Instituti i Studimeve Politike ka analizuar aktivitetin parlamentar në periudhën janar – korrik 2016, nga ku ka rezultuar se gjatë këtyre 7 muajve, parlamenti ka miratuar vetëm 19 ligje.
Por një gjë që bie në sy është fakti që deputetët shkojnë në komisionet parlamentare vetëm sa shënojnë emrin e prezencës dhe largohen me preteksin se kanë mbledhje në zonat elektorale. Referuar ditëve “aktive” dhe “pasive” parlamentare rezulton se ditët me prodhimtari më të lartë parlamentare kanë qenë seancat e 10 marsit (14 akte), 14 prillit (13 akte), 9 maj dhe 2 qershor (me nga 11 akte). Në total vetëm në këto ditë janë miratuar 49 akte sa 14 seanca të tjera të marra së bashku, ku mesatarisht janë miratuar nga 23 akte parlamentare. Monitorimi i aktivitetit parlamentar (sidomos prezencës) në komisione, sipas raportit, paraqet vështirësi teknike, pasi një numër deputetësh paraqiten aty vetëm për të shënuar emrin. Natyrisht deputetët kanë alibinë e tyre, – janë në zonën elektorale, janë në takime me qytetarë, janë në mbledhje të tjera partiake, etj. Nga vëzhgimi u konstatua thotë raporti se vetëm një e treta e deputetëve janë aktiv në komisionet parlamentare.
DEPUTETËT MË ME SHUMË FJALIME NË PARLAMENT
Statistikat e nxjerra nga Instituti i Studimeve Politike tregojnë se në listën e deputetëve më me shumë prezencë e fjalime dukshëm dominon ish kryeministri Sali Berisha, me 18 diskutime në 27 seanca parlamentare. Në 8 seanca Berisha nuk ka qenë prezent, kurse në një seancë, atë të 21 korrikut mbi ndryshimet kushtetuese dhe reformën në drejtësi, ai ka qenë prezent por nuk ka folur. Referuar statistikave në të paktën 10 raste Berisha ka rimarrë fjalën më shumë se një herë, duke dominuar minutazhin e debatit politik parlamentar dhe duke lënë në hije drejtuesin e grupit të tij parlamentar. Në vendin e dytë pas Berishës, janë dy figura të PS, por kritike ndaj njeri tjetrit, Taulant Balla dhe Ben Blushi me nga 15 diskutime në 27 seanca parlamentare. Balla zakonisht figuron folës gjithnjë pas Berishës ose Topallit, dhe rrallë ai e kërkon fjalën për diskutim pavarësisht listës nga opozita. Në replika politike dukshëm Balla shfaqet si përfaqësues politik i grupit parlamentar, pozicion i cili siç duket, i është besuar edhe nga Ruci. Blushi është folës i rregullt i pranverës dhe verës parlamentare, sidomos pas qëndrimeve të tij kritike ndaj vijës zyrtare politike në PS e qeveri të kryeministrit & kryetarit të PS.
34 DEPUTETËT “MEMECË” NË PARLAMENT PËRGJATË 2016
Referuar të dhënave zyrtare nga Kuvendi i Shqipërisë rreth 35 deputetë (1 prej tyre me mandat edhe ministror) nuk folën në asnjë nga 27 seancat parlamentare të periudhës janar – korrik 2016. Referuar të dhënave sipas partive politike, nga PS rezultojnë folës 47 deputetë, jo folës 19 deputetë. Nga PD rezultojnë folës 38 deputetë, jo folës 7 deputetë. Nga LSI figurojnë folës 13 deputetë dhe jo folës 7 deputetë. Shifra në raporte 1:2 gjenden edhe tek partitë e vogla parlamentare. Nga deputetët që nuk folën në asnjë seancë, bien në sy dy kategori: një grup politikanësh me karrierë të gjatë parlamentare dhe politike majtas e djathtas, si dhe një grup biznesmenësh lokalë, prurje të reja në zgjedhjet 2013 nga listat shumëemërore të partive.
Në kategorinë e parë evidentohen emra si B.Fino apo N.Dokle (PS), A.Imami apo G.Bogdani (PD), M.Kryemadhi apo V.Tavo (LSI), etj. Në pjesën tjetër të listës bien në dy emra të njohur për publikun, si biznesmenët Abazi, Kosta, Doshi, Cara e Ylli (PS), Selami, Çela apo Shehu (LSI), Tahiri, Kruja apo Bzheta (PD), Rakipi (PDIU) apo Duka (PAA), etj.
GRATË 4 HERË MË SHUMË FJALIME SESA BURRAT NË PARLAMENT
Të dhënat krahasuese flasin se gratë deputete janë në përqindje shumë më aktive sesa burrat deputetë.
Konkretisht, bazuar në të dhënat në përqindje, rezulton se 90% e grave deputete kanë diskutuar në parlament, vetëm 10% e tyre nuk kanë diskutuar (3 nga 30). Në total, të dhënat zyrtare tregojnë se 30 gra dhe 77 deputetë meshkuj kanë diskutuar në parlament përgjatë sesionit legjislativ janarkorrik 2016. Në listën e 17 grave më me shumë fjalime në parlament, dominuese janë gratë opozitare (zënë përkatësisht vendet 234), ndjekur nga Doda (PDIU) me 9 fjalime, Mehmetaj (LSI) me 8 fjalime. Nga gratë deputete të opozitës rezulton se të gjitha kanë diskutuar, madje disa prej tyre figurojnë në listën e diskutuesve më me shumë fjalime në parlament. Kryeson listën e deputeteve të opozitës Topalli (14 fjalime), Vokshi e Hajdarmataj (10 fjalime), ndjekur nga Halimi (7 fjalime), Elmazi e Tabaku (5 fjalime). Nga lista e grave deputete të PS rezultojnë dy deputete pa asnjë fjalim parlamentar (Arapi dhe Shkreli), kurse në krye të listës me më shumë fjalime nga gratë socialiste figurojnë Leskaj (20 ndërhyrje), ndjekur nga Gjylameti e Dhima (8 fjalime), Hysi e Kushi (7 fjalime), Hafizi, Spahiu e Agalliu (6 fjalime), etj.