Prokuroria e Përgjithshme i jep përgjigje akuzave që bëhen në adresë të saj në lidhje me të pandehurin Arben Prendi, pjesë e grupit të biznesmenëve që merreshin me trafik droge, për të cilin u pretendua mediatikisht se janë paguar 150 mijë euro për heqjen e prokurorit të çështjes.
Prokuroria e Pergjithshme Prokuroria ka sqaruar më herët se njëri nga prokurorët që ka hetuar disa prej personave të arrestuar gjatë aksionit “Ballkan” disa ditë më parë, Anton Martini, është transferuar në Prokurorinë e Shkodrës me kërkesën e tij.
Ai u transferua në Prokurorinë e Shkodrës në dhjetor 2015, tre muaj pasi paraqiti kërkesën e tij, ndërsa sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ai në asnjë rast nuk e ka hetuar dosjen e shtetasit Arben Prendi.
Sakaq, teksa Prokuroria ka kërkuar 15 vjet burgim, Gjykata për Krime të Rënda e dënoi javën e kaluar me 14 vjet burgim shtetasin Arben Prendi.
Në konkluzionet e Prokurorisë drejtuar nga Prokurori Eugen Beçi, thuhet se: I pandehuri është arrestuar në flagrancë më datë 29.06.2015 dhe u hetua me masën e sigurimit personal “arrest në burg” caktuar nga Gjykata e Shkallës së parë për Krime të Rënda me vendimin nr. 332 datë 02.07.2015. Në datë 29.06.2015 rreth orës 14.00 në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë¬Kukës është kapur në flagrancë shtetasi Arben Ndue Prendi, i cili po udhëtonte nga Kosova me drejtim në Shqipëri, me automjetin e tij tip kamion me targa AA090IF, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë brenda në kabinën e mjetit është gjetur një çantë brenda së cilës kishte një sasi lënde të dyshuar si narkotike.
Më konkretisht gjatë kontrollit të bërë në kabinën e shoferit, poshtë një krevati është gjetur një valixhe ngjyrë blu brenda të cilës gjendeshin 176 (njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë) pako plastike me peshë totale 15 kg e 400 gram lëndë narkotike heroinë. Nga shpjegimet e të pandehurit si gjatë hetimit por edhe para kësaj gjykate, rezulton se gjatë qëndrimit në Kosovë, një shtetas tjetër i panjohur tërësisht nga ana e tij, i ka kërkuar që të kryente transportimin e çantës ku është gjetur lënda narkotike nga Kosova në Shqipëri kundrejt vlerës prej 3000 Eurosh. Ai shpjegon se nuk ka patur dijeni se në cantë ndodhej lëndë narkotike, por referuar rrethanat të kryerjes së veprës penale, shumës që ai pretendon se i është ofruar nga ana e shtetasit të panjohur.
Në bazë të ekspertimit të lëndës narkotike ka rezultuar se sipas aktit të ekspertimit kimik të lëndës së sekuestruar i datës 02.07.2015 rezulton se nga analiza për pluhurin në paketimin objekt ekspertimi tregoi për praninë e heroinës. Gjithashtu nga akti i ekspertimit kimik datë 22.09.2015 ka rezultuar se e gjithë sasia e lëndës së sekuestruar është lëndë narkotike e llojit heroinë.
“Pasi u shqyrtuan të gjitha këto prova që përmendëm nga ana jonë në seancën gjyqësore gjatë zhvillimit të këtij gjykimi bazuar në nenin 34/1 paragrafi i dytë e 372 të K.Pr.Penale vendosëm ndryshimin e akuzës në ngarkim të të pandehurit Arben Prendi nga ajo e parashikuar nga neni 283/a¬1 i K. Penal në atë të parashikuar nga neni 283/a¬2 i K.Penal.
Këtë ndryshim e bëmë pasi: Nga shpjegimet e të pandehurit si gjatë hetimeve por edhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor në seancën e dt. 13.11.2015 rezulton se gjatë qëndrimit në Kosovë, një shtetas tjetër i panjohur tërësisht nga ana e tij, i ka kërkuar që të kryente transportimin e çantës ku është gjetur lënda narkotike nga Kosova në Shqipëri kundrejt vlerës prej 3000 Eurosh. Këtë person i pandehuri ka pretenduar se e ka njohur rastësisht në postobllokun e Kukësit në doganë rreth 10 apo 12 ditë para se të arrestohej.
Sipas të pandehurit ky quhej Ergys e ishte nga Fieri e kishin biseduar së bashku për të blerë një zetor në Kosovë të cilin do ta transportonte Arbeni nga Kosova për në Shqipëri. Ai shpjegon se nuk ka patur dijeni se në cantë ndodhej lëndë narkotike, por referuar rrethanat të kryerjes së veprës penale, shumës që ai pretendon se i është ofruar nga ana e shtetasit të panjohur, ky pretendim mbetet i pabazuar dhe si rrjedhojë jo i vërtetë. Jo vetëm kaq por në këtë kuadër nga ana e gjykatës gjatë kësaj seance gjyqësore ku u pyet i pandehuri në bazë të nenit 370/1 i K.Pr.Penale u bë kundërshtimi i pjesshëm i deklarimeve që ka dhënë i pandehuri në këtë seancë me deklarimet që ai ka dhënë si person ndaj të cilit zhvillohen hetime në dt. 29.06.2015.
Dhe referuar këtyre zhvillimeve gjatë seancave gjyqësore në këtë shqyrtim gjyqësor rezultoi se alibia e të pandehurit jo vetëm nuk u provua por u përforcuan dhe u bazuan në indicie e prova faktet e përshkruara nga Prokuroria se ky i pandehur veprën penale e ka kryer në bashkëpunim dhe jo vetëm.
Në këtë rrjedhë argumenti vjen dhe fakti që ky procedim penal është vecuar sipas vendimit të ndarjes dt.23.09.2015 administruar gjatë këtij gjykimi dhe nga kjo gjykatë.
Ndërkohë që hetimet për identifikimin e shtetasit me emrin Ergys apo dhe shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale vijuan në kuadër të procedimit penal nr.183/1 të vitit 2015, e për rrjedhojë aktet në ngarkim të autorëve të panjohur u ndanë nga aktet në ngarkim të të pandehurit Arben Prendi. Por gjatë hetimeve të këtij procedimi penal referuar të dhënave të grumbulluara rezultoi se kishte shumë elementë të përbashkët hetimi me procedimin nr. 81 të vitit 2015. Për këto arsye procedimi penal nr. 81 i vitit 2015 u bashkua me procedimin penal nr. 183/1 të vitit 2015 në dt. 23.09.2015 dhe hetimet kanë vazhduar në mënyrë intensive për të bërë të mundur zbulimin e një grupi kriminal që ushtron aktivitetin në drejtim të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Kosovës e anasjelltas si dhe trafikimin nga vendet e Bashkimit Europian.
Dhe nga ky hetim që shpeguam më lart ka të dhëna dhe prova që shtetasi të cilin pretendon i pandehuri Arben që e ka takuar rastësisht quhet Orgest dhe jo Ergys dhe është një ndër bashkëpunëtorët në kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale. Në këto kushte referuar të gjitha atyre cka shpjeguam rezultoi se i pandehuri Arben Prendi nuk e ka konsumuar i vetëm veprën penale për të cilën akuzohet dhe ai nuk duhet të përgjigjet sipas paragrafit të parë të nenit 283/a të K.Penal por sipas paragrafit të dytë pra në rrethana të cilësuara pasi këtë trafikim të lëndëve narkotike ai e ka kryer në bashkëpunim me persona të tjerë. Pra arritëm të provojmë përpara kësaj gjykate se i pandehuri Arben Prendi me veprimet e tij të kundraligjshme ka cënuar mardhëniet juridike të vendosura për të mbrojtur së pari jetën dhe shëndetin e njerëzve dhe sigurisht për të mbrojtur rendin dhe regjimin e lëvizjes së substancave narkotike të cilat kur tregtohen , transportohen ,tranzitohen apo importohen e eksportohen në forma kriminale dhe të pakontrolluara sjellin pasoja të rënda jo vetëm për shëndetin por dhe për rendin shoqeror dhe ekonomik të vendit. Kjo është dhe arsyeja që i pandehuri me veprimet e tij ka cënuar këtë mardhënie të mbrojtur nga legjislacioni ynë penal e më konkretisht nga neni 283/a i K. Penal.