Një 82-vjeçar nga Devolli, por banues në azilin e pleqve pranë “Qytetit Studenti” në Tiranë, është dënuar nga gjykata e Tiranës me 8 muaj burgim për akuzën e ngacmimit seksual, të një punonjëseje shurdhmemece të ndërmarjes së “Qytetit Studenti”, e cila është në varësi të Bashkisë Tiranë. Qazim Shaholli ishte fiksuar ndaj punonjëses së gjelbërimit Al. Sha., duke i pohuar asaj se e dashuronte dhe se kërkonte të kryente marrëdhënie seksuale me të. Gjatë kërcënimeve, i moshuari i ka bërë presion se, nëse ajo nuk do të pranonte, ai do e vriste. Dhe, për të vërtetuar këtë, 82-vjeçari me origjinë nga Devolli herë pas here nxire nga xhepi një thikë (biçak me mbishkrim PYREX), duke i bërë me shenjë se pikërisht me këtë mjet do ta vriste.
Mirëpo, pavarësisht këtyre veprimeve i moshuari Qazim Shaholli, në gjykatën e Tiranës ka shfaqur pendesë të thellë, pa shmangur faktin që gjykata e ka dënuar me 8 muaj burgim. Duke marrë në konsideratë moshën e thyer të tij, gjykata i ka pezulluar dënimin, duke e kaluar të moshuarin për një periudhë 1 vit e 6 muaj në shërbim prove dhe duke vënë si kusht që ai të mos kryejë asnjë krim tjetër. 82-vjeçari Shaholli në janar të 2015 ka përfituar nga skema e qeverisë për t’u pajisur me pension dhe për këtë libreza e pensionistit i është dhënë në dorë nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i kohës Erjon Veliaj, gjatë një ceremonie publike. Siç duket, pas hyrjes në skemën e pensionit dhe marrjes së shumave të para financiare, i moshuari në 20 korrik 2015, ka filluar të kërkojë favore seksuale.
Ngjarja
Shtetasja Al. Sha., është punonjëse gjelbërimi në Qytetin Studenti dhe është shurdhmemece. I pandehuri 82 vjeçar Qazim Shaholli banon në një azil që ndodhet pranë “Qytetit Studenti” dhe ai lëviz në të njëjtën zonë ku punon dhe e dëmtuara.
Ai në vazhdimësi e ngacmon të dëmtuarën me fjalë dhe gjeste, duke i kërkuar të shkojë në hotel me të, veprime të cilat i ka kryer dhe në datën 20 korrik 2015. Ai i ka thënë se e donte dhe do ta godiste me thikë nëse nuk pranonte, madje ai i ka nxjerrë dhe thikën. Në këtë moment ata janë konfliktuar me njëri-tjetrin dhe shoqet e të dëmtuarës, Liljana dhe Fatmira, kanë njoftuar punonjësit e policisë, të cilët kanë bërë kapjen në flagrancë të të pandehurit, i cili ka patur një thikë me vete, që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Nga akt i ekspertimit teknik, rezulton se ajo nuk i plotëson kushtet teknike të armëve të ftohta.
Kallëzimi
Në lidhje me këto veprime, e dëmtuara ka bërë kallëzim dhe ka dhënë dhe deklarime me ndihmën e një përkthyesi. Këto veprime të kryera nga i pandehuri janë parë dhe nga shoqet e A., shtetaset Fa. Oz., Li. Ka., të cilat tregojnë se i pandehuri e ka ngacmuar punonjësen e bashkisë A.
Në gjykim i pandehuri i pranoi faktet e paraqitura nga prokurorja dhe shprehu pendim të thellë për veprimet e kryera.
Prokuroria
Gjatë pretencës së saj, prokurorja e çështjes Elida Celami i ka kërkuar gjykatës së Tiranës që të moshuarin ta dënojë me 1 vit heqje lirie për akuzën e “Ngacmimit seksual”. Njëherësh prokurorja e Tiranës, ka kërkuar pezullimin e këtij dënimi për shkak të moshës së thyer që paraqiste e i pandehuri dhe lënien e tij në shërbim prove.
Pensioni
82-vjeçari Shaholli në janar të 2015 ka përfituar nga skema e qeverisë për tu pajisur me pension dhe për këtë libreza e pensionistit i është dhënë në dorë nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i kohës Erjon Veliaj, gjatë një ceremonie publike./Droni