78% e bizneseve shqiptare presin që anëtarësimi në BE do të jetë një gjë e mirë për kompaninë e tyre, më e larta në rajon. Por, pak e dinë se BE nuk i hap dyert lehtësisht pa plotësuar standardet dhe shumë prej sipërmarrjeve nuk do të mund ta kalojnë këtë prag. Institucionet shtetërore, mbeten mbrapa me masat, sidomos në drejtim të sigurisë ushqimore. Bizneset që rrezikohen të mbyllen…
Nëse ka një vend në rajon që pret me padurim të anëtarësohet në Bashkimin Europian, ai është Shqipëria. Të gjitha sondazhet rajonale në vite dëshmojnë se shqiptarët janë më pro BE-së në rajon. Një anketim kombëtar i Perceptimit për Anëtarësimin e vendit në BE, publikuar vitin e kaluar nga Delegacioni i BE-së dhe Fondacioni SOROS, gjeti se 91% e shqiptarëve e konsiderojnë integrimin në BE si të rëndësishëm dhe me përfitime për Shqipërinë. Kjo përqindje është shumë më e lartë se ajo e Serbisë p.sh., ku vetëm 46% e serbëve ishin pro anëtarësimit në BE, sipas një sondazhi nga Zyra e Qeverisë serbe për Integrimin në BE në vitin 2014.
Po si shpjegohet kjo mbështetje kaq e lartë? Varfëria është padyshim një element. Të dhënat e Eurostat tregojnë se prej vitesh, të ardhurat për frymë të Shqipërisë kanë mbetur në 30% të mesatares së Bashkimit Europian, të parafundit në Europë, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën. Barometri i Ballkanit për qytetarët, i qershorit 2016, publikuar nga Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit (RCC) tregonte se 54% e shqiptarëve mendonin se anëtarësimi në BE, personalisht për ta nënkuptonte prosperitet ekonomik, shumë më e lartë se mesatarja në rajon prej 30%. Sa më shumë të rritemi, aq më shumë do t’i afrohemi mesatares së të ardhurave të Bashkimit Europian, i njohur teknikisht si procesi i konvergjencës.
Të lodhur nga zhvillimi i ngadaltë ekonomik dhe mungesa e besimit në qeverisje, me keqardhje konstatohet se shqiptarët po tentojnë të largohen nga oborri i tyre me gjemba dhe të shkojnë në lëndinën e perceptuar të Bashkimit Europian, duke mos e kërkuar zgjidhjen brenda shtëpisë së tyre. I njëjti barometër i RCC tregon se 55% e të anketuarve mendojnë se liria për të studiuar dhe për të punuar në BE shihet si një tjetër përfitim kryesor nga anëtarësimi në BE. Edhe këtu jemi shumë më lart se mesatarja e rajonit prej 32%.
Nuk janë vetëm individët që janë të paduruar për t’u bërë pjesë me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Biznesi e mendon po njësoj. Barometri i biznesit i RCC, publikuar po në qershor 2016, tregon se 78% e kompanive shqiptare mendojnë se anëtarësimi në BE do të jetë një gjë e mirë për kompaninë e tyre, pritshmëria më e lartë nga gjithë vendet e marra në konsideratë (Shqipëria, Bosnja, Kroacia, Maqedonia, Kosova, Serbia, Mali i Zi), ndërsa mesatarja rajonale është 54%. Bizneset e Serbisë janë ata që kanë perceptim më negative për anëtarësimin e vendit të tyre në BE, ku vetëm 29% e të anketuarve mendojnë se anëtarësimi në BE do të jetë një gjë e mirë për kompaninë e tyre.
Ndryshe nga Britania e Madhe, që përmes një referendumi shokues vendosi të dalë nga BE, shqiptarët janë gjithnjë e më të “dashuruar” nga parimet në bazë të të cilave vepron unioni ku tashmë kanë mbetur 27 shteve. Një treg i brendshëm, ku konkurrenca është e lirë dhe e pashtrembëruar është një nga objektivat bazë mbi të cilat funksion Bashkimi Europian, krahas artikullit I-4 të Kushtetutës për Europën, që garanton lirinë e lëvizjes së personave, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit brenda unionit (katër liritë e famshme).
Flamur Hoxha, sipërmarrës i kompanisë së prodhimit të veshjeve, Kler, është një prej atyre që mendojnë se hyrja e vendit në BE do të jetë pozitive. Sot ai, pavarësisht kapaciteteve dhe ekspertizës që ka, po humb shumë klientë potencialë nga vendet e BE-së (kryesisht Italia) për dy arsye. Së pari, taksa doganore prej 12.5% për produktet nga vendet ekstrakomunitare si Shqipëria rrit kostot e produktit. Së dyti, klientët fundorë nuk preferojnë të blejnë veshje me shënimin “Made in Albania”. P.sh., Zenco Textile, një firmë veshjesh nga Hong Kongu, së fundmi ka kaluar kontratën nga Turqia në Rumani, pasi tregu kinez, një ndër më të mëdhenjtë në botë, nuk i pranonte prodhimin “Made in Turkey”, por preferonte “Made in EU”.
Nëse Shqipëria do të ishte në BE, Kler do të mund të prodhonte veshje me shënimin “Made in EU” dhe kërkesat nga partnerët italianë do të ishin shumë më të mëdha. Kjo do t’i mundësonte atij të rriste shitjet, të investonte më shumë dhe të shtonte numrin e punonjësve, por edhe të kishte më shumë porosi për tregun e mesëm dhe të lartë, duke rritur në këtë mënyrë vlerën e shtuar dhe duke neutralizuar efektet që do të kishte nga rritja e kostove si rrjedhojë e hyrjes në Bashkimin Europian.
Por, nuk është kaq e lehtë për të gjithë. Ndryshe nga Kler, e përqendruar në eksporte, që në vite ka investuar në teknologji e standard, shumë kompani të tjera thjesht kanë mbijetuar në xhunglën shqiptare dhe një ditë do të dalin zbuluar, kur të kuptojnë se do të jenë të detyruar të plotësojnë shumë standarde cilësie, apo të përballen pa mbrojtje me konkurrencën nga kompanitë e vendeve të BE-së.
Rreziqet e “papritura”
Ndryshe nga sipërmarrjet, që në vite kanë investuar në teknologji e standard, shumë kompani të tjera thjesht kanë mbijetuar në xhunglën shqiptare dhe një ditë do të dalin zbuluar, kur të kuptojnë se do të jenë të detyruar të plotësojnë shumë standarde cilësie, apo të përballen pa mbrojtje me konkurrencën nga kompanitë e vendeve të BE-së.
Edhe jemi, edhe s’jemi gati
Luan Bregasi, sipërmarrës prej vitesh dhe drejtor i Biznes Albania, thotë se biznesi prej kohësh ka filluar të përgatitet nga ana psikologjike, por edhe të marrë masa që prodhuesit duhet të bëhen konkurrues jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe përballë importeve.
Goditja nuk do t’i vijë e papritur. Industri të ndryshme kanë kohë që po përballen me tregtinë e lirë, teksa shumë produkte hyjnë pa doganë. Shqipëria vepron aktualisht me vendet e Bashkimit Europian, në kuadër të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, si pjesë e procesit të integrimit në BE, që parashikon krijimin e një zone të tregtisë së lirë ndërmjet Shqipërisë dhe BE në një periudhë kohore 10-vjeçare.
“Kjo na ka bërë të përgatitemi psikologjikisht dhe të marrim masa për të rritur cilësinë e produkteve tona”, thotë Bregasi, që është gjithashtu aksioner në Birra Tirana, prodhuesi më i madh i birrës në vend. Kompania në fjalë ka punësuar një specialist gjerman, në përpjekje për të rritur cilësinë e për t’u bërë më konkurruese me birrat e importit.
Megjithatë, sektori sërish nuk është gati. Një përpjekje e Ministrisë së Financave, në fund të vitit të kaluar për të rritur me 11% akcizën e birrës vendase, dhe uljes 15% të asaj të importit, – duke e justifikuar me nevojën për të përafruar nivelin mes tyre- nuk arriti të kalonte në Kuvend, si rrjedhojë e lobingut të fuqishëm të bizneseve të këtij sektori. Ata argumentuan se nëse ajo rritet, rrezikon që ky biznes të dëmtohet duke u mbyllur me qindra vende pune.
“Kemi dy ushtri që përballen, njëra që lufton me apashë dhe tjetra me shpata e thika”, preferon të bëjë krahasimin Bregasi. Një shprehje kjo që perifrazon nivelin elementar të zhvillimit të biznesit shqiptar në krahasim me sofistikimin e sipërmarrjeve të Bashkimit Europian, që kanë jo vetëm më shumë përvojë, por edhe teknologji të zhvilluar dhe ekonomi shkalle (si rrjedhojë e madhësisë), që e bëjnë atë potencialisht një “fitimtar” të rrezikshëm, në momentin që ushtria shqiptare do të dalë nga kështjella dhe do të ndeshet në një fushë të hapur.
Të vegjlit rrezikojnë të goditen më shumë
Ekonomia shqiptare karakterizohet nga biznese të vogla me 1-4 punonjës, që përbëjnë mbi 90% të totalit të ndërmarrjeve, ku mbizotëron vetëpunësimi dhe që shpesh janë në kufijtë e ekzistencës dhe nuk kanë kapital të mjaftueshëm për të përshtatur standardet, që do të duhet të përmbushin detyrimisht teksa vendi do të integrohet gradualisht. Gentian Elezi, ekspert i çështjeve të integrimit mendon se “hapja e tregut dhe integrimi me tregun europian vë në vështirësi sipërmarrjet e vogla, siç ka ndodhur edhe në vende të tjera. Për rrjedhojë, ky proces do të sjellë edhe ndryshime të strukturës ekonomike (brenda sektorit), duke rritur konkurrencën dhe nevojën për ekonomi shkalle dhe biznese që mund t’i bëjë ballë tregut. Ai parashikon që priten gradualisht pasoja në këto sipërmarrje, por jo në çdo sektor ndikimi do të jetë i njëjtë. Në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, do të ndodhë një rialokim i fuqisë punëtore sipas nevojave të tregut të ri të integruar.
Stefan Pinguli, sipërmarrës, prodhues i Birra Stela, thotë se në Shqipëri për prodhimet vendase nuk zbatohen as masat për balancimet e çmimeve ndërmjet prodhuesve të vegjël dhe atyre të mëdhenj. Konkretisht në Bashkimin Europian është vendosur marrëveshja që për prodhuesit e mëdhenj, qoftë të birrës ose produkteve të tjera janë diferencuar nivelet e taksave, për të ekuilibruar kostot e larta të biznesit të vogël. Kjo direktivë e BE-së, propozon ai, duhet shtrirë për të gjitha industritë, por mbi të gjitha ato ushqimore, për të cilat vendi ka instaluar pjesën më të madhe të industrisë dhe forcave të punës.
Shumë ndërmarrje mund të mbyllen
Kur Bullgaria dhe Rumania hynë në BE në vitin 2008, shumë biznese u mbyllën përfundimisht ose përkohësisht, për shkak se nuk plotësonin standardet e kërkuara nga BE-ja. Alban Zusi, ish- zv.ministër i Bujqësisë, sot sipërmarrës në agroindustri, mendon se e njëjta gjë do të ndodhë në mënyrë të pashmangshme edhe në Shqipëri. “Në momentin që Shqipëria do të hyjë në BE, prodhuesit vendas ose do të bllokojnë prodhimin, ose të duhet të bëjnë investime të rëndësishme, që nuk dihet nëse do të mund t’i përballojnë dot, për shkak të kostove të larta”.
Sipas raportit të fundit të progresit të Bashkimit Europian, sistemi në fazë të hershme i sigurisë ushqimore do t’i vërë prodhuesit shqiptarë veçanërisht ata joeksportues para detyrimit të investimeve të mëdha dhe të menjëhershme në momentin e imponimit të këtyre masave nga BE, çka do të ulte aftësinë e tyre për investime në konkurrueshmëri për së paku dy-tre vite.
Sektori i përpunimit të qumështit, industria që përpunon fruta perime (p.sh., fërgesa, specat apo kastravecët turshi), industria e prodhimit të mishit të pulës edhe ajo e ëmbëlsirave, që përdor qumësht e vezë pritet të jenë më të goditurat.
Bizneset që rrezikojnë të dalin nga tregu
Sektori i përpunimit të qumështit, industria që përpunon fruta- perime (p.sh., fërgesa, specat apo kastravecët turshi), industria e prodhimit të mishit të pulës dhe ajo e ëmbëlsirave, që përdor qumësht e vezë pritet të jenë më të goditurat, pasi do të vihen para detyrimit të investimeve të mëdha dhe të menjëhershme në momentin e imponimit të masave të sigurisë ushqimore nga BE.
Siguria ushqimore, më problematikja
Mbikëqyrësit e BE-së konfirmojnë shqetësimin e ekspertëve shqiptarë se siguria ushqimore do të jetë më problematikja në procesin e integrimit të vendit.
Sipas raport-progresit 2015 të Bashkimit Europian për Shqipërinë, në përgjithësi, nuk janë ndërmarrë ende procedurat e brendshme dhe planet operative të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Nuk janë ndërmarrë hapa për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe institucional për sistemin e sigurisë ushqimore, duke ndarë përgjegjësitë dhe duke vendosur bashkëpunimin mes institucioneve të ndryshme. Rregullat e organizimit, funksionimit dhe procedurës së Komitetit Shkencor dhe Paneleve nuk janë përfunduar ende.
Në lidhje me rregullat e sigurisë ushqimore, raporti thekson se nuk është bërë progres në përshtatjen e rregullores për etiketat e ushqimeve, materialet që janë në kontakt me ushqimet dhe papastërtitë, në lidhje me ‘acquis’ përkatëse. Frekuenca e monitorimit mikrobiologjik e qumështit të papërpunuar duhet të rritet në linjë me rregulloret në fuqi dhe duhen përshpejtuar masat që i detyrojnë prodhuesit të përshtasin praktikat e mira të higjienës në lidhje me prodhimin e qumështit më të sigurt.
Shërbimi veterinar është i fragmentuar, me procedura të paqarta dhe burime të kufizuara humane dhe financiare. Të dhënat për kafshët nuk përditësohen rregullisht, për shkak të mungesës së raportimit të lëvizjeve. Edhe raportimi i sëmundjeve duhet të përmirësohet.
Sipas raportit nuk është bërë progres as në politikat fitosanitare dhe as në kontrollin e organizmave të dëmshme, farave dhe sektorin e shumimit të bimëve. Përkundrazi, së fundmi, fermerët po ankohen për cilësinë e dobët të kimikateve dhe farave, çka po i detyron ata të mbjellin për së dyti prodhimet. Sidomos tregu i plehrave kimike në vend mbetet ndër më të pakontrolluarit dhe, vitin e fundit, ka pasur zhvendosje të importeve, ku Indonezia dhe Argjentina dolën në skenë për herë të parë në 2015-n, si destinacionet kryesore nga importohen plehrat organikë. Fermerët, nga ana e tyre, ankohen se ndonëse po i përdorin më shumë kimikatet, nuk kanë rezultat. Nëse vendi do të kishte përshtatur standardet e BE-së dhe cilësia e plehrave do të ishte e kontrolluar, ndoshta fermerët nuk do t’i kishin këto probleme.
Ndërsa zbatimi i standardeve të BE-së do t’i vërë bizneset nën presion për shkak të domosdoshmërisë së kryerjes së investimeve, për konsumatorët efektet do të jenë pozitive. Rregullat e higjienës së BE-së për prodhimin e produkteve ushqimore garantojnë nivel të lartë të sigurisë ushqimore. Shëndeti i kafshëve dhe siguria e ushqimeve me prejardhje shtazore kontrollohen së bashku me cilësinë e farave, materialet e mbrojtjes së bimëve, organizmat e dëmshme dhe ushqimin e kafshëve.
Efektet positive për sigurinë ushqimore (nëse arrijnë të zbatohen)
Rregullat e higjienës së BE-së për prodhimin e produkteve ushqimore garantojnë nivel të lartë të sigurisë ushqimore. Shëndeti i kafshëve dhe siguria e ushqimeve me prejardhje shtazore kontrollohen së bashku me cilësinë e farave, materialet e mbrojtjes së bimëve, organizmat e dëmshme dhe ushqimin e kafshëve.
Raporti kosto-përfitime
Në afatin e gjatë, integrimi në BE padyshim që ka efekte pozitive për Shqipërinë, pasi do të rriten investimet e huaja, eficenca ekonomike dhe konkurueshmëria e ekonomisë shqiptare. Shumë biznese do të kuptojnë se nuk do t’ia hedhin dot më, duke manipuluar me cilësinë e ushqimit, ndotjen e mjedisit, kushtet e higjienës, shëndetit dhe sigurisë në punë, kontrollit të tregut, duke ofruar produkte dhe shërbime më të mira për konsumatorët.
Por, që të arrijmë të përfitojmë afatgjatë, duhet të minimizojmë efektet negative afatshkurtra. “Disa nga kostot lidhen me reforma të kushtueshme që do të nevojiten për rindërtimin apo ristrukturimin e industrive jo eficente; papunësinë në sektorët që nuk do t’i bëjnë dot ballë presionit konkurrues, sidomos në industri; rritjen e shpenzimeve të buxhetit për pagesa të papunësisë dhe rikualifikimeve; kostot legjislative dhe institucionale për zbatimin e legjislacionit europian; shpenzimet për modernizimin e prodhimit; reduktimin e hapësirave për manovra të politikës ekonomike, etj.”, thotë Gentian Elezi, pedagog/ekspert i çështjeve të integrimit europian.
Ilir Ciko, ekspert i çështjeve të tregtisë, thotë se përfshirja në çmimin e produkteve dhe shërbimeve e kostos që rezulton nga përputhja apo zbatimi i standardeve europiane në fund të fundit do të rëndojë mbi konsumatorin shqiptar.
Kostot
Reforma të kushtueshme që do të nevojiten për rindërtimin apo ristrukturimin e industrive jo eficente; papunësinë në sektorët që nuk do t’i bëjnë dot ballë presionit konkurrues, sidomos në industri; rritjen e shpenzimeve të buxhetit për pagesa të papunësisë dhe rikualifikimeve; kostot legjislative dhe institucionale për zbatimin e legjislacionit europian; shpenzimet për modernizimin e prodhimit; reduktimin e hapësirave për manovra të politikës ekonomike, etj.
A jemi gati
Shumëkush është i bindur që jo. P.sh., Shqipëria sot nuk ka një sistem shtetëror të sigurisë ushqimore. Zusi, kur ishte zv.ministër i Bujqësisë në vitin 2014, tentoi të ngrejë një të tillë, për të cilin u ra dakord dhe nga kryeministri, por plani mbeti përgjysmë me largimin e tij. Në momentin që marrim statusin e vendit kandidat, që mund të ndodhë shumë shpejt nëse miratohet reforma në drejtësi, ky proces duhet të fillojë dhe deri sa të bëhemi anëtarë, duhet të përfundojë. Aktualisht jemi shumë larg tij, nuk ka një vendimmarrje dhe as strategji në këtë drejtim, teksa koha po troket.
“Informimi i biznesit në këtë proces është shumë i rëndësishëm, pasi jo vetëm ata do të mund të përgatiten e planifikojnë në kohë masat që duhet të marrin për t’i bërë ballë presionit konkurrues, por duke qenë të informuar, ata mund të lehtësojnë zbatimin e kritereve dhe standardeve që kërkon BE”, thotë z. Elezi.
“Sjellja në vëmendje të biznesit e proceseve të integrimit që ndikojnë në aktivitetin e tij, mbetet një sfidë më vete”, thotë z.Ciko. Ai propozon që, inspektorët e tatimeve gjatë vizitave të tyre pranë bizneseve mund të shpërndajnë material informues apo të trajnohen për të bashkëbiseduar me bizneset edhe mbi temat e integrimit, apo në mënyra të ngjashme nga institucionet e tjera.
Topi është në fushën tonë. Pas reformës së drejtësisë, zyrtarët europianë janë shprehur se procesi më i rëndësishëm është reforma në sigurinë ushqimore dhe plotësimin e standardeve të tjera.
———————-
“BE pret 80% të eksporteve shqiptare, sa pak diversifikim
Shtetet e Bashkimit Europian janë destinacioni kryesor i eksportuesve shqiptarë. Sipas të dhënave të INSTAT, për 5- mujorin 2016, eksportet drejt BE-së përbënin 80% të totalit, nga 71% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke rritur varësinë nga grupi i vendeve që veprojnë në një treg të përbashkët.
Italia është partneri kryesor i vendit, me 72% të eksporteve drejt BE-së dhe gati 50% të totalit.
Shqipëria, në vite është në krizë për diversifikimin e eksporteve si në mallra ashtu dhe gjeografikisht, dhe rritjen e vlerës së shtuar. Edhe pas gati tri dekadash, eksportet shqiptare nuk po dalin nga rrethi vicioz, ku i ka futur shfrytëzimi i pasurive natyrore dhe krahut të lirë të punës, teksa ka munguar sofistikimi, investimet në teknologji që do të rrisnin vlerën e shtuar dhe diversifikimi sipas vendit të origjinës. Të gjitha këto i kanë lënë eksportet të varura nga zhvillimet e një grushti kompanish dhe nga kërkesa e fqinjit tonë, Italia.
Në Shqipëri, shitja e pasurive natyrore ka dominuar në 2015-n. Produktet minerale (lëndët djegëse, xeherorët, gëlqere, çimento) përbënin gati 30% të totalit të eksporteve. Metalet bazë (bakri, nikeli, zinku, giza, çeliku), me një nivel relativisht të ulët përpunimi, zunë rreth 14% të totalit. Pesha e tyre ra në 2015-n, si rrjedhojë e rënies së çmimeve, duke lënë zbuluar eksportet në total, që ranë me rreth 5% vitin e kaluar. Kjo tendencë rënëse ka vijuar edhe në muajt e parë të 2015-s
Tekstilet dhe këpucët janë një tjetër grup i rëndësishëm, që siguruan 37% të eksporteve në 2015-n, duke pasur si avantazh kryesor koston e lirë të punës. Gjithsesi, kjo industri e mbështetur në punën intensive ka qenë veçanërisht e rëndësishme për të punësuar një shtresë të varfër dhe të brishtë të shoqërisë. Në 5 muajt e parë të 2016-s, pesha e këtij grupi ka arritur në gati 50%, si rrjedhojë e përmirësimit të aktivitetit të tekstileve e këpucëv, por edhe rënies së eksporteve të naftës.
Në total, shitja e pasurive natyrore dhe shfrytëzimi i krahut të lirë të fuqisë punëtore na sigurojnë rreth 80% të eksporteve.
Eksportet e ushqimeve, pijeve dhe duhanit janë rritur me 33% me bazë vjetore për 5 mujorin e parë 2016, megjithatë pesha e tyre ndaj totalit mbetet e ulët, në 10%.”