Nga Ilir Kalemaj
Jo pak ujëra u trazuan nga deklarata e bashkë-kryetarit të koalicionit qeverisës ku bash në kulm të zhegut veror hodhi “bombën” apo “shashkën tymuese” për një qeveri teknike që do conte vendin në zgjedhje të parakohshme në rast se nuk gjendej një formulë gjithëpërfshirëse për ta kaluar me konsensus reformën në drejtësi. Ndonëse u deshën shumë intervista para dhe pas këtij momenti ku me gjuhë ezopiane bashkëkryetari dhe bashkëpuntorë të tij të afërt me një gjuhë të koduar mohuan ekzistencën e një krize të tillë që do prodhonte zgjedhje të parakohshme, “kasandrat” e politikës dhe medias kanë parashikuar që shtatori do të jetë vendimtar përsa i përket kumtit të ri politik. Një koalicion në paterica, as mund të funksionojë për të zgjidhur ngërçin ekonomik, as mund të garantojë rend dhe siguri, as mund të shpëtojë vendin nga plagët sociale dhe as të ofrojë shpresë për zgjedhje të pakapura dhe të pa manipuluara qysh në start.
Por me të drejtë shtrohet pyetja: a janë dhe sa janë të përgatitura palët për të hyrë në një betejë politike të parakohshme që paralajmëron zgjedhje vjeshtake? Po elektorati? Për ta filluar nga partitë, duhet thënë se ndonëse pati lëvizje të momentit të fundit që synuan të qetësonin apo ko-optonin zërat rebelë brenda PS-së në përpjekje për të mbajtur gjallë 71-shin qeverisës në rast “krisje” të mazhorancës për mos-arritje akordi për ndryshimet kushtetuese, kjo e fundit si partia më e votuar në zgjedhjet e fundit parlamentare ka marrë kosto jo të vogël gjatë kësaj qeverisje problematike tre vjecare të projektit “Rilindja”. Projekt ky i kontestuar për së brendshmi shpesh po aq zhurmshëm sa dhe prej së jashtmi nga antagonistët politikë, pasi përfaqëson një pakicë në rrafsh numerik dhe ideor edhe brenda forcës politike ku operon. Bashkëudhëtari tjetër qeverisës, LSI e Ilir Metës ka ditur të kapitalizojë nga këto dobësi dhe konsumim pushteti, duke forcuar aradhët e militantëve të vetë të mirë-trajtuar me poste dhe privilegje të tjera, shpesh në nivel asimetrik, me një parti që ka një komandë më vertikale dhe operon taktikisht më e organizuar dhe duke shmangur konfrontimin direkt me opozitën, pra duke lënë hapur një rrugë-kalimi për një koalicion parazgjedhor që do sillte njëdeja vú politike, të mirëpritur nga disa, dhe të kontestuar po aq fuqishëm nga të tjerëhomo politicus të PD-së.
Kjo e fundit, si forca kryesore opozitare, ka pak për të humbur dhe shumë për të fituar me një qeveri teknike që përgatit vendin për zgjedhje të parakoshme. Së pari, siguron mekanizmat e duhur të votimit elektronik dhe të tjera garanci institucionale për mbrojtjen e votës (duke përfshirë atë të emigrantëve) pa të cilat votimi në vetvete do sillte një rezultat minimalisht të diskutueshëm. Së dyti, do risillte në vëmendjen e publikut dhe të medias, probleme akute të qeverisjes, nga ekonomia te siguria, të cilat u anashkaluan apo dolën në rend të dytë gjatë diskutimeve mbi reformën në drejtësi, a thua kjo e fundit do t’i zgjidhte këto më anë të një “deux ex machina”, reale apo jo. Së treti, do të kapitalizonte nga pesha që mbarti për të prodhuar një draft konsensual të vetë reformës që kjo e fundit të mos ishte e kapur politikisht qysh në start dhe për rrjedhojë pa legjitimitetin që i duhej për t’u kthyer jo në “kërbaç politik” por në aset për të pastruar radhët e drejtësisë nga të korruptuarit dhe që të shërbejë si një pushtet i tretë i vërtetë dhe garant i konstitucionalizmit në vend.
Ndërsa në lidhje me zgjedhjet e elektoratit do veçoja atë që dy politologë të famshëm amerikanë Cristopher Achen dhe Larry Bartels në një libër të sapopublikuar “Demokracia për Realistët” kanë avancuar një “teori grupi” për demokracinë dhe shtetin. Ata e vënë theksin mbi besnikërinë e grupit dhe ndaj partisë si më të rëndësishme se preferencat mbi politikat dhe ndasitë ideologjike, në kalkulimet e votuesve. Pra e kthejnë kokëposhtë paradigmën e famshme të Rilindjes Europiane, liberalizmit britanik apo progresivizmit amerikan që kanë kthyer deri në kult arsyen njerëzore dhe kultin e individualizmit, duke theksuar se jeta njerëzore dhe për rrjedhojë dhe veprimet që ndërmerren janë të influencuara nga rrethi shoqëror, politik apo ekonomik i qytetarit të sotëm. Për shumicën e njerëzve sipas tyre, të përkiturit në një grupim politik nuk është e lidhur me ideologjinë se sa me kulturën e grupit që kërkon të përbashkohet me njerëz të ngjashëm me veten. Kjo kulturë grupi ka bërë që në SHBA për shembull, në çdo palë zgjedhje presidenciale, secila nga dy partitë e mëdha ta nisi fushatën me rreth 45 përqind të votuesve “nëxhep” duke luftuar për ata 10 përqind të pavendosur që synohen të tërhiqen nëpërmjet përzgjedhjes së një simbolike politike sa më përfaqësuese.
Në vendet me sisteme zgjedhore proporcionale, me sisteme më plurale dhe të fragmentarizuara politike, si gjerësisht në Europë dhe natyrisht te ne, thyerrjet dhe përthyerjet e votës janë vështirë të parashikohen jashtë kontureve të koalicioneve para dhe pas zgjedhore. Pra ndonëse PD dhe PS kanë një “rezervuar votash” të garantuar që nuk i lejon të zbresin poshtë një kuorumi të caktuar (të themi rreth 600 mijë secila), përcaktuese janë votat për partitë e koalicionit të secilës. Vençarisht deçisivë do jenë vendim-marrjet e LSI-së, PDIU-së por edhe partive të tjera me peshë politike më margjinale në daljen më vete si pol i tretë apo bashkangjitur lokomotivës të një prej dy partive kryesore. Kjo përllogaritje numerike dhe e bazuar në strategji elektorale nëpërmjet rreshtimit taktik për të maksimizuar suksesin elektoral, nuk mund asesi të lërë jashtë konsiderate “frymën” e zgjedhjeve, të parakohshme apo jo qofshin. Vënia e gishtit mbi plagë, duke identifikuar problemet dhe plagët dhe duke ofruar zgjidhjet dhe recetat, është po aq, në mos më e rëndësishme, për të thithur votën e elektoratit të pavendosur, pjesës fluide dhe pjesës së painteresuar. Tre grupime këto që numerikisht janë shumica e shqiptarëve sot që flasim. Natyrisht bashkë me emigrantët të cilëve duhet t’u ofrohet çdolloj mundësie për t’u përfshirë në proces dhe për të qenë të përfaqësuar.