Nga Ledio Braho
Në teologjinë Kristiane, Dita e Gjykimit është gjykimi i fundit nga Zoti për të gjithë njerëzimin duke rezultuar në glorifikimin e disave dhe ndëshkimin e të tjerëve. Për vendin tonë Ditë Gjykimi duket të jetë edhe 21 korriku i këtij viti që në Zot duhet të shndërrojë popullin dhe në të gjykuar ata që nuk janë gjykuar asnjëherë siç i ka hije – klasën politike.
Më në fund është lënë një datë për votimin ne kuvend të amendimeve kushtetuese që kryesisht janë ato amendime që formësojnë “Reformën në Drejtësi”, më themelorja ndoshta që nga instalimi i demokracisë në vend. Janë përsëritur disa herë në ditë të njëjtat debate veç në lidhje me emërimet, pra aty ku do ketë ndikimin e saj politika, por askush nuk është marrë me reformën e vërtetë dhe atë se çka ajo realisht do të reformojë sa që me të drejtë tashmë mbahen mend veç disa fraza debatesh që të shkëputura mund të mblidhen si vijon: Komisioni Venecias, pika 88, vendet e rezervuara, 2/3, 3/5, vettingu, Këshilli Emërimeve në Drejtësi, lista, OPDAT-i e shumë pak të tjera që me të drejtë për jojuristët janë të padeshifrueshme.
Nga një debat konstruktiv mbi atë se çka reforma do të sjellë për të gjithë qytetarët e këtij vendi që kanë dekada të tëra qe çelin trashëgimi të paraardhësve të tyre për të çuar një gjykim nga fillimi në fund, ka degjeneruar në një debat shterpë se cili është proamerikan e cili kunder, cili politikan e do reformën e cili jo, është Basha kryetar i PD-së apo Berisha, a do jenë bashkë pas stinës së nxehtë Rama me Metën apo jo, Zheji apo Bushati, e ka dizenjuar Rama fanellën e ekipit kombëtar apo Duka, Petrit Vasili është jurist apo mjek, Përparim Spahiu duhet të shprehej në Facebook apo bëri mirë që u shpreh në Twitter për reformën, Blushi e ka iniciuar peticionin për t’u bërë vetë President apo për të bërë Hafizin, e shumë dilema të tjera të kësaj natyre që mund të kenë lidhje me çdo gjë, por jo me reformën. Skemë e njohur kjo që askush mos të kuptojë asgjë e askënd.
Në fakt, pyetja kryesore që duhet të na shqetësojë të gjithëve është se ç’do të ndodhë në 21 korrik, do glorifikohen të gjithë ata që kanë në dorë fatin e reformës në drejtësi, një pjese e tyre do ndëshkohen, apo që të gjithë do shkojnë në djall!?
Ajo që është më se e sigurt është se nëse votimi dështon, reforma do mund të propozohet sërish veç pas të paktën një viti. Ku është garancia që Kuvendi i pas një viti do mund të sjellë prurje më intelektuale dhe më pak të kriminalizuara se keto që kemi!? Askund! Ligji i dekriminalizimit që të vetmen “viktimë” që solli ishte Rroshi i Kavajës, duket se u zbeh që në gjenezë të tij, pak për shkak të parashikimeve të tij që ishin bërë duke pasur parasysh të gjithë të kriminalizuarit një e nga një e pak për shkak se të gjithë ata që duhet të vënë në zbatim atë ligj nuk dinë se ç’fat do kenë pas 21 korrikut.
Gjithsesi, sado vullnet e presion të ushtrojnë ndërkombëtarët, vështirë duket që të kalojë në 21 korrik Reforma në Drejtësi, të paktën në formatin aktual që ajo ka. Pyetja që lind në këtë rast është se çfarë do të thotë kjo për shqiptarët?!
Dy vjet të çuara dëm për t’u marrë me një reformë që nisi, por që nuk do bitiset kurrë. Momenti për të kaluar një reformë kaq të thellë dhe profesionale duket sikur është gjetur enkas në parlamentin më joprofesional dhe antidrejtësi që ky vend ka pasur ndonjëherë. Një gjë është e sigurt, nëse reforma do të kalojë, do të kalojë ose në sajë të ndonjë marrëveshjeje të mesnatës së 20 korrikut, lëvizje tipike e klasës politike shqiptare për reforma të këtij niveli, ose në sajë të trafikut të votave që është po aq e padenjë për një reformë në drejtësi sa zgjidhja e parë.
Përfundimi?
Me shumë gjasa, vendimi që çdo shqiptar duhet të marrë me 21 korrik për ta aplikuar në zgjedhjet e ardhshme, qofshin ato të parakohshme apo pas një viti, duhet të jetë ndëshkimi i kësaj klase politike që me mungesën e vullnetit dhe profesionalizmit nuk arriti kurrë që t’i ofrojë sovranit një nga parimet themelore kushtetuese, atë të pavarësisë së pushteteve.