Futbollisti gjerman, Bastian Schweinsteiger, ka vendosur të bashkohet me grupin e yjeve të Premier League, si Mario Balotelli dhe Samir Nasri, që paguhen duke mos luajtur. Schweinsteiger është i fundit yll i Premier League, që bëhet ekuivalenti i futbollit me një fitues të Lotarisë Kombëtare. Gjermani ka vendosur për t’i kaluar dy vitet e ardhshme duke fituar miliona, edhe pse nuk bën më pjesë në planet e Jose Mourinho, në “Old Trafford”. 32-vjeçari mund ta ketë tërhequr këmbën zvarrë në Manchester, te skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola, edhe për Joe Hart, Samir Nasri dhe Yaya Toure, yje të shumëpaguar.
Kjo tregon se tani është bota e futbollistëve vështirë për t’u shitur (unsellable). Winston Bogarde ishte pionieri i parë në këtë drejtim, që fitoi para të gatshme, duke mos bërë asgjë te Chelsea. Historia e këtij mbrojtësi holandez, i cili u transferua në “Stamford Bridge” si transferim i lirë në vitin 2000, është legjendare për një arsye të veçantë. Ai e shijoi më së miri kontratën e tij financiare, edhe pse u pa fare pak në fushë për klubin londinez. Bogarde luajti vetëm 11 herë për Chelsea gjatë marrëveshjes katërvjeçare, me vlerë 40.000 £ në javë. Gjatë sezonit të tij të fundit me blutë, ish-trajneri Claudio Ranieri e kishte dëbuar për t’u trajnuar me ekipin e të rinjve.
Louis van Gaal ishte “mentori” i Bogarde si tek Ajax, edhe te Barcelona. Rastësisht, ishte po trajneri holandez, i cili nënshkroi me Schweinsteiger për Manchester United. Tani, Jose Mourinho ka marrë përgjegjësinë e drejtimit në “Old Trafford” dhe Schweinsteiger po përballet me perspektivën e fitimit të 190.000 £ në javë deri në vitin 2018, pa dhënë asnjë kontribut për “djajtë e kuq”. Të paktën tani e tutje, mesfushori do të ketë edhe më shumë kohë për të shkuar e parë gruan e tij, Ana Ivanovic, duke luajtur tenis. Manchester United kërkon të marrë vetëm 2 milionë £ për gjermanin, por problemi për klubet e ardhshme është paga monumentale e lojtarit.
Hart përballet me një situatë të ngjashme te Manchester City, pasi nuk preferohet nga Pep Guardiola. Natyrisht, ka klube që e ndjekin me interes situatën e 29-vjeçarit, i cili mund ta kalojë sezonin si portieri i tretë i Manchester City, por duke marrë 150,000 £ në javë. Samir Nasri, 29-vjeç, po ashtu, fiton 120 000 £ në javë te Manchester City. Francezi ka mbetur fare jashtë skuadrës në “play-off”-in e Ligës së Kampioneve, sepse Guardiola e konsideron mbipeshë. Yaya Toure është 33 vjeç dhe merr 220.000 £ në javë. Edhe ai përballet me një të ardhme të pasigurtë në “Etihad”. Chelsea pagoi 26 milionë £ për Juan Cuadrado 18 muaj më parë, por kolumbiani, 28 vjeç, ende nuk ka shënuar për klubin londinez dhe tani është duke shpresuar për një tjetër huazim te Juventus.
Gjigandët e Seria A nuk do të paguajnë për një marrëveshje të përhershme, edhe pse i kërkojnë shërbimet e tij. Mario Balotelli, 26-vjeç, është një tjetër që ju mund t’ia shtoni kësaj liste. Ai fiton 110 000 £ në javë te Liverpool, por, sikurse u tha edhe nga trajneri Jurgen Klopp, nuk ka të ardhme në “Anfield”. Madje, ka qenë i refuzuar edhe nga skuadra modeste të Seria A, si Sassuolo. Përsëri, zgjidhje për të do të jetë vetëm ndonjë marrëveshje huazimi. Askush nuk dëshiron të paguajë të holla për Balotellin. Lazar Markovic, 22 vjeç, i kushtoi Liverpool 20 milionë £, teksa e mori nga Benfica në vitin 2014. Ai nuk është në planet e Klopp, ndaj klubi po lufton që ta shesë. Në këtë mes nuk mund të fajësohen lojtarët pse duan të fitojnë sa më shumë të jetë e mundur, edhe pa luajtur.
Siç Bogarde tha një here: “Pse duhet t’i çoj 15 milionë € dëm, kur ato tashmë janë të miat?” Por, në shumë aspekte, klubet në Angli nuk e ndihmojnë veten e tyre në këtë mënyrë, me shpenzimet e pamatura. Për rekord është Tomas Rosicky, i cili është dëmtuar, por paguhet shtrenjtë nga Arsenali. Ai ka pasur një total prej 41 lëndimesh në dekadën e kaluar te “topçinjtë”, me të cilët ka luajtur vetëm 107 ndeshje në Premier League. Verën e kaluar, Arsene Wenger zbatoi klauzolën për një zgjatje 12-mujore të marrëveshjes me çekun, edhe pse mesfushori dëshironte të largohej. Ai ka luajtur vetëm 19 minuta, me një kosto prej 70 000 £ në javë. Arsenali është edhe klubi që ka shpenzuar 5.5 milionë £ nga llogaritë e veta për të mbuluar pagat e koreano-jugorit Park Chu-Young. Ai kaloi tre vjet në këtë klub, deri në vitin 2014, kur bëri një paraqitje në Premier League, duke luajtur gjashtë minuta kundër Manchester United, në një humbje 2-1, në shtëpi.
Radamel Falcao, 30 vjeç, ishte paguar 290.000 £ në javë nga Manchester United dhe 140.000 £ në javë nga Chelsea gjatë huazimit 1-vjeçar nga Monako. Lista vazhdon dhe asgjë duket se nuk do të ndryshojë në futbollin anglez. Yjet e futbollit do të vazhdojë të marrin para pa fund, edhe nëse nuk do të shkelmojnë një top. Kjo është një punë vërtet e mirë, në qoftë se mund ta siguroni atë…