“Në këto kushte ku ndodhet turizmi është më mirë që turistët të mos vijnë”, thotë drejtuesi i hotel “Regina” në Radhimë, i cili shprehet tejet i shqetësuar për problemet me infrastrukturën rrugore, papastërtinë, projektin e Lungo Mare-S që duket sikur po mban peng qytetin…
E teksa çdo ditë, mediat ndërkombëtare, tradicionale apo sociale nuk po rreshtin së promovuari Shqipërinë, si destinacioni ende sekret i Europës, falë bukurisë që i ka falur natyra, një tjetër realitet shfaqet kur “zbret me këmbë në tokë”. Probleme që duket se nuk mbarojnë kurrë, që zvarriten vit pas viti e po zgjasin tranzicionin në turizëm, që është gjithmonë në përpjekje për të gjetur busullën për t’u orientuar.
Pritshmëritë ishin të larta (dhe ende shpresohet) për drejtuesit e njësive akomoduese në zonat bregdetare të vendit, por sot nga goja e tyre nuk dëgjon lajme të mira. Ankohen për ndërprerjet e gjata dhe të stërmundimshme të energjisë (Saranda, por edhe Vlora), për papastërtinë dhe mungesën e infrastrukturës e sinjalistikës (Velipoja), por edhe për plazhet që nuk po monitorohen si duhet.
Ankesa kanë edhe për mungesën e cilësisë dhe profesionalizmit në sektorin e shërbimeve.
Hotelierët shqiptarë po përballen me fenomene të reja siç është menaxhimi i ofertave, i dhomave, i personave, përgatitja për një sezon më të zgjatur, përgatitja dhe menaxhimi i ofertave gjysmë pension apo pension i plotë, marrëdhënia e një forme të re me tur-operatorët shqiptarë dhe të huaj, etj. Kjo reflekton vonesa në shërbime apo pasaktësi të vogla deri sa këta hotelierë të ambientohen me këtë fenomen të ri.
Sokol Hoxha, drejtues i agjencisë turistike “Shkodra Travel”, thotë se problemet në këtë rajon janë të shumta e ku më shqetësuese është papastërtia, pirgjet e mëdha me mbeturina dhe inerte që nuk po zhvendosen e po ndotin imazhin e një vije bregdetare që llogaritet në 14 kilometra. Sipas z. Hoxha, problematike mbetet edhe situata e infrastrukturës rrugore ku mungon ndriçimi dhe sinjalistika, gjë e cila krijon shqetësim te turistët veçanërisht ata që po e vizitojnë për herë të parë.
Çështja e menaxhimit të plazheve publike është një problem që nuk po merr zgjidhje, duke qenë se sipërmarrjet private po ngurrojnë të investojnë (tarifa për marrjet e plazheve publike me qira është 4,000 lekë/m² në muaj). Sa i përket kërkesës për pushime, z. Hoxha thotë se ato kanë qenë në nivele minimale, ku shifrat kanë qenë veçanërisht negative gjatë qershorit. Drejtuesit e njësive akomoduese parashikojnë njëfarë gjallërimi të kërkesës me përfundimin e muajit të Ramazanit. Ndërsa turistët e nacionaliteteve të ndryshme, sipas drejtuesit të agjencisë “Shkodra Travel”, numërohen me gishtat e dorës, pritshmëritë për ardhjet e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia janë më të ulëta se një vit më parë.
Në lidhje me ardhjen e rusëve përmes Malit të Zi, z. Hoxha thotë se ata janë kryesisht turistë njëditorë, por që kërkojnë standarde dhe shërbim të lartë, e për të cilët vendi ynë nuk i plotëson kushtet.
Në Vlorë, Radhimë a më tej deri në Sarandë, situata është gjithashtu e vështirë. Energjia elektrike mungon për një kohë të gjatë dhe kjo është bërë shkak që shumë pushues të huaj të ndërpresin pushimet. Drejtuesit e hotel “Regina” në Radhimë tregojnë sesi grupe me turistë polakë që kishin prenotuar për qëndrime deri në 7 net, qëndruan vetëm 3 (bëhet fjalë për grupe që llogarisin 600-700 turistë). Mungesa e infrastrukturës është gjithashtu një problem shqetësues për hotelierët e kësaj zone.
Sipas tyre, në qershor, shënuan rënie në rreth 50% dhe pritshmëritë për pjesën tjetër të sezonit nuk janë edhe aq të mbara. “Në këto kushte ku ndodhet turizmi është më mirë që turistët të mos vijnë”, thotë drejtuesi i hotel “Regina” në Radhimë, i cili shprehet tejet i shqetësuar për problemet me infrastrukturën rrugore, papastërtinë, projektin e Lungo Mare-S që duket sikur po mban peng qytetin. Ai thotë se çmimet nuk kanë ndryshuar, madje në qershor ka pasur oferta edhe me rreth 20 euro për person në natë. Pushuesit vendas e zgjedhin rajonin e Vlorës kryesisht gjatë fundjavës, ndërsa numri i shqiptarëve të Kosovës dhe të Maqedonisë është në rënie. Sipas tij, edhe menaxhimi i planeve nga privatët (si qiramarrës) nuk po funksionon për shkak të pengesave që ka nxjerrë zbatimi i projektit të Lungo Mare-s. Me trishtim, drejtuesi i këtij hoteli thotë se Vlora, vetëm destinacion turistik nuk mund të jetë këtë sezon.
Të shqetësuar janë edhe drejtues të hoteleve në qytetin e Sarandës, të cilët shprehen për “Monitor” se numri i turistëve të huaj ka rënë ndjeshëm në krahasim me një vit më parë, ku shkak kryesor është bërë mungesa e energjisë dhe sasia e madhe e mbeturinave inerte të grumbulluara nga rikonstruksionet në infrastrukturën rrugore.