e mbylla sërish, nuk fola, se vura re që po afrohej një makinë policie, më pas erdhi edhe një motor i forcave “Shqiponja”.
Ora duhej të shënonte jo më shumë se 12:38 minuta. Erdhi policia, por asgjë nuk ndryshoi; paniku te njerëzit, tek unë, nxënësit e shkollës dhe mësuesit u shtua më shumë, sepse minutat po kalonin, ndërsa djali ishte ende i shtrirë në rrugë.
Një ambulancë që erdhi, brenda kishte një paciente të shtrirë dhe nuk kishte barelë tjetër për të transportuar djalin, ndaj iku. Njerëzit bërtisnin. I afrohem një punonjësi policie dhe i them: “A të sjell makinën time ta çojmë në spital?” Nuk më ktheu përgjigje. Nuk e di as nëse më dëgjoi. Më pas erdhi një furgon policie, u kthye në mes të rrugës, dhe ishin gati ta transportonin me atë, pasi autoambulanca nuk po dukej. Në ato momente u dëgjua një sirenë. Furgoni hapi rrugën, policët me këmbë e me duar përpiqeshin të disiplinonin makinat që autoambulanca të vinte në vendngjarje.
Duhet të ketë qenë ora 12:45 kur djali më në fund u nis drejt spitalit për të marrë shërbimin mjekësor. Një oficer policie i zonës u afrua dhe më pyeti nëse i kisha I plagosuri K. Suti parë ata që e kishin qëlluar, por i thashë: “Jo, unë u gjenda aty pasi atë e kishin qëlluar”. U largova, por mendja më mbeti aty. Edhe tani që po shkruaj këta rreshta dhe ora po shënon gati 23:30, skena nuk më hiqet nga sytë. U interesova më pas për shëndetin e 16-vjeçarit, për të cilin mësova se është djalë i vetëm dhe vëlla i dy motrave. Urojmë që këto 24 orët pas operacionit t’i kalojë me sukses dhe të kthehet pranë familjes së tij. Zoti e bëftë mirë!