Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili deklaron se konsensusi unanim për miratimin e reformës në drejtësi krijoi një perceptim qetësie dhe nuk riciklon tensionin apo konfliktin e radhës.
Po a ka lëkundje të koalicionit dhe a ka një afrim me Partinë Demokratike? Në një intervistë për ABC News Vasili thotë: Miratimi i reformës në drejtësi rezonoi në mënyrë shumë të shpejtë në sallën e Parlamentit. I gjithë ky konsensus u prodhua për një qetësi të madhe të qytetarëve, jo për shqetësimin e radhës. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen. Konsensusi prodhoi një politikë më solide dhe Shqipëria është më stabël. Falë një veprimi inteligjent, u davaritën hijet e zeza të Maqedonisë. Në të kundërt, nuk do të flisnim për raportet Meta-Berisha, Berisha-Rama, Rama-Basha etj., apo kushedi se çfarë.
Pyetje: Po si i gjykon raportet në koalicion dhe me opozitën?
Petrit Vasili: Nuk është Shqipëria në këtë moment për të folur për këto çështje. Ndërsa nuk duhet të lodhemi së foluri për një arritje të tillë konsensuale. Është folur për marrëdhënie Rama-Berisha, Berisha-Meta, Meta-Rama etj, por media shumë pak po i mëshon ngjarjes për miratimin me konsensus të plotë prej 140 votash të reformës në drejtësi. Kjo është një ngjarje që hap një proces. Është një ngjarje që hap një qasje të re në politikë, ku marrëdhëniet në politikë vendosen në mënyrë principiale, dhe veprimi i z. Meta u vendos midis hullive të mëdha, dhe pati deklaruar publikisht se “kam vetëm një plan A; konsensus dhe sipas Venecias”. Pra, dy principe të shëndosha; konsensusi është një domosdoshmëri jetike, pa mirëkuptim s’kemi legjitimitet dhe Venecia që është certifikuesi i këtij konsensusi.
Pyetje: A ka qenë pak imponues? A kanë qenë pak palë me Kryeministrin Rama?
Petrit Vasili: Absolutisht që nuk e mbështes këtë gjë. Mendoj që ata kanë qenë këmbëngulës dhe janë përpjekur që të gjejnë dakordësitë, të bëjnë ndërmjetësimin për të gjetur mirëkuptimin mes palëve. Por në fund të fundit, një gjë ishte e domosdoshme: ballafaqimi i të gjithëve. Një nga gjërat që unë e çmoj te veprimet e z. Meta ishte që t’i ulte të tërë së bashku në tavolinë për të folur. Ideja që ju do më çoni fjalë mua, unë do iu çoj fjalë juve, ky që në shqip i themi ‘telefon i prishur’ do të thotë që nuk ishte efektiv dhe lindën shumë keqkuptime, që nganjëherë nuk qenë edhe të vërteta. Pra, ulja duke parë ballë përballë njëri-tjetrin ishte një gjë shumë pozitive.
Pyetje: Po citoj këtu një fjalë të z. Meta që tha: ‘Unë z. Lu dua t’i them që të mos flasë me fjalë korridoresh, të mos marrë parasysh fjalët e korridoreve, por të shikojë aksionet’. Për çfarë fjalësh korridoresh e ka pasur fjalën?
Petrit Vasili: Sigurisht diplomatët e huaj bënë një gjë panjohur ndoshta si duhet realitetin shqiptar. Ai që quhet veprim i fortë politik është që të gjithë të ulen dhe të gjithë të flasin me njëri-tjetrin. Është formuar një standard i ri se si duhet të punojë politika për çështjet ku ajo bashkohet. Për çështjet madhore shqiptarët tashmë kanë një standard të ri.
Pyetje: Thuhet se pati një përplasje të fortë për reformën në drejtësi mes PS dhe LSI… Si ju duket ky opinion?
Petrit Vasili: Unë besoj që në qoftë se dy forca politike e duan reformën, tanimë e kanë reformën. PS është shprehur pro reformës, LSI gjithashtu.