Mimoza Meçe, nëna e 22-vjeçarit Artur Meçe, i burgosuri i cili ndërroi jetë në pavijonin e Kardiologjisë në QSUT, i sëmurë me kancer, bën thirrje për ndihmë.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare, 43-vjeçarja deklaron se jeton duke mbledhur kanoçe. Gjatë rrëfimit të saj, nëna e dy fëmijëve tashmë deklaron se po dergjet në Bashkinë e Fierit për një punë, por i japin shpresa të kota.
“Fëmijët e mi kërkojnë që të shkollohen, por unë nuk kam mundësi as dhe t’i ushqej, jo më t’u blej libra. Jam në një hall të madh”, deklaron Mimoza, duke shtuar më tej se do të vetëflijohet duke i vënë flakën vetes.
22-vjeçari Artur Meçe ndërroi jetë në burg Artur Meçe, 22vjeçari nga fshati Mbrostar i Fierit u dënua nga drejtësia shqiptare me 5 vite burg për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.
Gjatë kohës që ishte në burg, 22vjeçari shfaqi probleme shëndetësore dhe u diagnostikua me kancer në mushkëri. Rasti i tij u bë publik pas apelit të të afërmve të tij, të cilët kërkonin lirimin e tij nga burgu që ditët e fundit të jetës t’i kalonte në shtëpi, kërkesë që nuk u plotësua. 22vjeçari Artur Meçe ndërroi jetë në spitalin e burgut, në pavijonin e Kardiologjisë në QSUT.
Znj. Meçe, pas vdekjes së bashkëshortit tuaj dhe më pas djalit, ju patët deklaruar se institucionet janë shprehur të gatshme për t’ju gjetur një punë. Ende nuk ka kaluar një vit nga vdekja e djalit tuaj; çfarë është bërë me premtimet që ju kanë dhënë?
Asgjë nuk është bërë. Gjërat po shkojnë shumë keq. Unë sot nuk kam një punë me se të ushqej fëmijët e mi. Më premtuan dhe më kanë premtuar, por asgjë konkrete nuk ka ndodhur. Kam shkuar në komunë, edhe te bashkia.
Po cila është përgjigjja që të japin?
Mua vetëm më përcjellin, një herë te komuna dhe një herë te bashkia. Mua fukaranë e shkretë po më shkelin me këmbë! Kam tri vite që dergjem te bashkia dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Më thanë që më datë 5 shtator do të më fusnin në punë. Kam vajtur te kryetari i komunës dhe i kam thënë. Këtu punësohen ata që kanë lekë, dhe jo unë që vuaj për bukën e gojës.
Sa janë të ardhurat e familjes suaj?
Kanë qenë 20 mijë lekë të vjetra. Tani që im bir mbaroi shkollën 9 vjeçare, jetoj vetëm me 10 mijë lekë të vjetra.
Po si ia bëni për të mbijetuar?
Çfarë të bëj?! Dal që në 03:30 të mëngjesit për të mbledhur kanoçe, fëmijët i lë vetëm në gjumë. Unë jetoj veç duke mbledhur kanoçet. Tani nuk po na lënë që pas vdekjes së atij djalit në Tiranë. Nuk e di se si do shkojë puna ime.
Sa kanoçe mblidhni?
Mbledh 1 ose 2 kg kanoçe, sa për të nxjerrë bukën e gojës. Se me 10 mijë lekë nuk blen as dhe thesin e miellit, që të paktën të hamë bukë thatë. Por këtu te ne nuk t’ia dijë njeri në ke apo s’ke të hash. Nuk po kërkoj lëmoshë, dua një punë, se unë jam e re.
Çfarë moshe kanë dy fëmijët e tu?
Djali është 15 vjeç, mbaroi klasën e 9të, do të shkojë në gjimnaz, por unë s’kam lekë me çfarë ta çoj. Se duhen libra, s’kam mundësi… Ndërsa vajzën e kam 7 vjeçe. Ata mua më kanë, mezi po i ushqej. Po si ka mundësi të mos gjendet një punë për mua?! Unë, një grua e ve me dy fëmijë jetimë?!
Po bashkëshorti juaj, para sa vitesh ndërroi jetë?
Ka tri vite që ka vdekur, pasi kishte zemrën të zmadhuar. Pa bërë dy vite ai, më iku edhe djali. Unë vazhdoj të kërkoj drejtësinë e djalit tim, që më vdiq në spitalin e burgut.
Po çfarë kërkon konkretisht?
Kërkoj dëmshpërblim, mua djali më vdiq në burg. Shteti duhej të bënte diçka, duhej ta operonte. Ai vdiq në burg; ku e di unë se çfarë i ka bërë burgu?! Kam dyshimet e mia.
Për çfarë dyshoni?
Djalit tim sëmundja iu shfaq kur ishte në burg. Që kur ka qenë në burgun e Rrogozhinës, shfaqi probleme, por unë i thashë se mos e kishte nga cigarja. Ai është rrahur edhe nga policët.
E dini ju se kush janë këta policë?
Nuk e di, mua djali më ka thënë. Po shteti duhej të kishte bërë diçka. Mirë që vdiq në burg, po shteti as për të bërë varrimin nuk më ndihmoi.
Pse, ju nuk keni marrë asnjë ndihmë?
U fol që do më jepnin një ndihmë të përshpejtuar pas vdekjes së djalit. Bashkia më siguroi te një firmë, dhe aty marr disa ushqime nga një kg. Më ka ndihmuar edhe autorja e emisionit “Me zemër të Hapur”, Evis Ahmeti. Falë saj arrita të merrja disa ndihma. Në emisionin e saj, avokati Idajet Beqiri së bashku me bashkëshorten e tij Nexhmie Beqiri më dhanë një shumë të konsiderueshme parash dhe disa ushqime e veshmbathje për fëmijët e mi.
Pas vdekjes së bashkëshortit dhe djalit, ku jetoni?
Në fshatin Mbrostar të Fierit, në një shtëpi pa dyer e pa dritare. Dritaret i kam me plastmas, çfarë bie jashtë futet brenda. Jetoj në mjerim. Unë kam një apel për shtetin: t’i hedhë sytë nga unë, të më gjejë një punë sa për të mbijetuar, ose të m’i gjejnë një punë djalit, në të kundërt unë do marr një shishe benzinë dhe do digjem para Bashkisë së Fierit, se kështu nuk mund të jetoj më. Po kaloj nga trutë e kokës.