Shoqata Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” përmes një deklarate për mediat rithekson edhe njëherë mangësitë e krijuara nga ligji nr.133/15, po ashtu ajo u bën thirrje pronarëve të ndjekin me vëmendje këtë process, pasi rrezikojnë të humbasin gjithçka.
Deklarata e shoqatës “Pronësi me Drejtësi”
Shoqata Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” po ndjek me kujdes publicitetin e kohëve të fundit rreth ecurisë së zbatimit të Ligjit nr.133/15 “Për trajtimin e pronës dhe përmbylljen e procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave”(ndryshe Pabesia nr. 133/15), të orkestruar nga Agjencia për Trajtimin e Pronave (ATP) nëpërmjet rrugëve mediatike.
Shoqata vëren, se pavarësisht kontekstit të këtij publiciteti, nëpërmjet të cilit po synohet të krijohet një përshtypje e përgjithshme, sikur zbatimi i Pabesisë nr 133/15 gjoja po ecën me ritme të vrullshme, përsëri efektet destruktive të saj po duken qartazi tek pronarët, të cilët kanë qenë e mbeten krejtësisht të painformuar rreth kufizimeve që imponon kjo lloj pabesie në të drejtat e tyre pasurore.
Konkretisht, njëri prej problemeve madhore ka të bëjë me njërën nga paqartësitë e Pabesisë nr 133/15, si pasojë e të cilës sot rrezikohet statusi i të gjithë pronarëve që disponojnë vendime përfundimtare të pazbatuara për dekada. Jo më larg se para dy javësh ATP vlerësoi në mënyrë të njëanshme dhe deklarative pasuritë e pronarëve, të njohura në kuadër të vendimeve përfundimtare gjatë viteve 1993 dhe 1994. Këto vlerësime janë publikuar nga ky institucion në një regjistër elektronik dhe nëpër disa gazeta tek të cilat pronarët jo domosdoshmërisht kanë akses.
Sipas terminologjisë ngatërruese të përdorur nga hartuesit e këtij mashtrimi me vlerë ligjore, ky grup pronarësh, shumica e të cilëve janë shkualifikuar nga e drejta e pronës, apo të cilëve u janë vlerësuar pronat në shuma tejet qesharake po rrezikojnë të humbasin edhe të drejtën e ankimit në gjykatë. Kjo për arsye se Pabesia nr 133/15 flet në dy mënyra për vendimet që lëshon Agjencia. Njëra mënyrë është ajo që u njeh vendimeve të Agjencisë fuqi detyruese kur ato plotësojnë kriteret e aktit administrativ sipas nenit 28 prg 5 dhe mënyra tjetër ka të bëjë me nenin 19 që flet për efektet detyruese të vlerësimeve përfundimtare, pra, sikur me kalimin e afatit 30 ditor këto vlerësimeve transformohen në tituj ekzekutivë.
Pa dashur të ripërsërisë në mënyrë të detajuar shqetësimet e saj të depozituara në Gjykatën Kushtetuese, Shoqata fton së pari të gjithë pronarët që disponojnë prona mbi bazën e vendimeve përfundimtare të viteve 1993 dhe 1994 të tregohen vigjilentë me pronat e tyre, së pari duke verifikuar nëse ata vetë figurojnë në këtë regjistër dhe së dyti duke përdorur cdo mjet ligjor të nevojshëm për mbrojtjen e pronave të veta nga vlerësimet e njëanshme, deklarative të bëra nga Agjencia.
Nga ana tjetër, Shoqata i bën thirrrje Agjencisë t’i sqarojë pronarët publikisht sa më parë, sipas mundësive më të mira dhe në mirëbesim për pasojat juridike të vlerësimeve të njëanshme dhe deklarative që ajo u ka bërë pronave të tyre në të ashtuquajturin RegjistërVlerësimesh përkundrejt parashkrimit të afateve të ankimit që këta pronarë kanë në dispozicion për tu ankuar. Në këtë pikë sqarimi që i kërkohet Agjencisë është:
Kur bëhen tituj ekzekutivë Vlerësimet sipas Regjistrit: 30 ditë pas botimit të këtij Regjistri, apo 30 ditë pasi cdo pronari t’i jetë komunikuar individualisht Vendimi i Vlerësimit të pronës së vet, në formë të shkruar dhe i arsyetuar?
Problemit tjetër madhor që vëren Shoqata gjatë procesit të zbatimit të Pabesisë nr 133/15 ka të bëjë me faktin se, bazuar në shkresat e shpërndara në adresë të tyre nga ATP pronarët u drejtuan me shpresë drejt këtij institucioni, i cili me shpjegimet e dhëna po i përcjell ata rradhazi të shfytyruar dhe duarbosh. Të ndërgjegjësuar për permbajtjen e mashtrimit të madh që mbart kjo pabesi, pronarët po i drejtohen në forma të ndryshme, masivisht hallkave të Shoqatës si në Shqipëri ashtu dhe jashtë saj për të denoncuar shqetësimet e tyre lidhur me shpronësimet de facto që imponon ky ligj dhe shkeljet e të drejtave të tjera kushtetuese në adresën e tyre.
Shoqata bashkohet me shqetësimet e shprehura nga pronarët dhe i këshillon ata të ruajnë qetësinë sepse ankesat tona po shqyrtohen në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë pikë Shoqata i sqaron pronarët se Gjykata Kushtetuese është i vetmi mjet juridik i brendshëm kompetent për korigjimin e shkeljeve të të drejtave të tyre themelore në nivel kombëtar. Shterimi i këtij mjeti është parakusht, që të njëjtat ankesa të shqyrtohen edhe nga Gjykata e Strasburgut.
Për më tej, duke mbajtur parasysh se fluksi i ankesave pritet të shtohet me kalimin e ditëve, me qëllim që të ketë mundësi të dokumentojë dhe përpunojë shqetësimet e anëtarëve të saj me saktësinë maksimale dhe të ndihmojë brenda kompetencave të saj adresimin sa më efektiv të tyre, Shoqata i fton të gjithë pronarët të denoncojnë shqetësimet e tyre edhe në formë të shkruar.
Denoncimet mund të bëhen publikisht në faqen zyrtare në internet në adresën: https://defendingproperty.com, ose në faqen tonë sociale në FB: Defending Property Pursuing Justice. Në dispozicion të pronarëve janë gjithashtu edhe adresat tona elektronike vijuese: [email protected] dhe [email protected]
Mbi bazën e shqetësimeve që na kanë përcjellë gjatë këtyre ditëve dhe atyre që do grumbulliohen gjatë javëve që do pasojnë Shoqata do përgatisë një informacion të detajuar rreth problemeve shtesë të vërejtura në implementimin e ligjit nr. 133/15 përtej problemeve të evidentuara dhe të denoncuara prej saj a priori në Gjykatën Kushtetuese dhe institucionet ndërkombëtare kompetente.
Në mbyllje Shoqata vëren, se e drejta për jetën është i vetmi dëm i pariparueshëm, që kërkon mbrojtje absolute nga institucionet dhe shoqëria. Në këtë këndvështrim pronarët shqiptarë janë dhunuar e po vijojnë të dhunohen padrejtësisht – si fizikisht, ashtu edhe moralisht – brez pas brezi prej më shumë se 70 vitesh. Ka ardhur koha që “flamuri”, dikur i vizionit komunist dhe sot i mirëqenies sociale e interesit publik, i cili valëvitet në këto 25 vite për të fshehur paaftësinë, hiletë dhe hajdutërinë e veshur me pushtet të griset njëherë e mirë. Ka ardhur koha që autorët e zgjidhjeve që e përcajnë shoqërinë dhe jo profesionale të largohen dhe të zëvendësohen me profesionistë të përgjegjshëm, me integritet e të aftë për t’a përmbyllur tranzicionin shqiptar me mjete demokratike; të aftë për t’a mbajtur të bashkuar këtë shoqëri ku pronarët ishin dhe mbeten armiqtë e klasës. Në të kundërt aspiratat tona kushtetuese do vijojnë të mbeten thjesht iluzione.