Marrë nga Shekulli, gazeta e ish-deputetit Koço Kokëdhima.Nuk i jep shpjegim të saktë askush, por Kokëdhima vazhdon t’i “marrosë” analistët e këtij vendi. Në të kaluarën e afërt ishte Mero Baze që pyeste deri në obsesion se për ç’arsye Rama e dëgjon kaq shumë Kokedhimën dhe pse s’ndahen ata të dy? Këto ditë ishte Blendi Fevziu që mori stafetën në sensin e kundërt. Prishet Kokëdhima me Ramën, po përse nuk qëndruan bashkë? Për drejtuesin e Opinion-it, s’ka pikë dyshimi, Koços i ka mbetur hatri. Pas “martesës” së gjatë Rama-Kokëdhima, “divorci” i tyre po merr kështu trajtat e një romani policor veror, me hakmarrje nga qejfmbetjet. Por sa larg të vërtetës…
Po aq e thjeshtë sa veza e Kolombit
“Sa më pranë hundës ta kesh një gjë, aq më pak e sheh”. Kësaj teoreme nuk i shpëtoi edhe Fevziu. Autori i librit “100 vjet pavarësi”, nuk arriti të shohë te Kokëdhima një prototip të denjë të asaj galerie impresionuese personazhesh që bënë historinë e Shqipërisë deri në momentin e pushtimit fashist. Karaktere të tilla janë tepër të rrallë në ditët e sotme për të mos i vënë re. Si i shpëton kjo Fevziut kur humbet në hamendje se Kokëdhimës i ka mbetur me siguri hatri me Ramën? Hatri, thotë Fevziu, sepse Rama nuk arriti t’ia ruajë mandatin deputetit të Jugut! Në këtë konkluzion kaq të thjeshtë mund të bjerë turma e manipuluar. Por jo ai, Blendi Fevziu, që kërkon të mishërojë gazetarinë serioze. Blendi Fevziu, i cili kur të donte dhe sa herë të donte mund të kishte ftuar Kokëdhimën për një “Opinion” dhe ta pyeste sy më sy si është puna? E ka bërë shpesh në të kaluarën, jo vetëm me Kokëdhimën, por me këdo politikan, madje dhe me shkop në dorë, si për t’u thënë: me mua s’shpëtoni pa e nxjerrë të vërtetën. Për më tepër, siç mësuam nga kolegu Rrozhani vetë Kokëdhima i paska propozuar Fevziut t’i shkojë në emision dhe të japë versionin e tij. Por Blendi ka preferuar “burimet” e tij siç e shkruan vetë: “sipas burimeve të opinion.al, Kokëdhima është ndier i braktisur”. Ndërkohë që burimi qëndron aty, në këmbë, si veza e Kolombit.
Kokëdhima përballë Ramës për interesa më të larta se ato personale
Kokëdhima është një politikan me qëndrime mjaft të lexueshme. Po e ndihmoj paksa Blendin. Vjeshtë 2013. Qeveria “Rama” e sapoemëruar, është në zenitin e saj. I lejon vetes në 100 ditët e para t’u imponojë shqiptarëve armët kimike siriane, që vëllai amerikan na bënte dhuratë. Që u ngrit në këmbë rinia dhe ata më pak të rinj, kjo nuk ishte surprizë. Shqiptarët u ishin mirënjohës SHBA-ve, por nuk ishin hajvanë. Që të ngrihej në këmbë Berisha edhe opozita, as kjo nuk ishte surprizë. Çdo gjë që mund ta dobësonte mazhorancën, përforconte opozitën. Por që të ngrihej ai, Kokëdhima, që Fevziu e cilëson thuajse si një vëlla siamez me Ramën, kjo minimumi shtron pyetjen: pse? Çfarë e motivonte Kokëdhimën t’i dilte Ramës kundër në mënyrën më frontale vetëm dy muaj pas krijimit të qeverisë? Thërrmohen të gjitha teoritë mbi interesat pragmatike që lidhnin Kokëdhimën me Ramën. Nxjerr natyrshëm kryet një hipotezë më e thjeshtë. Kokëdhima e konsideron si tepër serioze çështjen e interesave kombëtare saqë s’pyet askënd tjetër veç mendjes së tij kur percepton rrezikim të tyre.
Në fillim të verës 2014, Rama kryen të famshmin operacion militaro-policor kundër Lazaratit. Ndryshe nga afera e armëve kimike, kësaj here kryeministri ka me vete opinionin. Cili guxon dhe i thotë sërish jo? Kokëdhima. I vetëm fare, si një eremit në shkretëtirë, ai vazhdonte me të tijën. Ishte gabim fatal, krim kombëtar, sipas tij, t’i bihej me shqelm asaj që mund t’i jepte sovranit popull me miliarda euro dhe me mijëra vende pune nga eksporti shtetëror i një bime që blihet shumë nga vende të pasura, të cilat e fusin në ciklin e prodhimeve farmaceutike. Nga legalizimi do të goditej mafia e kanabisit dhe do të shpëtonin nga përndjekjet penale mijëra të rinj përdorues dhe mijëra prindër të shqetësuar e të tronditur për fëmijët e tyre. Për më tepër, sipas Kokëdhimës, legalizimi i kanabisit është në të gjithë botën një përpjekje e së majtës. Ndryshe nga e djathta fanatike dhe konservatore të majtat në demokracitë perëndimore shquhen si progresiste dhe liberale. Janë të majtat që kanë udhëhequr betejat për heqjen e dënimit me vdekje, për legalizimin e abortit apo për legalizimin e kanabisit. Sërish thërrmohet këtu teoria e disa analistëve në Shqipëri mbi unionin e interesave meskine Kokëdhima-Rama, në një kohë që ka “ndarje” pikëpamjesh ideologjike.
Po të ishte interesi privat, pse mos ta qepte gojën Koço, të vazhdonte ta mbante mirë me Ramën dhe të rrinte si aga në vend të agait? Nga sa shihet, në vend që të dy miqtë, Kokëdhima-Rama, të qëndronin bllok bashkë si në të kaluarën, hendeku i tyre sa vinte dhe thellohej për arsye katërcipërisht ideologjike. Nuk ishte ai hendek i llojit vulgar në Shqipëri, ‘s’më plotësove këtë interes dhe unë të kthej kurrizin’. Koço Kokëdhima, po t’u besosh analistëve si Baze dhe Fevziu, po dhe shumë të tjerëve, mjafton të hapte gojën dhe kishte gjithçka si në një pjatancë nga kryeministri. Atëherë pse ia komplikonte vetes gjërat Kokëdhima, po të mos kishte arsye që i tejkalonin interesat e vogla personale? A s’ishte kjo këmbëngulje për diçka më të lartë që e bëri Kokëdhimën armik me Nanon kryeministër, qëkur ky filloi të tradhtojë interesat e njerëzve duke u përpjekur të fusë plehrat e jugut të Italisë në Shqipëri? A nuk ishte kjo arsyeja që e shtyu Kokëdhimën të kundërshtonte krejtësisht i vetëm Nanon dhe Berishën në një tjetër dosje të nxehtë, koncesioni i Rinasit, dhe gjithnjë në emër të mbrojtjes së sovranitetit të vendit?
Si për plehrat, edhe për koncesionin e Rinasit, koha i dha të drejtë Kokëdhimës. Për Rinasin për shembull, në pak vite, u kuptua se ky koncesion pengonte nevojat e domosdoshme të Shqipërisë për aeroporte të tjera në jug e veri të vendit. A s’kishim të bënim aty me të drejtat sovrane më elementare të Shqipërisë!? Është kryekëput e njëjta dinamikë që po e largon gradualisht Kokëdhimën nga Rama në këto momente. Që kur ky është bërë kryeministër, Rama gjithnjë e më shpesh nuk po shikon siç duhet, sipas këndvështrimit të Kokëdhimës, se ku mund të dëmtohen interesat e vendit. Jo vetëm të vendit, por edhe ato të së majtës shqiptare.
Reformimi i PS-së në bazë, divergjenca e radhës me Ramën
Drejtuesit e lartë të PS-së nuk i debatuan asnjëherë haptazi idetë e platformës së Kokëdhimës, që konsistojnë në reformimin e strukturës politike të PS-së dhe në demokratizimin e saj. Minimalja do të kishte qenë që në parti të diskutohej gjerësisht kjo “përplasje”. Në mungesë debati dhe interesi nga lart, Kokëdhima e zbatoi modelin e tij reformues në Vlorë, domethënë në bazë. Gjë që krijoi në mënyrë të paevitueshme përplasje. Por përplasja Kokëdhima-Ruçi më kot u interpretua si një ambicie e supozuar e Kokëdhimës për postin e Ruçit. Në thelb, nuk ishte një garë për një post, por një debat i mirëfilltë politik, ideologjik dhe organizativ për rivitalizimin e PS-së duke e pajtuar atë me bazën. Lidershipi i PS-së mendoi ta likuidonte platformën dhe reformën e Kokëdhimës, pa bërë zhurmë, pa bërë transparencë, domethënë pa debat në parti që mos t’u bëheshin “reklamë” tezave të Kokëdhimës. Teza vërtet “subversive”.
Në fakt, platforma e Kokëdhimës s’kishte asgjë “revolucionare”. Thjesht ai thoshte se nuk mund t’i rifitojmë më zgjedhjet duke vazhduar me korrupsion dhe shitje të posteve të punës, me sekserë kullotash, legalizimesh e shërbimesh të tjera, që janë detyrë e organeve publike dhe jo treg për ndërmjetës të paskrupullt. Kokëdhima kërkonte po ashtu hapje, gjithëpërfshirje dhe zgjerim të PS-së, përtëritje dhe demokratizim në radhët e saj. Andaj Kokëdhima insistonte për çlirimin e strukturave dhe organeve drejtuese të partisë nga fiktiviteti, kalbëzimi, arbitrariteti, atrofizimi. Ishte arritur në një marrje safi peng të partisë nga disa drejtues të saj që e trajtonin PS-në si ta kishin pronë private. Partia Socialiste- ua thoshte Kokëdhima nga brenda pa bërë bujë mediatike, – duhet t’u mundësojë socialistëve dhe qytetarëve që të përfshihen në politikëbërjen dhe mirëqeverisjen e vendit. Kjo vjen sigurisht përmes anëtarësimeve masive në PS, por edhe përmes demokratizimit e modernizimit të saj. Ishte ky model sa i “thjeshtë”, por aq novator që Kokëdhima ngriti vetë pa ndihmën e askujt në Qarkun e Vlorës. Kjo i kushtoi shumë mund e sakrifica, por dhe shumë luftë nga lidershipi i PS-së, i cili nuk e donte absolutisht këtë reformë.
Kokëdhima, ideator i “primareve” në parti
Pika kyçe e platformës që Kokëdhima implementoi në Jug, ishte që vendimmarrja e PS-së të kushtëzohej nga konsultimi i hapur. Kjo bëhet në rrugë institucionale dhe në bazë të gjerë me anëtarësinë e PS-së dhe qytetarët. Ata duhen të ftohen të prononcohen për të gjitha çështjet e rëndësishme të mirëqeverisjes dhe zhvillimit të vendit, duke përfshirë edhe përbërjen e toplistave të këshilltarëve të bashkive dhe të deputetëve të Kuvendit. Pyetje me logjikë e Kokëdhimës: Po sikur emrat e kandidatëve të PS-së në të njëjtën listë t’i kishim vënë midis tyre e me të tjerë në garë te militantët para zgjedhjeve? Mbase nuk do të kishte rezultuar e njëjta përbërje dhe renditje liste si ajo e fiksuar nga kryesia e Partisë. Kryesia e partisë në Tiranë s’mund ta dijë më mirë se cilin kandidat preferojnë qytetarët në bazë. Personalisht m’u dha rasti të zhvilloja një tur disaditor në qarkun e Vlorës dhe konstatova nga afër se reformimi i PS-së atje nga Kokëdhima, larg së qeni një provokim, siç “e përjetonin” disa shefa në Tiranë, gëzonte një mbështetje shumë të madhe te anëtarët e thjeshtë e më gjerë.
Kokëdhima, siç i thashë pas një anketimi që bëra vetë, po bëhej kështu, pa dashje, nismëtari i një modeli zgjedhjesh primare në bazën e partisë. Një frymë që vjen nga Amerika, por që po përfshin dhe jetën politike në Europë. Në atë pikë, saqë dhe vetë presidenti francez do t’i nënshtrohet bazës së PS-së franceze për zgjedhje primare. Por te partia e Ramës, një evolucion i tillë duket si një herezi e vërtetë. E megjithatë, ç’interes tjetër përveç atij kolektiv kishte Kokëdhima ta impononte këtë sistem zgjedhjesh paraprake në bazë, i cili po të hyjë në fuqi do të shtrihet deri në Malësi të Madhe, shumë larg gjirit të Vlorës? Më i miri të shpallet kandidat, ku është e keqja këtu? A nuk është ky propozim i Kokëdhimës në themel të ideologjisë së majtë, që ndryshe nga e djathta konservatore dhe kaporale, legjitimitetin e kërkon gjithmonë tek baza dhe jo te koka? Por PS-ja qendrore nuk pati interes për një demokratizim e reformim të tillë, sepse tronditej monopoli i saj në caktimin e përfaqësuesve dhe në gjithçka tjetër. Kupola e PS-së nuk dëshiron që të ndajë përgjegjësi e pushtet me anëtarësinë e partisë.
Në zgjedhjet vendore të vitit 2015, Kokëdhima e eksperimentoi në zonën e tij, formulën e tij alla “amerikane” në përcaktimin e kandidatëve për kryetarë të bashkive dhe për këshilltarë. Dhe e pamë rezultatin. Në të pesë bashkitë e Jugut që mbulonte Kokëdhima, PS-ja fitoi gjithçka. Në Sarandë, militantët sugjeruan në “primare” një kandidate, të panjohur, midis një liste kandidatësh. Ajo fitoi më pas pa asnjë problem bashkinë. Kokëdhima është i bindur se kjo është formula e duhur, sepse është më pranë interesave të njerëzve dhe më pranë filozofisë së majtë. Kjo divergjencë lidhur me reformimin e Partisë Socialiste mund të jetë arsyeja më e rëndësishme e largimit të Ramës nga Kokëdhima. E them këtë bazuar te fakti pse Rama de facto zëvendësoi Kokëdhimën si drejtues në qarkun e Vlorës me Mimi Kodhelin vetëm 24 orë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Zëvendësim që përballë peshës reale të Kokëdhimës në qark u anulua, megjithëse me vonesë, gati katër javë më vonë. Janë gjithë këto elemente divergjencash të njëpasnjëshme që e bënë çdo ditë e më të dukshëm hendekun ideologjik midis kryetarit të PS-së, Rama, dhe Kokëdhimës.
Prekja e Kushtetutës, përplasja më serioze Kokëdhima-Rama
Jemi larg, pra, shumë larg thashethemnajave që edhe Fevziu përhap me dashje ose pa dashje kur evokon si serioze për çarjen midis Kokëdhimës dhe Ramës vetëm hipotezën e hatrit që i paskej mbetur të parit pse i hoqën mandatin e deputetit. Kjo ngjarje sigurisht që meriton një analizë të kujdesshme sepse nuk ndodh shpesh në jetën parlamentare të një vendi. Nuk është sekret se mandati i Kokëdhimës u godit politikisht dhe aspak juridikisht. Në këtë goditje pas shpine që iu bë atij, nuk është e ndaluar të mendohet se rolin kryesor mund ta ketë luajtur lidershipi i PS-së. Kur e gjithë Shqipëria e pranon sot se e gjithë drejtësia është nën influencë politike, përsa Gjykata Kushtetuese do t’i kish shpëtuar një mëkati të tillë? Por, jam i bindur se thelbi i ftohjes së Kokëdhimës me një pjesë të Kryesisë nuk rezulton aty, por në ata çka parashtrova më sipër. E sidomos në atë çka erdhi më mbrapa.
Debati i fundit, përplasja kryesore dhe më serioze nga gjithë të tjerat mes Ramës dhe Kokëdhimës, është për mua ai mbi Kushtetutën. Nuk është e pamundur që për shkak të këtij debati është larguar edhe më shumë Kokëdhima nga Rama, ose anasjelltas. Sipas Kokëdhimës, u cenua Kushtetuta në favor të të huajve nën petkun e reformës së drejtësisë. Blendi Fevziu duhej të kishte treguar më kureshtje intelektuale te kjo divergjencë, sepse i ka kushtuar një nga studimet më serioze pavarësisë së Shqipërisë, me makinacionet makiavelike të disa shqiptarëve dhe të fuqive të huaja, por dhe me idealizmat e dlirta e të sinqerta të atyre shqiptarëve që besonin vërtet te një shtet i pavarur për të cilin dhanë dhe jetën. Për Kokëdhimën, interesi kombëtar është në ADN-në e së majtës shqiptare, sepse historikisht ajo është treguar në Shqipëri më patriote se e djathta. Gjatë luftës, dëshmorët ishin të majtë, duam apo s’duam, pavarësisht rikuperimit që iu bë kauzës së tyre nga diktatura më mbrapa. Si ka mundësi, të paktën për efekt “update” të librit të tij, që Fevziu të anashkalojë debatin që inicioi Kokëdhima për mosprekje të Kushtetutës si vektor i pavarësisë së Shqipërisë, sado shije “folklorike” që mund t’i ketë lënë Fevziut kjo përçapje? Një studiues apo gazetar nuk duhet të influencohet nga shijet e veta, por nga faktet. Nëse ka një gazetar që duhet të kishte treguar interes maksimal për këtë temë ballafaqimi midis të majtës patriote mishëruar nga Kokëdhima dhe Rilindjes kozmopolite mishëruar nga Rama, është pikërisht ai, Blendi Fevziu.
Në këtë anketim të munguar, Fevziu do të kishte zbuluar kështu se para se të dilte vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi heqjen e mandatit të Kokëdhimës, Kokëdhima apostrofoi ashpër kryeministrin në një mbledhje të sekretariatit të PS-së. Kokëdhima foli pikërisht aty për neglizhim të pafalshëm sipas tij të interesave të Shqipërisë, por dhe të PS-së. Drafti i reformës në drejtësi bën, sipas tij, viktimë Kushtetutën që “kapet” nga një prani e huaj! Kushtetuta është e përjetshme, por të huajt miq sot, ndodh që s’mund të jenë të tillë nesër. Miqësia e ShBA-ve për Shqipërinë është me rëndësi strategjike për ne, por mund të mos jetë e tillë nëse në një moment a për një çështje të caktuar, interesat e SHBA-ve nuk do përkojnë ose mund të jenë të kundërta me interesat tona. Ashtu si Komisioni Europian nga ana e tij mund të vdesë me shpërbërjen e BE-së. Kokëdhima, dhe jo vetëm ai, beson se këta skenarë nuk janë aspak teorikë dhe për këtë u kërkoi me forcë kolegëve në parti të lihej e paprekur Kushtetuta nga të huajt. Mbaj mend se pas asaj mbledhjeje të sekretariatit të PS-së, më kontaktoi Rama, që e njoh prej shumë vitesh dhe që ia vlerësoj diapazonin e kapaciteteve që shpalos si sportist, artist, shkrimtar, poliglot, politikan, teknokrat etj. Është Edi që më apostrofon se si unë, i mbrujtur me formim perëndimor, nuk shokohem nga kursi anti të huaj që po merr Koço, sipas tij.
E dëgjova me miqësi dhe respekt dhe i dhashë një shembull që nganjëherë të huajt vetë mund të gabohen; të manipulohen apo të manipulojnë. Të kujtohet, – i thashë, – ai raporti “konfindencial” i ambasadorit të OSBE-së? Ty të nxirrte me qindra milionë dollarë të fshehur në Amerikë, Koçon e nxirrnin agjent të huaj, të tjerët i nxirrte kështu e ashtu. Ç’të të them, – i thashë. -Perëndimorët i kemi vërtet miq, me ta jemi në raport e bashkëpunimit të vazhdueshëm e për gjithçka; sekrete s’kemi. Por t’i fusim deri në Kushtetutë, domethënë që mos të arrijmë dot t’i kontrollojmë më edhe kur ia këpusin me budallallëqe, këtu nuk i vë faj Koços që thotë jo. E kuptoja Ramën dhe situatën e ndërlikuar në të cilën ishte me Kokëdhimën. Kishin hyrë në divergjenca thelbësore, ato që kanë të bëjnë me vijën politike aty ku miqësia nuk shton as nuk ndreq gjë.
Konkluzion, mos t’i japim të drejtë Vilhelmit II
Nga e gjitha kjo, nxjerr këtë konkluzion. Një deputet si Kokëdhima, i cili fatin e kishte në duart e Gjykatës Kushtetuese, e cila vetë varet nga politika (dhe prandaj po bëhet reformë) nuk kishte afërmendsh aspak interes të bënte “garipin” në mbledhjet e PS-së apo në raportet me Ramën e as t’u mbante leksione morali për sovranizëm, për mbajtje aleance me LSI-në dhe për ide të majta. Nëse donte të shpëtonte mandatin, Kokëdhima normalisht do të kishte bërë servilin dhe do t’i thoshte “peqe” reformës në drejtësi që donin të huajt. Pasi të kishte shpëtuar mandatin, Kokëdhima mund të kishte rifilluar “luftën” e brendshme, por jo më përpara! A nuk është ky elementi më i qartë se Kokëdhima nuk bën kalkulime pragmatiste kur ka bindjen se Shqipëria rrezikon të humbasë nga një masë e pastudiuar mirë? Jo vetëm Shqipëria, por edhe PS-ja mund të vuante nga një reformë kuturu që do të provokonte frustracione tek LSI-ja dhe plasaritje te koalicionit. Ç’vlerë ka, beson Kokëdhima, të realizosh në letër një reformë “të shkëlqyer” kur nuk mund të jesh më në pushtet për ta realizuar atë? Më keq akoma, reforma mund të bëhet një instrument i rrezikshëm në duar të pushtetarëve të rinj që mund të vijnë në pushtet nëse rrëzohet koalicioni PS-LSI. Për të gjitha këto gjasa mendoi dhe Kokëdhima dhe kontestoi. Ashtu siç ndodhi më parë me plehrat, me armët kimike, me kanabisin, kështu i ka ndodhur fare thjesht Kokëdhimës me kryetarin e PS-së edhe në rastin e reformës në drejtësi. Por në debatin mbi këtë reformë, Kokëdhima nuk ka deklaruar kurrë se ajo nuk është e nevojshme.
Përkundrazi, ai ka kërkuar një reformë kushtetuese konsensuale, legjitime, profesionale e në përputhje me parimet e njohura dhe të respektuara botërisht për hartimin e kushtetutave, në respekt të pavarësisë dhe sovranitetit të vendit. Ai ishte për një reformë kushtetuese konsensuale me opozitën dhe jo për rekrutimin individual të deputetëve të saj “besëthyer”. Një reformë konsensuale do të sillte edhe një drejtësi të pavarur, përndryshe do të kishim një drejtësi të varur si më parë dhe do të shkatërronim stabilitetin e vendit. Dhe koha i dha të drejtë Kokëdhimës. I panevojshëm dhe madje i rrezikshëm ishte krijimi i një aneksi në Kushtetutë, ku “strehohet” prania e huaj. Si mund ta pranonte atëherë Rama një qëndrim të tillë të ekuilibruar të Kokëdhimës për fatet e së majtës, kur vetë ai, kryeministri dhe kryetari i PS-së, beson me naivitet te forca e vetme e PS-së me “skeptrin” e ndërkombëtarëve për të sjellë drejtësi në këtë vend? “Skeptër”, që siç po e shohim, po funksionon mrekullisht në Bosnje dhe Kosovë, vendet më të korruptuara në Europë, sipas Transparency International. Nga këto divergjenca të papajtueshme, ftohja midis Ramës dhe Kokëdhimës, nëse ka vërtet një të tillë, bëhet e paevitueshme. Nuk kanë fare vend këtu “hatërmbetjet” nga humbja e mandatit të deputetit të Kokëdhimës, të cilat janë harruar tashmë se po vijnë zgjedhjet e radhës.
Kjo s’është pra veçse një thashethem për të mbuluar divergjenca shumë më serioze që lidhen me Shqipërinë dhe me linjën e majtë të PS-së. Ashtu siç është i pathemeltë e i pavërtetë dhe pohimi se ka një bashkërendim të sinkronizuar e të supozuar midis Kokëdhimës, Metës dhe Berishës kundër Ramës në reformën e drejtësisë. Kur Kokëdhima, Berisha (që gjithmonë ka kërkuar skalpin e Kokëdhimës) dhe Meta, u gjendën në të njëjtën llogore në dosjen e armëve kimike, pse askush nuk pa aty asnjë komplot? Në të njëjtën mënyrë, tre politikanë që s’janë të së njëjtës parti mund të ndajnë fare mirë të njëjtin opinion mbi disa aspekte themelore të reformës në drejtësi. Dua ta mbyll këtë shkrim, me një fjali që më ka mbetur në mendje nga libri “100 vjet pavarësi” i Blendi Fevziut. Autori citon aty perandorin gjerman Vilhelmi II të ketë shkruar për shqiptarët që kërkonin shtet më vete e të pavarur, këto fjalë: “Një shtet hajdutësh nuk mund të bëhet kurrë i aftë për të jetuar”. Është një fjali që e kam dëgjuar në mënyrë të perifrazuar gjatë gjithë debateve të reformës në drejtësi këto javët e fundit, edhe nga goja e vetë kryeministrit.
Një shtet me politikanë hajdutë nuk mund të bëhet kurrë i aftë për të bërë vetë një reformë në drejtësi. Prandaj na duhen të huajt. Në kohën e Vilhelmit të II, Fuqitë e Mëdha që ia lejuan pavarësinë Shqipërisë, i ngjitën njëkohësisht asaj si me leukoplast dhe të famshmen KNK , Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, një strukturë paralele që e ktheu qeverinë e Vlorës e më pas atë të Durrësit në qeveri-kukulla. Pas njëqind e disa vjetësh, shqiptarët, me duart e tyre, fusin në Kushtetutën e tyre ONM-në, Organizmi Ndërkombëtar i Monitorimit. Vitet kalojnë, por gjërat pak ndryshojnë. Për këtë arsye i jam mirënjohës Kokëdhimës që guxoi dhe i tha jo këtij fataliteti, i cili po na ndjek prej më shumë se një shekulli. Aty kërkojeni arsyen e vërtetë të freskimit të marrëdhënieve midis Kokëdhimës dhe Ramës. Është çështje vlerash dhe jo hatërmbetjesh. Mesa duket, divergjencat politike e ideologjike mes Ramës e Kokëdhimës tani duket se do jenë të hapura dhe do të ushqejnë debatin politik jo vetëm brenda të majtës.