“Kjo qeveri nuk ka synim përmirësimin në arsimin e lartë, e aq më tepër rritjen e cilësisë dhe zhvillimin e universiteteve. Kaosi i pranimeve të reja është një skemë korruptive”. I këtij mendimi është ish-drejtori i Arsimit të Lartë në Ministrinë e Arsimit, Albano Zhapaj.
Në një analizë të botuar edhe më herët, Zhapaj sqaron me detaje gjithë ndryshimet që i janë bërë sistemit të pranimit në Universitete. Ai thotë se nuk shikohet ende në horizont se cili është vizioni i kësaj qeverisjeje për arsimin e lartë dhe se kemi të bëjmë me një skemë të mirëmenduar përfitimi financiar në kurriz të familjeve shqiptare.
NGA ALBANO ZHAPAJ
Duke filluar nga sot e deri në fund të muajit tetor 2016, çdo shqiptare e shqiptar, nisur nga kaosi i krijuar për pranimet në universitete, do të kuptojë përfundimisht se kjo qeveri nuk ka synim përmirësimin në arsimin e lartë, e aq më tepër rritjen e cilësisë dhe zhvillimin e universiteteve. Sot mbas tre viteve qeverisjeje të majtë, nuk shikohet ende në horizont se cili është vizioni i kësaj qeverisjeje për arsimin e lartë.
Për sa i përket pranimeve në universitete, nuk po dallohet ende se cilat janë rregullat e lojës, pasi duket qartësisht që nuk janë ato rregulla që ka parashikuar ligji i arsimit të lartë. Neni 69 i ligjit 80/2015, për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë, thotë qartë se: “pranimet e studentëve në institucionet e arsimit të lartë në të gjitha programet e studimit bëhen me vendim të universiteteve”, por nuk po shikojmë asnjë vendim të universiteteve.
Mbas tre viteve (keq) menaxhimi të arsimit në përgjithësi dhe të pranimeve të reja në universitetet publike në veçanti, po kuptohet se gjithë ky zinxhir kaosi i krijuar nga mungesa e informacionit, e udhëzimeve orientuese, nuk është pasojë e paaftësisë së ekzekutivit të arsimit, por është pasojë e një skeme korruptive të mirëmenduar.
Argumentet që na bindin se kemi të bëjmë me një skemë të mirëmenduar përfitimi financiar në kurriz të familjeve shqiptare, janë të shumëfishta, por mjaft të analizosh të gjitha hallkat e procesit të pranimeve në universitet, dhe kupton se si po luhet në kurriz të universiteteve publike, në mënyrë që të shtyhen maturantët e rinj të shkojnë e të studiojnë tek privati.
Ku fillon dhe si është e ndërtuar kjo skemë korruptive?
Së pari; kjo skemë fillon tek krijimi i formularit të aplikimit, dhe menaxhimi i tij nga ana e Agjencisë Kombëtare të Provimeve, e bërë kjo në afatet limite të kohës, kur njerëzit janë me pushime. Në asnjë pikë apo nen të ligjit, nuk parashikohet një menaxhim apo formular i tillë. Matura shtetërore do të ishte dalëse, dhe pranimet do ti bënte vetë universiteti, dhe këtu s`ka shqiptar e shqiptare që mos ta mbaj mend që ka qenë trumbetuar fort nga kjo qeveri.
Ndryshimi i rregullave të lojës dhe mos zbatimi i ligjit që nga vetë kjo maxhorancë është miratuar, është tregues i qartë se kjo qeveri e ka centralizuar qëllimisht këtë proces, për të menaxhuar kuotat e përfitimit që vijnë nga universitetet private.
Së dyti; mungesa e numrit të kuotave të pranimit në universitetet publikë, dhe e udhëzimeve të qarta të hapave që duhen ndjekur mbi këtë proces. Këto akte ligjorë apo nënligjorë, për kë nuk e ka idenë se si krijohen, u them se nuk kanë as më të voglën vështirësi për t`u bërë, aq sa edhe një specialist i papërvojë i administratës së arsimit, do të ishte në gjendje t`i hartonte, e jo më një administratë e tërë. Vonesa e udhëzimeve për të tretin vit radhazi është shenjë e qartë e krijimit të kaosit informativ, me qëllim destabilizimin e ekuilibrit të përzgjedhjes së degëve nga ana e të rinjve dhe familjeve të tyre, në mënyrë që këta të fundit, nga frika se mos mbesin pa shkollë, të shkojnë dhe aplikojnë tek privati.
Së treti, futja në formularin e aplikimit për në universitet, të programeve të studimit të institucioneve të arsimit të lartë privat. Në këtë mënyrë jo pa qëllim është ngatërruar “keku me byrekun” bashkë, pasi detyron maturantët të mendojnë e më tej pranojnë se ekziston edhe arsimi privat, përveç se atij publik. Duke mos pasur një sistem vlerësimi referues, pra që të kuptojnë maturantët se me sa pikë mund të shkohet në një degë të caktuar, mbi 90% e tyre do të vendosin kryqin edhe tek një degë e universitetit privat, që me shumë gjasa del fitues që në raundin e parë. Në këtë mënyrë qeveria e ka “sajdisur” privatin me klientë të rinj, dhe s`ma do mendja se shqiptarët janë aq naivë sa të besojnë se qylaxhinjtë qeveritarë të mos marrin këtu “pjesën e tyre”.
Së katërti; mungesa e informacionit mbi raundet e mundshme të aplikimit. Dihet se gjatë fazës së parë, nga 42 mijë maturantë, përfitojnë vetëm 15 mijë prej tyre, dhe mbeten ende kuota bosh që duhen plotësuar, të paktën në universitetet publike. Por sivjet, kur në formular ka hyrë në lojë edhe privati, kuotat për t`u zëvendësuar do të jenë më të larta.
Me këtë sistem të centralizuar pranimesh, kuptohet qartë se vonesa e informacionit, dhe mos deklarimi i rregullave paraprake të lojës, do të dëmtojnë edhe universitetet private, përveç se atyre shtetërore. Por ndërkohë që universitetet shtetërorë paguhen nga shteti, ato privatë janë biznese, dhe biznesit kur ja ul nga “lart” fitimet, e destinon të mbyllet.
Pra, në këtë formë, qeveria ka në dorë jetën apo vdekjen e institucionit privat, gjë që e detyron këtë të fundit, që për arsye mbijetese, të shkojë të “kollitet” në vendin e duhur. S`ma do mendja të ketë shqiptar që të mos ta dijë se sa të nevojshme janë, për qenërinë, këto gjëra në prag të zgjedhjeve.
Së pesti; procesi i munguar, deri më tash, i transferimit të studimeve, është bërë monopol i ekzekutivit të arsimit dhe ka dalë jashtë çdo kontrolli dhe çdo llogjike të Sistemit të Bolonjës. Transferimet e studimeve janë po aq të rëndësishme sa edhe pranimet e reja, dhe shumë të rinj studentë investohen fort për të ndryshuar degën apo institucionin ku studiojnë. Kur them investohen, nuk e kam fjalën vetëm për investim të tipit shpirtëror, por edhe ekonomik të familjes së studentit.
Edhe procesi i transferimeve jo pa qëllim është centralizuar dhe është lënë në dorë të ekzekutivit të arsimit, ose më saktë të një grupi të vogël aty brenda. Qeveria në këtë mënyrë, përveç se të ketë në dorë t`i heqë ndonjë privati ca studentë (dihet që shumica duan të transferohen nga privati tek shteti, dhe privatit kjo gjë nuk i leverdis), “sajdis” edhe “ushtarët e vet” që punojnë për të në ekzekutiv, përveç se të bëjë edhe nderet e radhës, ndonjë familjeje që ka kontribuar ose premton të kontribuojë në zgjedhjet e ardhshme. Mungesa e informacionit për këtë proces, shkon në të njëjtën linjë korruptive të pranimeve të reja.
Së gjashti; kuotat e munguara të pranimit për studime të dyta, pra për ata persona që ose për vullnet të tyre personal, ose për zgjedhje të gabuar në studimet e mëparshme, kanë vendosur të aplikojnë për një program të dytë studimi.
Edhe këto kuota, ende nuk janë përcaktuar si numër, dhe për më tepër edhe si procedura. Kjo gjë i çon të interesuarit automatikisht t`i adresohen apo drejtohen për ndihmë ekzekutivit të arsimit. Mungesa e informacionit deri në ditët afër fillimit të vitit akademik, do t`i detyrojë të interesuarit, sidomos atyre që e kanë të domosdoshëm këtë proces, të pranojnë “kushtet e lojës”, pra në të njëjtën formë si tek transferimet.
Së shtati; mungojnë jo pa qëllim kuotat dhe rregullat e pranimeve për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë vendit. Dihet se shumë shqiptarë nga Lugina e Preshevës, nga Bujanovci, Medvegja, nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, çdo vit vijnë dhe studjojnë në universitet tona. Është i treti vit radhazi që këta studentë “menaxhohen direkt nga ekzekutivi i arsimit, dhe jo nga universitetet. Ky proces tash e tre vjet po kalon një periudhë të errët menaxhimi, si nga ana e informacionit, ashtu edhe nga mënyra e përzgjedhjes së fituesve. Vitin e kaluar është folur për shifra që kalojnë nga pesë deri tetë mijë euro për kandidatë të caktuar “fitues” nga trojet që kanë shkuar në programet e mjekësisë.
Së teti; mungesë e qartë informacioni mbi kuotat e shtresave në nevojë, si persona me aftësi të veçanta, të verbrit, tetraplegjikët apo paraplegjikët, si dhe kandidatë të tjerë që vijnë nga komunitetet e romëve dhe egjiptianëve. Procesi i tre viteve të kaluara për këto persona ka qenë tërësisht i menaxhuar nga ekzekutivi i arsimit, në një kuadët të mbyllur procedural me shumë dritëhije. Këto lloj kategorish nuk është se janë shumë të preferuara nga qeveria, pasi këto kategori historikisht janë përjashtuar nga tarifa e studimit, dhe bëhet çdo gjë, për ti lodhur e stresuar nga ana procedurale dhe informative, në mënyrë që të heqin dorë nga shkollimi.
Kështu që edhe kjo kategori bëhet kontingjent për të shkuar e studiuar tek privati, me shpresën se ndonjë shoqatë ao fondacion i paguan tarifën e studimit, në ato raste kur familja nuk e përballon dot.
Së nënti; vënia e pragut të notës mesatare gjashtë, si kriter për hyrjen në universitete, dhe pranimet e lira në programet dy vjeçare profesionale, për ata që kanë mesataret nën notën gjashtë, ka bërë një një sërë institucionesh të arsimit të lartë privat të hapin programe studimi dy vjeçare, në mënyrë që të thithin edhe kontingjentin e fundit të “dhuruar” nga qeveria.
Çfarë pritet të ndodhë me pranimet?
Këto tre muajt e ardhshëm do të shikojmë se si ekzekutivi i arsimit do të xhonglojë me aktet nënligjorë dhe udhëzimet e pranimit, me afatet e regjistrimit, me fazat e aplikimit për në universitet, me ndryshimet e vazhdueshme të udhëzimeve dhe afateve të tyre, me synimin e vetëm: rrënimin e universitetit publik, dhe furnizimin me kandidatë të universiteteve private, me qëllim përfitimin personal të atyre që janë direkt pjesë e lojës, apo klientëve qeveritarë që marin përsipër dhe ndryshojnë rregullat e lojës, në favor të universiteteve privatë.
Nëse reflektojmë dhe gjykojmë në mënyrë të kthjellët, proceduralisht, për sa argumentuam më sipër, padyshim që dalim në konkluzionin se nuk kemi të bëjmë as me kaos rastësor dhe as me paaftësi të qeverisë, por kemi të bëjmë me një skemë të mirëmenduar korruptive, e cila sjell në vit miliona euro përfitime për buxhetin e universiteteve private, e kush me to është bashkëpunëtor e përfitues në qeveri.