Nga Dr. Albano ZHAPAJ
Nën sloganin “punë ka por mungojnë profesionistë” arsimi profesional nga një sistem edukimi dhe arsimimi njerëzor e profesional, është shëndërruar në një sistem “trajnimesh profesionale” dhe po tentohet të na shitet si e vetmja rrugëdalje ekonomike dhe shpëtimtar i së ardhmes së të rinjve shqiptarë. Reklamat qeveritare na thonë se aty formohen zanatçinjtë e ardhshëm dhe realizohet përfitimi i “aftësive të zanatit” gjithnjë e më specifike, por me sa duket ato zanate apo aftësi tejkalojnë, apo s`kanë lidhje, edhe me kërkesat e tregut të punës.
Është e qartë se duhen shtyrë nxënësit që të regjistrohen sa më shumë në shkollat profesionale, e më tej të dalin nga arsimi i mesëm profesional, me një diplome “profesionale” të shpenzueshme menjëherë në tregun e punës, dhe se ky i fundit mezi po i pret.
Kjo me sa duket është dëshira e qeverisë, që shndërrohen më tej nga ana e menaxherëve të ekzekutivit të arsimit profesional, në reklama propagandistike, për t`u mbushur mendjen të rinjve që të ndjekin shkollën profesionale, në mënyrë që të kapin një zanat, shpejt e shpejt, që të kenë ca lekë në xhep, që të ushqehen, duke filluar nga zanati i saldatorit e duke përfunduar deri tek ai i kamerierit.
Këtu sigurisht që ka diçka që nuk shkon, dhe nuk ma do mendja të jem i vetmi që më shqetësojnë disa pyetje: A mendon ndokush, me të vërtetë, në këtë qeveri, se kjo është rruga e duhur e krijimit të së ardhmes së një të riu apo të reje? A jemi të sigurt se modeli i të dorëzuarit të të rinjve në zanate kaq teknike, sa ç`është saldatori dhe kamerieri, është modeli i vetëm i sigurimit të së ardhmes ekonomike të një njeriu?
Më duhet të kujtoj një aforizëm të Gëtes, i cili thoshte se “Disiplinat (dmth zanatet) dallohen vetiu në dy mënyra; ose me shtrirjen/përhapjen e tyre, ose thellësinë e madhe në të cilën zbresin. Pra, e thënë ndryshe, zanati përhapet vetiu kur e kërkon konteksti, dhe zhvillohet në brendësi, kur shoqëria kërkon zhvillim. Kë nga këto të dyja po kërkon të promovojë qeveria? Shtrirjen në masë të zanateve, që për hir të së vërtetës nuk dihet se cila industri i kërkon, apo specializimin e thellë në një profil të caktuar, që edhe kjo përsëri për hir të së vërtetës nuk dihet se cila industri i kërkon.
Kërkohen njerëz të formuar dhe profesionistë, apo kërkohen zanatçinj? Besoj se dikush duhet të marrë guximin dhe ti thotë qeverisë se nuk është e njëjta gjë të jesh një “njeri i formuar dhe profesionist”, dhe të jesh një “zantçi i aftë”. Po për kërkesat që kanë fermerët e veriut për zanatin e çobanit, apo për kërkesat e “fermerëve” të jugut që kultivojnë hashash, çdo bëjë qeveria, a do të hapë profile të reja në arsimin profesional?
Tabloja që po shfaqet në propagandën qeveritare të arsimit profesional është ajo e edukimit të “aftësive të zanatit” dhe jo ajo e “njohurive profesionale dhe të jetës”, dhe kjo gjë është shoqërisht e dëmshme. Edhe vetë shkëputja e arsimit profesional nga habitati i vet natyral dhe delegimi tek Ministria e Punës, është politikisht dhe edukativisht, sa e gabuar, aq edhe e rrezikshme.
Orientimi me detyrim që një ri apo e re, sot në epokën post moderne, të limitohet të mësojë vetëm se si të saldojë, sepse “punë ka por s`ka profesionistë”, është jo vetëm qesharake por aq tragjike sa do kthente përmbys në varr edhe Dante Aligerin, i cili tek “Komedia Hyjnore” kur u drejtohej të rinjve, i inkurajonte me fjalët “Nuk jeni bërë për të jetuar si të shëmtuar, por të ndiqni virtytin dhe dijen (njohuritë).
Pra o miq, dikush i palexuar në qeveri, po tenton me ide perverse që fjalën “njohuri” ta zëvendësojë me fjalën “zanatçi”, duke i shpënë të rinjtë masivisht në zanate të epokës feudaleskë, dhe duke harruar se shoqëria jonë ka nevojë fillimisht për njerëz me një vështrim dhe formim të përgjithshëm, duke filluar nga deputeti i parlamentit dhe duke përfunduar tek ai bariu në skajin më të largët të vendit.
“Zanatçi” do të thotë një njeri që ka aftësi në një proces pune të caktuar, ndërsa “Njeri me njohuri” do të thotë të kesh aftësinë për të ndryshuar vazhdimisht, edhe atëherë kur proceset apo teknologjia të detyron. Si do tja bëjë saldatori apo kamarieri kur koha të mos ketë më nevojë për ta? Kur u shpik kompjuteri automatikisht u zhduk edhe profesioni i daktilografistit, dhe të gjithë ne e dimë se çdo njeri me formim të përgjithshëm është i aftë të bëjë atë që bënte “zanatçiu daktilografist”.
Modeli i arsimit profesional që ofron qeveria rilindase sot, ka dështuar qysh në nisje, pasi është i ngjashëm me modelin e filmit “Modern Times” (Kohët Moderne), ku Charlie Chaplin luan rolin e atij punëtorit të “specializuar” në një gjest të vetëm: rrotullimin e çelësit anglez përreth bollonave të zinxhirit të montimit.
I madhi Chaplin mes humorit na përcjell tragjedinë e jetës së individit kur ky i fundit reduktohet në vetëm “zanatçi”, dhe nuk i duhet as të dijë, as të zbulojë e as të reflektojë mbi punën që bën, shoqërinë apo jetën, pasi zanati i jep atij një rrogë “shpejt e shpejt”, “para në xhep” gjithmonë, dhe të tjerat s`kanë asnjë vlerë. Në këtë këndvështrim modeli i arsimit profesional rilindas jo vetëm ka falimentuar, por po rrënon edhe atë pak të mirë që shkolla jona profesionale e ka pasur vetiu.
Kemi mundësinë, falë rrjeteve sociale, të shikojmë njerëz, që njohim apo nuk njohim, të cilët punojnë në arsimin profesional, mësues apo drejtorë, të cilët publikojnë në profilet e tyre “facebook”, apo edhe profile shkollash, foto nga aktivitetet dhe puna në shkollat tona profesionale, ku po t`i vëresh pak me kujdes, më tepër se aktivitete edukimi profesional, duken si trajnime.
Kush punon në sistemin e arsimit profesional, e di shumë mirë se qeveria rilindase e ka shndërruar mësuesin në një mbushës formularësh, ditarësh, hartues planesh pune, apo gjithfarë raportimesh si për dikasterin epror, ashtu edhe në zyrën e partisë shtet (bile edhe vlerësimi i mësuesit bëhet mbi këto kritereve), aq sa mësuesi vetëm mësim që s`ka kohë të bëjë. E lere pastaj të mendojë se si të përditësojë njohuritë, të njohë të rejat shkencore të fushës së vet, të marrë pjesë në trajnime, seminare apo konferenca.
Një mësues duhet të gjykohet nga rezultatet e punës së tij, nga mënyra se si e bën mësimin për nxënësit. Kush e mat apo vlerëson mësuesin e arsimit profesional nga sasia apo cilësia e orëve që bën leksione. Kush e verifikon nëse bëhen më shumë leksione teorike apo vetëm orë praktike. E më tej: kush ka një statistikë të punësimit nëpër zanatet përkatëse të nxënësve me arsim profesional. Me sa duket dikasteri i punës, që është përgjegjës për arsimin profesional, nuk bën as njërën dhe as tjetrën.
Sa më shumë të zgjasë propaganda dhe modeli aktual i arsimit profesional, aq më shumë do rrënohet shkolla profesionale, e cila nga modeli i një “Shkollë Profesionale” që ka qenë nën tutelën dhe kujdesin e Ministrisë së Arsimit është shndërruar në modelin e një “Trajnimi Profesional” nën varësinë e Ministrisë së Punës. Kjo e fundit njihet tashmë nga të gjithë si dikaster ka në menaxhim gjithë papunësinë e vendit, dhe për të qenë të sinqertë e menaxhon dhe e shton më së miri objektin e punës së vet, papunësinë.
Qeveria dhe këshilltarët pranë saj për arsimin profesional do ishte mirë të kuptonin se arsimi profesional duhet të synojë dhe realizojë krijimin e një modeli të suksesshëm të ngjashëm me shkolla evropiano perëndimore, çka do të thotë me kurrikula formuese sipas standardeve evropiane, me pajisje, me punishte, e me laboratorë sipas standardeve evropiane, me tekste të nxënësit të përkthyera ose të përshtatura nga tekstet e vendeve të spikatura për suksesin e shkollave profesionale në tregun evropian dhe atë global të punës.
“Të formosh njeriun përpara se të formosh zanatin” ky është modeli i vetëm dhe realiteti i ndërtimit të një shoqërie më të begatë, pra ndërtimi i së ardhmes mbi punën e përgjegjshme të së tashmes, dhe duke përdorur përbërësit më pozitivë që vijnë nga e kaluara. Nëse e injorojmë këtë gjë, ta dimë se jemi jo vetëm profesionalisht, por edhe kulturalisht të vdekur.
(Boldnews)