Vdekja konsiderohet si një biznes i mirëfilltë, teksa shqiptarët i perceptojnë funeralet ende tradicionale. Me kalimin e viteve, numri i bizneseve të shërbimeve funerale është rritur, konkurrenca mes të cilëve është bërë më e fortë. Është shumë e vështirë të konsiderosh koston e një funerali veçanërisht kur ke të bësh me një njeri të dashur/familjar. Fatura arrin shifrën e 100 mijë lekëve mesatarisht në Rrethin e Tiranës…
Nga Deada Hyka
Të flasësh për aktivitetin e një biznesi që merret me ngjarjen më pikëlluese që njeriu has në jetë, nuk është e lehtë. Aktorët e tregut me vite përvojë tregojnë se kanë hasur vështirësi nga konkurrenca e pandershme dhe e palicencuar, e cila i ka ndikuar në uljen e fitimeve. Ata ankohen edhe për humbjen e humanizmit të bizneseve në këtë sektor, për rritjen e taksave vendore për ata brenda Tiranës dhe në lidhje me disporporcionin që duhet të monitorohet nga shteti të raportit banor/agjenci funerale. Por, ajo që nuk ka ndryshuar dhe që vijon të jetë e kripur është fatura që familjari merr përpos dhimbjes që përjeton…
Konkurrenca për “klientë”
Në vendin tonë, dhjetëra agjenci funerale ofrojnë shërbimet përkatësekur dikush ndahet nga jeta, të cilat duhet të jenë të licencuara nga shteti, në bazë të ligjit nr. 9220/2004, të ndryshuar. Vetëm në Tiranë, numri i tyre shkon mbi 25.
Sipas ligjit, kushtet për ushtrimin e aktivitetit të tyre janë: kapaciteti teknik dhe burimet njerëzore, si garanci e vazhdimësisë dhe përshtatshmërisë të shërbimit; garancia e sipërmarrjes; respektimi i rregullave të sigurisë dhe të shëndetit të punëmarrësve, respektimi i legjislacionit në lidhje me realizimin e shërbimeve etj.
Bizneset e kontaktuara nga “Monitor” në Rrethin e Tiranës pohojnë se konkurrenca është mjaft ashpër, madje ka syresh që akuzojnë për pandershmëri në këtë fushë, duke shtuar se humbasin pjesën humane të këtij lloj biznesi dhe duke qëndruar në dyert e spitaleve.
Nga ana tjetër, drejtuesit e agjencive funerale këshillojnë familjarët që të jenë të kujdesshëm dhe përpara se të zgjedhin një agjenci, t’u kërkojnë atyre një preventiv dhe të krahasojnë shërbimet, për të gjetur më të mirin dhe cilësorin, me një çmim të mirë. Agjencitë me përvojë më të gjatë në treg iu referohen konkurrentëve të rinj si “kërpudhat pas shiut”, ndërsa atyre që qëndrojnë në spitale si “çakejtë e vdekjes”.
I kontaktuar nga “Monitor”, drejtuesi i agjencisë “Paqe” në kryeqytet, me përvojë 13-vjeçare, tregon se konkurrenca e pandershme ka ulur disi aktivitetin e biznesit të tij, duke qenë se ekzistojnë shumë të tilla që qëndrojnë dyerve të spitaleve pa licencë dhe pa të drejtë ushtrimi aktiviteti.
“Jemi në një ekonomi tregu, bizneset e shërbimeve funerale janë rritur shumë. Por, e keqja në këtë mes është se një pjesë e madhe funksionojnë pa licenca, qëndrojnë dyerve të spitaleve në pritje të ‘presë’ së ardhshme, duke humbur pjesën humane. Ata bashkëpunojnë me individë në spitale që i lajmërojnë dhe kjo dëmton shumë bizneset e ndershme”,- tregon z. Luan Veriu.
Një problematikë tjetër që z. Veriu konstaton është se konkurrenca e bizneseve të palicencuara i ka detyruar që të ulin çmimet, duke qenë se ata operojnë në treg pa kosto shtesë si taksat, pagesa e punonjësve etj.
Drejtuesi i agjencisë “Paqe” thotë në vijim se, duke qenë biznese të mirëfillta, taksat e rritura vendore janë një tjetër problematikë që i ka “rënduar”. “Ne na janë dyfishuar taksat, si rrjedhojë na janë shtuar kostot, përveç konkurrencës. Dikur ka qenë biznes më fitimprurës, megjithatë po përpiqemi të mbahemi në treg, duke qenë se funksionojmë me klientë dhe me rekomandime”,- përfundon z. Veriu.
Agjenci të tjera me shumë vite përvojë në tregun e kryeqytetit si “Etba” dhe “Funeral Silver” pohojnë çështjen e konkurrencës së pandershme, si një “flluskë” që duhet të plasë në një moment apo në një tjetër. Ata tregojnë se ndër vite, agjencitë mundohen që nëpërmjet profesionalizmit dhe shërbimeve të standardeve të konsoliduara, t’i japin ndihmesën e parë familjes, me humanizëm, duke qenë se kanë të bëjnë me raste pikëllimi. Drejtuesit e “Etba” dhe “Silver” tregojnë se ndër vite, çmimet e shërbimeve kanë ardhur në ulje por që në këtë sektor, çuditërisht, ekzistojnë edhe një segment “luksi”, si: kurora më të shtrenjta, arkivol më i shtrenjtë etj. Vitet e fundit, sipas tyre, përgjithësisht, familjarët kanë zgjedhur çmime mesatare.
Mirndrit Kërtalli nga agjencia “Çim Kërtalli” që funksionon në qytetin e Shijakut dhe Durrësit, tregon se ecuria e biznesit të tij ka rënë në dy vitet e fundit. Shkakun kryesor z. Kërtalli ia atribuon konkurrencës.
“Dy vitet e fundit janë hapur shumë agjenci funerale, më tepër se sa duhet të ketë në një sipërfaqe të caktuar banorësh. Kemi rënie aktiviteti më tepër nga ato biznese, që as mund të quhen të tilla, pasi funksionojnë pa licencë, pa dokumentacione për makinën e funeralit, nuk paguajnë taksa etj. Kjo nuk është e drejtë për biznese të rregullta si ne dhe shteti duhet t’i monitorojë dhe t’i investigojë këto”, – thotë z. Kërtalli.
Ai shton se humanizmi ka humbur dhe se individët e palicencuar janë shndërruar në sekserë të mirëfilltë dyerve të spitaleve. “Kemi dëgjuar raste plot që në fshatrat e Shijakut dhe të Durrësit, sapo marrin vesh që dikush është sëmurë rëndë, dërgojnë gruan me komposto te shtëpia që të marrin vesh rastin. Kjo është humbje totale e humanizmit. Përveç kësaj, njerëzit duhet të ndërgjegjësohen pasi shërbimet e marra nga to nuk janë në standardin e duhur”- vijon z. Kërtalli. Sa u përket çmimeve, ai tregon se konkurrenca i ka detyruar që t’i ulin disi, por disa shërbime mbeten standarde në shifra të viteve të mëparshme.
Çfarë përfshijnë shërbimet funerale?
“Njeriu vjen në jetë nëpërmjet gëzimit dhe ndahet prej saj me hidhërim. Ju mund t’i gjendeni pranë dhe t’i dhuroni dashuri edhe kur ai të prehet në paqe”. Ky është slogani i një agjencie funerale në kryeqytet, që në përpjekje për të thithur klientë, prek ndjenjat e familjarëve, të cilët, mes dhimbjes, do të përballen me një faturë jo të vogël për shërbimet e tyre. Nuk është e rastësishme që edhe zgjedhja e agjencive funerale në Shqipëri bëhet mes të njohurish, përvojave të të afërmve dhe rekomandimeve.
Në momentin që dikush ndërron jetë në shtëpi, familjarët duhet të lajmërojnë mjekun e familjes, i cili nxjerr certifikatën e vdekjes, ndërsa në spitale, institucioni shëndetësor merret me këtë procedurë. Më pas kontraktohet agjencia funerale, e cila merret me të gjitha procedurat e nevojshme, të cilat nuk janë të pakta. Duke nisur nga kërkesa në Bashki për leje varrimi, pagesa për tarifën e vendit në varreza, e duke vijuar më pas me të gjitha shërbimet e kësaj agjencie, një faturë e cila kushton jo pak.
Duke nisur me lajmërimin dhe fotografinë, që kushton 2500 lekë; kostumi mesatarisht 3000 lekë; kuverta 2000-3000 lekë, çarçafët 2000 lekë; kurora me lule nga 1500-5000 lekë/një kurorë; autofunerali dhe transporti i kufomës që vlerësohet me shuma të ndryshme brenda në Tiranë dhe jashtë saj, brenda në Tiranë mesatarisht 6000 lekë. Arkivoli ka koston më të lartë, nga 30 000 – 200 000 lekë, në varësi të përzgjedhjes së familjarëve. Pajisja me frigorifer për kufomën 5000 lekë mesatarisht; hapja e varrit 3000-5000 lekë; bordurë betoni rreth 8000 lekë, duke mos lënë pas edhe tarifa e vendit në varreza, pagesë kjo si taksë vendore, e cila është 25 mijë lekë në Qarkun e Tiranës. Në raste kur familjarët janë besimtarë, ekziston edhe një pagesë për klerikun, që varion rreth 5000 lekë (për ritin).
Një ndër kostot që konsiderohet e lartë është edhe dreka e varrimit (nuk mbulohet nga agjencitë funerale, kryesisht nga vetë individët) që ndryshon sipas vendndodhjes së lokalit apo edhe menysë, që kryesisht varion nga 600-3000 lekë personi.
Varrezat private
Sipas të dhënave të Shërbimit Publik të Varrimit, për t’u pajisur me një leje varrimi në Qarkun e Tiranës të nevojitet 1-14 ditë. Ndërsa, për të marrë në zotërim një vend në varrezat publike për kufomën, ekziston një pagesë që vlerësohet të jetë 25 mijë lekë.
E re për vendin tonë ishte vendimi i vitit të shkuar të qeverisë për licencimin e një kompanie private për ngritjen e varrezave të para private në vend. Rreth 900 mijë m² tokë (881 375 m²) shtetërore, nën administrimin e Ministrisë së Zhvillimit Urban, i jepet kompanisë private VeboInvest.
Ky vendim është marrë, sipas qeverisë, në kulmin e problemeve që përballen sidomos kryeqyteti dhe qytetet e tjera të mëdha, lidhur me mbipopullimin dhe problematikës së çështjes së banesës së fundit.
Vendi është në njësinë administrative të Paskuqanit në dalje të Tiranës. Sipas vendimit të qeverisë, kompania private jo vetëm licencohet si varrezë private, por merr edhe tokën në administrim, për të ngritur këtë varrezë.
Rritet numri i vdekjeve në 2015
Gjatë vitit 2015, numri i vdekjeve ishte 22,4 mijë, raporton INSTAT në një publikim të fundit. Kjo rritje është afërsisht 8% krahasuar me një vit më parë dhe mendohet se vjen kryesisht nga një raportim më i mirë i vdekjeve nga gjendja civile.
Vdekjet sipas grupmoshave tregojnë se në të gjitha grupmoshat meshkujt kanë një përqindje më të lartë të vdekjeve, duke përjashtuar grupmoshën e fundit mbi 80 vjeç. Kjo ndodh pasi jetëgjatësia e meshkujve është më e ulët se ajo e femrave. Në vendin tonë, për vitin 2015, meshkujt jetojnë mesatarisht 4 vite më pak se femrat.