Të gjithë ata që kanë shpresuar se Ilir Meta do të rrëzonte një qeveri ku mbante 4 poste ministrash dhe 25% të administratës janë zhgënjyer edhe njëherë.
Këtë shije të hidhur në gojë e kanë mbajtur socialistët kur qenë në opozitë dhe tani po e provojnë demokratët.
Pasi ka nxitur fantazitë për qeveri teknike, pasi ka thurur ëndra për një federatë të majtë, herë duke u afruar me Kokëdhimën, herë duke pompuar Meidanin dhe herë duke i çuar mesazhe Blushit, Ilir Meta ka deklaruar më në fund se koalicioni me Ramën nuk diskutohet që do të vazhdonte.
Në fakt këtë deklaratë të Metës e prisnin të gjithë. Përpara se dy drejtuesit e koalicionit të majtë të konsumonin drekën që polli deklaratën e vazhdimsisë qarkullonin zëra se Rama e kishte detyruar Metën të dilte publikisht në mbrojtje të koalicionit. Në faqen e tij “Opinion.al” Blendi Fevziu shkruante: “Burime në PS thonë se gjatë takimit të fundit në Durrës, Rama i ka dhënë një ultimatum Metës që ky të deklarohet për koalicionin që tani. Nuk dihet se sa e vërtetë është kjo, por me gjasë, Meta do detyrohet të mbajë një qëndrim shpejt”.
Ky parashikim rrezultoi i vërtetë. Meta u detyrua të ta pohojë me gojën e tij atë që nuk do kish dashur kurrë ta thoshte.
Por në fakt ai ishte i detyruar nga rrethanat.
Si gjithnjë kryeministri ka në dorë gurin dhe arrën. Ai ka në dorë të rekrutojë, të blejë, të joshë deputetët pazarxhij dhe arriti ti bëjë 71 vota edhe pa LSI-në. Pasi arriti këtë ai e thirri metën në takimin e famshëm të 1 gushtit në Durrës: “Ose dil publikisht pro koalicionit, ose ik që tani” thuhet se i ka thënë Rama vëllait të tij armik (lexo shkrimin poshtë).
Ilir Meta e dinte çdo të thoshte ky kërcënim. Ai qe i barabartë me një vit pa pushtet, me shkakrimin e të gjithë njerzve të LSI-së nga funksionet shtetërore, si pasojë me shkurtimin e fondeve që nga arkat e shtetit do të rridhnin në fushatën e ardhshme elektorale dhe së fundi, por mbi të gjitha, me rrënimin e një bestydnie që mban gjallë në këmbë ngrehinën e LSI-së për zgjedhje: “Çfarë do që të ndodhë ne prapë jemi në pushtet”.
Duke bërë këtë llogari Ilir Meta pranoi të tërhiqet. Për njerëziit pranë LSI-së, kjo nuk qe një tërheqje. Të gjithë atë që ndodhi me reformën në drejtësi dhe me flirtimin e gjatë të Metës me berishën ata duan ta paraqesin sot jo si një përpjekje kundër Ramës, por si një manovër për stabilitetin e vendit. Madje, që i shërbente edhe vetë Ramës. Gazeta Koha Jonë, e Nikollë Lesit, e njohur për qëndrimet e saj shumë pranë LSI-së, sqaronte në një koment të saj se pse i bëri Meta lëvizjet para 21 korrikut: “Këmbëngulja e LSI për konsensus me opozitën lidhej vetëm Kushtetutën dhe ishte një qëndrim politik nga i cili përfitoi mëse shumti vetë Partia Socialiste. Në fakt me atë që bëri Ilir Meta duke siguruar 140 deputetë në votimin e Kushtetutës po sjell edhe hapjen e negociatave me BE. Nëse më 21 korrik nuk do të kishte konsensus, PS-ja sot nuk do fliste për hapjen negociatash me BE-në, por do të duhej ti bënte llogaritë me opozitën në rrugë dhe jo në Parlament ».
A ishte ky qëllimi real i Ilir Metës ?
Vështirë të besohet.
Ndërsa një tjetër analist pranë së majtës ka një tjetër version. Ai e shpjegon afrimin Rama Meta me efektet që do të ketë miratimi i reformës në drejtësi. Në shkrimin e tij tek Java.al Skënder Minxhozi shkruan: “Ilir Meta e di mirë se në një ambjent të dominuar këtej e tutje gjithnjë e më shumë nga ndërkombëtarët (SPAK dhe faktorë të tjerë në mes), qëndrimi në një varkë me ata që u përpoqën ta pengojnë rregullisht procesin, nuk është një gjë politikisht dhe taktikisht e mençur. Në këtë mënyrë, mund të rezultojë se sherri për reformën, mund t’i ketë dhënë një herë e mirë një rrugë të caktuar edhe aleancave të ardhshme elektorale”.
Por pvarësisht nga këto opsione të mundshme, ajo që besohet më shumë është fakti se Meta u tërhoq pasi nuk bëri dot votat. Rama u tregua më “i zoti” në blerjen e shumicës parlamentare. Dhe pas kësaj Meta nuk kish çtë bënte tjetër veçse të zbythej. Ai dinte më mirë se kushdo se kalimi në opozitë do të qe shkatërrues për partinë klienteliste që mban në këmbë.
Prandaj ai i dha Ramës atë që kërkonte. Duke pritur nga njeriu që e ka goditur gjithnjë pas shpine se këtë herë do ta mbante fjalën për të çuar drejt presidencës. Ose se së paku se nuk do ta vazhdonte investimin për ta eleminuar politikisht përmes SPAK-ut. (Lapsi.al)