Policia e Shtetit ka reaguar pas vdekjes makabre të turistit rus në bregdetin e Himarës, i cili u aksidentua nga një skaf ndërsa notonte 50 metra nga bregu. Policia ia faturon përgjegjësinë për humbjen e jetës së turistit bashkisë së Himarës, për të cilën thotë se nuk ka plotësuar detyrimet ligjore.
Policia bënë të ditur se bashkisë së Himarës i janë dërguar 6 shkresa për plotësimin e detyrimeve nga ana e saj por nuk është përgjigjur.
Masat për garantimin e sezonit turistik
Gjatë periudhës 1 qershor deri në 3 gusht 2016, në zbatim të akteve normative dhe ligjore është hartuar dhe po zbatohet Programi i Punës së Drejtorisë së Policisë së Shtetit si dhe Plani për shpërndarjen e forcave e mjeteve policore për garantimin e rendit e të sigurisë publike në zonat turistike.
Policia e Shtetit ka marrë masa të plota si në forca dhe në mjete për garantimin e sezonit turistik.
Por Policia e Shtetit konstaton mangësi të theksuara nga Njësitë e Qeverisjes Vendore, në zbatim të VKM Nr. 321, datë 28. 05.2014 “Për sigurinë në det, plazhe, në ujrat e brendshme në thellësi të territorit dhe gjatë ushtrimit të sporteve ujore”.
Detyrimet e pazbatuara nga këto Njësi vendore janë:
• identifikimi i zonave të përshtatshme si zona çlodhëse të konsideruara të sigurta dhe të shëndetshme;
• dhënia e autorizimit për plazhe;
• dhënia e lejeve dhe autorizimeve për përdorim publik, sporte ujore;
• heqja e lejeve në rast se përdoruesit nuk përmbushin kushtet;
• vënia e gjobave për përdorimin jashtë kritereve të mjeteve lundruese dhe të kushteve higjeno–sanitare.
Sipas këtyre detyrime që burojnë nga aktet ligjore, qeverisja vendore në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme Detare përcakton:
• zonat e përdorimit të mjeteve lundruese argëtuese, të cilat të jenë të shënuara në mënyrë të dukshme me shënues të veçantë, ku të tregohen dhe korridoret e hyrjes e daljes nga uji;
• distancat e ushtrimit të aktivitetit të lundrimit nga këto mjete;
• oraret e përdorimit të tyre;
• vendosjen në vende të dukshme të shenjave sinjalizuese si: “Kujdes – zonë ku ndalohet përdorimi i mjeteve lundruese”, “Kujdes – zonë e ndaluar për të notuar”.
Çdo zonë e deklaruar për plazh duhet të ketë:
• kulla vrojtimi për çdo 250 – 300 m, me lartësi 3 metra dhe çdo kullë të ketë vrojtues të trajnuar;
• mjete sinjalizimi dhe komunikimi;
• flamuj, postera për vendet e lejuara për lundrim e argëtim, për pushues.
Nisur sa më sipër ritheksojmë se organet përgjegjëse nuk kanë marrë masa dhe nuk janë krijuar kushtet e nevojshme qoftë edhe në një plazh të vetëm, megjithë komunikimin e vazhdueshëm shkresor të kryer nga ana e Policisë së Shtetit.
Nisur nga ngjarja e rëndë që ndodhi sot, ku humbi jetën një pushues në zonën e Himarës, Policia e Shtetit informon se Bashkisë Himarë i janë dërguar 6 shkresa zyrtare për plotësimin e detyrimeve që rrjedhin nga VKM nr. 321.
Në çdo takim të zhvilluar me Task Forcën, Policia e Shtetit ka ngritur problematikën për masat e munguara për sigurinë në plazhe nga ana e pushtetit vendor.
Megjithatë shërbimet e Policisë Kufitare janë angazhuar maksimalisht dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet për të siguruar jetën e qetësinë e pushuesve në plazhe, sidomos gjatë ushtrimit të aktivitetit me mjete lundruese.
Gjatë kësaj periudhe nga Policia Kufitare e Migracionit ka evidentuar:
• 76 raste dhënie ndihme ndaj 130 personave;
• 21 raste të parandalimit të konflikteve
• 37 masa administrative ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese për shkelje të ndryshme me një vlerë prej 671.000 lekësh;
• 10 mjete lundruese janë bllokuar për mungesë dokumentacioni dhe shkelje të rregullave të lundrimit në det.
Policia e Shtetit bën me dije se do të sekuestrojë dhe ndëshkojë me masa të ashpra të gjitha mjetet lundruese që thyejnë distancën e sigurisë prej 300 metrash nga vija bregdetare, nuk respektojnë korridoret e hyrje-daljes në det, si edhe qarkullojnë me shpejtësi të lartë në zonat e plazheve.
Gjithashtu, do t’i rekomandojë të gjitha Njësive vendore marrjen e masave konkrete ndaj çdo subjekti që nuk ka respektuar parashikimet ligjore për sigurinë e pushuesve në det.
Policia e Kufirit dhe Migracionit do të monitorojë në vazhdimësi zbatimin e masave në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar dhe në njësitë operuese përgjatë bregdetit, duke bashkëpunuar me të gjitha agjencitë shtetërore dhe subjekte që janë të angazhuara në mbarëvajtjen e sezonit turistik.