Turizmi në Shqipëri nuk është duke jetuar ditët më të mira. Një vit më parë, goditja më e madhe që mori ai ishte ndërprerja e energjisë elektrike pothuajse në të gjithë linjat që kalonin në bregdetin e Jugut. Jo vetëm bizneset që punonin aty, turistët, por edhe banorët e zonave përjetuan stinën më të vështirë në këto vite. Por çfarë ka ndryshuar këtë vit?
Kompania e shpërndarjes së energjisë elektrike e kishte “vëth në vesh”, rregullimin e rrjetit, sidomos në bregdetin e Jugut. Për më shumë se dy muaj, zyra e shtypit në këtë kompani punoi rregullisht që të sqaronte qytetarët dhe pushuesit në 2015-n për arsyet e ndërprerjes së dritave, sidomos në zonat e Jugut. Edhe pse u angazhuan 600 punonjës të OSHEE-së për të qenë në gatishmëri për të punuar aty, shpeshtia e defekteve bënte që zona si Himara, Qeparoi dhe Dhërmiu të mos kishin energji për orë të tëra. Faji kryesor për këto ndërprerje, sipas kompanisë, ishte rritja e konsumit, e kur e pyesje se dhe në vite të tjera konsumi ka qenë i njëjtë, atëherë përgjigjja ishte amortizimi i rrjetit të vjetër i kombinuar edhe me temperaturat e larta. Përpara një viti, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë dha një premtim për të gjithë: në vitin 2016, nuk do të kishte më ndërprerje të dritave në Jug, ndërsa po niste investimet.
Në fakt, të gjitha këto investime u realizuan përveç një problemi që doli: Jugu vijonte të kishte ndërprerje të energjisë elektrike. Këtë herë nuk munguan as kritikat hapur të shoqatave të turizmit, të cilat në një deklaratë për mediat, thanë hapur se po rrezikohet turizmi shqiptar. “Në veçanti, Maqedonia vë në dispozicion një fond prej 5 milionë eurosh për të stimuluar fluturimet low cost dhe qëndrimet ne vend, Mali i Zi po ndërton resortin më luksoz në Mesdhe, Serbia investon në pasurimin e portofolit të eventeve ndërkohë që Shqipëria fillon sezonin e vonuar me energji 48% më të shtrenjtë dhe shërbime rikonstruktuese të sistemit të shpërndarjes së energjisë në vijën bregdetare nga 15-30 korrik dhe 12 orë ndërprerje energjie në ditë”, shprehet Shoqata Shqiptare e Turizmit në një deklaratë për mediat. Ajo shkon më tej kur thotë se nuk mund të pretendohet të kesh turizëm, kur në këto vite nuk është bërë asgjë, por përkundrazi janë rritur kostot e paketës turistike. “Nëse do të ishte ky i vetmi problem i konstatuar dhe vuajtja e fundit e industrisë, ndoshta kjo deklaratë nuk do të ishte e nevojshme. Është lista e gjatë e problemeve që sa vijnë e shtohen që ka shkaktuar reagimin e industrisë kohët e fundit. Ndërsa në këto 3 vite, nuk u mbajt premtimi për stimulimin e industrisë me një paketë dinjitoze fiskale sikundër fqinjët, të paktën sot nuk duhet të kishim ndërprerje të energjisë, rritje të çmimit të energjisë në mënyrë abuzive, e konfirmuar kjo dhe nga ERE, luhatje tensioni dhe dëmtim pajisjesh në të gjithë vendin”.
Masat që mori OSHEE për sezonin turistik
Në të gjitha tryezat që organizoi Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit dhe Tregtisë për të përmirësuar masat që do të merrnin për sezonin, lista e gjatë me detyra për t’u përmbushur shkonte për përfaqësuesin e Ministrisë së Energjisë. Atij i lindte detyra që të bënte lidhjen ndërinstitucionale, në mënyrë që kompania e shpërndarjes të merrte masa për sezonin që ishte në prag. Sigurisht që kësaj liste nuk i shpëtonte as Ministria e Infrastrukturës dhe as Policia e Shtetit, e cila me postblloqet e saj në shumë pika kishte trembur turistët.
Investimet në rrjetin e energjisë elektrike nisën që në fillim të marsit, për këtë vonesë OSHEE thotë se ishin edhe burokracitë për fillimin e tenderëve, megjithatë deri në fund të qershorit ajo siguron se nuk do të ketë punime ekstra për të stabilizuar rrjetin, përveç atyre emergjente. Por në raportin e siguruar nga “Monitor” shihet qartë që punimet për investimin e nënstacionit të Dhërmiut dhe riparimin e linjave kabllore të Himarës do të përfundojnë në javën e fundit të korrikut.
Në raportin e OSHEE, “Monitor” ka mësuar se do të jenë 550 punonjës të cilët do të vihen në gatishmëri përgjatë gjithë pjesës bregdetare të Shqipërisë, e cila ndahet në rajone. Dy nga prioritetet që kanë vendosur OSHEE në këto zona janë fuqizimi i nënstacionit të Himarës dhe Dhërmiut. “Vendosja e personelit operativ në nënstacionin lëvizës Himarë dhe nënstacionin e Dhërmiut, që do të ndërtohet si përforcues në nënstacionet me nivel tensioni primar 110 kv, për të garantuar furnizimin e pandërprerë me energji elektrike nga këto dy nënstacione”, shprehet raporti.
Kompania ka riorganizuar të gjithë punonjësit e saj nga degët të cilat nuk ka sasi të shtuar konsumi, siç janë qytetet e Korçës dhe Beratit, drejt pikave të gatishmërisë që mund të ndodhë defekti. Përveç pjesës së Jugut, brigada do të ketë staf të gatshëm edhe në veri të vendit në rajonin e Shkodrës dhe të Durrësit. Në të gjitha këto pjesë, kompania ka ngritur shtabet e emergjencës. Gjithsej janë 10 shtabe, të cilat përbëhen nga 55 punonjës që do të ndihmojnë dhe riparojnë defektin në rast ndërprerjeje.
Në detaje, plani i masave të OSHEE jep këto përparësi:
- Vendosja e grupeve të gatishmërisë në institucione të rëndësisë së veçantë, hidrovore, spitale.
- Vendosja e personelit përforcues te kabinat në mënyrë që ekipet e terrenit të punojnë sa më shpejt.
- Mbajtja e bazës së materialit të emergjencës pranë çdo drejtorie rajonale, në mënyrë që të mos ketë vonesa.
- Ngritja e magazinës së emergjencës në Himarë dhe Dhërmi.
- Mbajtja në gatishmëri e makinave teknologjike dhe aparateve portative në rast defektesh në rrjet.
- Mbajtja në gatishmëri e mjeteve të transportit për riparimin e avarive.
Vjetërsia e rrjetit të energjisë
Një nga problemet më të mëdha të rrjetit të shpërndarjes së energjisë është vjetërsia e tij. Edhe pse me miliarda lekë janë investuar në vite, shqiptarët janë ende të varur nga shprehja “ikën dritat”. Buxheti për të investuar në linja të reja ka ardhur gjithnjë në rritje, ndërsa vetë Banka Botërore ka miratuar një kredi gjigante një vit më parë prej 1.2 miliardë dollarësh për të rritur eficencën e këtij sistemi. Në 2016-n, buxheti i këtij viti miratoi nga kjo kredi 50 milionë dollarë huadhënie neto për sektorin e energjisë elektrike.
Pavarësisht investimeve që parashikoi të bëjë në vitin 2016, OSHEE nuk ka përfunduar tërësisht rikonstruktimin e plotë të rrjetit të Jugut. Në planin e investimeve të saj parashikohet që në dy vitet që vijnë të investohet në linja dhe kabina të reja, vlera totale e të cilave shkon në 16 milionë dollarë.
- Himara:
Investim 530 milionë lekë, ku përfshihen 4 fidera, 53 kabina elektrike
- Dhërmiu:
Investim 880 milionë lekë, ku përfshihen 4 fidera, 45 kabina elektrike
- Qeparoi:
Investim 114 milionë lekë ku përfshihet rikonstruktimi i plotë për 15 kilometra linjë, 20 kabina të reja
—————-
Ndërprerjet nga remontet
Flet Petraq Lika, drejtor teknik i OSHEE
Cilat kanë qenë arsyet për ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike gjatë kësaj periudhe? Ndërprerje kanë pasur zonat turistike, por nuk kanë munguar as në kryeqytet…
Është e vërtetë. Ndërprerje të energjisë elektrike ka pasur, por arsyet e këtyre ndërprerjeve kanë qenë remontet, të cilat futen te kategoria e “ndërpreve të planifikuara”. OSHEE ndërton të gjithë strategjinë e remonteve mbi bazën e standardeve. Kemi ndërprerje të planifikuara dhe ndërprerje të paplanifikuara. Ndërprerjet e planifikuara i përgjigjen sistemit të remonteve që ka të bëjë me një rrjet shumë të vjetruar, 40-vjeçar. Mban teknologji të ndryshme të të gjithë etapave të tranzicionit, ruse, kineze etj. Dhe kjo e rrit shumë shkallën e vështirësisë në riparimin e tij. OSHEE është e detyruar që të parandalojë të gjithë defektet e mundshme që rrezikojnë të ndodhin në sistem. Këtë periudhë ne e kemi vlerësuar të domosdoshme që t’i paraprijmë në mënyrë që sezoni veror të jetë me tregues performance sa më të mirë. Kemi treguesin e kohëzgjatjes së ndërprerjes që mund të ndodhë, kemi treguesin tjetër që është numri i ndërprerjeve, me këta të dy ne matim performancën e rrjetit.
Por përse janë planifikuar që remontet të bëhen në këtë periudhë? Ne e dimë që muaji qershor është një periudhë ku sezoni turistik ka filluar!
Sezoni veror hyn në periudhën e “pikut” në datën 1 korrik dhe deri më 30 gusht. Ne e ndërtojmë mbi bazën e regjimit të ngarkesave dhe zgjedhim periudhën kur ka më pak ngarkesa, kur probabilitetet për defekte janë më të pakta, mbi këtë filozofi ndërtojmë remontet. Ne kemi vepruar këtë vit në nyjet kritike. Në të gjithë hartën e shpërndarjes së linjave të shpërndarjes së energjisë kemi ndërhyrë, pasi ngarkesa e sezonit veror mund të shkaktojë avari të rrjetit. Jemi futur thellësisht, duke filluar që nga Velipoja ku kemi bërë fuqizim të nënstacionit, jemi futur në zonën e Shëngjinit ku përsëri kemi bërë një rikonfigurim të rrjetit, kemi vijuar me zonën bregdetare të Durrësit, ku kemi bërë remonte dhe investime më të shumta. Por investimet më të shumta janë bërë në zonën kritike nga Vlora në Himarë e deri në Sarandë. Nuk duhet harruar që në zonën e Himarës është i vetmi nënstacion që operon me fuqi 8.2 MWH dhe që është i vjetër që nga viti 1970. Këtu OSHEE-ja është detyruar të futet me investime të mëdha, është një investim i cili është përfunduar pikërisht në ditët që ka pasur edhe ndërprerje në këtë zonë. Kemi bërë një rikonstruksion kapitali të nënstacionit të Radhimës, kemi rikonstruktuar linjën nga TEC-i i Vlorës që shkon në zonën e Ujit të Ftohtë dhe po ashtu edhe linjën Radhimë-Orikum. Këtu janë gjithsej 24 kilometra të reja të ndërtuara, edhe në këmbë po të ecësh dhe kjo kërkon kohën e vet, jo të kesh një personel dhe nënkontraktor që duhet t’i mbikëqyrësh dhe të bësh një linjë sa më të mirë, që t’u vijë sa më shumë në ndihmë konsumatorëve.
Por për ndërprerjet e paplanifikuara, çfarë mund të thoni?
Kemi ndërtuar një strategji që të jemi sa më afër konsumatorit. Në planin e strategjisë për sezonin veror kemi marrë parasysh të dhëna statistikore dhe monitorime për ngarkesat dhe mundësitë e avarive që mund të ketë në këtë periudhë sezoni. Ne përdorim matjen manuale, nuk e kemi ende elektronike, siç e kanë vendet e tjera, të cilat duke e pasur lajmërimin në kohë reale shkojnë dhe ndërhyjnë në rrjet, duke stabilizuar sa më parë defektin. Ne kemi futur konceptin e skanimit ku, përmes teknologjisë, ne marrim informacionin që kjo pjesë është një nyje kritike dhe dashur padashur që të mos agravohet, ne bëjmë ndërprerje në mënyrë segmentare. Pra, nuk sjell shqetësime në blloqe të tëra, por kapim nyjen, e shkëputim nga sistemi, e riparojmë dhe e kthejmë.
A keni ngritur shtabe gatishmërie për këtë sezon?
Po, ne kemi ngritur shtabin e emergjencave. Gjithsej është ndarë në katër blloqe, çdo rajon ka shtabin e vet. Velipoja dhe Shëngjini janë te rajoni i Shkodrës; Durrësi, Golemi dhe Kavaja tek ai i Durrësit, zona e Semanit dhe Beratit te rajoni i Fierit dhe rajoni i Vlorës dhe Gjirokastrës që ka gjithë pjesën e Jugut të vendit. Këta punonjës do të jenë në gatishmëri për 24 orë dhe do të monitorojnë të gjithë terrenin, në mënyrë që të shohin se ku ka ngarkesë dhe ku mund të paraprihet avaria. Në të gjithë vijën bregdetare kemi 500 punonjës, që do të operojnë në kohë reale dhe për këtë, OSHEE ka vënë si prioritet menaxhimin e të gjithë zonës bregdetare. Nëse në kohë normale koha për të rregulluar defektin zgjat më shumë, tashmë që ne jemi në gatishmëri dhe e marrim më parë informacionin e avarisë dhe duke pasur të organizuar grupet e punës, koha e rregullit të defektit ulet ndjeshëm. Megjithatë dua të nënvizoj se zgjidhja dhe shpëtimi do të vijë kur ne të marrim të dhënat për dëmtimet e mundshme të rrjetit online. Janë disa programe, scada, telekomandë. C\cit të cilat i zbatojnë operatorët në rajon dhe janë një hap para nesh. Me rregulloret e tjera, OSHEE po vjen drejt stabilizimit, vetëm këtë ndryshim kemi nga të tjerët që do të synojmë ta arrijmë më tej. Nëse në total e marrim si shifër referimi, më parë defektet kanë qenë 100% tani kanë rënë në 50%, edhe 50% po vjen dhe po ulet duke bërë që kurbat të vijnë gjithnjë drejt përmirësimit.
A keni pasur vonesa për shkak të prokurimeve publike në kryerjen e remonteve të planifikuara?
Është vetë ligji që e kërkon që të gjithë tenderët që zhvillohen të bëhen në bazë të ligjit të prokurimeve publike dhe kjo ka problematikat e saj. Ne jemi të detyruar që çdo gjë ta bëjmë brenda standardit ligjor dhe kjo është pjesa që ka dhënë shqetësim në punimet që kemi bërë në këtë periudhë.
A do të vijojnë remontet edhe gjatë muajit korrik?
Duhet të kuptojmë diçka, kemi një rrjet 40-vjeçar dhe po ashtu e kemi të larmishëm. Kemi një rrjet rus, kinez dhe pastaj italian dhe pjesë të tjera të përbërjes së tij që na i vështirësojnë shumë punën. Remontet fillojnë më 1 janar dhe përfundojnë më 13 dhjetor, ky është rregulli. Por këto remonte janë të karakterit nyje, nuk janë të karakterit të segmentuar, të blloqeve të cilat sjellin zona të tëra pa energji. Unë u kërkoj edhe vetë bizneseve që të marrin masat e tyre dhe të bëjnë remontet në kabinat që administrojnë, pasi një defekt të ndodhë aty rrezikon të lërë pa energji gjithë zonën. Biznesi ka pjesën më të madhe të konsumit të energjisë elektrike.
Sa për qind zë konsumi i biznesit në rrjetin tuaj?
47% janë përdorues familjarë dhe 53% janë përdorues privatë dhe 40% e defekteve që ndodhin në rrjet janë pikërisht në kategorinë e biznesit. Por nëse marrim të gjithë masat, jam i bindur që ky sezon veror do të kalojë shumë mirë dhe do të arrijmë ta menaxhojmë situatën.