NGA JORIDA TABAKU
Gjatë diskutimeve për Ligjin e Arsimit të Lartë shumë më akuzuan se isha ashpër, të tjerë që ndoshta isha nga të vetmet që mbështeta studentët që në krye të herës. Shumë më parë se kolegë e profesorë në Universitete. E me të drejtë sot po shohim pasojat e asaj që ndodhi me Ligjin e Arsimit të Lartë.
E kam përmendur fill pas miratimit të Reformës në Drejtësi dhe i qëndroj besnike deri në fund aksiomës së qartë që ekziston në politikë. “Nuk mund të ndërmarrësh një reformë nëse së pari nuk përfshin profesionistë dhe së dyti nuk ndërton një debat të hapur dhe politik për të”.
Reforma në Arsimin e lartë njësoj si reforma territoriale dhe si ndoshta ligjet e miratuara shpejt e shpejt në reformën në drejtësi javën e shkuar, reflekton mangësitë e mëdha të një qeverie të zënë me vjedhje dhe pseudoreforma. Mungesa e dëshirës për të diskutuar jo vetëm me opozitën por edhe me akademikët dhe profesionistët e fushave, mbi adaptimin e një reforme arsimore në dobi të shoqërisë ka prodhuar këtë katrahurë të sotme.
Kjo është qeveria e cila i ka vendosur vetes nofka të mëdha por që besoj do të njihet për diletantizmin, sin ë qverisje, në bërje ligjesh e në zbatim. Një nga shkaqet e kësaj katrahure që ka sjellë pasoja tek maturantët vjen si pasojë e mungesës së akteve nënligjore (njësoj si Reforma Territoriale) që duhet të kishte sjellë qeveria. Mungesa e tyre shoqëruar me mungesën e logjikës së Meritë-Preferencë, do të prodhojë një numër tejet të kufizuar kandidatësh që do të fitojnë që në raundin e parë të drejtën për të studiuar.
Kësisoj, studentët do të shtyhen të shkojnë tek universitetet private të lidhura ngushtë me qeverinë që ishin dje lobuesit kryesorë të ligjit të arsimit të lartë. Për rrjedhojë ato do të kenë mundësi që të marrin një pjesë të mirë të studentëve me mesatare të lartë që si shkak i paaftësisë por edhe dashakeqësisë së qeverisë do të paguajnë para për tek universiteti privat. Nga ana tjetër, këto universitete klientë tek qeveria do të mundet të përfitojnë edhe një copë të mirë nga buxheti për arsimin e lartë, duke qenë se shumica e studentëve për të mos ndenjur në radhë të krijuar enkas do të regjistrohen në privat.
Problemi i dytë, që lind gjithashtu nga ligji i arsimit të lartë dhe mungesa e akteve nënligjore, ka prodhuar një precedent të rrezikshëm. Tanimë jo vetëm studenti nuk mund të zgjedhë fakultetin e tij (si çdo konsumator zgjedh produktin apo shërbimin që dëshiron) por është fakulteti që përmes disa manovrave të çuditshme ka vendosur disa kritere pasi studentët kanë përcaktuar se ku duan të studiojnë. Më konkretisht, çdo fakultet vlerëson me 10% të pikëve për pranim, një grup lëndësh me zgjedhje që nxënësi zgjedh si lëndë opsionale në vitin e fundit të matures. Çdo fakultet vlerëson me 10 % vetëm disa prej lëndëve me zgjedhje që ka përcaktuar vetë. Por e çuditshmja është se fakultetet kanë përcaktuar grupin e lëndëve që do vlerësojnë me 10% vetëm pasi studenti i ka zgjedhur lëndët në maturë. Dhe tani kanë vendosur, pasi studenti ka zgjedhur një nga lëndët e kërkuara nga fakulteti, që ai të mos vlerësohet fare me 10% e komponentit të lëndës me zgjedhje, duke ia bërë në këtë mënyrë thuajse të pamundur që studenti të fitojë në atë Fakultet publik që dëshiron. Kanë prodhuar një rregull absurd pasi vendimi i maturantit është kryer për të zgjedhur lëndët prek drejtë për drejtë sigurinë juridike.
Dy vjet më parë, heshtnin sa herë në seancë plenare u kam ngritur pyetjen se “ku po i çojnë të rinjtë e këtij vendi me reformën në arsimin e lartë?” dhe sot heshtja e tyre është edhe më e madhe. Katrahura në ligjin e Arsimit të Lartë dhe në veprimet apo mosveprimet e qeverisë ka prodhuar këtë skandal që duket se do të lërë pa studiuar aty ku studentët dëshirojnë. Pra, qeveria zgjedh në vendin e individit!
Ndërkohë që gjatë seancës së zgjatur parlamentare të reformës në arsim dëgjuam sa e sa barsoleta nga Kryeminsitri Rama nuk morëm përgjigje për këtë pyetje. Heshtja e fajtorëve ka folur për kohë të gjatë, studentë dhe të rinj sot do të ndjehen gjithnjë e më të pamundur për të ndjekur dëshirat e tyre sepse dikush për hir të interesave personalë ka vendosur të luajë me fatin dhe përzgjedhjen e tyre.
Edi Rama sot është përgjegjës jo vetëm se ka krijuar një sistem malinj të përzgjedhjes së dëshirave të studentëve, se drejton me fodullëk një qeveri të paaftë për të sjellë akte nënligjore që rregullojnë atë batak që krijoi me duart e tij. Por edhe sepse të gjithë energjinë e institucioneve shtetërore e ka vendosur në shërbim edhe kësaj radhe të disa segmenteve të caktuara të oborrit të tij personal.
Kryeministri ka vendosur të heshtë edhe të çojë me përdhunë studentët tek vendi i paracaktuar prej tij në të famshmin Ligj të Arsimit të lartë, pikërisht të ardhmen e një vendi që po shkretohet përditë e më shumë. Nga politikat e mbrapshta të një qeverie që luan jo vetëm me të tashmen por edhe me të ardhmen. Sot dhe në ditët në vijim Edi Rama dhe e gjithë shpura e tij gaztore do të duhet t’i përgjigjen pyetjeve të maturantëve dhe prindërve të tyre. Për këtë katrahurë të miratuar me arrogancë dhe fodullëk duke groposur me vetëdije të ardhmen e të rinjve të këtij vendi. Kush mendon se këtu mbyllet e gjithë kjo skemë e padrejtë gabohet sepse ligji i arsimit të lartë ndërtuar nga kjo qeveri dhe miratuar nga kjo mazhorancë ende nuk ka nxjerrë pjesën më të shëmtuar të saj!
Sot e cdo ditë do të jem me studentët! Ashtu sic isha e para që I mbështeti për buxhetin, për kuotat për Ligjin e arsimit të Lartë! Sot e cdo ditë me dijen!