Nga Enver Bytyçi
Një kërkesë gati e pakthyeshme e liderit të opozitës për krijimin e një qeverie teknike, si kusht i domozdoshëm për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të drejta, të pamanipuluara dhe reale ka hasur në reagime jo të pakta të kundërshtarëve të kësaj skeme. Disa i motivojnë kundërshtitë e tyre me arsye institucionale e disa të tjerë me nevojën e vazhdimit të reformave e në dukje duket se argumenti është deri diku bindës.
Megjithatë zoti Basha mbetet këmbngulës në aksiomën e tij të zgjedhjeve me kushtin e “qeverisë teknike”, duke i dhënë idesë së tij gjithnjë e më shumë një koperturë absolute. Diskutimet kontraverse gjithmonë kanë dilemën mes tyre. Dilema është se si do të implementohet një alternativë e tillë politike? A do të ketë konsensus për këtë opsion? Nëse jo, si do të arrihet që të rrëzohet qeveria aktuale, e cila do të duhej t’i lëshonte vendin një qeverie tjetër “ekspertësh”, “teknikësh”, “të pavarurish”? Cilat do të ishin detyrat themelore të asaj qeverie dhe cila do të jetë mbështetja e saj politike?
Të gjitha këto dilema dhe diskutime kontraverse do të duhej të viheshin në peshoren e arësyetimit të paanshëm dhe të shkohej drejt një përfundimi sa më të saktë. Kritikët e idesë së shndërruar në një vendim për aksion politik, që zoti Basha ka hedh në publik, thonë e shkruajnë se kjo nismë, kjo alternativë “dobëson shtetin dhe institucionet”, se “Shqipëria humb kohë dhe ne s’kemi kohë për të humbur”, sepse “për nëntë muaj do të duhet që vendi të qeveriset pa program politik të mirëfilltë”. Ata i adresohen edhe eksperiencave të shkuara të vitit 1991 e të vitit 1997 dhe thonë se “qeveritë teknike të atyre kohëve ishin të pasuksesshme”. Dikush e trajton këtë aksiomë të qeverisjes me “teknicenë” si ultimatum të liderit të opozitës, i cili, nëse nuk gjen zbatim do të shoqërohej me bojkotin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Por këta kritikë nuk kanë artikuluar dy-tri çeshtje kyçe të problemit që diskutohet: Së pari, ata nuk e marrin aq seriozisht kreun e opozitës shqiptare. Zoti Basha në mbështetje të idesë dhe vendimit të Partisë Demokratike ka kërkuar dhe realizuar mbështetjen e të gjithë aleatëve opozitarë, republikanë, mjedisorë, liberalë, zhvillimorë, përveçse nja dy partive “të djathta” të formuara me sponsorizimin e Rilindjes. Megjithatë kritikët e zotit Basha nuk po e marrin seriozisht faktin e mbështetjes që ai ka gjetur te aleatët e tij. Këta kritikë nuk po marrin seriozisht as aleancën që opozita dhe zoti Basha kanë krijuar me qytetarët shqiptarë, të cilët janë të gatshëm të përballen me qeverisjen e Rilindjes dhe ta “lëshojnë atë për tokë”, madje para kohe.
Kjo aleancë e opozitës me qytetarët shqiptarë është dhuratë e qeverisë, të cilët kritikët e Bashës e konsiderojnë “institucionale”, “të ligjshme” dhe gati-gati “të paprekshme”. Nuk do të ndalem të analizoj arsyet pse dhe si mazhoranca ia bëri kaq shpejt një dhuratë të tillë opozitës, pra kundërshtëve të saj politikë. Thelbi është se kjo mazhorancë dhe kjo qeveri në tri vite bëri reforma në favor të oligarkisë dhe në kurriz të qytetarëve, madje duke i dhunuar ata në mënyrën më brutale dhe më përbuzëse. Jo vetëm ua shkatërroi jetën, por edhe i poshtëroi. Në asnjë moment qeveria Rama nuk u shfaq si “shërbëtore” e qytetarit, megjithëse këtë ua premtoi një ditë pas fitores së 23 qershorit 2013. Kryeministri nga shërbëtor u shndërrua në despot e mashtrues dhe ndërtoi tullë pas tulle një mal me gënjeshtra. Prandaj dhe zoti Basha llogarit në forcën qytetare të imponimit të projektit të tij: Zgjedhje të lira e të ndershme vetëm me qeveri teknike.
Së dyti, fuqia e Bashës është dëshmuar në dy aksionet politike të fundit, të cilat përbëjnë një fitore epokale në kapërcimin e tranzicionit në Shqipëri. Ai dhe opozita imponuan ligjin e dekriminalizimit si dhe ligjin për reformën zgjedhore. E vërteta është se këto dy ligje zoti Basha i imponoi me ndihmën e aleatit të zotit Rama, pra të Ilir Metës. Por është fakt se idetë, këmbngulja, ballafaqimi me të vërtetën dhe rrugën e drejtë të zhvillimit e bënë shefin e opozitës dhe opozitën në tërësi promotor të zgjidhjes. Në këto dy aksione politike, sidomos për reformën zgjedhore, u duk se kundër zotit Basha është rrjeshtuar faktori ndërkombëtar.
Megjithatë. kur është fjala për marrëdhëniet ndërkombëtare topi nuk mund të përfundojë në rrjetën e Bashës. Ai i ka dëshmuar aftësitë e tij në këtë fushë së paku në tri raste: Gjatë fushatës diplomatike për pranimin e Shqipërisë në NATO, gjatë aksionit diplomatik për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe gjatë veprimit me ngulm për realizimin e standardeve për liberalizimin e vizave. Ai i ka paraprirë kërkesës politike për qeveri teknike me një aksion të gjerë ndërkombëtar për të realizuar zgjedhje të lira e demokratike në vend.
Ky vit do të jetë viti i ballafaqimit të qeverisë Rama me Bashkimin Europian dhe SHBA-të për shkak të hashashizimit të të gjithë territorit të Shqipërisë dhe kjo do të jetë një arsye bindëse e pakontestueshme për argumentin e shkuarjes në zgjedhje elektorale me një qeveri teknike. Nisur nga ky realitet i krijuar tashmë si dhe eksperienca e mëparshme duhet besuar se opozita do ta çojë deri në fund angazhimin e saj për zgjedhje të lira e të ndershme përmes krijimit të një qeverie teknike. Në këtë aksion ajo do të ketë në një moment të caktuar, kur konflikti do të shkojë në majë, edhe mbështetjen e LSI-së, e cila ka marrë mësimet e veta gjatë fushatës së zgjedhje lokale të 21 qershoorit të vitit të kaluar. Në fund të fundit nuk do të kishte kuptim as dekrimanilizimi, as ligji i reformës në drejtësi, nëse Shqipëria do të vazhdonte pa fund manipulimin e zgjedhjeve, blerjen e votës e të komisionerëve, nëse pasanikët e baronët e drogës në politikën shqiptare do ta shndërronin këtë vend në një vend pa shpresë. Zgjedhje të vjedhura, të blera e të manipuluara do të thotë përfundimisht degradim total e humbje e çdo shprese për zhvillim e përparim, për qeverisje të mirë.
Së treti, motivi i kërkesës për “qeveri teknike” është shumë më bindës sesa të gjitha argumentet që paraqiten kundër. Institucion i qeverisjes nuk është vetëm qeveria dhe strukturat e saj vartëse. Qeverisja ka një numër të pafund institucionesh ndërtuar në tri rrafshe, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori. Legjislativi funksionon në çdo vend edhe kur ka qeveri teknike. Madje në rastin konkret do të duhet të funksionojë në mënyrë konsensuale, para së gjithash për të miratuar një ligj të drejtë elektoral. Nga ana tjetër sfida kryesore e kësaj periudhe është përgatitja e zgjedhjeve të reja dhe infrastrukturës që duhet për to. Këtë process nuk e ndalon dhe as e pengon krijimi i një qeverie teknike. Nga eksperienca dijmë se qeveria të tilla në të kaluarën nuk kanë ndërmarrë reforma ekonomike e politike të mirëqena, por kanë krijuar një mjedis besueshmërie më të madhe për ndërtimin e të ardhmes.
Ndërsa në kushtet e kësaj qeverisje të sotme, kur akti i saj i parë dhe i fundit është aksioni i kultivimit të hashashit, aksioni i linçimit të kundërshtarëve politikë, si dhe aksioni i valimit të drunit mbi qytetarët dhe varfërimit të tyre, qeveria teknike do të ishte së paku indiferente dhe jo nxitëse e këtyre fenomeneve. Propozimi për “qeveri teknike” është ndihmë e të sotmes e për më tepër garanton për një përspektivë të qarte dhe përfaqësim dinjitoz në qeverisjen e ardhshme. Për mua, shqetësimi kryesor i shumicës së kritikëve të propozimit të Bashës për “qeveri teknike” deri në zgjedhjet e reja është se “të shkosh në zgjedhje me qeveri teknike, do të thotë të krijohet fryma e ndryshimit”. Në këtë pikë ndoshta ata kanë disi të drejtë. Krijimi i frymës së fitores në një palë zgjedhje është detyrë dhe sfidë e çdo opozite.
Me rezultatin e dy aksioneve politike opozita ka krijuar parakushtet për krijimin e kësaj fryme. Por besoj se ende nuk ka një atmosferë të gjallë e të palëkundur të besimit për rrotacion në zgjedhjet e ardhshme. Nëse zoti Basha dhe opozita formulojnë një program të saktë e bindës, atëherë fryma do të vijë duke u forcuar në favor të tyre. Mbetet të merret seiozisht vetëm një aspekt i krijimit të bindjes për këtë: – Mosmbajtja e premtimeve dhe mashtrimet e Rilindjes kanë bërë efekt shkatërrues në formimin dhe besueshmërinë e qytetarit te politikani. Për të qenë realist, në mjaft raste edhe vetë Partia Demokratike në qeverisjen e saj nuk i ka mbajtur premtimet e saj. Do të ishte mirë që qytetarëve t’u premtohet vetëm aq sa do të mund të realizohet, madje më pak se kaq, me qëllim që ata të mos zhgënjehen e mbi të gjitha të vendoset standardi I një marrëdhënjeje korrekte midis politikës dhe qytetarit. Do të kishte rezultat nëse gjithçka do të shfaqet e detajuar dhe argumentuar, me shifra, me fakte, me numra, me veprime aritmetike në ekranet televizive.
Një fushatë bindëse dhe një aksion i çuar deri në fund do ta krijojë frymën e fitores për opozitën. Qeveria teknike duhet thjesht për të garantuar votën e lirë. Nëse qeveria teknike shihet si qëllim në vetvete, ajo nuk sjell e nuk mund ta sjellë rrotacionin politik në këtë vend. Përfundimisht mund të besojmë plotësisht në fuqinë dhe zotësinë e zotit Basha dhe opozitës për të imponuar jo vetëm zgjedhje të lira, të drejta e të ndershme, të çertifikuara si të tilla nga institucionet demokratike ndërkombëtare, por edhe për të imponuar formimin e një qeverie teknike, si dhe për të formuluar një program bindës e korrekt për Shqipërinë.