Mino Raiola dhe klienti i tij, Paul Pogba, janë njerëzit e momentit në merkato. Akoma nuk dihet asgjë për të ardhmen e mesfushorit francez, i cili ndodhet me pushime në Miami. Por kjo situatë nuk është e re për një si Raiola, i cili menaxhon interesat e disa prej lojtarëve më të rëndësishëm në botën e futbollit. Në një intervistë të dhënë për “Corriere dello Sport”, ai ka folur për profesionin e tij, situatën e futbollistëve që menaxhon dhe për planet personale.
Si ndiheni kur mendoni se ju keni mbyllur operacione që kanë kaluar vlerën e 300 milionë eurove?
“Nuk ndiej asgjë dhe sigurisht nuk besoj se jam i veçantë. Unë ndihem vetëm Mino. Jam i lumtur dhe vlerësohem nga familja ime dhe nga lojtarët e mi. Imazhi im publik nuk më intereson sepse në botë ka gjithmonë nga ata që të duan dhe ata që të urrejnë për atë që bën ose thua. Pikat e mia të referimit janë familjarët e mi dhe futbollistët e mi, të cilët i trajtoj si të ishin fëmijët e mi. Ata e vlerësojnë këtë”.
Raiola ka mbyllur operacione që kanë kaluar vlerën 300 milionë euro Ju jeni njeriu i transferimeve rekord dhe tani po përgatisni një tjetër me Pogba tek United.
“Nuk më interesojnë rekordet. Gazetat shkruajnë se Pogba mund të vendosë një rekord, por unë rekordet i kam arritur me Ibrahimovic dhe Nedved. Unë dua më të mirën për futbollistët e mi dhe, për rrjedhojë, edhe për Pogba”.
Nëse Pogba është mbreti i merkatos, Balotelli është ai që kërkohet më pak. Çfarë mendoni për Marion?
“Nuk është asnjëherë vonë në jetë. Nëse mendoni se Mario më bën të dëshpërohem, e keni gabim sepse jeta e tij është përmirësuar shumë dhe tani duhet vetëm të gjej rastin e duhu. Sigurisht, ka nevojë edhe për atë fat që i ka munguar në sezonet e fundit, por ju siguroj se është një person i madh, një djalë me një zemër të madhe. Po paguan për gjëra që nuk i ka bërë ai”.
Këto ditë ai mund të realizojë një tjetër operacion rekord, duke derguar Pogba tek United Nëse ju thërrasin ‘picajol’, siç ka bërë disa vite më parë Mihajlovic, si reagoni?
“Picajol nuk është një ofendim. Kam punuar në restorantin e babait tim Mario dhe ka qenë ajo eksperiencë që më ka ndihmuar të bëhem personi që jam sot. Unë nuk harroj nga kam ardhur dhe nuk e mohoj punën e ndershme që kam bërë. Madje, jam krenar. Duke bërë kamerierin dhe duke shërbyer nëpër tavolina mësohen shumë gjëra, para së gjithash respekti për njerëzit. Kamerieri i trajton të gjithë në të njëjtën mënyrë, nga biznesmeni më i fuqishëm te punëtori i thjeshtë. Më kanë mësuar të mos gjykoj asnjeri dhe t’i dëgjoj të gjithë. Restoranti ka qenë universiteti im. Edhe pse unë kam qenë në universitet…”.
Ju jeni një menaxher që nuk i vini limite vetes. Është e vërtetë se keni menduar të blini Roma-n?
“Nëse Roma do të ishte në merkato, bashkë me një grup investitorësh, mund ta blija sepse do të ishte një projekt interesant. Amerikanët kanë bërë shumë pak për klubin verdhekuq dhe nuk kam besim te projekti i tyre. Ashtu siç nuk kisha besim te projekti i Inter-it”.
Mes skuadrave italiane vetëm Juventus mund të luftojë në Europë. Jeni dakord?
“Juventus fiton sepse ka pasur fatin të shkojë në Serinë B. Ka rindërtuar strukturën, ka ndërtuar një stadium në pronësi dhe ka filluar të investojë në merkaton kombëtare dhe ndërkombëtare. 4-5 klube të tjera italiane nuk e kanë bërë, merrnin paratë nga të drejtat televizive dhe nuk ndërtonin asgjë. Tani po vjelin frytet… Në futboll duhet të ndryshosh kur je duke fituar, përndryshe është gjithçka më e komplikuar”.
Nuk besoni se diçka po lëviz, në Itali dhe jashtë?
“Çfarë? Të marrim FIFA-n: është larguar Blatter dhe çfarë ka ndodhur? Asgjë. Thjesht është zëvendësuar një njeri me një tjetër. Duhet të ndryshohet sistemi”.