Prokuroria e Tiranës ka administruar në dosjen e saj disa dëshmi, që duket se tregojnë faktin se pajisja “Imsi Catcher”, e cila ka hyrë “pa doganë” në vendin tonë, më 12 mars 2016, gjurmonte telefonat celularë.
Kjo është pohuar nga oficerë të policisë, që janë pyetur nga Prokuroria gjatë hetimit të çështjes që u finalizua me pezullimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako.
Gjatë ditëve të programit trajnues mbi përdorimin e pajisjes përgjuese “Imsi Catcher”,, oficerët e Forcës së Posaçme Operacionale (FPO) kanë bërë ushtrime praktike, duke përdorur numrat personalë celularë. Këto ushtrime janë kryer brenda bazës së FPO, por edhe jashtë saj në Tiranë. Vetë oficerët e FPO i kanë pohuar këto fakte, kur kanë dhënë deklarime për llogari të hetimit të nisur nga Prokuroria e Tiranës ndaj drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe dy vartësve të tij, Artion Duka, drejtor i FPO dhe Ention Xhelilaj, specialist në këtë strukturë.
Ata po hetohen pa masë sigurie për “shpërdorim të detyrës” gjatë administrimit të pajisjes përgjuese “Imsi Catcher”, pas dyshimeve të përdorimit të pajisjes për përgjime telefonike. Tetë funksionarët e FPO kanë treguar detaje për mënyrën si administrohej pajisja përgjuese dhe veprimet e kryera me të. Në deklarimet e tyre, oficerët kanë pohuar se pajisja administrohej vetëm nga përfaqësuesit e misionit Interfocë, të cilët bënin trajnimin.
Referuar thënieve të tyre, oficerët F.A. dhe O.D. kanë pohuar se kanë kryer ushtrime praktike me pajisjen “Imsi Catcher”, duke përdorur numrat e tyre celularë. Oficeri J.K. ka shpjeguar se me pajisjen janë kryer ushtrime të tilla dhe se në një rast është shfrytëzuar edhe rasti konkret i një avioni të dyshuar për transport narkotikësh në Vlorë.
DEKLARIMI I OFICERIT E.G.
Ai është shefi i sektorit të Mbështetjes Tekniko-Shkencore në drejtorinë e FPO dhe ka shpjeguar rreth trajnimit me pajisjen “Imsi Catcher”, asistuar nga misioni Interforcë. Ai shpjegon ndër të tjera se ditën e hapjes së trajnimit ka qenë prezent edhe shefi i misionit italian, Michele Grilo, kurse një nga trajnuesit italianë ka qenë Claudio Fusco, ish-homologu i tij italian.
Sipas deklaruesit, trajnuesit italianë vinin të hënën nga Italia dhe largoheshin të premten, ndërkohë që trajnimi zhvillohej nga e hëna në të premte. Deklaruesi shpjegon se nuk ka informacion se kur ka ardhur pajisja në Shqipëri, por ai di se ajo ka qenë e instaluar në një fuoristradë ngjyrë të errët në pronësi të policisë italiane. Gjatë zhvillimit të trajnimit, pajisja qëndronte brenda ambienteve të drejtorisë së FPO dhe automjeti ka qenë në administrim nga specialistët italianë, pa ndërprerje.
Në përfundim të trajnimit, çdo ditë ata largoheshin së bashku me automjetin ku ndodhej pajisja, megjithëse ka pasur raste kur ai parkohej në ambient e FPO, por çelësat i mbanin vetëm ata.
I pyetur mbi funksionin e pajisjes, deklaruesi shpjegon se ajo bën të mundur identifikimin e të gjithë IMSE-ve telefonikë në një sipërfaqe të caktuar, ndërkohë që “Imsi Catcher”, i pajisur me module dhe aparatura shtesë, bën të mundur edhe procese të tjera. Pajisja e ardhur në Shqipëri, sipas inxhinierit Fusco, ushtronte funksionet bazë dhe se kishte pyetur nëse ishte e mundur të kryhej përgjimi i komunikimeve telefonike, duke marrë një përgjigje mohuese.
Sipas përgjigjes së marrë, ligji italian nuk e lejonte përdorimin e kësaj pajisjeje të kombinuar me pajisje të tjera. I pyetur se ku ndodhej aktualisht pajisja, deklaruesi përgjigjet se pas zhurmës mediatike, specialistët italianë vendosen ndërprerjen jo zyrtarisht dhe nuk shkuan në trajnim, pa u sqaruar më parë situata, ndërkohë që në dijeninë e deklaruesit pajisja ndodhej në Ambasadën Italiane.
DEKLARIMI I OFICERIT F.A.
Ai deklaron se kryen detyrën e shefit të Njësisë Operacionale nr.4 të FPO, që nga fillimi i muajit prill 2016. Më herët, ai bën me dije se ka punuar te Përgjimet në Prokurorinë e Përgjithshme. I pyetur për dijeninë e tij mbi pajisjen “Imsi Catcher”, deklaruesi shpjegon se ka rreth një muaj që ka dijeni mbi pajisjen nëpërmjet trajnimit, i cili kish filluar më herët nga ardhja e tij dhe kryhej nga specialistë italianë, në bazë, te parku i Ministrisë, ish-parku i autobusëve.
Deklaruesi shpjegon më tej funksionet e pajisjes, atë lokalizues dhe interceptues, si dhe faktin se ajo ka qenë në një mjet tip “BMË” fuoristradë me targa italiane. Pajisja administrohej nga ekspertët italianë dhe ajo funksiononte vetëm kur mjeti ishte i ndezur. Deklaruesi ka shpjeguar hollësisht se për çfarë shërbente pajisja dhe se si përdorej ajo për kapjen e personave në kërkim, duke deklaruar se janë bërë edhe ushtrime praktike brenda bazës dhe para saj, duke përdorur për këtë, numrat e tyre të celularit.
DEKLARIMET E OFICERIT J.K.
Deklaruesi J.K. është në detyrën e specialistit në sektorin e Mbështetjes Tekniko-Shkencore të drejtorisë së FPO dhe pjesëmarrës në trajnimin e zhvilluar nga misioni Interforcë. Ai shpjegon se trajnuesit kanë qenë italianë me specialitete të ndryshme, si inxhinierë, përdorues dhe shfrytëzues. Deklaruesi shpjegon se pajisja “Imsi Catcher” shërben për lokalizimin e vendndodhjes së aparateve celularë, duke shpjeguar edhe teknikisht se si kryhej ky proces.
Ashtu si edhe deklaruesit e tjerë, është shpjeguar se pajisja ishte e montuar në një automjet tip “BMË”, model “X3”, ngjyrë e zezë dhe me targa italiane. Po ashtu, i pyetur mbi ushtrimet e kryera në kuadër të trajnimit, deklaruesi shpjegon se janë kryer ushtrime të tilla dhe se në një rast është shfrytëzuar edhe rasti konkret i një avioni të dyshuar për transport narkotikësh në Vlorë.
Gjithashtu janë kryer ushtrime edhe në Durrës, për arsye se në Tiranë po merreshin të njëjtat rezultate dhe kishte lindur nevoja të ndryshoheshin antenat. Një tjetër ushtrim është kryer edhe në Tiranë, rreth 500m larg bazës, ushtrim gjatë të cilit është arritur të lokalizohet një aparat celular i paracaktuar më parë nga ana e tyre.
Sipas deklaruesit, pas çdo ushtrimi praktik të dhënat fshiheshin, kurse për administrimin e pajisjes ai shpjegon se ishin ekspertët italianë, ata të cilët e administronin gjatë gjithë kohës pajisjen.
DEKLARIMI I OFICERIT O.D.
Deklaruesi është ndihmësspecialist në sektorin e Mbështetjes Tekniko-Shkencore dhe një ndër punonjësit që kanë marrë pjesë në trajnimin e zhvilluar me pajisjen “Imsi Catcher”. I pyetur mbi këtë pajisje, ai ka shpjeguar se ka marrë pjesë në trajnim, por jo në të gjitha seancat për shkak të impenjimeve të tjera të punës.
Trajnuesit quheshin Marko dhe Enriko, mbiemrat e të cilëve nuk i kujton dhe trajnimi është zhvilluar te baza. Deklaruesi shpjegon se pajisja ka pasur si funksion skanimin dhe lokalizimin, se ajo ndodhej në një automjet tip fuoristradë “BMË X3”, me targa italiane dhe se funksiononte vetëm kur mjeti ishte i ndezur.
Në vijim ai shpjegon se si përdorej pajisja për lokalizimin dhe skanimin. Po ashtu, ai shpjegon se në ushtrimet praktike ata kanë përdorur telefonat e tyre celularë, si dhe detaje teknike mbi procesin e lokalizimit dhe skanimit.
DEKLARIMI I OFICERIT A.Q.
Ai është specialist në sektorin e Mbështetjes Tekniko- Shkencore në drejtorinë e FPO dhe një ndër personat e planifikuar për trajnimin e zhvilluar nga Interforcë. Ai ka dhënë shpjegime lidhur me trajnimin, kohën e fillimit, pjesëmarrësit, pajisjen “Imsi Catcher”. Për këtë të fundit ai ka shpjeguar funksionin e saj për identifikimin e antenave të shërbimit celular në një zonë të caktuar, si edhe për gjetjen nëpërmjet këtyre antenave të IMSI dhe IMEI.
Ai deklaron se pajisja ishte e montuar në një automjet të markës “BMË” model “X3” me ngjyrë të zezë, me targa italiane dhe se ajo ndodhej në bagazhin e automjetit, në një valixhe plastike në ngjyrë të zezë. Sipas deklaruesit, pajisja nuk mund të shkëputej nga automjeti, pasi kishte nevojë gjatë gjithë kohës për energji. Deklaruesi shpjegon se trajnimi ende nuk kishte përfunduar dhe se ai ishte kryer nga specialistë të Interforcës në ambientet e FPO-se nga e hëna në të premte.
Në kuadër të trajnimit janë kryer edhe ushtrime praktike, duke shpjeguar se pas ushtrimit, trajnuesit i fshinin të dhënat e mbledhura. I pyetur mbi aftësinë e pajisjes për përgjim, deklaruesi përgjigjet se në dijeninë e tij dhe për sa kanë shpjeguar punonjësit e policisë italiane, pajisja nuk kryente përgjime të komunikimeve telefonike.
DEKLARIMET E OFICERIT R.A.
Shtetasi i mësipërm është inspektor në repartin e Sigurisë së Brendshme e Ceremoniale, aktualisht inspektor pranë FPO. Lidhur me hyrjet dhe daljet në ambientet e FPO, deklaruesi ka shpjeguar procedurën e zakonshme, sipas së cilës në librin e shërbimit shënohet ora e hyrjes dhe daljes së automjetit, emri i shoferit dhe targa e automjetit.
Ai sqaron se ka raste kur nuk shënohen të gjithë elementet për shkak se mund të dalin disa mjete në të njëjtën kohë. I pyetur për shënimin “E.Xhelilaj” dhe mjetin “BMË”, me targë DN 915 AP, deklaruesi ka shpjeguar se identiteti i mësipërm i përket Entiol Xhelilaj, i cili është shefi i Teknikës së FPO. Deklaruesi nuk ka qenë në gjendje të thotë se sa automjete përdor shtetasi Entiol Xhelilaj.
DEKLARIMI I OFICERIT S.S.
Deklaruesi S.S. është inspektor roje në FPO dhe ka shpjeguar gjithashtu procedurën e zakonshme të hyrjeve dhe daljeve në objekt. Konkretisht, ai është pyetur dhe ka dhënë përgjigje për plotësimin prej tij të regjistrit lidhur me shënimin “policia italiane” në rubrikën “urdhëruesi”. Sipas deklaruesit, ky shënim vihej për trajnuesit italianë, të cilët shoqëroheshin gjithmonë nga shqiptarë.
DEKLARIMI I OFICERIT H.Q.
Ky deklarues është punonjësi i shërbimit të rojës, i cili ka mbajtur shënimet në regjistrin e hyrje daljeve në FPO për datën 13.05.2016. I pyetur mbi këto shënime, ai deklaron se mjeti me targë DN 915 Ap ka dalë në orën 12:10, me drejtues mjeti nga teknika, Entiol Xhelilaj/ Panorama