Shërbimi tradicional postar është një nga “viktimat” e teknologjisë, me informacionin që tashmë fluturon në mënyrë dixhitale dhe njerëzit që e përdorin gjithnjë e më pak letrën.Dhe kompanitë postare duhet të përshtaten, nëse duan të mbijetojnë në një treg që edhe më parë nuk ka qenë shumë i madh, teksa Shqipëria renditet ndër vendet me raportin më të ulët të shërbimit postar në krahasim me rajonin, por edhe me Europën. Rreth 7 objekte për banorë, në një kohë kur mesatarja shkon nga 50 në 250 objekte/banorë, sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Të ulëta konsiderohen edhe të ardhurat që realizuan shoqëritë që operojnë në këtë segment tregu rreth 3 miliardë lekë (referuar bilanceve të dorëzuara në QKR për vitin 2014).Ndërsa në vitin 2014 tregu u rrit me 9.5%, me bazë vjetore, sipas AKEP, në 2015-n ai vlëerësohet të ketë ruajtur të njëjtat nivele, apo të ketë shënuar një rënie të lehtë (të dhënat përfundimtare të 2015-s nuk janë publike ende).
Tregu mbetet i konsoliduar dhe operatorët po ia dalin të përshtaten e të mbajnë ritme rritjeje, ndonëse në nivele të ulëta, ndërsa po detyrohen të përmirësojnë eficiencën, teksa dhe klientët e tyre, të goditur nga kriza, po kërkojnë të kursejnë ku të mundin.
Zhvillimi i teknologjisë ka sjellë në tregun postar dy tendenca, ku nga njëra anë interneti ka ulur kërkesën për shërbime postare të kategorisë letra, ndërsa nga ana tjetër ka rritur ndjeshëm dërgesat për pakot e vogla hyrëse/dalëse ndërkombëtare.
“Futja e shërbimeve elektronike ka ndikuar në rënien e numrit të objekteve postare, si letra kartolina jo vetëm për Postën Shqiptare, por në përgjithësi, ky është një trend dhe problematikë globale për të gjithë operatorët postarë”, thotë Majlind Lazimi, drejtor i Postës Shqiptare. Ai shton se kjo duhet të kompensohet duke përqafuar inovacionet teknologjike, për të kompensuar dhe për të diversifikuar portofolin.
Drejtuesit e kompanive kryesore argumentojnë se tregu postar ka reflektuar ecurinë e ekonomisë shqiptare.
“Një frenim në ecurinë pozitive solli kriza ekonomike aktuale globale, ku Shqipëria i ndjeu pasojat e krizës më vonë se vendet e rajonit. Kjo situatë e vështirë u pasqyrua dhe në tregun postar, ku klientët morën masa në uljen e kostove operative, duke reduktuar numrin e dërgesave të tyre apo duke zgjedhur opsione transporti më të ngadalta dhe më të lira”, thotë Dorian Vezuli, administrator i kompanisë United Transport.
Informaliteti ende i lartë, gjithashtu renditet si një faktor që ndikon në ecurinë e kërkesës. “Shqetësimet e operatorëve postarë të ndryshëm vijnë nga ushtrimi i veprimtarisë nga subjekte që nuk janë të licencuara, jashtë kontrollit, që jo vetëm dëmtojnë konkurrencën në ndonjë aspekt, por mund të jenë të rrezikshme. Autoritetet mund ta njohin këtë aspekt, por edhe mund të mos i kuptojnë pasojat”, thotë Qirjako Koçollari, drejtor i përgjithshëm i DHL International (Albania).
Edhe drejtuesi i kompanisë Albanian Courier, Elvin Plumbi, thotë se: “Ecuria e tregut në 2015 ka qenë relativisht e qëndrueshme, megjithëse në tremujorin e fundit të vitit u ndie rënie e kërkesës për shërbimin postar nga klientë tradicionalë dhe rritje e kërkesës për shitjen e mallrave me kundërpagesë”.
Sipas të dhënave të AKEP-it, reduktimi në total i objekteve postare erdhi kryesisht nga ulja e kategorisë letra, ndërsa pakot e vogla hyrëse dhe dalëse ndërkombëtare u rritën ndjeshëm. “Ecuria e ‘paketave të vogla’ hyrëse ndërkombëtare te Posta Shqiptare në periudhën 2010-2014 tregon se: Paketat e vogla hyrëse ndërkombëtare janë rritur me 346-887%, me rritjen më të madhe vjetore në 2014 me 75%; Pesha e paketave të vogla në totalin e objekteve hyrëse ndërkombëtare është rritur nga 12% në 2010 në 51% në 2014”, thuhet në raport.
“Tregtia online ka dhënë efektet e saj edhe në tregun shqiptar. Kjo është një pjesë, e cila sot ndahet ndërmjet shoqërive postare ndërkombëtare, ku Posta Shqiptare, si pjesë e UPU, ka pjesën më të madhe të tregut për shkak edhe të çmimeve të ulëta që ofron”, thotë Foto Zeneli, administrator i kompanisë Adex.
Rritet lehtë pesha e shërbimit privat
Numri total i objekteve postare të pranuara gjatë vitit 2015 nga Posta Shqiptare dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve postare gjatë vitit 2015 ishte rreth 20 milionë, që përbën një reduktim me rreth 6% në krahasim me vitin 2014. Sipas të dhënave të AKEP (bazuar në raportimin në Kuvend) numri i objekteve të pranuara nga Posta Shqiptare gjatë së njëjtës periudhë ra me rreth 7%, ndërsa ky tregues nga ofruesit e tjerë të shërbimeve postare u rrit me 4%.
Posta Shqiptare ruajti pozicionin dominues në tregun e shërbimeve postare, duke zënë rreth 90% të tij kundrejt 10% që zinin ofruesit e tjerë të shërbimeve postare.
Nga krahasimi i numrit të objekteve postare të realizuara në shërbimet ekspres/jouniversale brenda vendit dhe atyre ndërkombëtare në total për Postën Shqiptare dhe operatorët privatë, volumi i objekteve postare të pranuara brenda vendit gjatë vitit 2015 u rrit me rreth 6.1% krahasuar me vitin 2014, ndërsa objektet ekspres/ndërkombëtare u rritën me rreth 24% krahasuar me vitin 2014.
Nga analizat e AKEP rezulton se tarifat e shërbimit universal postar të ofruar nga Posta Shqiptare janë të lira dhe nuk kanë ndryshuar që prej vitit 2002.
Ato janë deri në 13 herë më të lira se në vendet e BE/rajonit. Megjithatë, struktura e tarifave të objekteve postare të Posta Shqiptare ka diferenca të mëdha me ato të vendeve të BE dhe tarifat shumë të ulëta të disa objekteve postare dhe mosrishikimi i tarifave për një periudhë shumë të gjatë kohore krijojnë probleme për stimujt për ofrim efikas të shërbimit universal postar.
Sipas të dhënave zyrtare, Posta Shqiptare ofron shërbim në 552 zyra, e ndjekur nga Albanian Courier, United Transport, Albanian Cargo Service, Albanian Delivery Express, DHL International Albania, etj.
Në 2015–n, Posta Shqiptare llogarit 2,278 të punësuar ose 88% të totalit. Ndërsa mes operatorëve privatë, numrin më të madh të të punësuarve e kishte Rad Mail, me 58 punonjës.
Tregu në total, rreth 3 mld lekë
Në tregun postar ushtrojnë aktivitet dhjetë kompani private, së bashku me Postën Shqiptare.
Në vitin 2014, sipas të dhënave të bilancit të dorëzuar në QKR, xhiroja totale e Postës Shqiptare u rrit me rreth 14% krahasuar me 2013-n, duke arritur në 2 miliardë lekë, ndërsa fitimi u trefishua. Sipas burimeve zyrtare të Postës, shërbimet financiare e bankare përbëjnë pjesën më të madhe të të ardhurave të Postës Shqiptare, me 51%, ndërkohë që 49% të të ardhura vijnë nga shërbimet postare apo shërbime të tjera që kompania ofron në zyrat e saj.
DHL, referuar bilancit të vitit 2014, i mbajti pothuajse të pandryshuara të ardhurat, në rreth 403 milionë lekë. Në po të njëjtën periudhë, fitimi neto i kompanisë shënoi rënie në 14.6 milionë lekë, nga rreth 19 milionë që ishte në vitin 2013. Shkak për këtë, sipas bilancit, ishin rritja e shpenzimeve, veçanërisht për rrjetin e kompanisë.
Më tej, sipas xhiros së realizuar, renditet TNT Express Albania, me rreth 164 milionë lekë, Albanian Courier 150 milionë lekë, UPS me 81 milionë lekë.
Fedex, sipas të dhënave të AKEP, ishte kompania me xhiron më të ulët, me rreth 33.5 milionë lekë.
Tregut postar në korrik të vitit 2014 (sipas regjistrimit në QKR) iu shtua një kompani Albanian Delivery Express (ADEx) e cila llogariti një xhiro në rreth 9 milionë lekë.
Të dhënat e AKEP-it tregojnë se Yaps realizoi gjatë 2015-s volumin më të madh sa u përket shërbimeve postare ekspres brenda vendit, duke zënë në total rreth 48% të tregut.
Sa u përket objekteve postare ekspres ndërkombëtare, DHL realizoi volumin më të madh, me 35 mijë apo rreth 37% të këtij segmenti tregu.
Operatorët: Problemet me të cilat po përballet tregu
Për operatorët, shërbimi i postës në Shqipëri përballet me një sërë problematikash, që duket se do të vazhdojnë të jenë të pranishme nëse nuk rritet edhe mbikëqyrja nga ana e autoritetit përkatës, që në këtë rast është AKEP.
Ata rendisin si problem shqetësues për ecurinë e tregut informalitetin, kur ai realizohet me mjetet e transportit urban dhe ndërurban. Mungesa e adresave të sakta, gjithashtu ka dhënë efekte, dhe kjo është nënvizuar edhe në raportimet e AKEP-it.
“Mungesa e adresave të sakta çon në probleme të shpërndarjes së objekteve postare, duke krijuar besueshmëri të ulët të publikut të gjerë dhe bizneseve për cilësinë e shërbimit postar dhe kjo rezulton në përdorim shumë të ulët të shërbimeve postare në Shqipëri (numri i objekteve postare për banorë është shumë herë më i ulët se vendet në rajon dhe BE). Një sistem i saktë dhe i integruar i adresave, së bashku dhe me vendosjen e kutive postare në pallate, do të çonte jo vetëm në rritje të cilësisë së shërbimit postar, por edhe në rritje të përdorimit/volumit të shërbimeve postare dhe në kushte të ofrimit efikas të SHU dhe në reduktim të kostove për njësi të elementëve të këtij shërbimi në Shqipëri”, thuhet në raportin e AKEP.
Në lidhje me këtë, operatorët privatë thonë se kanë vendosur rregulla të qarta dhe se nuk pranojnë të ofrojnë shërbime pa një adresë të saktë dhe pa një numër telefoni si kontakt.
Me ndryshimet ligjore të realizuara në vitin 2015 do të bëhet e mundur që pas një viti (2017) të mund të ketë liberalizim të tregut postar.
“Me uljen e peshës në zonën e rezervuar para dy vitesh dhe së fundmi me ndryshimet e ligjit të ri postar janë hapur disa ‘dritare’ për kompanitë private, që operojnë në shërbimin postar. “Kjo ka bërë të mundur që kompanitë të mund të pranojnë më shumë shërbime zarfe të produktit dokument si dhe të mund të aplikojnë pas disa vitesh për shërbimin postar universal. Megjithatë, në këtë treg, mbetet shumë punë për t’u bërë. Një nga këto është përmirësimi i kuadrit ligjor për luftën ndaj informalitetit në shërbimin postar me kundërpagesë. Shumë nga kompanitë që shesin produktet e tyre online i tregtojnë këto produkte në mënyrë informale dhe dashje pa dashje kompanitë postare bëhen ura ndihmëse në këtë informalitet”, thotë drejtuesi i kompanisë Albanian Courrier.
E ardhmja…
Drejtuesi i kompanisë Albanian Courier, Elvin Plumbi, thotë se edhe në vazhdim të ecurisë së vitit 2016, tregu do të vazhdojë të ndjekë të njëjtin ritëm, ku parashikohet rritje e shërbimit postar për shitjet online (kundërpagesë) dhe rënie për shërbimet e produktit dokument.
Kjo do të ndikojë edhe në planet afatshkurtra të kompanive që ofrojnë shërbime postare, të cilat për të mos mbetur pas janë duke zhvilluar strategji konkrete investimi: “Planet tona kryesore kanë të bëjnë me dixhitalizimin e procesit postar, si dhe realizimi i investimeve në infrastrukturë për të bërë të mundur që kompania jonë të jetë sa më konkurruese në treg. Nga ana tjetër, ne do të vazhdojmë të forcojmë lidhjen me klientin tradicional, si për produktin dokument, ashtu edhe për atë me kundërpagesë. Janë sfida që kërkojnë investime në software dhe punë të vazhdueshme nga ana jonë, si në shtimin e pikave të shërbimit, në përsosjen e shërbimit ndaj klientit etj.”, thotë z. Plumbi.
Ndërsa Dorian Vezuli, administrator i United Transport, shkon më tej kur thotë: “Ka ardhur momenti që ofruesit e shërbimeve postare, si industri më vete, të krijojnë një shoqatë, e cila do të mund t’i përfaqësojë njëzëri përballë qeverisë dhe grupeve të interesit”.
Për të, e ardhmja është pozitive. “Ne do të vazhdojmë të investojmë, duke përmirësuar teknologjinë, flotën tonë të shërbimit, do të vazhdojmë të rrisim pikat e aksesit në të gjithë territorin e republikës, do të ofrojmë shërbime të reja për klientët tanë. Pa diskutim që në fokus do të jetë “E-economy”, nëpërmjet teknologjive të integruara mund t’ju ofrojmë zgjidhje eficente klientëve, gjithashtu ju krijojmë akses në tregjet dhe tregtinë globale.
Premtimi ynë ‘për të shkuar më tej’ për të dy palët, dërgues dhe marrës, na diferencon nga konkurrentët tanë”, thotë z. Vezuli.