Vendimi i pak ditëve i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për të riklasifikuar një prej lëndëve të para që përdorin eksportuesit e këpucëve (veshjet e brendshme të këpucëve) i ka lënë të shtangur bizneset që operojnë në këtë fushë.
Drejtuesit e Albaco Shoes, kompania eksportuese e tretë më e madhe në vend e këpucëve me një xhiro vjetore prej rreth 12 milionë euro në vit është përballur direkt me pasojat e këtij vendimi. Në adresën e kompanisë kanë mbërritur tre gjobat e para me vlerë 30,000 lekë secila. Ky ndëshkim rritet e shkon deri në 200,000 lekë në rast përsëritjeje.
Pasojat, nuk janë vetëm këto, ato mund të çojnë deri në falimentimin e këtyre kompanive. Ky është alarmi që japin eksportuesit e këpucëve që punojnë me lëndën e parë me Kod Doganor 5903 10 90 (pëlhurë poliuretani) e që sipas vendimit të doganave do të riklasifikohet duke e përfshirë atë në Kodin Doganor 6005 33 90. Një gjë e tillë i ekspozon këta eksportues kundrejt një tarife doganore prej 10%.
“Ky është një gabim shumë i madh që po bën shteti shqiptar, pasi ne bëjmë pjesë në regjimin e përpunimit aktiv. Çka do të thotë se subjektet që punojnë me këtë material prej vitesh e kanë tarifën doganore zero për qind”, thotë administratorja znj.Shpresa Koçiraj. Sipas saj subjektet që janë pjesë e regjimit të përpunimit aktiv i marrin kodet nga vendet importuese. “Ne jemi furnizuar me 20 mostra e kjo do të nënkuptojë 20 gjoba?! Imagjinoni se çfarë shume do të na duhet të paguajmë. Çështja e kodeve doganore nuk është një gjë që zgjidhet nga kompanitë, por duhet të jetë pjesë e politikave mes shteteve. Unë nuk e di se çfarë ka kamioni brenda pasi ai është i mbyllur dhe ne për mallin u referohemi faturave. Nëse ka vërejtje nga doganat, ne duhet të vihemi në dijeni, të sqarohemi, pasi kjo është një çështje që na prek drejtpërdrejt”, thotë znj. Koçiraj. Sipas saj, bëhet fjalë për lëndën e parë të tipit pëlhurë poliuretani dhe ajo vjen me autorizim italian, vend i origjinës së mallit.
“Këto pretendime, për referime kodesh doganore të gabuara duhet të zgjidhen mes dy shteteve dhe ne nuk duhet të penalizohemi. Ne nuk na janë vënë në dispozicion nga autoritetet doganore shqiptare as rezultatet e analizave të ushtruara ndaj mostrave. Nëse kjo do të ndodhte ne mund të bënim ballafaqimet tona me palën italiane. Ka munguar tërësisht transparenca”, thotë administratorja e kësaj kompanie, që renditet e 15-a në numrin e pëgjithshëm të eksportuesve.
Ajo shkon më tej dhe thotë se kompanitë e fasonit, që punojnë me këpucët dhe me këto lëndë të para, do të përballen me falimentin nëse çështja nuk zgjidhet.
Ka edhe nga ata drejtues kompanish eksportuese të këpucëve që ngrenë supet dhe nuk dinë të thonë se çfarë do të ndodh, ndërsa shprehen të habitur për këtë vendim, për të cilin janë njoftuar më së shumti nga mediat.
Pak ditë më parë ishte Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe të Këpucëve (DHKPV), si e vetmja organizatë ligjore punëdhënësish, që përfaqëson interesat e sipërmarrjeve në fushën e rregjimit të përpunimit aktiv dhe eksportit, e cila ngriti shqetësimin përmes një letre të hapur drejtuar Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Ndër të tjera, ajo nënvizonte: “Kjo lëndë e parë vjen në Shqipëri prej dy dekadash me po këtë kod dhe po kështu ajo lëviz edhe në vendet e BE-së me këtë kod të unifikuar. Drejtoria e mësipërme ka riklasifikuar këtë produkt (nuk dihet se për cilën arsye!) duke e përfshirë atë në Kodin Doganor 6005 33 90. Me fjalë të tjera, subjektet që punojnë me këtë material kompensues porositësi prej vitesh me tarifë doganore ZERO për qind, pas këtij riklasifikimi do të duhet të paguajnë në doganë tarifën doganore prej 10% (?!!). Por edhe një gjobë administrative prej 30,000 lekësh, për çdo praktikë doganore të subjekteve tona, në bazë të nenit261/1/4 të Ligjit nr. 8449, dt 27.01.1999 “Kodi Doganor i RSH”. Klasifikim i ri tarifor nuk ka asnjë lidhje me produktin kompensues ndihmës (lëndë e parë) dhe nuk është një produkt i ri, si ai që parasheh kodi 6005 33 90. Asnjë subjekt nuk ka interes të ndryshojë klasifikimin tarifor për produktet kompensuese, duke qenë se ato janë sërish në regjimin e përpunimit aktiv dhe detyrimi doganor është i njëjtë”.
Dhoma deklaroi se po bashkëpunon me autoritetet fiskale (posaçërisht me ato doganore dhe Ministrinë e Financave) për të ndryshuar në mënyrë urgjente tarifat doganore për lëndët e para dhe ndihmëse që furnizohen nga tregu joeuropian, e që përballet me penalitete që vijnë nga administrata për ndryshimin e klasifikimit tarifor për produkte kompensuese që janë trajtuar me trajtim tarifor preferencial, duke qenë se nuk shkaktojnë shmangie nga detyrimi i importit. Monitor