Nga Sokrat Turtulli
Nuk e mora vesh kurrë se pse duhej të ishte gjithë ajo”ushtri” e dërguar nga PD-ja në Dibër. Për të ruajtur votën?!. E bënë dot këtë? E ruajtën, apo e rruajtën?!
-Akoma se keni kuptuar se nuk mund të shkosh kurrë me ushtri në një zonë të panjohur, pasi vetëm dështim do pësosh?
– Akoma se keni kuptuar se partia funksionon 24-orë në ditë dhe jo vetëm një muaj që është periudha e zgjedhjeve?
– Akoma se keni kuptuar se demokratët e vërtetë nuk shiten apo blihen dhe nuk kanë nevojë për stimul?
– Po si mund të dergosh këtë ushtri kaq të madhe në një fushbetejë që e ke fituar gjithmonë?
-Po si mund të dërgosh atje ushtarë për të ruajtur votën në një kohë që këta nuk e kanë bërë në zonat e tyre ku janë, por janë të mbuluar nga humbja?
Pse nuk e bënë këta atë punë që “Fiksi” e bëri me dy vetë? Nuk kishin mundesi, apo nuk kishin materiale përgjuese dhe filmuese? U kapën ketu, u kapen atje dhe në fund i dorëzohen “Fiksit” që një zot e di pse e publikoi duke iu bërë një të “keqe” të vogël atyre që i ushqejnë.
-Ata atje vajtën për të ndihmuar Sherefedin Shehu, apo për t”u bërë xhiro lokaleve dhe për të deklaruar fitoren dy javë para mbarimit të procesit?
-Nuk e kuptoj se si një demokrat nga Gjirokastra apo nga Korça do ti mbushte mendjen një Dibrani për të votuar për PD-në?
– A i njihnin këta kush është demokrat dhe kush socialist në zonë që më pas të punonin për t’ju mbush mendjen nga ta hidhnin votën?
-A ka bërë zgjedhje PD-ja në Dibër për strukturën e saj?
– A janë zgjedhur ata që deshën demokratet apo u zgjodhën ata që u rekomanduan nga lart?
Derisa në struktura do zgjidhen persona pa kontribut, por me lidhje tarafesh, klanesh, shokësh, dashnorësh, kështu ka për të vazhduar. Demokratët kanë nevojë për demokratët që njohin zonën dhe funksionimin e partisë. Që njohin njerëzit dhe jo që të njihen prej tyre me gisht.
– U tërbova dje kur shikoja me zë dhe figurë shit-blerjen e votës nga socialistët në Dibër, dhe në çast ia futa me grusht vetes për të ardhur në vete kur kujtova se kjo shit-blerje vote është bërë edhe brenda strukturave të partisë nëpër degë dhe biles në shuma më të mëdha. Kur e ben një “demokrat” brenda partisë së tij, çfarë pret nga nje socialist apo LSI-st i konvertuar në demokrat?!
Basha duhet ti therrasi mendjes. Basha duhet ti ngrejë nga karrigia e selfieve këta demokrat të rilindur që nuk dijnë të bëjnë gjë tjetër veçse”share”statuseve të tij dhe ti ul me këmbë në tokë duke iu kërkuar bashkëpunim me kontribuesit e vjetër të PD-së. Ata nuk dijnë si punohet, ata nuk dijnë si flitet dhe bëhet për vete një votues i lëkundur, ata nuk dijnë sa vlerë dhe peshë ka një votë e vetme, ata nuk e dijnë dhe nuk kanë si ta dijnë kur derën dhe selinë e PD-së e kanë parë në vitin 2016…
-Basha nuk ka nevojë për “Mjaft” të ri në PD. Dhe nëse e ushqen, e mban pranë vetes,e promovon, i jep pushtet, është e sigurt që pushteti i tij dhe i joni do jetë shumë larg. Basha duhet të ngrejë në këmbë të gjithë demokratët dhe ti pajisë ata me KOSORE për të shkuar vetë në çdo parcele hashashi në të gjithë Shqipërinë. Duhet ta bej tani dhe të mos merret me Dibrën nëse nuk do që të humbasi Shqipërinë. Nëse hektarët me hashash do vazhdojnë te prodhojnë pare krimi, në këtë vend nuk do ketë kurrë votë të lirë! Nuk duhet pritur me nga policia, pasi siç më tha dikush që njeh fushën dhe parcelat me hashash, ato që jep tv si shkatërrim dhe prerje nga policia të rrënjëve të hashashit, janë parcela që janë caktuar që me parë nga trafikantët për tu asgjësuar dhe bërë shoë-n. Parcelat e vërteta nuk janë prekur. Ato vazhdojnë të gelojnë arome krimi…