Ka edhe nga ata personazhë që janë me Zvicrën në këtë ndeshje.
Në këtë anketë rrëfehen disa nga artistët më të njohur shqiptarë, ku flasin për këtë ndeshje historike, por shumica me gjithë respektin e djemve shqiptarë që luajnë për Zvicrën, janë me Shqipërinë.
Jo vetëm të flaktët e sportit, por i madh dhe i vogël do të kenë vëmendjen këtë të shtunë të 11 Qershorit në ndeshjen në mes Shqipërisë dhe Zvicrës për Kampionatin Europian. Si asnjë herë më parë jo vetëm në skuadrën e kombëtares sonë por edhe në atë të kundërshtarit luajnë shumë shqiptarë (6 futbollistë).
Të gjithë kanë planifikuar se ku do ta ndjekin këtë ndeshje, madje disa kanë blerë edhe biletën ka kohë që të jenë në Francë për t’i përjetuar emocionet më nga afër. Edhe personazhet e njohur të skenës shqiptare jo vetëm japin një parashikim të kësaj ndeshje, por për gazetën “Bota sot” tregojnë se ku do ta ndjekin dhe me kë do të jenë në këtë lojë.
Teuta Selimi: Sigurisht se për Shqipërinë, megjithëse edhe në përfaqësuesen Zvicrane ka shumë lojtarë shqiptarë, disa prej tyre i kam edhe miq, po edhe sikur mos të ishin ata unë kam kohë që jetoj në Zvicër dhe për mua përfaqësuesja e Zvicrës është gati po aq e dashur sa edhe e Kosovës dhe Shqipërisë. Po mbase që edhe Shqipëria për herë të parë merr pjesë në një turne të tillë, atëherë i dëshiroj fat megjithëse se një barazim do të ishte më pak i sikletshëm për të gjithë.
Artiola Toska: Megjithëse unë nuk jam ndjekëse e rregullt e sportit këtë vit do ta ndjek kampionatin me shumë dëshirë, duke qenë që për herë të parë merr pjesë dhe Shqipëria. Për sa i përket ndeshjes në fjalë do kisha dëshirë që rezultati përfundimtar të ishte barazim.
Enkelejda Arifi: Po do ta ndjek me kënaqësinë më të madhe. Jam e vetëdijshme që gjysma e ekipit zviceran përbëhet nga shqiptarë dhe krenohem me ta, por unë jam për Kombëtaren. Dhe uroj dhe dua që fitorja të jetë e Kuqezinjëve. “O SA MIRE ME QEN SHQIPTAR” O hejjjjj.
Teuta Sadiku: Nuk mundem ta komentoj asgjë se me 11-të e kam ditëlidnjen dhe me siguri do të jem duke festuar dikund me shoqërinë time e çka ndodh me ndeshjen mbetet të nesërmen me e parë.
Nazife Bunjaku: Vetëm me kombëtaren tonë. Biles nga tash kanë fillu emocionet.
Don Arbas: Tifo do bëj gjithmonë për kombëtaren shqiptare, dhe e shoh gjithmonë me shumë emocione kur e di sa kohë na është dashtë me ardhë këtu ku jemi dhe besoj se do fitoj 2-1. Ky është mendimi im dhe besoj shumë se kemi potencial ta kalojmë grupin dhe kam shumë bindje se do e kalojmë grupin.
Mozzik: Do fitoj Shqipëria dhe patjetër do e shikoj me shumë zemër, shpresoj të na bëjnë krenarë çunat pasi s’po na lëshojnë vizat e tju tregojmë që i mundim.
Don Granit Shala: Unë jam me Shqipërinë, edhe se do luajnë me Zvicrën prapë jam me Shqipërinë. Unë jam i bindur se do ketë një firore 2-0 për Shqipërinë, por Shqipëria do shkruaj histori. Por sërish edhe nëse nuk do kenë fat unë do jem gjithmonë me Shqipërinë.
Albana Mesuli: Sigurisht që do të bëj tifo për kombëtaren tonë, është diçka historike që do të mbahet mend shumë gjatë arritja e kombëtares deri në europian. Respekt maksimal për të gjithë futbollistët shqiptarë që luajnë për Zvicrën na kanë bërë krenarë shumë herë kur komentatorët në ndeshje të rëndësishme e theksojnë që janë shqiptarë, por në këtë rast pa diskutim fare jam me shpirt dhe me zemër me kombëtaren tonë.
Labinot Rexha: Me Shqipërinë, por nëse Shqipëria humb normal që do jem me Zvicren, jo vetëm e vetëm që luajnë shqiptarë aty, por dhe unë jam mbi 17 vite këtu. Zvicra më ka dhënë të gjtha mundësitë për jetë, jam rritur këtu, integruar në kulturën europiane, prandaj dua të mbështes Zvicrën.
Naser Berisha: Kuq e Zi si gjithnjë! Për fat të mirë kësaj radhe besoj se do të jem në stadium gjatë kësaj ndeshje dhe do ta përkrah Kombëtaren tonë. Dëshira e madhe është për të fituar, por edhe nëse mbesim baraz, nuk do ta llogaris si dështim, kurse humbja do të ishte e hidhur. Por nëse më duhet të japë një prognozë atëherë mendoj se do të përfundojë baraz. Përndryshe pas Kombëtares sonë, të dytën me radhë që do ta përkrah do të jetë ajo e Zvicrës, arsyeja dihet. Edhe pse në të kaluarën personalisht kam qenë më kritik në lidhje me lojtarët që luajnë për kombëtaret e tjera, me kalimin e kohës dhe përmes përvojës personale që kam fituar në këtë vitin e fundit më kanë bindur se shumë nga këta djem nuk kanë pasur edhe tjetër alternative, shkaku i mos reagimit nga Federatat tona apo reagime të stërvonuara. Një shembull personal është ai i djalit tim, i cili po ashtu është një talent futbolli dhe është në përfaqësuesen e grupmoshave Junior U16 të Landit Baden-Ëürtenberg, e cila për nga numri i banorëve është 7 herë më e madhe se sa Kosova, kurse për nga fuqia e futbollin nuk kam nevojë as të flas. Unë kam informuar edhe njeë zyrtari të federatës tonë, dhe ka më shumë se 6 muaj që nuk ka reagim. Sido që të jetë, suksese Kombëtares Shqiptare, por edhe ashtu ne jemi fitues ende pa luajtur as edhe një minut në EM-2016!
Labinot Gashi: Pa marrë parasysh që na zbardhin fytyrën djemtë të cilët luajë për Zvicreën. Por unë jam me Shqipërinë gjithmonë. Uroj fitoren!.
Violeta Kajtazi: Po të mos luante Shqipëria unë do isha tifoze e Zvicrës, pikërisht për arsye të lojtarëve shqiptarë, por tani sigurisht që do të jem tifoze e Kombëtares sonë. Do ta ndjek ndeshjen dhe shpresoj shumë që fitorja të jetë e Shqipërisë! Shpresoj 2 me 1 në të mirë të Kombëtares sonë!
Valbona Mema: Fitoja e jona e padiskutueshme. Fitore për Shqipërinë!.
Astrit Mulaj: Unë do të jem me kombëtaren tonë Shqipërinë, është hera parë që marrim pjesë në kampionat e dua vetëm fitore, që ta ndejmë edhe ne si popull më në fund atë ndjenjen e flaktë të futbollit. Po normal që do ta ndjek, jam shumë fans i flaktë i futbollit mezi po pres të ja nis kampionati, rezultati im është 2:1 për kombëtaren tonë.
Neki Emra: Në ndeshjen Shqipëri-Zvicër normalisht jam me Shqipërinë dhe me flamurin tonë kombëtar, që do të valoj në kampionatin evropian për herë të parë. Ndeshjen do ta ndjek me shumë entuziazëm ngase do të luajmë me shqiptarë në dy anët e portave. Në stadium do të valoj shqiponja dykrenare në dy anët e tifozëve. Kënaqësi më të madhe nuk di a do të ketë. Dëshira ime do të ishte shumë e madhe të fitoj Shqipëria. Për të qenë realist është shumë e vështirë, pasi Zvicra ka ekip të mrekullueshëm. Shpresoj që do të jem gabim në vlerësimin tim për Zvicrën. Gjithmonë me shpresë që jam gabim, mendoj që Zvicra do të fitoj. Por sido që të jete rezultati unë mendoj që Shqipëria ka arritur shumë më shumë sa që kemi pritur, dhe për këtë jam aq i lumtur me lojtarët tanë që kanë arritur deri aty, saqë vetëm kjo ndeshje me dy ekipe pothuajse shqiptarë në fushë do ma kënaq shpirtin. Suksese Shqipëri!.
Remi Jakupi: Unë shpritnisht do të jem për Shqipërinë, dhe me siguri do të dal ta shikoj ndeshjen në sheshin kryesor të New Yorkut në “Times Square”, nga se është bërë organizimi që të transmetohet ndeshja publikisht. Prognoza ime është 2:1 për Shqipërinë. Besoj që së shpejti ata 6 lojtarë shqiptarë të Zvicrës do të bëhen pjesë e skuadres së Kosovës dhe atëherë do të krijohet një skuadër me mundësi për tu bërë kampion i Evropës dhe të shkoj shumë larg edhe në kampionatin botëror.
Valer Kolnikaj: I bie që të jetë ndeshje mes shqiptarësh, alla Dinamo-Vllaznia (Qesh). Padiskutim që do bëj tifo për djemtë që luajnë në ngjyrat e flamurit tonë, dhe dihet që do fitojmë.