Pasi konsideruam reagimin e autoriteteve të datës 6 maj 2016 në lidhje me letrën tonë të 2 marsit, 2016 – depozituar në Departamentin e Ekzekutimit të Vendimeve të GJEDNJ – vërejmë se
, informacioni që përmban ajo letër zbulon plotësisht qasjen e ndjekur nga autoritetet tona, gjoja për të garantuar – nëprëmjet Ligjit nr. 133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe finalizimin e procesit të kompesimit të pronave” (përmendur më tej si: “Ligji nr.133/2015”) – mbrojtjen e të drejtave tona themelore në përgjithësi dhe të drejtën tonë për mbrojtjen e pronës në veçanti.
Autoritetet pretendojnë, se legjislacioni që lejon tjetërsimin e pronave të pronarëve të shpronësuar me forcë në dobi të palëve të treta tashmë ka gjeneruar tituj pronësie në favor të të këtyre palëve . Për më tepër këto ligje sipas autoriteteve janë shpallur kushtetues nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë .
Ne biem dakord se kjo është vetëm një pjesë e të vërtetës dhe vërejmë në këtë pikë, se autoritetet nuk e kanë plotësuar tablonë e kësaj të vërtete, por kanë injoruar “rastësisht” një fakt thelbësor që konfirmon se: “pronat e origjinës së pronarëve të shpronësuar me forcë janë transferuar në pronësi të palëve të treta – kryesisht – pasi procesi i kthimit dhe kompesimit të pronave tek pronarët e origjinës kishte filluar . Për më tepër autoritetet në përpjekje për të transferuar tek palët e treta pronat e pronarëve të shpronësuar me forcë kanë minuar thellësisht procesin e kthimit dhe kompesimit të pronave tek pronarët e origjinës ”.
Si rrjedhim, duke refuzuar të pranojnë tablonë e plotë të këtij realiteti autoritetet kanë refuzuar të njohin edhe pasojat e tij, përkatësisht: fenomenin e transformimit të vazhdueshëm të pronave të pronarëve të shpronësuar me forcë, nga prona ekzistuese (truall, tokë bujqësore etj) – të ruajtura në fondin shtetëror të tokës të asaj kohe – në një faturë të konsiderueshme financiare.
Aktualisht, autoritetet po përpiqen të fitojnë mbështetje nga Gjykata Kushtetuese, nga taksapaguesit shqiptarë dhe organizatat ndërkombëtare (përfshirë GJEDNJ) duke luajtur rolin e viktimës . Është shumë interesante të vërehet se në po të njëjtën mënyrë siç ishin armiqtë e vizionit / misionit komunist, si dhe të klasës shoqërore komuniste gjatë dekadave të dhunës politike në Shqipëri, pronarët e shpronësuar me dhunë po konsiderohen edhe në ditët e sotme si të njëjtët armiq të buxhetit të shtetit, interesit publik dhe mirëqënies sociale. Pra, qasja e autoriteteve shtetërore në adresën tonë mbetet e njëjta qasje diskriminuese dhe e dhunshme, me përjashtim të modifikimit të terminologjisë “të reklamuar” prej autoriteteve.
Për më tepër, vërejmë se autoritetet kanë reaguar ndaj argumenteve tona që kanë të bëjnë me ruajtjen e “efekteve shëruese” të programeve të reparacioneve përkundrejt programeve të tjera sociale, pa treguar ndonjë interes të veçantë për të marrë – paraprakisht – disa informacione në lidhje me përmbajtjen dhe zbatueshmërinë e programeve të reparacioneve sociale në drejtësinë e tranzicionit.
Padituria e autoriteteve lidhur me një çështje kaq të rëndësishme – e cila duhet të luante një rol kryesor si në hartimin, ashtu edhe në zbatimin e masave reparative në vendin tonë – e ndjekur prej një refuzimi të pashpjegueshëm nga ana e tyre për të zgjeruar fushën e të njohurive në lidhje me drejtësinë e tranzicionit – të paktën në formën e mësimeve të nxjerra nga dështimi i tyre për të përmbyllur me sukses për kaq shumë vite procesin e tranzicionit të shoqërisë sonë drejt demokracisë – ngre shqetësime serioze tek ne sa i takon cilësisë së personalitetit juridik, që ne gëzojmë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë tona themelore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Konkretisht, ka shumë ish-zyrtarë të shtetit – që i përkasin të gjitha niveleve të pushtetit – përgjegjës për lejimin me anë të mjeteve të ndryshme dhe në kohë të ndryshme të tjetërsimit të pakontrolluar dhe të panevojshëm të pronave tona në favor të palëve të treta . Veprimet e tyre arbitrare kanë kontribuar, jo vetëm në transformimin e pronave tona në faturën financiare ekzistuese, por edhe në thellimin e pabarazive sociale dhe konflikteve sociale brenda shoqërisë sonë. Në këto rrethana, nëse personaliteti ynë juridik vlen sadopak për të vënë autoritetet para përgjegjësisë, atëherë ajo që ne kemi pritur deri më tani ka qenë minimuni i angazhimit të këtyre autoriteteve për të gjetur me anë të mjeteve demokratike zgjidhjet e duhura ligjore, në gjendje për të mbrojtur në mënyrë efektive të drejtën tonë të pronës.
Për fat të keq, zgjidhjet ligjore të mishëruara ne Ligjin 133/2015 nuk përputhen me pritshmëritë tona për arsyet kryesore të mëposhtme.
Së pari – siç është vënë në dukje edhe nga ekspertët e angazhuar në hartimin e Dokumentit Informues – nuk janë dhënë shkaqet e thelluara për pjesën më të madhe të zgjidhjeve të përfshira në këtë ligj . Ngurrimi dhe/ose dështimi i autoriteteve për të shoqëruar zgjidhjet e tyre me një arsyetim të thelluar të shkaqeve që i kanë justifikuar ato e pamundëson Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e ndërhyrjeve të imponuara me anë të Ligjit nr.133/2015 mbi të drejtat tona kushtetuese dhe të drejtat e Konventës.
Gjithashtu, mungesa e arsyeve të thelluara – në lidhje me zgjidhjet kryesore të mishëruara në Ligjin në fjalë – është e mjaftueshme për të mbështetur shqetësimin tonë, se nuk ekziston asnjë politikë ligjore konkrete mbi bazën e së cilës të jenë inkuadruar këto zgjidhje. Në këtë kuptim, një vlerësim “përtej fasadës” i të gjitha ndërhyerjeve të lejuara– me anë të zgjidhjeve që imponon ligji – zgjidhje të cilat i faturohen interesit të përgjithshëm dhe mirëqënies sociale është i një rëndësie të madhe në rastin tonë.
Së dyti, autoritetet janë përpjekur për të mbështetur legjitimitetin e Ligjit nr.133/2015 duke referuar jurisprudencën përkatëse të Gjykatës Kushtetuese, pa siguruar – megjithatë – një konfirmim paraprak nga kjo gjykatë, nëse Vendimi Pilot i GJEDNJ-së, në rastin e Manushaqe Putos k. Shqipërisë, në mënyrë të veçantë kishte nxjerrë apo jo në pah nevojën e një rishikimi të mundshëm të jurispridencës relevante prej saj.
Së treti, autoritetet kanë përforcuar qëndrimin e tyre për çështjen e pjesëmarrjes tonë dhe kontributin tonë në procesin e hartimit të Ligjit nr.133/2015 . Ne vërejmë se një qasje e tillë dhe metodat përkatëse të punës – që prekin ligjin e mësipërm – janë tejet të centralizuara dhe plotësisht të vjetëruara.
Autoritetet kanë një detyrim të dyfishtë për t’u qasur në një mënyrë krejtësisht të ndryshme kundrejt çdo nisme në raport me ne.
Një nga detyrimet buron pikërisht nga Neni 1 i Protokollit 1 të Konventës, i cili u kërkon shteteve palë të sigurojnë mbrojtje efektive të së drejtës së pronës në përputhje – ndër të tjera – me parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kuadër: zhvillimi i konsultimeve të sinqerta dhe në mirëbesim – për të kapërcyer në mënyrë paqësore dallimet e mendimeve – është një parim i përgjithshëm i të drejtës ndërkombëtare, të cilin autoritetet kishin detyrimin t’a pranonin dhe t’a vinin në zbatim në rastin konkret .
Obligimi tjetër buron nga drejtësia e tranzicionit, e cila i ka rrënjët thellë në të drejtën ndërkombëtare. Konkretisht, garantimi i përfshirjes efektive të organizatave të pronarëve të shpronësuar me forcë në procesin e hartimit të masave reparative në rastin tonë si dhe ruajtja e epërsisë së “efekteve shëruese” të këtyre masave mbi programet e tjera sociale që synojnë rindërtimin e shoqërisë, janë më modestet nga të gjitha qëllimet e reparacioneve sociale, që e bëjnë të suksesshëm çdo tranzicion te shoqërive të pas dhunës politike drejt demokracisë .
E dashur Zonjë,
Ne na është dhënë personalitet juridik kombëtar dhe ndërkombëtar në mënyrë që të denoncojmë aktet e papërgjegjshme të autoriteteve shtetërore, si dhe indiferencën e tyre për t’iu përmbajtur obligimeve – në raport me ne – që rrjedhin nga Kushtetuta jonë dhe Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.
Siç kemi provuar të shpjegojmë përmes kësaj korrespondence, ne kemi shteruar të gjitha mjetet demokratike në dispozicion për të inkurajuar autoritetet vendore që të gjejmë së bashkun një zgjidhje për problemet tona në kuadër të një baze ligjore koherente, por jemi refuzuar në mënyrë të ashpër dhe kategorike.
Nga ana tjetër, autoritetet nuk e pranojnë përgjegjësinë e tyre – të paktën – në lidhje me shkeljen e të drejtave tona të parashikuara në Konventë, siç përshkruhet në Vendimin Pilot të GJEDNJ-së në lidhje me rastin e Manushaqe Puto dhe të tjerë k. Shqipërisë.
Gjithashtu, autoritetet janë plotësisht indiferentë ndaj obligimeve të tilla si: konsultimet e sinqerta dhe në mirëbesim, apo drejtësia tranzicionit, duke lejuar kështu përplasje të forta brenda shoqërisë sonë. Provë e rëndësishme në lidhje me me këtë është edhe thirrja publike e autoriteteve për të angazhuar një zyrë ndërkombëtare ligjore për të mbrojtur interesat e shtetit para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut kundër nesh.
Një qasje e tillë – ku metodat e punës të zbatuara nga autoritetet nuk kanë të bëjnë me filozofinë moderne të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ku përgjegjësia e shtetit për dështimin e zyrtarëve shtetërorë në garantimin e një mbrojtje-je të përshtatshme të të drejtave tona themelore (si në planin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar) shmanget dhe mohohet vazhdimisht nga këto autoritete – është shume e rrezikshme dhe e dëmshme në vështrim të parimeve bazë të demokracisë.
Duke pasur parasysh argumentet e mësipërme, ne i kërkojmë Komitetit të Ministrave të pranojë këtë informacion dhe – për aq kohë sa personaliteti ynë juridik ndërkombëtar ka një dimension praktik – të hetojë “përtej fasadës” ndërhyrjet e imponuara përmes Ligjit nr.133/2015 në të drejtat tona të garantuara nga Konventa.
Ne jemi të bindur se ekzistojnë profesionistë me standarte të larta të integritetit në vendin tonë, të cilët janë të aftë për të zgjidhur në mënyrë efektive dhe përmes mjeteve demokratike çështjet komplekse dhe delikate të tranzicionit. Me profesionistë të tillë ekzistojnë zgjidhje më të mira në lidhje me problemin tonë. Prandaj i lutemi Komitetit të Ministrave dhe organeve të tjera të Këshillit të Evropës që merren me çështjen tonë për të vlerësuar nga afër shqetësimet tona lidhur me qasjen arbitrare të autoriteteve siç është përshkruar më sipër.
Së fundmi, organet përkatëse të Këshillit të Evropës nuk mund të jenë në gjendje të zëvendësojnë zgjedhjen konkrete të bërë prej utoriteteve vendase sa i takon mjetit ligjor të kërkuar në rastin konkret, megjithatë këto hallka janë plotësisht kompetente për të vëzhguar nëse mbrojtja e të drejtave të njëriut është arritur përmes mjeteve demokratike apo jo. Në këtë kuadër u kërkojmë autoriteteve tuaja për të vlerësuar me kujdes maksimal dhe qartësi pajteushmërinë e punës së bërë nga shteti shqiptar lidhur me zbatimin e detyrimeve të përgjithshme të përcaktuara në grupin aktual të rasteve të vendimeve të GJEDNJ-së. Zgjidhja e duhur e problemit tonë do të sillte një kontribut shumë pozitiv për çdo qasje në të ardhmen sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut në vendin tonë në tërësi dhe gjithashtu përmbylljen efektive të tranzicionit të shoqërisë sonë drejt demokracisë në veçanti.